Realitetet në dy prej tri shoqërive shqiptare janë të riparueshme relativisht me pak investim, apo janë në kufirin ku ende mund të jenë të riparueshme. Në Maqedoni dhe në Shqipëri, kombinimi i politikave vendëse dhe i infuzionit politik evropian (apo euroamerikan) ka mundësi të ndryshimit të gjendjes
6.
Nëse skenari i përsëritjes së dhunës, i spastrimeve etnike e i gjakderdhjes është gjithnjë i frikshëm (dhe fatkeqësisht, ende me gjasa, ndonëse të vogla), po aq i frikshëm duhet të jetë skenari i vendnumërimit për shumicën shqiptare autoktone në Ballkan. Në të, do të ruhej një lloj atrofimi i institucioneve të shtetit në të tria shoqëritë, me veçoritë e tyre gjegjëse. Shqipëria do të ecte më tutje në një model ku korrupsioni nuk është i llogaritur vetëm si kosto e biznesit, por edhe si kosto e pranuar e ndërtimit të mëtejmë të shtetit. Ashtu siç e di çdo ndërmarrës sot në Shqipëri, dhe e ka pranuar si mënyrë jete, ryshfeti është pjesë e kostos (siç është qiraja e objektit, pagesa e energjisë elektrike apo e materialit riprodhues)- ashtu shteti mund të integrojë korrupsionin (klientilizmin etj.) si pjesë të zhvillimit të institucioneve të tij. Në këtë skenar, lufta politike në vend do të bëhej (siç ka paralajmërim që tani) për luftë kontrollimi tregjesh mes dy blloqeve të mëdha politike. Institucionet e shtetit në mënyrë ciklike, atëbotë, do të bëheshin me fituesin e zgjedhjeve. Dhe, në këtë mënyrë zgjedhjet, dhe tërheqja magnetike për manipulimin me to, përfitojnë dimensione më të thella të rëndësisë: ato nuk bëhen vetëm për vendosjen e pushtetit, por për kontrollimin e tregjeve dhe të institucioneve të shtetit që duhet të garantojnë këtë kontroll. Partitë politike, në kësi skenari, bëhen organizata “ushtarake” për rrëzimin e kundërshtarit që kontrollon, apo ka potencial të kontrollit të tregut. Mediat, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile, do të zbrisnin nga “pushteti i katërt” për t’u bërë, siç janë sot, pjesë të “ushtrive”.
Kosova, në modelin e vendnumërimit, mund ta kalojë dhjetëvjetëshin pa asnjë vendim substancial rreth problemeve të veta strukturore. Mund ta ketë “konfliktin e ngrirë” në veri, një status hibrid në marrëdhëniet me BE-në – ku mund të ekzistojë një bashkëpunim, por jo edhe partneritet kontraktual – një legjitimitet të cunguar ndërkombëtar pa anëtarësim në OKB. Edhe mund t’i zgjidhë disa prej këtyre, në bisedime të mundimshme me Serbinë, që prej ditës së parë i sigurojnë Serbisë kredibilitet evropian e Kosovës kushtëzime për koncesione. Në fund të dhjetëvjetëshit, ose edhe shumë më herët, mund ta shpallë veten të dështuar, të mbajtur me infuzionin e pranisë ndërkombëtare.
Maqedonia mund të kalojë tërë një dhjetëvjetësh duke gjetur vende ku duhet vendosur monumente që duhet të përkujtojnë a ndërtojnë (nga e para) identitetin e maqedonasve -deri në zhbërje të plotë të shtetit.
Skenari i atrofimit është dyfish i dëmshëm për shqiptarët e Ballkanit. Në të, në fund të dhjetëvjetëshit (2021) dy prej tri shteteve do të ishin jofunksionale e në zhbërje, me popullatë shqiptare që do të kërkonte, pas njëqind vjetësh, shpëtimin në krijimin e një shteti kombëtar. Shteti fillestar shqiptar, Shqipëria, do të ishte e paiinteresuar dhe/ose e paaftë për të menaxhuar një gjendje të këtillë.
Në vitin 2021, shqiptarët e Ballkanit do të ishin ndarë në dysh: ata që janë në BE, duke emigruar, dhe ata që janë larg BE-së, duke mbetur të jetojnë në vendet e tyre. Në këtë vit, një vend që ka gjysmë shekulli premtimi të “perspektivës evropiane” , Turqia, nuk do të jetë vend anëtar i BE-së dhe do të ofrojë një perspektivë tjetër, të përbashkësisë në një skemë së bashku me disa shtete të Lindjes së Mesme, ku shqiptarët e shekullit XIX kishin shërbyer qoftë si asqerë, qoftë administratorë të Perandorisë Otomane.
Dikund gjatë këtij dhjetëvjetëshi, fryma e Lindjes së Mesme, me anë të revolucioneve arabe do të mund të arrinte në tokat shqiptare si përkujtim se gjërat janë përkeqësuar për aq sa duhet të ndryshojnë në rrugë.
Megjithatë, sado realë të duken skenarët negativë, nuk është e thënë se duhet të mbeten të këtillë. Realitetet në dy prej tri shoqërive shqiptare janë të riparueshme me relativisht pak investim, apo janë në kufirin ku ende mund të jenë të riparueshme. Në Maqedoni dhe Shqipëri, kombinimi i politikave vendëse dhe i infuzionit politik evropian (apo euroamerikan) ka mundësi të ndryshimit të gjendjes.
Maqedonia mund të jetë rasti më i lehtë, sado që çështja e emrit të vendit duket që zvarritet aq gjatë sa të bëhet çështje e pazgjidhshme. Deri më sot, në negociatat mes palës maqedonase dhe asaj greke nuk është arritur kompromisi për emrin e vendit, gjë që ka bllokuar anëtarësimin në NATO, dhe ka paralizuar në një masë reformat në vend. Shqiptarët në Maqedoni, nuk kanë marrë pjesë në këto negociata me arsyetim se kjo është çështje e ndjeshme e identitetit të maqedonasve etnikë. Kjo politikë megjithatë duhet të ndryshojë, dhe shqiptarët duhet të jenë partnerë konsensualë në definimim e emrit të Republikës së Maqedonisë, meqë kjo çështje ka të bëjë si me identitetin e tyre shtetëror ashtu edhe me nevojën e zhbllokimit të integrimeve euroatlantike. Partitë shqiptare, ashtu siç krijuan një platformë të përbashkët në Marrëveshjen e Prizrenit më 2001 (që i parapriu asaj të Ohrit), duhet të definojnë interesat e tyre strategjikë dhe e drejta e definimit të emrit të shtetit duhet të jetë njëra prej pikave.
Konsensusi i brendshëm shqiptar, pastaj ai maqedonas-shqiptar duhet të jenë, njëkohësisht një pikë themeltare e iniciativës së re euroamerikane. Një marrëveshje mes partive shqiptare duhet të përcaktojë se cilado parti shqiptare që hyn në Qeverinë e ardhshme të Maqedonisë këtë do ta bëjë me kushtin që çështja e emrit të zgjidhet brenda një viti, dhe brenda këtij viti Maqedonia të anëtarësohet në NATO. Ky pozicion duhet të jetë baza e marrëveshjes maqedonase e shqiptare, para zgjedhjeve të përkohshme parlamentare e do të duhej të përkrahej me hapa konkretë të integrimit të Maqedonisë brenda NATO-s dhe shpejtimit të integrimit në BE. Gjithashtu, dhjetë vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, partitë shqiptare duhet të bëjnë llogarinë – dhe të definojnë se çka u është mbetur borxh.
Me këtë ndryshim, çështja e emrit të Maqedonisë do të zhbllokohet,do të largohet nga sfera e popullizmit e së kaluarës, ku është futur prej dhjetë vjetësh në sferën e ardhmërisë evropiane të vendit. E vetmja mënyrë se si ky vend mund të ketë ardhmëri evropiane, apo madje edhe fare ardhmëri, është nëse për këtë pajtohen edhe shqiptarët.
8.
Shqipëria është në krizën e njëjtë, ndonëse në kushte tashmë të ndryshuara, pothuajse 20 vjet. Është kriza e vendosjes së legjitimitetit të pranuar të demokracisë, një trekëndësh i përsëritur dhe i stërpërsëritur mes pushtetit, opozitës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Dy gjëra në thelb nuk kanë ndryshuar: ankesat e bazuara të opozitës (kushdo që të jetë në të) dhe natyra e ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare.
Opozita – kushdo të ketë qëlluar në të – ka pasur gjithnjë të drejtë. Zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë arritur (thuhet me shpoti: pos të parave kur nuk kishte kush përvojë vjedhjeje) përmbushjen e standardit të pranueshmërisë, pra të legjitimitetit.
Dhe, ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë në masë të madhe e një natyre, asaj të zjarrfikësit. Ç’është e vërteta, në një formë të papresedencë në gjysmën e dytë të shekullit XX, ngase bashkësia ndërkombëtare u desh të dërgonte ushtarë në Shqipëri dy herë. Së pari për të siguruar që ndihma në ushqim do të mbërrinte te qytetari me nevojë dhe së dyti për të siguruar që zhbërja e shtetit më 1997 të mos degjeneronte në një shkallë të pariparueshme. Krahasuar me këto, shkuarje-ardhjet e këtij viti, të diplomatëve amerikanë e evropianë, duken krejtësisht minore – por thelbi është i njëjtë. Në njëzet vjetët e fundit, bashkësia ndërkombëtare është dashur të vinte për të rregulluar krizën e radhës në Shqipëri.
Dy ndryshime konceptuale mund të ndryshojnë edhe mënyrën e zgjidhjes së krizës së legjitimitetit.
Ndryshimi i parë është në formatin negociator. Në vend të formatit ku negociatat zhvillohen herë për njërën gjë e pastaj, pas një kohe, për tjetrën, vendi ka nevojë për formatin e “negociatës së fundit”. Kjo do të thotë që palët pajtohen të vënë në tryezë tërë listën e ankesave dhe të kërkesave që do të krijonin një gjendje të legjitimitetit të plotë, me shprehje eksplicite se pas konkludimit të procesit negociator nuk do të ngrihen më çështje të natyrës substanciale.
Një ndryshim i këtillë konceptual do të evitonte besimin apo drojën e tanishme mes poleve politike (çfarëdo që të jetë ndjenja) se edhe kjo krizë do të përballohet disi dhe se kundërshtari do të goditet në pritën e radhës. Për më tepër një ndryshim i këtillë konceptual është më se i nevojshëm për bashkësinë ndërkombëtare, që të tejkalojë rolin e zjarrfikësit.
“Negociata e fundit” do të lidhej me tërë listën e problemeve të hapura që i ka vendi në vendosjen e legjitimitetit demokratik të institucioneve të veta të zgjedhura, duke filluar prej listave zgjedhore.
Ndryshimi i dytë konceptual është ai i natyrës së ndërmjetësimit. Në njëzet vjetët e fundit, siç u pa edhe në formë të skajshme, bashkësia ndërkombëtare ka pasur një ndërhyrje, krizë pas krize. Kjo ka krijuar një instinkt të “crisis response” (“përgjigje ndaj krizës), ndaj problemeve të Shqipërisë. Ardhja në vitin 2011 e dy diplomatëve të lartë amerikanë e evropianë, Steinberg dhe Lajçak, me mision shtendosjeje të acarimit mes pushtetit dhe opozitës, është reagim i këtij instinkti.
Natyra e ndërhyrjes amerikane dhe asaj evropiane mund të ndryshojë. Së pari, duke mos e përsëritur veten: Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë “shuttle diplomacy” në Bulevard, ku diplomatët amerikanë dhe evropianë i kalojnë disa qindra metra prej Kryeministrisë e Bashkisë për t’u siguruar që palët do të kenë mirësjellje. Tashmë palët në konflikt, pushteti dhe opozita, duhet të shkojnë në një pikë të caktuar takimi, në tryezën e bisedimeve. Dhe, tryeza nuk duhet të jetë as në Strassbourg e as në Bruksel, por në Tiranë, te presidenti i Republikës.
Por, për dallim prej përpjekjeve të mëhershme për ndërmjetësim te Pallati i Brigadave, diplomatët e lartë evropianë dhe amerikanë, do të duhej të ishin përkrahë presidentit të Republikës, si përforcues të procesit negociator.
Dhe, për dallim prej mënyrës se si ka filluar ndërhyrja evropiane dhe ajo amerikane, do ndryshuar profili i mesazhit euroamerikan. Këto negociata nuk duhet të jenë edhe një në listën e zgjidhjes së krizave, por negociata që futen në kuadër të ambicies evropiane të Shqipërisë. Në ndarjen burokratike të BE-së, një negociatë e këtillë më shumë se me zyrën e baroneshës Ashton do të duhej të ishte e lidhur me zyrën e Stefan Fuhles. Konceptualisht, këtë krizë do ta sjellë në kontekstin e zgjerimit të BE-së, e jo në atë të “revolucioneve të jaseminit”.
Siç u pa me liberalizimin e vizave, me një cak të përcaktuar dhe të matshëm, Shqipëria mund t’i bëjë reformat e nevojshme. Një kornizë e këtillë, me caqe të përcaktuara dhe të matshme në integrimin evropian, janë të nevojshme për tryezën e presidentit, gjegjësisht për “negociatën e fundit” në Shqipëri. “Negociata e fundit” për zgjedhje në Shqipëri duhet të jetë e lidhur me statusin e kandidatit të vendit. Pa e arritur pajtimin, Shqipëria nuk mund ta fitojë këtë status.
Një këso liste caqesh janë më së të nevojshme për natyrën e jetës politike në Shqipëri, e cila ka mbërritur në pikën e fundit të humbjes së legjitimitetit të politikanëve – një strukture që nëpërmjet korrupsionit është duke ngrënë substancën e konceptit të demokracisë në vend.
Kuti matës për politikën ka nevojë të ndryshojë rrënjësisht: prej gjendjes së tanishme të shumës së ryshfetit në gjendjen e indikatorëve të kaptinave të negociatave me Bashkimin Evropian.
(vijon nesër: Si dhe pse po ecën Kosova nga modeli “i shtetit të dështuar”? Pse riparimi i krizës në Kosovë nuk mund të bëhet në kornizat e tanishme? Në cilat fusha duhet kërkuar rrugëdaljen dhe cilët hapa duhen ndërmarrë?)
Comments are closed.
Zoti Surroi fjalet tuaj vlejne per te mecurit kur jane ne krye,jo per ata qe popolli i vet i quan fatekeqsia e tij .Jemi kombi i pa fat ne tre shtetet ku shqiptaret jane .Fjalet e nolit jane edhe sot aktuale per kewta qe qeverisin ne kosove dhe shqiperi.