Policë në lot, “Zombi” në politikë

5 Mars 2011, 11:25Blog TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Ka dy demonstrime të opozitës dhe një i tretë në mes tyre, që veçojnë nga gjithë protestat e tjera të ndodhura më parë në Shqipëri. Dallojnë qoftë nga tipologjia, qoftë nga rrethanat, qoftë nga pritshmëria prej tyre.

I pari dhe më i hershmi, ka ndodhur në mbrëmjen e datës 25 qershor duke gdhirë data 26 qershor në vitin 2009. Vetëm dy ditë përpara ditës së zgjedhjeve të përgjithshme, PS kërkonte që mitingun e saj përmbyllës ta mbante në Bulevardin Dëshmorët e Kombit , ndërsa tribunën ta ngrinte përpara dritareve të kryeministrit. Një parathënie e trishtueshme e faktit që vetë Bulevardi dhe dritarja me xhama të blindura e zyrës së kryeministrit, do të shndërroheshin në elemente të pandashëm të valës së protestave të PS-së. Ngjarja ishte e thjeshtë: një grup kompakt simpatizantësh të PS-së e gdhinë gjithë natën jashtë, herë duke u përleshur me policinë e herë duke ndarë biskota, çokollata dhe kafe të nxehtë me ta. Në të gjitha herët, paguanin protestuesit. Sherri në vetvete ishte absurd, PS që insistonte të ngrinte podiumin, “policia” nuk e lejonte një gjë të tillë sepse… dëmtohej trafiku i qytetit. Ajo çfarë nuk mundën dot kamerat të transmetonin, pavarësisht se e ndiqnin ngjarjen live, ishte mërzia e pafund e vetë policëve që detyroheshin të zbatonin një urdhër absurd të eprorëve dhe që kur ndizeshin kamerat, bënin sikur shtynin protestuesit. Kushdo mund të kujtojë sesi nga dritarja e zyrës së tij, Kryeministri fliste parreshtur në telefon. Një skenë që më pas u ripërsërit në formë groteske edhe shumë herë të tjera me të njëjtat personazhe: kryeministri që telefonon nga dritarja s´dihet kë, protestues dhe policë përballë njëri-tjetrit, në një simbiozë të çuditshme: tek protestuesit kishte shumë që do të donin të visheshin policë në një të nesërme të favorshme politike për ta dhe policisë që kishin po aq dëshirë të ishin edhe vetë pjesë e protestës.

Demonstrimi i dytë ndodhi në 28 janar 2011, në marshimin e jashtëzakonshëm të opozitës në homazh të viktimave të së Premtes së Zezë. Dhjetra mijëra qytetarë, me lule në duar dhe lotë në sy, nën marshet funebre të muzikës dhe në një ambient ngjethës, të mbushur me ankth e dhembje, nderuan kujtimin e të vrarëve. Në fakt, një tjetër akt tërësisht politik luhej pak metra tej tyre. Mes qindra trupave policore që ishin bërë gardh përpara gardhit të kryeministrisë, kishte shumë prej tyre që ishin përlotur. Shumica dërmuese e tyre kishin qenë në të njëjtin vend edhe një javë më parë, në 21 Janarin e Zi, nën breshërinë e gurëve të demonstruesve të zemëruar me qeverinë, një pjesë, madje, edhe kishin marrë plagë. Dy “palë” në të njëjtin popull, me të njëjtat halle.

Loti në sytë e policëve të thjeshtë, është absolutisht shenja më e fortë, më e dukshme dhe më e rëndësishme për atë që po ndodh në këtë dimër të trazuar. Shumëkush nga ta, me një pagë minimale për jetesën e shtrenjtuar shqiptare, shumëkush nga ta, me vëllain, motrën, kushuririn apo mikun në anën tjetër të gardhit, shumëkush nga ta, me po aq të drejtë të bëjë së paku dy pyetje fillestare: a është numëruar vota ime në 28 qershor dhe a po qeveris drejt qeveria?

Për pyetjen e parë nuk do të ketë kurrë një përgjigje sepse pishtari i KQZ-së i vuri flakën fletëve të votimit, sepse eprori i tij politik me zyrë në katin e dytë të Këshillit të Ministrave, vendosi ta shuajë flakën me zjarr. Për pyetjen e dytë mund të ketë një seri përgjigjesh dhe secili polic nën uniformën e tij, sipas bindjes vetjake, do të ketë dhe përgjigjen e tij vetjake. Megjithatë, të gjithë së bashku, pa përjashtim, sprapsen përpara murit të vdekjes së katër qytetarëve në Bulevard. Përtej vdekjes nuk ka përgjigje. Pesha e vdekjes është më e pamëshirshmja, më e rënda dhe nuk ka shpinë qeverie që ta mbajë arkivolin e saj mbi supe, cilado qoftë qeveria.

Një nga arsyet psikologjike pse u rrëzuan socialistët në zgjedhjet e vitit 2005 ishte edhe  mungesa e respektit “zyrtar” pikërisht për vdekjen. Njëherë në rastin e tragjedisë së Otrantos kur u mbyt gomonia me shqiptarë që paguanin banditët për t´i shpëtuar mizeries ekonomike në vend dhe herën tjetër kur u përmbys autobuzi fatkeq me studentët kosovarë.

Katër vdekjet e të Premtes së Zezë janë, megjithatë, krejt tjetër gjë: ata u vranë nga armët e qeverisë. Të gjitha përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit të krimit të kryer nga organizatorët e demonstratës, nga vetë demonstruesit e dhunshëm me krimin e vrasjes, janë jo vetëm marrëzi, por edhe një tjetër gjest kriminal i duarve që komandonin gishtat që shkrepën automatikët. Zombi-et politikë, të kafshuar në qafë nga llogari private dhe tregtarët e fjalëve me qafë të kafshuar, që vërtiten si Zombi në ekrane televizionesh apo vejevijnë në faqe gazetash, tregohen me gisht, në shtëpitë e tyre edhe nga vetë policët. Sepse edhe ata, me apo pa uniformë, janë të përfshirë nga ndjesia, nga bindja apo nga instikti qytetar se një grup i vogël njerëzish në politikë i ka përjashtuar ata jo vetëm nga vendimmarrja që u takon si sovran, por edhe nga e drejta e përfitimit politik. Edhe ata janë peng i arrogancës së qeverisjes, edhe ata janë pjesë e bindjes se revolucionarët e djeshëm janë shndërruar në uzurpatorë të pushtetit. Kështu ka ndodhur në çdo cep të globit, sa kohë që kohëzgjatja në pushtet e çdokujt, bëhet qëllim në vetvete. Në këtë kuptim, në Tiranë, sot Sali Berisha ka kryesisht një kundërshtar kryesor: kohën e gjatë të qëndrimit të tij në pushtet, që nis me trajektoren e revolucionarit të dyshimtë në dimrin e vitit 1990 dhe po vazhdon në dimrin e vitit 2011 me trajektoren e individit që uzurpon pushtet pa kufi. Ky është rregull, kundër kohës nuk mund të ngrihet krye. Nuk dihet vetëm koha kur do të ndodhë ndëshkimi për “kryengritjen” ndaj kohës dhe kostoja që do të paguhet kur të ndodhë. Vetëm vdekja ka pushtet mbi kohën. Tirana ka katër vdekje të tilla në Bulevard. Lotët e policëve janë shenja. Janë shenja që bind se qytetarët e zemëruar në Bulevard nuk i mbledh thjesht dhe vetëm pohimi i pushtetit të nesërm të socialistëve, por mohimi i pushtetit të sotëm të demokratëve. Nuk dalin në Bulevard thjesht dhe vetëm nga “dashuria” për Edi Ramën, por ju nxjerr zemëratën në rrugë urrejtja për Sali Berishën.

Një popull që qan është i frikshëm. Një polic i përlotur është një këmbanë alarmi për atë që llogarit të marrë shërbime të verbra e kriminale prej tij në këmbim të rrogës. Loti është i frikshëm. Sidomos kur shkak i tij është politika dhe për shkak të politikës ka lot në rrugë. Ky është thelbi, gjithçka tjetër është vetëm procedurë. Procedurë janë zgjedhjet e pritshme lokale, procedurë janë zgjedhjet e përgjithshme në 2013-ën, procedurë janë edhe zgjedhjet e parakohshme. Procedurë, madje, është dhe hetimi i paanshëm, i plotë dhe i pavarur që i kërkohet Inës së Prokurorisë. Loti është thelbi dhe kur ai rrjedh nga syri i një polici, atëherë qeveria ka një hesap të frikshëm për të kryer.

2 komente në “Policë në lot, “Zombi” në politikë”

  1. zana19 says:

    Nje shkrim i mirefillte analitik dhe passionant. E lexova me endje.

  2. Frederik says:

    Pikerisht kjo eshte per mua fjalia me domethenese per realitetin shqiptar qe autori e ka nxjerre per konkluzion te shkrimit te tij.
    “Loti është thelbi dhe kur ai rrjedh nga syri i një polici, atëherë qeveria ka një hesap të frikshëm për të kryer”.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje