Faleminderit kompjuterit të Dritan Priftit!

12 Shkurt 2011, 20:31Blog TEMA

Nga Blerina Gjoka

Një e vërtetë gjysmake është më e keqe se një gënjeshtër e pastër. Por kur e vërteta bëhet e plotë ajo ditka të jetë e dhimbshme e qesharake deri në absurditet. Nuk di se çfarë fjalësh mund të gjejnë sot gazetarët e komentatorët e politikës shqiptare për të përshkruar atë që ndodhi me kompjuterin e Dritan Priftit, i cili nga një denoncues i korrupsionit u kthye në një të denoncuar. Një gabim fatal për të, por një “gabim” i dobishëm për shoqërinë dhe për të vërtetën. Pasi denoncoi Ilir Metën, shefin e tij të përjetshëm, se kishte tentuar ta korruptonte duke i ofruar ryshfet për afera me koncesionet dhe tenderat e qeverisë, ai pa dashje ka denoncuar dhe veten e tij në një akt pak më të rëndë, të paktën ligjërisht, duke marrë para të thata, plot 70 mijë euro, në një ryshfet të pastër. Prova që e fundos Priftin ndodhej pikërisht në kompjuterin që ai ka dorëzuar në Prokurori si provë për videon ku kishte regjistruar Metën.

Për fatin e tij të keq dhe fatin tonë të mirë Dritan Prifti qëlloi të ishte vetëm një amator në regjistrimet e përgjimet sepse nuk ka ditur të fshijë nga kompjuteri videon ku ai vetë shfaqej duke marrë para për një “punë të mbarur”. Këto para ia jepte në dorë vartësi i tij, ish zv/ministri në atë kohë Leonard Beqiri. Të gjitha këto informacione janë ofruar dje nga një organ i besuar, nga Prokuroria e Përgjithshme, ndaj po i marrim si të mirëqena pavarësisht surprizimit që ka shfaqur Prifti dje nga kjo gjë. Ai tenton të vërë madje dhe në pikëpyetje mendjet e shqiptarëve duke u bërë pyetjen “Si mund të filmoja unë veten duke bërë korrupsion?”, si për të thënë se njeriu që vjedh nuk lë gjurmë pas. Por unë rend më tepër të besoj se ai jo vetëm e ka filmuar, dhe më pas e ka fshirë, siç ka ditur ai, dhe nuk tentoj fare të pyes se çfarë e ka shtyrë këtë njeri ta bëjë këtë gjë. Mund të ketë shumë arsye për këtë veprim të tij, që nga pakujdesia, shantazhi apo dhe dëshira të çuditshme që shtyjnë natyrën njerëzore të bëjnë veprime nga më të çuditshmet e më të paarsyeshmet. Falë kompjuterit të ish/ministrit tashmë shqiptarët kanë një të vërtetë të plotë dhe një tablo të qartë të korrupsionit në nivelin më të lartë qeveritar. Jo se shqiptarët besonin se Prifti ishte qengji dhe Meta ishte ujku, në fund të fundit të gjithë e dinin që ishin të përlyer të dy, por provat janë gjithsesi ato që i vënë kapakun hamendësimeve e thashethemeve në raste si këto. Tabloja e korrupsionit është e dhimbshme. Zv/kryeministri Ilir Meta, kryetar i partisë në koalicion me PD-në, LSI, duke kërkuar hapur nga vartësi i tij partiak ministër i Energjetikës, që të ndërhyjë në anulime tenderash dhe në dhënie koncesionesh. Për këtë ai flet për përfitime që kapin shifrën 700 mijë euro. Por më tej në një video tjetër vetë Dritan Prifti merr ryshfet, duke mos menduar kurrë se prona e tij, pra objekti pa shpirt që quhet kompjuter do ta tradhtonte. Vërtet që kompjuterat janë objekte pa shpirt, (të paktën kështu kemi besuar deri më tani, sepse ky rast më lë të dyshoj), por janë objekte me memorie ku ruhen gjurmët e çdo veprimi që ne kryejmë në të. Eksperti amerikan që ka kontrolluar këtë kompjuter dhe ka gjetur videon gjoja të fshirë më del para syve me fytyrë të zgurdulluar nga habia, mbase dhe i ka rënë kokës me duar, se në këtë vend që ka dëgjuar se është kampion në korrupsion ka dhe nga ata ministra që filmojnë veten e tyre duke vjedhur. E vetmja gjë dhe më e pakta gjë që mund ta zbusë këtë skandal që shkakton ky korrupsion i hapur do të ishte dënimi nga ana e drejtësisë. E më pas do të ishte dënimi me anë të votës që elektorati duhet t’i japë një partie, e cila u krijua si lëvizje idealiste dhe përfundoi siç duket nga provat që na ofron një nga ish/zyrtarët e lartë të kësaj partie, në një lëvizje për pasurim personal.

4 komente në “Faleminderit kompjuterit të Dritan Priftit!”

  1. raimondi says:

    –looooooooooooooooooooooooooooooooool hahahahahahahahahaahahahahaha
    –Hhahahahaahahahah Po mbaroj se qeshuri –
    –O Dritan ,o palluqe , po kaq hajvan ishe o bure i dheut qe cove kompiuterin ? Ca me pelqeu mua ishte kur Dritanin e pushuan nga puna per korupsion deh po thoshte qe :…ata te pakten te kishin pritur mua te kthehesha se me kishte vdekur gjyshja …—looooooooooooooooooooooooooooooool
    –Ky Dritani eshte shume funny
    –Dritani te mos denohet me burg , por me nje shqelmn te forte ne prapanice –hahahahahahahahaha dhe te ma lene mua tja fus nje shqelm ,jo per gje por kam goditje te forte ,se sa here qe gjuaja penalltine ne lagje o do caja topin o do theyja xhamin e xha Hakiut ne kate te pare —looool

  2. labi 100 says:

    Dritam Prifti duhet te falenderohet qe denoncoi veten, Ilir Meten dhe partin e tij.Dritani eshte i ndershem i shkerti si shvejku. Po te ndershmit Doks Buru ,presidentit te lule lakres Sali Berisha cdrqin kane qe i bien ne qaf.

  3. Dajti says:

    Zgjedhje ,zgjedhje zgjedhje dhe patjeter zgjedhje te parakoheshme…rruge tjeter nuk ka.

    1. Ediruci says:

      ZGJEDHJE PER TE VENE NE PUSHT-ET DUETIN RAMA-PRIFTI.
      A NUK DESHEM TE DJEGIM ME KASETEN E DRITANIT NE DUAR?
      A NUK ESHTE DRITANI KALORESI I LUFTES KUNDER KORRUPSIONIT DHE FLAKADANI I RI I PARTISE SOCIALISTE?

Comments are closed.

Lini një Përgjigje