E fundit që na nevojitet është lobimi e predikimi i statukuosë politike përmes intimidimit të protestës popullore e privimit të opozitës nga kërkesa për zgjedhjeve të parakohshme. Numërimi mbrapsht i zgjedhjeve parlamentare mbeten e vetmja lëvizje në shah-matin politik aktual, ‘vaksina’ e domosdoshme për imunitetin e nesërm demokratik. Të emërtuara të ‘parakohshme’, ndonëse të vonuara, nuk janë luks e sfidë ndaj demokracisë por rifillim, çlirim e shans për të gjithë, mazhorancën përfshirë.
Dyzim perëndimor!
Qëndrimet e partnerëve perëndimorë ndaj krizës politike janë shpesh diametralisht të kundërta, dyzim ky absurd kur bëhet fjalë për piketa konverguese të demokracisë si vota, transparenca, e drejta e protestës e trysnia për dorëheqje. Së fundi, sipas ligjvënësit republikan Rohrabacher “në një vend demokratik, nëse zgjedhjet kanë mbaruar, qeveria e zgjedhur duhet lejuar të mbarojë mandatin”, vlerësim ky që, ndonëse në parim korrekt, presupozon (a) zgjedhje korrekte, (b) transparencë integrale e (c) përgjegjshmëri e ndjeshmëri demokratike në qeverisje. Ndryshe elektorati ka të drejtë të rishkruajë ‘kontratën’ e ndërprerja e mandatit qeverisës nuk është më tabu apo opsion por pritshmëri normale e detyrim për një politikë të përgjegjshme që prioritet ka stabilitetin e vendit e jo të vetvetes.
Në fillim ishte vota …
Votime perfekte nuk ka. Përtej faktorëve legal e objektivë – maturia demokratike apo korrektësia e ligjit zgjedhor, ata subjektivë – abuzimi me buxhetin, massmedian, administratën, të burgosurit, intimidimi i institucioneve të pavarura, politizimi i institucioneve zgjedhore, presioni ndaj votuesit, votimet familjare, në emër të emigrantëve apo intereferenca me leximin e votës, nëse të tepruara, zhbëjnë votën e lirë e provokojnë farsa elektorale. Ndonëse votimet e 2009 u njohën prej OSBE-ODIHR, mbeten të brishta e kontradiktore me kartat e identitetit off-line, listat jotransparente e numërimin problematik në 1/3 e qendrave (fakt objektiv) pavarësisht mosndikimit në rezultat (!) (perceptim subjektiv).
Pasuar nga transparenca e munguar …
Refuzimi ‘in extremis’ i mazhorancës për transparencë si për të konfirmuar mandatin qeverisës ashtu e qetësuar opozitën e normalizuar parlamentarizmin në kushtet e diferencës minimale, kompromenton më tej ‘moralin’ e mandatit të pandërprerë qeverisës. Për më tepër, ajo intimidoi e shpërfilli lëvizjet paqësore të opozitës, grevën sublime të urisë, impenjimin e partnerëve perëndimorë e rezolutën e PE me finale djegjen e fletëve të votimit e syrgjynosjen në arkiva të materialeve, akt ky që zhbëri ‘avantazhin e dyshimit’ ndaj respektimit të votës e krijuar preçedentin e ‘opacitetit’ zgjedhor.
E si për t’i vënë kapakun … performanca problematike
Edhe nëse mandatimi korrekt, kur qeveria nuk performon e përvijohet një trend i kompromentimit të stabilitetit të shoqërisë, bëhet imperative zgjidhja politike. Si për t’i vënë ‘kapakun’ problematikës së votës, sot ngrihen ‘vetulla’ rreth nivelit të jetesës, jetës parlamentare, prioritetet e zhvillimit, respektimin e pronës, transparencën me buxhetin apo konçesionet, proçedurat ‘1 Euro’, intimidimin e institucioneve, komprometimin e interesave kombëtare me marrëveshjen e ujrave, varrezat e ushtarakëve e rregjistrimin mbi baza etnike, qëndrimin ndaj Gërdecit, buxhetin e Rrugës së Kombit apo vrasjet shtetërore të 21 janarit që e bëjnë imediat rrokadën qeveritare, proçes ky pakthim që më herët me dështimin e transparencës zgjedhore. Deklarimet private apo formale prej perëndimit për moscënim të mandatit qeverisës si prioritet në vetvete(!), janë jorealiste e nuk kontribuojnë në zgjidhjen e krizës por shkurajojnë përpjekjet për emancipim demokratik e ‘nanurisin’ në ‘gjumin mbi dafina’ mazhorancën të mbetur ‘peng’ në agoninë e qeverisjes së paralizuar duke e privuar vetë atë prej të vërtetës e vetëçlirimit përmes zgjedhjeve imediate parlamentare.
Magrebi larg e pranë!
Në Magreb kemi regjime dhe protesta e dhunshme për dorëheqje është e justifikuar ndaj abuzimit të klikës që nuk e njeh votën. Në demokraci protesta e dhunshme nuk është standard, por rudiment në zbehje prej konsolidimit të demokracisë ku vetëm votimi rutinë apo dorëheqja hapin lojën për pushtet. Nëse mazhoranca tërheq paralele magrebiane kompromentuese për dhunën e 21 janarit, opozita është në të drejtën e saj t’i referohet po atij realiteti për qëndrimin aspak të pritshëm qeveritar ndaj protestuesve të pambrojtur në shesh për të drejtën e mosabuzimit me mirëbesimin e votës, deri në sakrilegjin e humbjes së jetëve të pafajshme në një vënd të NATO si në Magrebin antidemokratik.
Lobokracia e kupa e ‘shpuar’ e durimit demokratik
Pushteti nuk merret e mbahet me dhunë por realiteti ka dëshmuar se përtej ‘votakracisë’, ‘lobokracia’ e ‘PR-kracia’ mbetet arsye tjetër pas tij, falë ndikimit në perceptimin publik të mesazheve private apo formale të partnerëve perëndimorë zyrtarë apo partiakë, që masmedia i bart si intervista, rezoluta e misione simotra partiake të pritura deri paradoksalisht në institucione shtetërore (!) ( kristiandemokrati Volonte në selinë e KM) e të administruara me kujdes që të hapin ‘vrima’ pafund në ‘kupën e durimit’ demokratik. Përballë një mazhorance efikase në marketingun e PR politik me përfaqësues të së djathtës perëndimore të shndërruar në ‘zëdhënës’ qeverie për publikun shqiptar(!), opozitës, përtej kauzës e elektoratit që frymëzon, i nevojitet lobimi i partnerëve strategjik, së pari SHBA, si për të gjeneruar mbështetje ashtu dhe sfumuar tezat e rivalit, përtej formatit socialist dhe në emër të të gjithë kampit opozitar me një program alternativ pro-perëndimor demokratik e arsyen përse me ta perëndimi do të ndjehej më komod.
‘Tabuja’ e qeverisjes e ‘herezia’ e zgjedhjeve të parakohëshme
Zgjedhjet e parakohshme nuk janë ‘mëkat’ demokratik përderisa parashikohen edhe në Kushtetutë. Problemi është se syresh, në emër të statukuosë qeverisëse si qëllim në vetvete(!), paragjykojnë motivimin e qindra mijëra qytetarëve në shesh për zgjedhje të parakohshme, pavarësisht performancës së qeverisë që ekziston për të përmirësuar jetën e qytetarit, ndërkohë që mjafton një ‘lëvizje’ deputetësh të veçantë në parlament, jo domosdoshmërisht parimore por me ‘moral’ kushtetues, për të provokuar zgjedhje të parakohshme edhe atëherë kur qeveria performon dhe sovrani është indiferent. Ky paradoks demokratik, ku në emër të rregullave, vullneti, deri i dyshimtë i një deputeti, vlen më shumë se ai parimor i elektoratit, zhbën moralin e argumentit se mandati qeverisës është tabu apriori.
Promovimi perëndimor i ‘nervit’ demokratik
Ndërsa mbetet i debatueshëm ngurrimi perëndimor ndaj zgjedhjeve të parakohshme, ai duhet të avokatojë qartazi të drejtën e protestës dhe jo intimidimin e saj, të drejtën e opozitës për të kërkuar ndryshime deri në dorëheqje qeveritare përballë fatalitetit të mbarimit të mandatit me çdo çmim. Ndryshe nuk stimulohet nervi demokratik që presupozon demokracia perëndimore që aspirojmë por abuzivizmi i ‘lobokracisë’ i imunizuar nga sfida e opinionit publik e krijuar falsitet të performancës demokratike ku nuk testohen përgjegjësitë e ndjeshmëritë demokratike duke zbehur objektivitetin e vendimmarrjes zgjedhore të radhës.
Zgjedhjet e vonuara të parakohshme si çlirim e shans për të gjithë
Zgjedhjet e parakohshme çlirojnë prej ngërçeve politike që një demokraci në rritje provokon, emancipojnë e krijojnë precedentin e standartin e përgjegjshmërisë duke përshpejtuar integrimin demokratik. Në momente krizash ‘gordiane’ ato duhet të lancohen prej vetë qeverisë pa qënë nevoja të kërkohen prej të tretëve. Në këtë vendimmarrje kontribuon edhe qëndrimi perëndimor me qartësimin e marzhinave demokratike ‘kapërcimi’ i të cilave shlyhet me zgjedhje të parakohëshme. Gërdeci dëshmoi burrështetësi të opozitës por jo të qeverisë që pasi nuk bëri katarsis përmes dorëheqjes së munguar edhe për mefshtësi të opozitës, krijoi preçedentin e papërgjegjshmërisë vijimësia e së cilës ishte tragjedia e 21 janarit e karshillëku ndaj votës. E mira e shoqërisë është përtej fatit të karrierës politike dhe sakrilegj nuk është ndërprerja e një mandati qeverisës nën alibinë e një preçedenti të padëshirueshëm(!) por statukuoja e një stabiliteti qeverisës që nuk garanton stabilitet shoqëror. ‘Kura’ e vetme e ngërçit pafund politik mbeten zgjedhjet e parakohshme. Si çlirim e shans për të gjithë.