Gjuha shqipe ka gjetur sekretin e mbijetesës

3 Mars 2011, 10:42Blog TEMA
Gjuha shqipe ka gjetur sekretin e mbijetesës

1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?

Ç’është ekzistenca? Nëse zoti e krijoi botën, po zotin kush e krijoi? A ka një paraekzistencë? Miti i shkakut të parë është teologjik. Idea shkencore e infinitit e përjashton idenë e zotit.

2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?

Potencialisht e mrekullueshme. E vetmuar, pa një familje gjuhësh, e rrezikuar, por edhe me sekretin e mbijetesës.

3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?

Doktrina manikeiste, e grafikiste, puriste, bardhë e zi, të mirë ose të këqinj, është dogmë e dështuar për njerëzit, një formë e “paracaktimit”, “predisponimit” mekanik, kalvinist etj.

4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?

George Orwell-i do të vriste vehten po të shihte një spektakël të tillë me nocionin e Big Brother-it të shpikur prej tij, por të tjetërsuar. Jam me Orwell-in.

5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?

Është legjenda historike e një realiteti plural, që nuk u ngrit asnjëherë mbi realitetin e njësuar etno-kulturor, po nuk është përjetësisht status-quo, nëse politizohen fetë, ose fetarizohen politikat.

6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?

Një unitet në diversitet, që është e njëjta gjë si diversiteti në unitet. Padyshim i njëjti komb, e njëjta gjuhë, e njëjta kulturë. Është marrëzi ta konceptosh ndryshe.

7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?

Djali im, Epidamni.

8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?

Nuk ka patur kurrë vrasje për arësye shtetërore, por për arësye të pushtetarëve, që vetindentifikohen me shtetin. Meqenëse edhe shteti demokratik është formë e shtetit, në përgjithësi mund ta manipulojë prej pushtetarëve togfjalëshin antijuridik me ndryshimin leksikor si “për arësye demokratike “.

9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?

Projektin mendor, emancipues të një revolucioni demokratik, shumë më të rëndësishëm dhe modern se sa duket në vështrim të parë dhe ndoshta edhe një profilaksi dhe shmangie elegante të komunizmit shtetëror. Një realitet demokratik në 1924 do të qe më i gjallë, më manovrues, më rezistues, më i sukseshëm, për të shmangur strukturën totalitare 20 vjet më pas.

10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?

Antifashizmi botëror është një shpikje dhe kulturë e re moderne e shekullit XX. Shqiptarët qenë pjesëmarës dinjitozë në këtë antifashizëm, krahas aleatëve të mëdhenj, përherë të parë në histori. Ky është thelbi i thelbeve. Matrica e këtij antifashizmi shërbeu konceptualisht edhe në çlirimin e Kosovës në 1999.

11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?

Zhdukja e analfabetizmit, arësimi në të gjitha nivelet, kultura e shkencave ekzakte politeknike, institucionalizimi i bujqësisë, industrisë, minierave, transportit hekurudhor, detar, i naftës, i hidrocentraleve, shëndetësia etj

12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?

Babai im, luftëtar antifashist, vdiq 40 vjeç nga dy plagë të luftës. Do të isha padyshim me partizanët.

13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?

Është fundi i turpshëm dhe i kuptueshëm i një fillimi, jo një fragment i rastësishëm, por konceptimi personalist i një të tëre, i deformimit të republikanizmit në monarkizëm jashtë kohe, i klientelizmit politik dhe ekonomik, ndonëse ka kronologjinë e tij në historinë e shtetit shqiptar.

14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?

Pse? Për kuriozitet? E kam lexuar para shumë vitesh. Kush dëshiron nuk e ndalon askush ta lexojë në të gjitha gjuhët e përkthyera, ndoshta edhe në shqip. Është doktrina më mediokre dhe social-raciste, një ligjërim patologjik dhe mesianik, që i kushtoi frikshëm historisë botërore.

15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?

Është nobelisti amerikan Elia Wizel, prej tij ruaj dhe një letër autograf me dorën e tij. Kam fotografi edhe me shkrimtarë botërorë si Iv Bonfua, Tomas Trantremer, Sanguinetin, Jashar Kemalin etj. Po Wizel është për mua më i veçantë, i mbijetuari nga holokausti i Aushvicit, autor i shumë librave tronditës dhe përkrahës i madh i lirisë së Kosovës në 1999. E kam takuar në Stokholm në 2002.

16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?

Reaksioni rebelues popullor ndaj një (para)politike antipopullore, që nuk duhet të përsëritet. Natyrisht që është diçka më e ndërlikuar.

17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?

Di që jeta ime nuk do të më dhimbsej fare po të kërcënohej jeta e të dashurve të mi. Nuk do të kursehesha. Pa patetikë, por seriozisht dhe pa asnjë mëdyshje.

18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?

Cili nga popujt e Europës është europian me titull të plotë? Të jesh europian është një titull konvencional, ose më saktë subjekt i një qytetërimi sinkretik i disa qytetërimeve të mëdha të historisë. Edhe shqiptarët janë një subjekt i tillë padyshim, pavarësisht disa kuotave. Konceptualisht.

19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?

Atë të zbritjes së njeriut të parë me raketë kozmike në sipërfaqen e Hënës, me kushtin surreal që të udhëtoja së bashku me një kozmonaut të vjetër, që quhet Homer, kuptohet kozmonaut i fjalës.

20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?

Me Onufrin, nëse do të ishte në një tryezë duke pirë verë me Jan Husin, Gjergj Kastriotin, Buzukun, Pjetër Bodganin, Jonathan Swiftin, De Radën, Ezra Paund-in dhe Migjenin.

21: Cili është libri që po lexoni?

Janë disa libra njëherësh, më saktë romane të Jonathan Franzen, Roberto Bolanos, Paschal Quinard dhe Florian Zeller, etj etj etj.

22. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?

Spanja, gjuha e saj, e Servantesit, e romanit më të madh të të gjitha kohërave “Don Kishotit“, që është edhe gjuha e Jorge Luis Borgesit, e piktorëve kozmogonikë të metaforave, e pasioneve titanike mesdhetare, e shpirtit të përbotshëm të dashurisë tragjike, e filozofëve kinse të harruar andaluzianë të mrekullueshëm që iluminuan mesjetën europiane.

23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?

As nuk dua ta mendoj këtë gjë.

24. Keni frikë nga vdekja?

E pashmangëshmja nuk të frikëson, të qetëson, të bën të vetëdijshëm për kuptimshmërinë e jetës, të mëncuron, pra vdekja është një Magister Vitae.

25. Ç’është Atdheu?

Jo thjesht një postulat gjoografik dhe biologjik. Është gjithçka, nëse tek matrica e tij koncentron mikrokozmosin dhe makrokozmosin, pra për të mos limituar asnjëherë universalen.

*respublica.al

4 komente në “Gjuha shqipe ka gjetur sekretin e mbijetesës”

  1. mendimi_im says:

    Ne fillim e mohon se ka Zot, pastaj disa rreshta me vone pranon te ulet ne tavoline me keta persona te cilet jan besimtare ne Zot :

    Jan Husin, Gjergj Kastriotin, Buzukun, Pjetër Bodganin, Jonathan Swiftin, De Radën, Ezra Paund-in dhe Migjenin.

    A nuk eshte nje hipokrit qe se ka shokun ky ??

    1. rrapi-i-treshit says:

      jo eshte thjesht shume me i qyteteruar dhe europian se 36 fakultetet e tua te arabise – saudite

      1. rrapi-i-treshit says:

        pse nuk beson ne zot nuk do te thote te ulesh te pish kafe e te besh muhabet me persona besimtare Po ti nuk ke si ta kuptosh se te gjitha lajmet ketu ne tema i komenton me ngjyra fetare HOLLYWOOD-in luften politiken aktualitetin humorin madje dhe sportin,
        Ti tere kohes vetem islam e fe ke ne koke Ulu lexo ndonje liber te OSCAR WILDE ose degjo METALLICA ndonjehere se nuk te ben dem nuk digjesh ne xhehnem

  2. Frederik says:

    I nderuari Moikom Zeqo ben nje gabim konceptual ne lidhje me : “1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?

    Ç’është ekzistenca? Nëse zoti e krijoi botën, po zotin kush e krijoi? A ka një paraekzistencë? Miti i shkakut të parë është teologjik. Idea shkencore e infinitit e përjashton idenë e zotit”.

    Oponenca ime . Kur flasim per Zotin , do te thote se mundohemi te flasim per origjinen e lendes fillestare te krijuar , pra flasim per origjinen e mikrothermijes si baze e ndertimit te lendes. Pra krijuesin e lendes fillestare . Nuk mund te pranojme llogjikisht se krijuesi i lendes fillestare nga ku u krijua universi yne , paska nje krijues tjeter. Koncepti i pafundesise , s’eshte gje tjeter veçse masa relative e konceptimit njerezor ndaj krijimit apo perfundimi rreth nje gjendjeje. Perderisa qenia njerezore eshte e krijuar , te pakten drejtpersedrejti nga natyra , e cila ne vetevete eshte produkt i krijuar , do te thote se qenia njerezore nuk eshte aq inteligjente sa me dijet e tij te kete dije absolute per boten qe e rrethon.
    Perderisa qenia njerezore eshte qenie inteligjente apo çdo lloj krijese ( natyrore ) eshte mjaft e nderlikuar ne ndertim sa i kalon permasat e inteligjences njerezore , do te thote se qeniet inteligjente te ndertuara sipas nje projekti teper inteligjent dhe te nderlikuar , jane te krijuara nga krijues mjaft inteligjent qe i kalon permasat e inteligjences se qenies se krijuar dhe nuk mund te linde rastesisht mbishkenca e ndertimit te botes sipas ligjeve te percaktuara te funksionimit jetesor te saj. Mos harrojme ketu funksionimi ciklik ne univers qe s’eshte levizje sipas rastit.
    Shkenca dhe Zoti nuk kane asnje te ndare nga njeri-tjetri , por me nje dallim te qarte se shkenca njerezore duhet te jete aq kurajoze sa te perdore veteveten me dijet e saj per te krijuar lidhjen llogjike me Krijuesin e botes.
    Krijuesi i botes , Zoti , dhe teologjite fetare nuk kane asnje lidhje me njera-tjetren . Keto te fundit e erresojne rrugen e lidhjes me Zotin ndersa shkenca e qarteson ate.
    Kur flasim per Zotin , ne kerkim te gjendjes se tij , mund te pranojme qarte se perderisa universi eshte produkt i krijimit te tij dhe duke e marre ate per te parin e gjendjes , natyrshem rrjedh konkluzioni se Krijuesi nuk mund te jete i njejte me produktin pasi ne kete menyre dhe ai do te kishte krijues . Atehere perfundimi im eshte se gjendja mbi Krijuesin e botes nuk i perket sistemit te gjerave qe ne jetojme dhe ai i perket nje gjendjeje qe nuk eshte pjese e sistemit qe Ai ka krijuar dhe ne, qenia njerezore , kurre nuk mund te kete aftesine dhe mundesine te gjykoje jashte sistemit te universit ne te cilin jetojme dhe na rrethon.
    Pra Zoti , Krijuesi i Botes ka qene eshte dhe do te jete.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje