Mund të jetë harruar ajo zhurma e madhe në mediet shqiptare që u zhvillua rreth një projekti verbal a real të Sali Berishës për t’u ndërtuar centrale bërthamore. Në Shqipëri. Në bashkëpunim me fqinjët, malazezët e kroatët, ose dhe vetëm nga shqiptarët.
Tri ose katër vjet pas këtij debati të kotë, siç rëndom dhe shpesh bëjnë shqiptarët nëpër mediet e tyre shumë të instrumentalizuara e tepër pak të profilizuara, më del se është tepër mirë që Sali Berisha nuk e nisi këtë projekt, por e la vetëm në nivel të fjalëve. Sepse e gjithë rrjedha aktuale me reaktorë nuklearë në Japoni, më bën të them me plot gojën: shqiptarët janë një popull me shumë fat që nuk u bënë me këto centrale bërthamore.
A e dini pse?
Sepse Shqipëria shtrihet në një zonë tektonike me karakteristika të larta sizmike. Për këtë arsye në Shqipëri bien shpesh tërmete. Veç kësaj, Shqipëria laget nga tri dete, madje ajo ka afër 400 kilometra gjatësi bregdetare. E pas tërmeteve mund të ngrihen cuname dhe gjithë ultësira bregdetare shqiptare mund të pushtohet nga peshq e peshkaqenë. Dhe të bëhen bashkë flora e fauna detare me florën e faunën e tokësore.
Katastrofë e vërtetë ekologjike e edhe njerëzore. Krejtësisht në fund, radha do t’iu vinte centraleve bërthamore për të shpërthyer me tërë fuqinë e tyre shkatërrimtare e rrezatuese. Dhe ato do t’i bënin dëm jo vetëm hapësirës shqiptare, por gjithë hapësirës evropiane. Pavarësisht se ndoshta, vetëm me tym e me re, më në fund do të integroheshin në Bashkimin Evropian aq të aspiruar.
Prandaj, a nuk është shumë më mirë që nuk u ndërtuan ato centrale? Që mbeten vetëm fjalë ose ndoshta ëndërr edhe e ndonjë politikani tjetër.
Sepse po të ndërtoheshin dhe po të ndodhte gjithë ky zinxhir ngjarjesh japoneze, a e di kush se çfarë do të bëhej me ne shqiptarët, në Shqipëri dhe kudo rreth kufijve të saj?
Është krejtësisht diçka tjetër nëse bashkë me ato centralet bërthamore, do të ndodhte shumë lehtë, pse jo edhe me ëndërrime, të fitonim e të pajiseshim edhe me virtytet japoneze: disiplinën robotike e ushtarake, solidaritetin e pamatur, punën dhe përkushtimin pa pushim, lojalitetin ndaj shtetit edhe kur ai nuk funksionon me rregullativat që vetë i ka hartuar.
Dhe kush e di, edhe ne, mu sikur japonezët, ndoshta vetëm do të bënim sehir para dyqaneve me mallra gjithfarë e nuk do të preknim gjë me dorë, e lëre më të plaçkitnim e të merrnim qoftë dhe një gjilpërë…
Kërkoj ndjesë për këtë digresion paksa të gjatë e ndoshta të paqëlluar. Në radhë të parë nga populli japonez që u përfshi dhe vazhdon të vuajë nga kjo tragjedi. Thënë më mirë, që e kaploi kombinimi më fatal i tragjedisë: superteknologjia njerëzore dhe superkatastrofa natyrore. Në ndeshjen e madhe të të cilave prapë fituese doli natyra dhe ligjet e saj. Dhe që pas këtij epilogu kobzi, presim, shpresojmë dhe lutemi, që ngadhënjimtarë të dalin, sërish japonezët. Ai populli i urtë, shumë punëtor dhe i kalitur në, mbi dhe me tërmete.
Në tragjedi, cilado qofshin ato, të mëdha a të vogla, rëndom heshtet ose lutet. Sepse, tragjedia që i ndodhi Japonisë: tërmeti, cunami dhe shpërthimet në reaktorët bërthamorë nuk është vetëm tragjedi e këtij populli. Stërkalat e saj kanë rënë dhe po bien nëpër gjithë botën dhe te të gjitha kombet. Edhe te shqiptarët. Të cilët shfaqën solidaritet dhe gatishmëri për të ndihmuar me aq sa munden.
Sa më përket mua, ndoshta edhe mund të më fusni në një thes me atë korrespondenten amerikane të CNN që u akuzua se për tragjedinë e rëndë japoneze raportonte duke qeshur. Për shkak se, ndoshta, shpotita shumë me centralet bërthamore që nuk i kemi.
Megjithatë, prapë lutem dhe them: falë Zotit, mosdëshirës dhe mospunës sonë, nuk i kemi ato centrale bërthamore. Siç nuk kemi edhe shumëçka tjetër që kanë japonezët. E më së paku punën, disiplinën dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Që na duhen më së shumti.
Në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë.