MEGJITHATË, PROBLEM janë numrat. Askush nuk i ka, ose më saktë: askush nuk i ka të sigurt. Madje as brenda partive të veta. Kjo bën që asnjëherë në këto 11 vjet në Kosovë të mos ketë pasur më tepër paqartësi për tri postet kryesore të shtetit se ç’ka me këto rezultate zgjedhore dhe këtë konstelacion forcash. Dikur së paku është ditur – Dr. Rugova do të jetë president. Zgjedhjet e kaluara dihej – PDK-ja do ta bënte Thaçin kryeministër. Tash kush? Aq dëshpëruese nganjëherë shpërfaqet situata, sa që zyrtarë të PDK-së si duket me qëllim fusin në pazaret politike edhe të vetmin post që më Kushtetutë i takon drejtpërdrejtë partisë që i fiton zgjedhjet – atë të Kryetarit të Kuvendit. Tash këtu ose përpiqet të luhet loja e paqëndrueshme kinse PDK-ja po ngul këmbë vetëm për postin e kryeministrit, kurse të tjerat janë të hapura për negociata, për të mos krijuar përshtypjen se në treg është vetëm posti i Presidentit. Ose, ose po llogaritet që për nevoja të marrëveshjeve eventuale me partnerë të nesërm të koalicionit, mund të ndërrohet edhe Kushtetuta. Zatën, një gjë e tillë u pa të ndodhë me Kornizën Kushtetuese pas zgjedhjeve të 2007-s, kur Sejdiu dhe Thaçi ia zgjatën vetvetes mandatet për nga një vit, shpejt e shpejt. Mund të ndodhë prapë? Mos i bini vijë, jo.
BARRIKADIMI PAS “JO”-së i “Vetëvendosjes!”, si dhe qëndrimet zyrtare të së martës nga LDK-ja, që me automatizëm ndikojnë edhe në qëndrimin përfundimisht të ndërlidhur zyrtar me atë të AAK-së, do të duhet t’i shlyenin nga të gjitha kalkulimet e PDK-së (14+27+12=) plot 53 deputetë. Plus këtu do të duhej shtuar edhe 4 deputetë të partisë JSL të Rada Trajkoviqit, si dhe 2 të dy përfaqësuesve minoritarë që AAK-ja llogaritë t’i ketë në grupin e vet parlamentar çojnë në minus 59 vota deputetësh. E në anën tjetër, 61 votat e tjera janë epërsia minimale e nevojshme e PDK-së për të formuar qeverinë me Thaçin kryeministër. Ky numër, natyrisht, do të duhej të arrihej me deputetët e PDK-së, AKR-së dhe minoriteteve tjera që bëjnë saktësisht (34+8+19=) 61 vota.
Sidoqoftë, llogaritë duket se nuk do të jenë kaq të lehta sa në letër. Në skenë shpejtë do të paraqitet edhe fenomeni i peshkimit, por edhe ai i shqyerjes së rrjetave.
PDK-ja pret që të fitojë një votë më shumë me futjen në qeveri të Ukë Rugovës. Plus, së paku një deputeti nga LDK-ja, të cilit duket se nuk i pëlqen ideja e të qëndruarit në opozitë, meqë kështu do të humbte mundësinë e vazhdimit të punës si ministër.
Por, edhe Trajkoviq nuk mund të bëjë be se edhe 2 nga 4 deputetët e saj nuk mund të joshen nga PDK-ja në ndonjë mënyrë, e në ndonjë mënyrë tjetër vështirë të thuhet se edhe 2 minoritarëve aleatë të AAK-së nuk do t’u gjendet ilaçi. Këtu edhe del 67-i magjik i përmendur nga Thaçi si numër që i siguron votimin e qeverisë së tij të re.
Sakaq – pse jo! – PDK-ja do të shikojë nga pak edhe nga 2 deputetët nga lista e “Vetëvendosjes!” nga Lëvizja për Bashkim, e dorën në zemër do të jepte shumë edhe për ndonjë trafikim nga AAK-ja e “Vetëvendosja!” vetë.
SËRISH NË LETËR edhe mund të bëhen këto llogari kuantitative, por gjërat mund të ndryshojnë kur fillojnë të bëhen ato kualitative. Probleme të mëdha pritet të ketë Thaçi me vota në mesin e 34 të vetëve. Kërkesa për “duar të pastra” në qeveri pritet të lë jashtë kabinetit ndonjë nga ish-ministrat e fuqishëm të deritashëm të PDK-së. Pastaj ata me të drejtë mund të shtrojnë dilemat se kush i ka më të pastra e kush më pak të pastra duart, apo edhe vetë mandatari mund të cilësohet si i tillë, së paku për shkak të Rastit Dick Marty! Kjo situatë lehtë mund të shkëpusë nga blloku i votuesve të qeverisë “Thaçi III” deri në 4-5 deputetë të PDK-së.
Në një rast tjetër, abstenime nga PDK-ja mund të ketë edhe për kandidatët e pritshëm për presidentë nga AKR-ja, për Behgjet Pacollin si zgjidhje e parë, ose edhe për Mimoza Kusari – Lilën si variant kompromisi rezervë. Për të parin mund të nxiten abstenimet për shkak të qëndrimit jo shumë përkrahës, thënë së buti, të disa ambasadave të rëndësishme të huaja në Kosovë, kurse për të dytën, për shkak të kundërthënieve publike me deputetë të PDK-së.
Të gjitha këto llogari dhe paqartësi mjegullojnë shumë të ardhmen e afërt politike në Kosovë, edhe pse sa i përket Hashim Thaçit është vështirë të pritet se do të lihen pa u shterë të gjitha kombinatorikat e mundshme për të siguruar votat për të marrë edhe një mandat si kryeministër. E përse pritet që të ngulet kaq shumë këmbë që Thaçi të vazhdojë të kryesojë qeverinë e Kosovës ka shumë arsye, si të brendshme ashtu edhe të jashtme, e të cilat janë analizuar e do të vazhdojnë të analizohen edhe në ditët e javët në vazhdim.
ÇKA NËSE MEGJITHATË dështohet me arritjen e numrave për një qeveri “Thaçi III”? Natyrisht, në skenë dalin planet B, por me shumë më pak gjasa reale për përmbushje. Ajo që parashihet me Kushtetutë, pra, kalimi i mandatit në partinë e dytë më të madhe, në këtë rast LDK-së, ose shkuarja drejt zgjedhjeve të reja. E krejt në fund, si opsione të dala nga xhepi i vogël: zgjidhjet e ngjashme me ato të qeverive të mëparshme të pasluftës – me figura konsensuale si çifti i Bajram Rexhepit e Agim Çekut.
Numrat bëjnë çudira, pra. Sidomos kur kemi të bëjmë me kapjen e disa peshqve me rrjetë dhe shqyerjen e rrjetës për të dalë nga disa peshq të tjerë.