Fytyra e koalicionit “PD-LSI” po dëshmon plotësisht se në krye të vendit nuk kemi një qeveri që i shërben interesave të vendit e të popullit, por një grup individësh të bashkuar në një qëllim të përbashkët e të vetëm: Marrjen e pushtetit me çdo mjet e mënyrë, mbajtjen e tij edhe me dhunë dhe gjak dhe pasurimin nëpërmjet pushtetit. Këtë objektiv pasurimi kriminal, banda në pushtet e përzgjedhur, e organizuar dhe e komanduar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë realizuar duke përdorur pushtetin e votave të vjedhura prej Sali Sudes dhe të votave të trafikuara prej Ilir Bllokut.
Shqipërinë e drejtojnë të mbyturit në korrupsion, të zhyturit në krime
Në zyrat e larta të këtij pushteti drejtojnë ministra, politikanë e deputetë mashtrues, demagogë, varfërues dhe vrasës të popullit të uritur, të tallur, të braktisur në çdo gjë. Pushteti PD-LSI, nuk është më qeverisje për shqiptarët, por një shoqëri biznesi e organizuar kriminalisht prej bosëve të saj me poste të larta qeverisëse e ligjvënëse. Kryeministria nuk është më një Seli Qeverie, por është kthyer dhe funksionon si një “shpellë hajdutësh” në mes të Tiranës, me kryeministër, ministra e deputetë “bisht qeni”, të penalizuar. Shqipëria nuk është më një vend me qeverisje normale dhe europiane, por një “geto” që komandohet dhunshëm prej individësh të mbytur në korrupsion dhe të zhytur në krime, deri njerëzore. Shqiptarët dhe ndërkombëtarët e dinë mirë, që pushtet-krimi Berisha-Meta nuk i derdhi plumbat dhe gjakun e popullit në 21 janar 2011 në emër të “mbrojtjes së institucioneve të shtetit”, as në emër të “futjes së Shqipërisë në BE”, por vetëm në emër të mbrojtjes deri mizore, të pushtet-krimit të tyre.
Politikat qeverisëse të përdorura për shqiptarët e të servirura për ndërkombëtarët, janë varfërim total i popullit, shitje e interesave kombëtare. Por ato vazhdojnë të serviren prej koalicionit “PD-LSI” si “arritje” tek ndërkombëtarët, për të përligjur paaftësinë qeverisëse e për të maskuar krimet ekonomike, që “çeta Berisha-Meta” po bëjnë pa u ndalur brenda “shpellës së hajdutëve”, të cilën ata e quajnë “kryeministri”! Kjo “çetë” e përbashkët politiko-ekonomike e korruptuar, që është në krye të vendit, del publikisht përballë shqiptarëve dhe guxon e u kërkon vota fitoreje për pushtetin lokal në 8 Maj 2011! Kjo është një tjetër tentativë e tyre për të futur në kthetra edhe pushtetin lokal, me synim mafioz që të sundojnë plotësisht mbi shqiptarët. Në fakt, koha e pushtetit të tyre ka mbaruar, qeverisja e tyre vjen “erë”. Pushteti i ortakëve hajdutë Sali Sude-Ilir Blloku, dëshmoi qartë se ata nuk u futën bashkë në “krevatin” e qeverisjes për të integruar Shqipërinë dhe shqiptarët, por për të zhvatur pasuritë kombëtare. Objektiv i tyre është fuqizimi i pozitave ekonomike-financiare, me synim sundimin afatgjatë në krye të vendit, qoftë edhe me krim, siç kanë vepruar në këto 20 vite, siç vepruan edhe në Gërdec e në 21 janar 2011. Kjo bandë e hipur në qeverisjen shqiptare është krejt e pa interesuar për të zgjidhur problemeve social-ekonomike të shqiptarëve. Kësaj qeverie gangosh e hajdutësh, nuk i shkon aspak në mëndje për të hapur vende të reja pune, për të mbrojtur numrin e vendeve ekzistuese të punës, për të nxitur e mbështetur biznesin vendas, për të realizuar investime për ekonominë, për të ulur importet, për të rritur pagat, pensionet dhe pagesat e tjera sociale. Gjithë politikat e kësaj qeverie “bisht qeni”, kanë këtë tregues: dëshpërimin dhe shkatërrimin e shqiptarëve me varfëri ekstreme, me bllokim të shanseve për t’u integruar në BE.
Sektorët e jetës publike dhe ato të prodhimit kombëtar kanë 6 vjet në paralizë të plotë. Ato qendra që vazhdojnë të funksionojnë, janë sektorë pune në gjendje agonie, ose shërbimet e detyrueshme publike, si policia, ushtria, mjekësia, telekomi, posta, bankat, arsimi etj. Këto janë struktura shtetërore e jo fronte pune, janë konsumatorë të domosdoshëm të taksave të shoqërisë, por jo prodhues të produktit kombëtar, i cili më shumë se gjithë treguesit e tjerë, është kushti bazë për t’u futur në BE. Pikërisht, këtë nuk e kemi dhe nuk kemi për ta patur, sepse ky pushtet-bandë nuk po e ndryshon, por po e shkatërron këtë vend e këtë popull.
“Damkat e zeza” të bandës qeverisëse “Berisha-Meta”
1. Kryeministri Sali Berisha emëron drejtor të Tatim-Taksave, rrëmbyesin, torturuesin dhe zhdukësin e biznesmenit Remzi Hoxha, ish-drejtuesin e SHIK-ut Arben Sefgjinin. Gjykata e arreston dhe e largon nga detyra, ndërsa urdhëruesi i krimit, Sali Berisha e emëron Drejtor të Dënimeve Alternative në Ministrinë e Drejtësisë.
2. Arrestohet drejtori i pronave të Vlorës, Genc Panozaqi, kunat i Zv/Ministrit të Brendshëm Ferdinand Pone, ish-kandidat për deputet i PD-së Vlorë, në vitin 2005.
3. Ambasadorit shqiptar në Itali, Llesh Kola i gjendet 1 kilogram kokainë në makinën e tij në Milano, arrestohet shoferi i ambasadorit Arsen Selmanllari, kushëriri i Rahman Selmanllarit, mikut biznesmen të djalit të kryeministrit Sali Berisha.
4. Pas denoncimit të lidhjeve me trafikun e armëve në Afganistan dhe skandal-krimin vrasës të trafiqeve të Gërdecit të Shkëlzen Berishës, djalit të kryeministrit Sali Berisha, të baxhanakut, të mbesës së tij e të ministrit Fatmir Mediu, vritet “aksidentalisht në gjueti harabelash” në Korçë, ish-biznesmeni Kosta Trebicka.
5. Kryeministri Sali Berisha bën aferë të fshehtë e të kundërligjshëm me amerikanin Tom Ridge, duke e paguar 500 mijë dollarë nga taksat e shqiptarëve dhe 250 mijë euro ia jep Jean Paul Carteron, afera të pista këto, të cilat i zbuloi drejtësia amerikane.
6. Tenderi i rrugës Levan-Vlorë i jepet firmës “Alpine”, menaxhuar nga Blegina Agolli, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës dhe drejtore administrative e firmës “Alpine”, firmë kjo me precedent penal për korrupsion në Gjermani.
7. Turqia kap 60 kontenierë me armë të trafikuara nga Shqipëria me vendim qeverie, nisur në drejtim të Armenisë prej kompanisë shtetërore të municion-armatimeve “MEICO”. e cila rezulton e përfshirë në skandal-krimin e Gërdecit.
8. Që prej vitit 2005 janë vrarë gjithsej 21 minatorë në minierën e kromit në Bulqizë, për shkak se qeveria ka lejuar firmat private të shfrytëzojnë minatorët si skllevër pa asnjë kusht teknik.
9. Ministri Genc Ruli firmos pa vendim parlamenti, por vetëm me miratimin e fshehtë të kryeministrit Berisha, dhënien e koncensioneve të bakrit, kromit e hekur-nikelit dhe faljen e 18 milion dollarëve detyrime fiskale për firmat koncensionare. Po ky ministër “i krimit të zi ekonomik” ka dhënë 132 koncensione hidrocentralesh për deputetë e ministra të koalicionit.
10. Kryeministri Sali Berisha firmos mega-skandalin e tenderit të rrugës Rrëshen-Kalimash, të organizuar prej ministrit Lulëzim Basha, duke mos organizuar as tender, as përcaktim oferte e vlere investimi, me vjedhje 232 milion euro, duke mos publikuar kontratën me firmën “Bechtel Enka”, të përzgjedhur prej tyre në mënyrë të paligjshme.
11. Vajza e kryeministrit, Argita Berisha hap studio ligjore të cilën e paraqet si zyre të thjeshtë për “konsulencë juridike”, por që në fakt e përdor si “qendër-seksere” për menaxhimin dhe përcaktimin kilentelist të firmave që do të përfitojnë tenderët që ka në dorë babai i saj kryeministër.
12. Vriten 26 persona, plagosen 300 të tjerë dhe shkatërrohen 3000 banesa e biznese në Gërdec, pas një shpërthimi municionesh në fabrikën pirate të ndërtuar për demontim e trafik municioni me “vulën” e kryeministrit Sali Berisha, nën përkujdesjen dhe menaxhimin e ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha.
13. Ministri i “mbërtheckave” Ylli Pango i qeverisë “Berisha”, pagoi 300 mijë euro për një “spot turistik shqiptar” për kanalin “CNN”, kur ky stacion publikues rezultoi se kishte marrë vetëm 90 mijë euro, ndërsa 210 mijë eurot e vjedhura, shkuan në xhepat e mafies së reklamave televizive, të përzgjedhur nga ministri “top erotik” i Sali Berishës.
14. Arrestohet në Sarajevë miku i kryeministrit Sali Berisha, (bashkë)kryeministri serb, Damir Fazlliç, realisht “kupola” e pastrimit të parave në Shqipëri, zotërues i mijëra hektarë trojeve në bregdet dhe “hapës-mbyllësi” i dhjetëra bizneseve fantazma, me akuzën se kishte “hapur-mbyllur” firmën “SRF- DLP”, duke përdorur si administrator Erjon Isufin, kunatin e ministrit Lulëzim Basha.
15. Zbulohet skandali i blerjes së tokave në Porto Romano nga Damir Fazlliç dhe përcaktimi tyre nga kryeministri Sali Berisha, si “truall perlë” për ndërtimin e Parkut Energjetik.
16. Zbulohet kontrata e firmosur nga kryeministri Sali Berisha, me të cilën serbi Damir Fazlliç ishte sekserë dhe aksioner në blerjen e energjisë elektrike për llogari të Shqipërisë, nga kompania “Rudnap”, të cilën në kohën e opozitës Sali Berisha e kishte quajtur “Firmë mafioze që drejtohet nga trafikantë dhe kriminelë me veprimtari ndërkombëtare”.
17. Biznesmeni i qeverisë dhe Kryetari i Komunës i PD-Berishës në Vorë, Fiqiri Ismaili, me mbështetjen e ministrit të Bujqësisë Jemin Gjana, mashtroi 110 mijë fermerë shqiptarë, duke u shitur farë misri hibrid.
18. Arrestohet kreu i hipotekës së Kavajës, Fatos Gjuzi, kushëri i kreut të Grupit Parlamentar të PD-Berishës, “ideologu” Astrit Patozi, për abuzime me trojet dhe tokat në bregdet, duke nxjerrë edhe emrin e Astrit Patozit si “shef” dhe përfitues në skandalin e trojeve në “Plazhin e Gjeneralit”.
19. Plas skandali i grabitjes së trojeve për ndërtim fshatrash turistik bregdetar në Jalë, ku organizator për prishjen e banesave, lokaleve dhe bizneseve të banorëve të zonës ishte dhëndri i kryeministrit Sali Berisha, bosi i ndërtimeve Jamarbër Malltezi dhe vajza e tij, “shefja e KOP-it” Argita Berisha.
20. Kryeministri Sali Berisha nënshkruan fshehurazi paktin detar, duke i falur Greqisë pjesë territoriale të hapësirë detare shqiptare, me sipërfaqe 225 kilometra katrorë.
21. Për shkak të aferave të pista të eksportit të energjisë elektrike, qeveria e Sali Berishës përmbyti gjithë veriun e Shqipërisë duke e mbajtur të fundosur nën ujë për 2 muaj, me pasojë shkatërrimin e jetës e të punës, por me përftime miliona euro për xhepat e treshes Berisha-Meta-Topalli-Ruli.
22. Publikohet skandali i kasetës me përmbajtje ekstra-korruptive, ku me zë e me figurë shfaqet Zv/kryeministri Ilir Meta, duke dhënë urdhra për dhënie dhe anullim tendrash, për punësime klienteliste, për kontroll të pisët mbi gjykatat e shkallës së lartë dhe për marrje ryshfetesh prej bizneseve që favorizonte.
23. Prej pushtetit vriten 4 demonstrues në protestën popullore të 21 janarit, kryeministri Sali Berisha dhe partia e deputetët në pushtet, i quajnë “kriminelë e hajdutë”.
24. Kryeministri Sali Berisha kërcënon me vrasje kreun e opozitës Edi Rama nëse kërkon zgjedhje të parakohshme dhe nëse organizon protesta me këtë objekt politik.
25. Kryeministri Sali Berisha kërcënon dhe ofendon kryeprokuroren e Republikës me fjalor rrugaçësh, akuzon dhe sulmon me shpifje e denigrime Presidentin e Republikës dhe kreun e SHISH.
Comments are closed.
I dime te gjitha. Mind te vazhdoni te nxirrni edhe vilat e gjykatesve te Apelit, se ata kane 20 vite qe votojne sikur jane ne grupin parlamentar te PD-se. Dhe e keqja eshte se asnjehere nuk atakohen nga media, nga PS-ja. Kujtojme vetem qe legjitimuan zgjedhjet e vjedhura me 28 qershor. Se duhet nje sistem gjyqesor qe duhet te mbroje zullumet e qeveritareve e kete e bene me se miri kjo gjykate ish-spiunesh te sigurimit te shtetit.
Kesaj i thone: A doni me per sali cosa nostra-n dhe per ilir bllokun? Opozita zgjohu, ku jane mosbindjet popullore? Ky shtet i qelbur duhet te marre fund nga protestat e fuqishme, jo me me protesta paqesore!
Shkrim i shkelqyer ———-Ja ky zoteria ne menyre koncize ka permbledhur gjithe veprimtarine kriminale te Sales ne pushtet
Keto qe thote ky zoteria ti beje opozita parrulla te medha dhe ti perdori kur te beje proteste,