Ylli Pango, Ilir Meta dhe Christopher Dell

25 Shkurt 2011, 20:26Blog TEMA

Nga Argjentina Grazhdani

Këta tre burra vijnë nga profile të ndryshme dhe secili ka luajtur një rol të ndryshëm në historinë më të re të qeverisjes në Ballkan. Në një pikë të jetës së tyre profesionale ata u detyruan të thirren në të drejtën e tyre për privatësi. Është pikërisht kjo thirrje dhe cepi i njëjtë i botës nga ajo u lëshua, që këta kanë të përbashkët. Te rasti i z.Pango, xhirimet që një shtëpi mediale i bëri brenda fillimisht zyrës, e pastaj ambientit të tij privat, nxorën në shesh abuzimin e qartë të këtij zyrtari (ministër) me postin e tij publik, për përftim personal. Natyrisht, të gjithë e mbajnë mend shkrehjen epshore të z.Pango mbi gazetaren.

Z.Pango u thirr në të drejtën e tij të privatësisë për t’u mbrojtur, në këtë rast, duke akuzuar gazetaren për dhunim të kësaj të drejte.

Abuzimi i z.Meta me postin e tij publik është më i freskët në kujtesën tonë. Video përgjimi i kryer nga kolegu i tij ministër, për publikun e bëri më të prekshme mënyrën sesi pushtetarët përdorin pushtetin për të mbushur xhepat. Ende na buçet në vesh zëri i z.Meta teksa “demaskon” çimkat (kodi i Sigurimit të Shtetit për përgjuesit e përdorur gjatë regjimit komunist).

Ai nëpërmjet “çmontimit të çimkave” nënkupton të drejtën e tij në privatësi.

Në një rol të ndryshëm, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, z.Dell, na i kujtoi nenet sanksionuese të Kodit të Etikës dhe ndëshkimet respektive të Kodit Penal për gazetarët, që zbuluan përmbajtjen e SMS-ve apo prapaskenën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Gazetarët fotografuan e video regjistruan SMS-të që u shkëmbyen ndërmjet deputetit dhe kandidatit për President, z.Pacolli dhe mysafirëve të ulur në lozhën e miqve.

Këto SMS e vendosin z.Dell në rolin kyç të zgjedhjes së një Presidenti, në një sallë të mbushur me të zgjedhur të popullit. Këto SMS të bëra publike tregojnë se z.Dell, në cilësinë e mikut, “këshillon” kandidatin për hapat që ai duhet të ndërmarrë për të triumfuar. Për t’ia shtuar elementin tragjik këtij shkëmbimi alla-ballkançe dhe qesharak, SMS i fundit flet për “frikësim pas kërcënimit” të as më shumë e as më pak se Kryeparlamentarit Krasniqi dhe deputetit Limaj, që ish shprehur tashmë për mënyrën se si do votonte. SMS të dhimbshëm para publikut shpalosën se në një sallë gjysmë të mbushur me të zgjedhur të popullit, me të drejtë për të votuar apo jo kandidatin për President. Ata “kërcënohen e frikësohen” dhe pastaj gjithçka është OK. Kështu zgjidhet SMS Presidenti, apo ajo që do të duhej të ishte figura unifikuese e politikës kosovare.

Besimi i publikut kosovar në dashamirësinë e politikës dhe vetë shtetit amerikan është dhe mbetet i palëkundur. Kosova është dhe do të jetë përjetë mirënjohëse ndaj Shtetit Amerikan dhe vlerave të larta që ky shtet përçon, përfshirë edhe lirinë e shprehjes. Ambasadori duhet të dijë që ky besim dhe kjo mirënjohje nuk është mirë të keqpërdoren për agjendat personale të disa politikanëve kosovarë.

Një reagim i nxituar dhe plot nervozizëm është atipik për një diplomat. Ai nuk mohon bisedat, por thirret në të drejtën e tij në privatësi. Duke reaguar kështu, z.Dell nxori sheshazi se ai nuk e njeh fushën e lirisë mediale, që nuk është shumë i informuar për të drejtën në privatësi vs. të mirës (interesit) publik dhe se ai nuk ka arritur të përcjell trendet dhe zhvillimet moderne në këtë fushë, në shtetin e tij dhe më gjerë. Ky reagim i nxituar me sa duket nuk i ka dhënë atij mundësinë e këshillimit me bashkëpunëtorë të fushës.

Reagimi e nxituar, me dashje apo jo, pasohet me mesazhe kërcënuese.

Letra që ai i drejton Komisionit të Pavarur për Media konsideron se publikimi i SMS-ve nga seanca e Kuvendit, në mediat e shkruara dhe ato elektronike, është veprimtari joprofesionale, joetike dhe potencialisht e paligjshme. Për më shumë, ai flet për dënime me burg dhe në cilësinë e ambasadorit, u bën thirrje mediave, siç iu ka bërë dikur anëtarëve të Qeverisë, t’u përmbahen standardeve të sjelljes profesionale.

Si përfaqësues i një prej “institucioneve” më të rëndësishme në politikën faktike në Kosovë, z.Dell është një figurë e theksuar publike. Privatësia e figurave publike nuk është kategori absolutisht e pacenueshme. Publikimi i SMS-ve në fjalë do të ishte konsideruar thyerje e privatësisë vetëm në rastin hipotetik, kur përmbajtja e SMS-ve do të ishte e natyrës private, apo nëse këto informata do të siguroheshin me metoda që karakterizohen si “intruzive”.

Në një vend ku raportet ndërkombëtare theksojnë nënshtrimin e mediave ndaj autoritetit politik, letra e ambasadorit vjen si një ogur i zi për lirinë mediale. Ambasadori Dell ka të drejtë të kërkojë mendim nga KPM-ja. Mirëpo, mënyra publike e kërkesës së tij, me tone kërcënuese ndaj gazetarëve është shumë e dëmshme dhe u jep një shembull të keq politikanëve tanë. Ky ton vetëm sa i ka trimëruar politikanët tanë për të vazhduar akuzat e tyre kundër mediave në Kosovë dhe të ngufatjes së lirisë mediale.

Si ambasador që vjen nga SHBA-të, një shtet ku liria e shtypit është gati e shenjtë dhe garantohet me amendamentin e parë të Kushtetutës Amerikane, ai duhet te jetë në dijeni se liria e shtypit dhe interesi publik janë më të vlefshme se mbrojtja e privatësisë së personave publikë.

Shteti i tij ka ndihmuar kështu me shumë investime edhe shtetin tonë dhe ai duhet të jetë i gëzuar se, megjithatë, paratë e taksapaguesve të shtetit të tij nuk kanë shkuar huq.

Me ndihmën e SHBA-ve, ambasadori më nuk ka nevojë të ushtrojë i vetëm rolin e një sërë institucioneve që sigurojnë rregull dhe profesionalizëm në tregun medial (organizatat vetërregullatore, asociacionit e mediave, organizatat joqeveritare, rregullatorët medialë). Ambasadori duhet ta ketë parasysh se ka mekanizma kombëtarë dhe ndërkombëtarë që në fund të çdo viti ua japin notën mediave në Kosovë dhe i krahasojnë ato me vendet tjera. Këto organizata, si Freedom House, IFEX, IREX, Reporterët pa Kufij janë me renome ndërkombëtare dhe shumica prej tyre financiarisht mbështeten nga Qeveria Amerikane. Pastaj, ambasadori duhet ta ketë parasysh se gjykuesi më i mirë i mediave janë vetë lexuesit dhe shikuesit kosovarë. Gjatë 12 viteve të fundit, publiku kosovar ka dënuar shumë media joprofesionale me mospërfillje dhe ato tashmë janë shuar.

*Autorja është ish-Kryetare e Këshillit të KPM’së. Botuar në Express

2 komente në “Ylli Pango, Ilir Meta dhe Christopher Dell”

  1. dymi says:

    Zyrtaret e SHBA duke abuzuar me dashurine e shqiptareve per Ameriken po i fusin thiken pas shpine kesaj miqesie dhe kjo ne te dy anet e kufirit, Shqiperi shtetrore e Kosove. Amerike te pergjerohemi veriani veshin Shqiperise se vertete, Shqiperise opozitare e jo langojve te pushtetit; edhe ne qofte se niseni nga qellimi i mire per ruajtjen e stabilitetit. Stabiliteti i perkohshem eshte tragjedi e neserme te cilen nuk do te mund ta frenoni dot kur ajo te ndodhe.

  2. Claus says:

    Ka harruar Delli qe nuk jemi ne Mozambik ku ka qene me sherbim si sekretar i trete i ambasades. O Dell ta dish se jemi ne kohen digitale dhe jo ne Mozambikun e Mugabes! Te pakten mos ti bej reklame te keqe kompanise amerikane te kompjuterave me emrin “Dell” se do e zhytesh ne falimentim fare, se per shqiptaret emri “Dell” ka nje kuptim tjeter. Ki kujdes ne te ardhmen o Dell,edhe njehere, ketu nuk je ne Mozambik ku mbulohen organet me lekure tigri.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje