Që regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, sidomos në jug të vendit, mund të krijojë probleme me përqindjet ekzistuese dhe të perceptuara të pakicave etnike, është vënë tashmë në dukje nga shumë anë. Ka një rrymë të fortë në mendimin politik dhe sociologjik shqiptar, që shtimin artificial sidomos të numrit të atyre që do të deklarohen si etnikisht grekë, për arsye të ndryshme, e sheh si rrezik për integritetin kombëtar dhe si pararendës vështirësish strategjike për të ardhmen e Shqipërisë në Europë.
Opinioni publik në përgjithësi duket se e dënon ndërrimin e kombësisë, sidomos sa herë që ky bëhet për të fituar privilegje të ndryshme, ekonomike ose edhe thjesht kulturore e të prestigjit; akti i ndërrimit të identitetit etnik, në emër të përfitimit vetjak ose familjar, konsiderohet si një lloj “tradhtie” në mos ndaj kombit, së paku ndaj shqiptarisë si bashkësi dhe, ndonjëherë, si besëlidhje. Ky qëndrim negativ i opinionit, i amplifikuar edhe nga ndërhyrje analistësh dhe komentuesish me emër, përligjet edhe nga politikat tepër fut-hundëse dhe ndonjëherë haptazi shoviniste të qarqeve të caktuara greke në lidhje me Shqipërinë e Jugut dhe shtetasit shqiptarë të asaj zone.
Megjithatë, ngutemi kur e dënojmë kaq lehtë dhe haptazi dëshirën e disave për ta lënë kombësinë shqiptare; dhe ngutemi sepse në thelb i referohemi një koncepti arkaik për identitetin.
Mjaft t’i hedhim një sy historisë së të drejtave dhe lirive të individit; nëse shtyhemi në të shkuarën, do të arrijmë herët a vonë momentin kur të gjitha ato liri të cilat sot na duken të natyrshme dhe të vetvetishme, nuk ekzistonin asfare. Individi vinte në jetë dhe përftohej si anëtar i bashkësisë njerëzore nëpërmjet përkatësisë në një fe, në një shtresë sociale, në një kategori profesionale të caktuar. Bariu mbetej bari, bujku mbetej bujk, fisniku mbetej fisnik. Lëvizshmëria nga një identitet në tjetrin ishte e pamundur, ose shihej si një lloj stigme ose patologjie sociale; rigoni nuk bëhej dot lis, as lisi rigon.
Kësisoj, progresi social mund të përshkruhet edhe si shtim i lirisë për të ndryshuar identitetet dhe për t’i “shkelur” kufizimet ose tabutë e djeshme. Sot individi është i lirë të zgjedhë fenë që dëshiron, profesionin që dëshiron, vendbanimin që dëshiron; akte si divorci, aborti, ndërrimi i emrit, martesa me dashuri, marrja e një shtetësie të re ose emigrimi ekonomik janë, në thelb, edhe triumfe të njëpasnjëshme të së drejtave të personit, përkundrejt shtrëngimeve sociale, politike dhe ideologjike të djeshme.
Sot e kësaj dite nuk kanë të ndalur përpjekjet për të kërkuar liri atje ku deri dje shtrëngimet merreshin për të mirëqena, ose si kufij të natyrshëm; në Perëndim grupe dhe lëvizje shoqërore luftojnë tani për të ligjëruar martesat mes personave të të njëjtit seks ose të drejtën për të refuzuar shërbimin ushtarak; në një kohë që deri edhe identitete me natyrë biologjike, si gjinia, janë marrë në pyetje nga kush vendos të ndërrojë seks, me dëshirën e vet. Me mundësitë e reja që krijon teknologjia e virtualitetit dhe e rrjetëzimit, gjasat janë që zhvillime të tilla të marrin përmasa të paimagjinueshme.
Mes gjithë kësaj lëvizshmërie, ka ardhur duke u kristalizuar prirja që identiteti vetjak të përftohet më shumë si rezultat i vendimeve të lira të individit të informuar, sesa i shtrëngimeve sociale, politike, ekonomike, raciale dhe gjinore që ushtrojnë komuniteti ose institucionet e ndryshme ndaj këtij individi.
Në përgjithësi, të ndërrosh ose të modifikosh identitetin është proces me kosto të lartë sociale dhe psikologjike; askush nuk e bën këtë, përveçse kur ndihet ngushtë a keq në identitetin ekzistues, ose kur synon të përmirësojë jetën e vet ose të familjes. Një malësor që zbret në qytet dhe vendoset në një barrakë në periferi, e bën këtë me shpresën se ashtu do të sigurojë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët; një grua që vendos të divorcohet, e bën këtë sepse dëshiron të shpëtojë nga tortura e një martese të dështuar ose e një burri të dhunshëm ose shëtitës; një imigrant që merr shtetësinë e vendit mikpritës, e bën këtë për të përfituar nga privilegjet që vijnë me pasaportën e re.
Si do ta interpretojmë, në këtë kontekst, ndërrimin e tanishëm të kombësisë prej disa bashkatdhetarëve tanë? Argumenti është delikat, meqë jemi mësuar ta konsiderojmë shqiptarinë si virtyt të kultivuar në shekuj të mbijetesës, ose si fé kombëtare; prandaj ndaj braktisjes priremi të reagojmë njëlloj siç indinjoheshin në Mesjetë me dikë që linte “fenë e të parëve” ose “ndërronte padron.”
Ata shtetas shqiptarë, në Jug të Shqipërisë, që duan të ndërrojnë kombësinë dhe të deklarohen grekë etnikë, kanë arsye të ndryshme për të vepruar kështu – por gjithnjë shtyhen nga dëshira për të jetuar më mirë, vetë dhe familjarët e të afërmit e tyre. Që nga momenti kur dikush vendos ta lërë identitetin e vjetër dhe të përqafojë të riun, i vjetri do të përjetohet si shtrëngim i jashtëm, si detyrim dhe kufizim i lirisë vetjake. Natyrisht, disa nga këto kufizime janë të domosdoshme për funksionimin normal të shtetit – për shembull, ai për të paguar taksa; por ndërrimi i kombësisë nuk ka të bëjë as me funksionimin e shtetit, as me detyrat qytetare, sa kohë që askush nuk është i detyruar me ligj të jetë ose të ndihet shqiptar.
Ende nën ndikimin e ideologjisë së Rilindjes Kombëtare, ne e përfytyrojmë shqiptarinë si virtyt dhe privilegj; janë të shumtë ata që e thonë haptazi dhe pa ngurim se ndihen krenarë që janë shqiptarë, madje edhe sikur kontributi i tyre në mbarëvajtjen e kësaj shqiptarie të jetë zero. Për një takëm njerëzish, ky farë deklarimi solemn i përkatësisë kombëtare perceptohet si shërbim publik; deri në atë shkallë sa, nga pikëpamja praktike, të qenët shqiptar nis të organizohet dhe të funksionojë si profesion. Këtë farë përçudnimi një hap e ndan nga perceptimi i shqiptarisë si sakrificë vetjake.
Në të vërtetë, është e papranueshme, në mos qesharake, që shqiptaria si identitet etnik t’i imponohet individit së jashtmi, qoftë edhe thjesht si detyrim moral ose kusht për integrimin social dhe komunitar, veçanërisht në rrethanat e sotme, kur shumë qytetarë europianë e ndërtojnë identitetin e tyre pikërisht në themelet dinamike të lëvizshmërisë, ose ndërrimit të vendbanimit, shtetësisë, gjuhës, martesave me të huaj.
Në vend që të indinjohemi dhe t’i damkosim si “tradhtarë” të gjithë ata që kërkojnë ta lënë pas krahëve identitetin shqiptar, në emër të një të ardhmeje më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre, duhet të reflektojmë se çfarë e ka shkaktuar dhe kushtëzuar këtë dukuri; dhe se çfarë mund të bëhet, nga shteti shqiptar, shoqëria civile dhe secili prej nesh, për ta ndalur erozionin etnik në Jug të vendit, ose në rrethanat e fqinjësisë së detyruar me një shtet kombëtar më të pasur, më prestigjioz, më autoritar dhe të organizuar më mirë se Shqipëria.
Ky reflektim duhet të nisë nga natyra e shqiptarisë – ose nga konstatimi se nuk mjafton më, as ka ndonjë kuptim, që identitetin kombëtar ta mbajmë për privilegj, virtyt ose sakrificë. Të jesh shqiptar etnik nuk është as meritë, as heroizëm, as arsye për t’u ndier krenar; përkundrazi, rëndësia e këtij aspekti të identitetit personal është në përpjesëtim të drejtë me kontributin që jep gjithsecili, në kultivimin e këtij identiteti.
Shqiptar të bën gjuha amtare, familja, shkolla, kultura, komuniteti; por më shumë se të gjitha këto, të bën pjesëmarrja në shqiptarinë si projekt, ose si përpjekje për t’i dhënë dinjitet, shkëlqim dhe begati komuniteteve shqiptare, në Shqipëri dhe gjetiu. Sado i rrënjosur të jetë kombëtarizmi në të shkuarën, në mitet dhe në historinë kombëtare, në heronjtë dhe narrativat e përcjella brez pas brezi, ai do të funksionojë, si forcë pozitive dhe konstruktive në jetën e shqiptarëve, vetëm e vetëm po të integrohet në një vizion për të ardhmen, në një përpjekje të përbashkët të shqiptarëve për jetë më të mirë, më të pasur dhe më dinjitoze.
Këtu vjen e merr rëndësi kritike politika, meqë vetëm politika mund t’i formulojë dhe t’i promovojë projekte të tilla në nivel kombëtar dhe me afat të gjatë; çka Tirana nuk e ka bërë dot, madje ka dështuar bujshëm. Asnjë reaksion i tanishëm pasiv-agresiv ndaj ndërrimit të identitetit në zonat me identitet etnik të dobësuar nuk mund të kompensojë mungesën e një plani strategjik kombëtar, i cili të synojë jo vetëm integrimin e shqiptarëve në Europë, por edhe integrimin e shqiptarëve në Europë si shqiptarë, me identitetin e tyre etnik të spikatur. Orvatjet herë trashamane, herë hipokrite, herë protokollare e herë thjesht nekrofilike për të kremtuar simbolet e kombit ose për të kryqëzuar “çmitizuesit” janë më tepër ushtrime ose rituale vetë-shërbyese të elitave, të cilat e përdorin kombëtarizmin si gjethe fiku, duke e zhvlerësuar krejt në proces e sipër.
Nuk janë Nënë Tereza dhe Skënderbeu që do ta pengojnë fshatarin në jug të Shqipërisë, të varur pezull mes të qenit shqiptar, ortodoks, vllah dhe grek, për të zgjedhur pikërisht atë identitet që i premton më shumë lumturi dhe siguri në momentin e tanishëm; por një vizion i Shqipërisë së nesërme si vendi ku ai dhe komuniteti i tij do të kenë mundësitë më të mira për t’u realizuar dhe për të përmbushur aspiratat e tyre si njerëz, pavarësisht nga etnia që u ka qëlluar të kenë. Sa kohë që Tirana këtë vizion nuk e kultivon dot, nuk dëshiron ta kultivojë, ose nuk e sheh si imperativ strategjik, përpjekjet për t’i bllokuar rrjedhjet etnike në Jug nuk do të japin dot rezultat, madje do të vijnë duke u përjetuar si imponime arbitrare dhe të dëshpëruara, në mos patetike, nga një qendër së cilës i ka firuar besueshmëria.
*respublica.al
Comments are closed.
Shyqyr qe paska dhe shqiptare te tjere qe mendojne ndryshe dhe i shohin gjerat me tjeter perspektive.Ne kohen e tashme ne Shqiperi cdo gje e keqe bile edhe vrasja e nje njeriu tjeter quhet gje normale dhe ngandonjehere mundohen ta justifikojne me argumente te ndryshme por ndryshimi i kombesise e cila jam i bindur qe ne shumicen e rasteve eshte e justifikuar si martesa mikse etj. quhet si tradhetia me e madhe(e njejte me kohen e Enver Hoxhes qe arratisja quhej krimi me i madh).Per mua mbraktisja e familjes,gruas femijeve moskujdesja per te afermit eshte krim me i madh dhe sidomos marrja e nje jete njerezore.Por kjo do nje kulture te madhe dhe nje arsimim te pergjithshem dhe sidomos dalje te shqiptareve jashte kufijve per te kuptuar kush eshte me e rendesishme ne jeten e njeriut.Kjo tani per tani nuk ka gjasa te kuptohet si brenda kufijve dhe sidomos jashte per vete kushtet ne te cilat shqiptaret kane jetuar per shekuj(sidomos izolimi i madh i periudhave te fundit)Pra mund te kerkoje 1 ose 2 gjenerata sidomos me kete edukim ne nivel te ulet tashme.
Besoj se je paguar shume mire per shkrimin,andej dhe kendej kufirit.
Se c’lidhje ka fotoja me shkrimin ende po e vras menjen ta gje!!
Mbase jam i pa shkolluar dhe prandaj nuk e kap dot…
—
Dy vajza qe pijn duhan, njera gjysem lakuriq dhe me rroba sikur te ishte ne korridorin e shtepise se vete, dhe tjetra mbase eshte edhe me lakuriq por ka siper flamurin.
Kur shoh titullin “Shqiptarë për nesër” them me vete :
keto vajzat duhanxhi (qe as gjyshi im nuk ka qene ka duhanxhi) te jene simboli i te “nesermes”
keto te jene liderat dhe udherrefyesit tane per te nesermen?
Apo mos vall sdo te kete me burra dhe na mbeti neve te mbrojm flamurin tone dhe kombin tone vetem me gra?
Te me falin grate se nuk e kam me ato kunjin tani ne keto mesazhe, por edhe ato bejn pjese me pergjegjesine e tyre…
—
Apo per ceshtjet etnike ne shqiperi kjo foto na jep iden e sakte??
….
Nderime.
ato te dyja jane nenat e shipeve te ardhshme…ndoshta
mire o rrapi, mund te jene ?
por nese shqipet e ardheshme do te kene kesi lloj nenash me mariuna ne dore, zor se do te largohen shqipet nga mafia dhe droga….
mos prit rrapo zhvillim pastaj, mos prit djem te drejte qe qeverisin me drejtesi kete fole shqipesh…
me sa di un, shqipet kur fluturojn dhe jan nen presion te mbingarkesave te medha te force G (Graviteti) kan nevoje per me shum oksigjen dhe jo per carbon, katran, nikotine…
kan nevoje per gjak te paster i cili jau furnizon trurin me energji…
Pastaj o rrapo, un kam lindur mes malesh dhe mes shqipesh, dhe jam shqipe vete, minimalisht kam patente avioni dhe fluturoj vete, pra nuk kam nevoje nga askush qofte shqiptar dhe jo shqiptar te me tregoje se cdo te thote shqipe, apo cdo te thote TE FLUTUROSH si shqipet…
Nderime rrapo, dhe me shpresa per nena te mira dhe jo si keto qe na ofrohen.