Pensionet mujore, sa 1 larje e makinës së Sali Berishës, rritja me nga 10 bukë në vit

15 Shkurt 2011, 19:10Blog TEMA

Nga Kledian Lula

Sot mbushen 5 vjet e gjysmë nga dita kur Sali Berisha u “ngul” në fronin e kryeministrit, pasi ishte lënë 8 vjet në opozitë prej shqiptarëve, si dënim për shumë zullume politike, sociale, ekonomike, shoqërore e anti-kombëtare, të bëra prej tij e prej pushtetit të tij të viteve 1992-1997. Ai pushtet e mbylli ciklin në mënyrë të turpshme, me shkrumbimin e Shqipërisë për shkak të grabitjes me mashtrim zyrtar prej piramidave, të lekëve të shqiptarëve. Në vitin 2005, koalicioni i “duarve të pastra” të Sali Berishës, krahas shumë premtimeve kapitale, erdhi në pushtet dhe me premtimin: Zgjidhjet e plota e përfundimtare sociale-ekonomike që zhdukin varfërinë, si pagat, pensionet, punësimi, strehimi, por dhe kthimi i pronave e dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë.

Mst: Nga “thes” premtimesh, në “lumë” mashtrimesh

Nëse hap “thesin” e premtimeve të Sali Berishës, brenda tij nuk gjen ato realizime që premtoi. Kryeministri i futjes në BE nuk e futi dot Shqipërinë në BE, as në vitin 2008 siç deklaroi e as në vitin 2011. Shefi i “duarve të pastra” jo vetëm nuk e luftoi korrupsionin në qeverisje brenda vitit 2007 siç deklaroi, por me përkujdesjen dhe skemat e tij mafioze, “kubeja” Sali Berisha ka strukturuar e instaluar një grup ministrash e deputetësh hajdutë, që menaxhojnë gjithçka nëpërmjet aferave ekonomike kriminale. Kryeministri “Sali bollëku”, jo vetëm nuk e zbuti dhe nuk e zhduku varfërinë, por shtoi edhe 35% më tepër numrin e familjeve të varfra, çoi 67 mijë familje të tjera nën nivelin e varfërisë ekstreme. Politikat e pranimit të Shqipërisë në BE, Sali Berisha i prezantoi me demagogji dhe i praktikoi me pazare, si në lojë bixhozi, duke blerë opinione e vlerësime false nga individë e media ndërkombëtare, por që nuk e futën dot Shqipërinë në BE. Lufta kundër korrupsionit, siç rezulton tashmë është një luftë që nuk u bë kurrë, madje u luftua zbatimi i ligjit që kërkonte ndëshkimin e korrupsionit. Varfëria, punësimi, rritja ekonomike kanë një tregues të përbashkët: Shqipëria importon edhe kashtë, spango, kripë e piper. Të papunët kapin shifrën 1 milion persona, varfëria ka si produkt nga 10 vetëvrasje e 50 krime në muaj për mungesë të ushqimit jetik. Asgjë nuk është realizuar nga ato premtime që “Sali Bollëku” ka deklaruar gazetave, ekraneve e tribunave të tij. Gjithçka ka përfunduar në një lojë mashtrimesh pa fund, por që së fundi sipas tij “pengon opozita”/ Cila është panorama mashtruese e qeverisë së dështuar të “Sulltan Sali Berishës së II-të”?

Mst: Pensionet mujore, sa larja ditore e makinës së Sali Berishës

Pasi i mashtroi me lodhje e me tallje që prej fushatës demagogjike të zgjedhjeve të vitit 2005, kryeministri “xhongler” Sali Berisha e vazhdoi këtë demagogji tradicionale edhe 3 ditë më parë, me (ri)premtimin për dy e trefishim pensionesh. Pensionistët qe njohin mirë këtë “xhongler” premtimesh boshe, nuk besojnë më tek mashtrimi i radhës i Berishës, sepse premtimet e tij kanë qenë vetëm “fjalë rrenacakësh”. Të 583 mijë pensionistët shqiptarë, nuk ka përfituar dyfishim pensioni, por vetëm rritje me përqindje, të cilat kanë qenë të barabarta me nga 12 bukë në vit, ose me një abone urbani. Ose sipas një krahasimi tjetër financiar, një pension minimal është i barabartë me 1 larje të makinës së Sali Berishës! Sipas llogarisë matematikore, dyfishim do të thotë, që sot pensioni minimal të ishte 25 mijë lekë në qytet dhe 18 mijë lekë në fshat. Realisht, këto pensione janë nga 11 mijë lek në qytet dhe 7 mijë lekë në fshat.

Ndërsa ‘kryeministri “Sali bollëku” prej 5 vjet e gjysëm po ‘ngjiret” për “rritje pensionesh mbi nivelin e vendeve të BE”, nuk po krahasojmë pensionet shqiptare me pensionet disa prej këtyre vendeve:, por po i kujtojmë “Pasha” Saliut, vetëm një fakt: pensioni më i ulët në Azerbajxhan është 35% më i lartë se pensioni mesatar në Shqipëri. Edhe pse Sali Berisha vjen nga një mashtrim për pensionet, ai po e vazhdon këtë “akt” të turpshëm ndaj më se gjysëm milion shqiptarëve pensionistë, por me tjetër formë. Në rastin konkret e kemi fjalën për deklarimin e 3 ditëve më parë të kryeministrit për rritjen e masës së pensioneve me përqindje e jo me dyfishim. Sipas premtimit të dalë nga “shpella e hajdutëve”, pensionet do të rriten me 10%, ose e barabartë me 1100 lekë, pra me thërrime që u hedh qeveria pensionistëve në tavolina. Pasi ka lejuar rritjen e pakontrolluar të çmimeve në treg, në transport e në shëndetësi, qeveria ende nuk po ndërton një politikë social-ekonomike normale për shtresat në pamundësi financiare, ose me mundësi të pakta jetese. Në vendin tonë, pensionet nuk kapin dot as 15% të vlerës së tregut të konsumit mujor të një familjeje që shtrëngon rripin. Ka ardhur koha, që pensionet nuk duhet të rriten me përqindje lëmoshë, por me herë. Sepse nuk duhet të harroni që 60% e pensionistëve ushqejnë edhe fëmijët e tyre të papunë, edhe nipër e mbesa jetimë, edhe persona të sëmurë në ngarkim, të cilët nuk trajtohe me asnjë qindarkë pagesë nga qeveria.

Mst: Pagat, sa kuota 15 ditore zyrtare e telefonave të ministrave

Pagat janë një tjetër plagë e krijuar prej qeverisë “Berisha”. Rruga e (mos)rritjes së pagave në Shqipëri, ka kaluar në një vijë të gjatë krizash. Gjatë viteve 1992-1996, ato janë kërkuar nga 21 protesta të përgjithshme, duke u rritur 35 herë me 8 vendime të dy kabineteve qeverisëse. Ndërsa gjatë viteve 1997-2005, ato janë kërkuar nga 73 protesta, janë rritur 21%, me 2 vendime të 6 kabineteve qeverisëse. Gjatë pushtetit të dytë të “Sali Bollëkut”, kemi një skemë denigruese të rritjes së pagave. Këto janë rritur dukshëm e fuqishëm për njerëzit e lartë të pushtetit, ndërkohë që për shqiptarët ato qëndrojnë në nivel tepër të ulët. Krahasimi është ky: Paga minimale është e barabartë me vlerën 15 ditore zyrtare të telefonit të ministrit. Pagat minimale e ato mesatare, sikur edhe të mos ishin lënë të ulëta ato nuk do të kishin fuqinë duhur në tregun aktual, mbasi monopolet e ministrave dhe njerëzve të lartë të kupolës së pushtetit kanë kontrollin dhe vendosjen tyre absolute të çmimeve të mallrave e produkteve jetikë të popullatës. Shqiptarët e punësuar, janë “viktimë” sociale kolektive e një skeme pagash të pafuqishme për të përballuar qoftë dhe jetesën minimale. Nëse qeveria e fiksoi pagën minimale mujore në afro 19 mijë lekë, kjo nuk është “luks” e as “nivel europian”, por është vetëm lëmoshë, mbasi pagat duhen rritur me herë e jo me përqindje, për shkak se niveli i çmimeve është i tillë, që një familje me 4 anëtarë e “asgjëson” për 4 ditë këtë pagë minimale.

Mst: Punësimi, 400 mijë “viktima” papunësie në 4 vitet e fundit

Premtimi për punësimin e shqiptarëve, rezultoi një “tullumbace” e shfryrë shumë shpejt në tavolinën e mbushur me premtim-mashtrime të shumta, të kryeministrit Sali Berisha. Qeveria e tij doli përpara shqiptarëve me politika të reja punësimi, por nuk ofroi asnjë vend punësimi, përveç punësimit të militantëve të saj gjeografik (PD) në administratën dhe shërbimet publike. Kjo qeveri e ka kthyer papunësinë, në problem tipik social shqiptar, me përmasa të mëdha e të rënda për shoqërinë. Ka tre kategori shqiptarësh që e vuajnë ashpër këtë mungesë punësimi: Forca aktive që ka dalë nga puna prej asfiksimit të prodhimit e bizneseve. Forca aktive që është trashëguar prej papunësisë nga politika  “ekonomia zero” e aplikuar në pushtetin e parë të dështuar të Sali Berishës (1992-1997) dhe forca aktive e punës, që ka arritur moshën për punë, të rinjtë. Janë 1 milion të papunë aktualisht në Shqipëri. Numri i njerëzve që nuk kanë punë, ose që nuk gjejnë dot një vend pune shtohet përditë, për shkak të politikave qeverisëse destruktive e regresive në menaxhimin e ekonomisë, të biznesit privat e të burimeve të reja të punësimit. Vetëm gjatë vitit 2010, u mbyllën afro 6000 biznese, të cilat nëse i llogarit me nga 4 punonjës, rezulton të jenë shtuar edhe 24 mijë të papunë. Bilanci i papunësisë në 4 vitet e fundit të qeverisja së kryeministrit “reformator” Sali Berisha është rritur me afro 400 mijë të papunë. Bizneset po vazhdojnë të falimentohen e të largohen nga Shqipëria, për shkak të skemës fiskale shkatërruese dhe të raporteve korruptive që u ofron kjo qeveri në licencim e tenderime. Politika investuese e qeverisë “Shqipëria 1 Euro”, u prezantua si “zgjidhëse e problemit të punësimit, me 48% zhdukje të papunësisë ekzistuese nëpërmjet thithjes prioritare të investitorëve të huaj dhe mbështetjes së atyre vendas”. Por kjo nuk u realizua, sepse nuk ishte politikë punësimi për shqiptarët, por skemë pasurimi për “agallarët” e qeverisë e të pushtetit.

4 komente në “Pensionet mujore, sa 1 larje e makinës së Sali Berishës, rritja me nga 10 bukë në vit”

  1. Gramozi says:

    -REALITET–Pa pike ekzagjerimi……..

  2. Dino USA says:

    Kuiz:Kush e gjen sa milion dollar ka vajtur pasuria e SALI BERISHES

  3. ben says:

    895.000.milion.Po e gjeta fitoj 1euro besoj.

  4. fule says:

    Nuk te duken si pak mo? Per gjithe ate familje te madhe dhe te eger?

Comments are closed.

Lini një Përgjigje