(Vijon nga numri i kaluar)
Për Ditën e Pavarësisë nxënësit kosovarë kur pyeteshin nga mësuesit e tyre se kush e ka shpallur pavarësinë, të humbur pas emrave, thoshin, Kuvendi i Kosovës e shpalli pavarësinë, i dyti thoshte Ibrahim Rugova, e ndonjëri Hashim Thaçi, sepse në librin e historisë së klasës së pestë thuhet që pavarësinë e ka shpallur ky i fundit, porse ministri i Arsimit nuk guxon ta thotë të vërtetën.
Dhe fëmijët kosovarë vazhdojnë të dergjen në konfuzion.
Në aktin e shpalljes thuhet se pavarësinë e kanë shpallur liderët e zgjedhur të popullit të Kosovës. Por kush lodhet ta ndreqë këtë çarje dhe çartje të historisë.
Prandaj, Alkena dhe bashkëmoshatarët e saj, janë viktimat më të mëdha të shkollës që ua ka mbjellë stereotipin për “barbarët sllavë” dhe të politikës së papërgjegjshme, sepse elita politike nuk ka ditur të ndërtojë një shoqëri të lirë, të hapur dhe miqësore me të tjerët.
Alkena e sheh një armik përditë në shkollë e lajme, në rrugë, madje edhe në kripën greke dhe në tortën kosovare me gjashtë yje!?
Prandaj, e meritoi humbjen e një loje. Por nuk e meriton këtë tallje që i bëhet nga pushteti turbo-folk në mendësi dhe kleptokratik në veprime. Alkenës nuk i janë vjedhur vetëm vota dhe taksat, por edhe e sotmja dhe ëndrra për një të nesërme të dinjitetshme.
Por a do të dinë kosovarët të rikthehen në histori dhe a do të jenë ata ndonjëherë fitues?
Kjo do të varet, para së gjithash, nga fakti se çfarë raporti do të krijojnë kosovarët me tjetrin.
Jeta në armiqësi të vazhdueshme, në histori që rrjedh gjak, është e padurueshme, e sëmurë…
Imazhin e tjetrit rëndom e krijojnë elitat politike dhe kulturore në bashkëpunim dhe përmes shkollës, historiografisë së interpretuar ideologjikisht, për ta popullarizuar/masivizuar pastaj përmes medieve, si ligj të ri të vetëmbrojtjes për të mos u bërë si tjetri, që shqiptarët kosovarë e perceptojnë si asimilim. Por kjo drojë, në fakt është sall një klishe (stereotip) që krijon mendësi kolektiviste për tjetrin, madje edhe për një njeri që kurrë në jetë s’ka pasur përvoja dhe interaksion me tjetrin/tjetrën, në kontekstin kosovar, një shqiptar etnik me një serb kosovar dhe anasjelltas.
Një prej bagazheve më të rënda të Ballkanit është barazimi i “tjetrit” me kundërshtarin. Kjo sindromë diku-diku ka marrë formën e etnofobisë.
Dikur nën komunizëm etnofobia shfaqej si stereotip, i modelit më banal, kur haseshin titujt në gazeta: “Lopa shqiptare hyri në arën serbe duke bërë dëm…”, e tashti na ka faj kripa greke, ndonëse ne nuk e prodhojmë!?
Mosdurimi ndaj “tjetrit”, pavarësisht prej burimit, për shkak të ndryshimit etnik, fetar apo kulturor dhe politik, ka krijuar probleme delikate në të shkuarën dhe sot. Atë e riktheu etno-nacionalizmi. Kurse stereotipat e tjetrit për shqiptarët janë cilësorë hegjemonistë, superioriteti i racës purifikante (kombi kulturor gjerman) që prodhoi nazifashizmin.
Konceptet lokale mik-armik sot më shumë se kurrë i shkojnë për shtati njëri-tjetrit. Të jesh shqiptar etnik dhe patriot duhesh ta kesh një serb armik dhe anasjelltas, të jesh serb i madh, patjetër u dashka ta kesh vrarë, ose së paku rrahur një shqiptar etnik!?
Pse tjetri është armik?
Sepse kemi shumë ankth nga e kaluara dhe frikë për të ardhmen.
Cili është kombi i shtetit dhe çka jemi ndër vete ne shtetasit?
Qytetarë të barabartë (bashkësi e vullnetit qytetar) apo etni e kombe të ndryshme, që po përpiqemi ta gjejmë një modus vivendi, njëri-pranë-tjetrit ose me tjetrin!?
Kosova sipas konstitucionit të saj është jo vetëm një pavarësi e mbikëqyrur, por edhe një vendbanim komunitetesh të ndryshme etnike, që ende nuk e ka arritur stadin zhvillimor për të qenë një shoqëri politike, e mbështetur në ligj dhe e mbajtur fort pas patriotizmit ligjor.
Për ta jetuar të sotmen dhe të ardhmen duhet “harruar” nga pak prejardhjen, për ta forcuar miqësinë qytetare dhe vullnetin për ta vijuar ekzistencën, sepse, siç thotë Ortega Y Gasset, në shtet nuk na mban ajo se çka kemi qenë dje, por ajo se çka jemi dhe çka do të jemi nesër.
Ndoshta ndërtimi i marrëdhënieve midis njëri-tjetrit në mënyrë irracionale (trupi politik i sëmurë) mund të jetë një nga shkaqet e rëndësishme që e mban fenomenin primitiv të përjashtimit të tjetrit akoma të gjallë sot në shekullin e 21-të…?
Shqiptarë e serbë, turq, romë e malazezë, në miqësi qytetare apo “ne dhe ata”, liridashës dhe barbarë, pakica dhe shumica?
Stereotipat më të rinj nga media dhe pushteti serb janë huazuar nga “babai” i kombit serb Dobrica Qosiq që flet për shqiptarët si popull krimogjen, si popull në pragun më të ulët të civilizimit.
Dhe natyrisht që shqiptarët nuk janë të tillë, mirëpo me naivitetin dhe euforinë, me ndjenjën e mburravecërisë dhe sjelljen e papërgjegjshme ndaj shoqërisë, shtetit dhe kombit, dhe me përjashtimin e tjetrit e ndihmojnë stereotipin serb.
Duhet reflektuar për marrëdhëniet midis individëve në shoqërinë e re kosovare duke parë të shkuarën dhe të tashmen si të qortueshme e të diskutueshme, e për ta negociuar një të ardhme më racionale, për sa i përket perceptimit dhe trajtimit të tjetrit.
Në fakt, mënyra me të cilën i drejtohemi tjetrit është pa dyshim një moment socio-emocional dhe kulturor.
Prandaj, duhet dhe ka hapësirë për të dialoguar dhe rinegociuar të gjitha vlerat, pos atyre që përfaqësojnë të keqen universale, dhe valorizimi duhet të ndodhë jo në baza etnike si shqiptarë dhe serbë, por në baza qytetare, duke e deetnizuar nacionalizmin, pra duke e deetnizuar shtetin.
Kombet i përfaqësojnë elitat politike, qeveritë, dhe në raportin “unë dhe tjetri”, shumëçka varet nga sjellja e qeverive, elita kulturore dhe media, duhet të ndërtojnë lajmin, tregimin dhe tablonë e pranimit të tjetrit si vlerë e jo si pengesë për realizimin e lirisë.
Etnonacionalizmi është kiç, thotë Danilo Kish, dhe si i tillë, mendoj se ai në epokën e televizionit është shndërruar në spektakël masiv, që është i akseptueshëm për turmat. Turma nga spektakli ekzaltohet dhe lehtë kapërcen kufijtë normalë për të hyrë në ekzekutimin e një linçi publik.
Tjetri – ai është si ne, prandaj duhet refuzuar “rizgjimin e historisë që ulërin”, për të mos rënë viktimë e frikës dhe e fobive nga numri më i vogël.
Fashizmi milosheviqian u ngrit pikërisht mbi këtë raport, shumica serbe mund ta përdhunonte pakicën shqiptare. Dhe ra pikërisht në këtë kurth.
Raporti shumicë-pakicë shpreh rëndom frikën e pakicës nga zhbërja, dhe frikën e shumicës se kanë për t’i bërë siç janë ata, pakicë.
Raporti shumicë-pakicë edhe nëse është zemërgjerë, nuk është vlerë, por vetëm spektakël.
Vlerë është kur nuk ka më rëndësi ky raport…
(Fund)