Berisha dhe Mubarak
Nga Pirro Dollani
Las Vegas, SHBA
Para dy ditësh në shumë stacione radio-televizive të Lindjes së Mesme dhe më tej, u transmetua kjo bisedë e një vajze 4-vjeçare me të atin.
I ati: “Çfarë do t’i thoje Presidentit Mubarak nëse do të ishe duke folur me të tani?”
Vajza e vogël: “Do t’i thoja që ta hiqte ligjin që e lejon atë të jetë përherë President dhe ta lërë popullin të votojë, sepse nëse nuk bën kështu, ai do të jetë gjithmonë në televizor.”
Kjo këshillë politike e mençur më largoi menjëherë nga ngjarjet e Egjiptit e më çoi në vendin tim, në Shqipërinë time dhe të qindra mijëra emigrantëve si unë që e kemi të vështirë ta njohim Shqipërinë ashtu siç është bërë tani duke e rrjepur dhe poshtëruar. Jo i huaji, por ne. Jo ne, por kasta e re e politikaneve, sharlatanëve, mafiozëve që nga lukunia e tyre për ta grabitur, për ta varfëruar e poshtëruar nuk kanë të krahasuar me asnjë pushtetar paraardhës. Dikush mund të më akuzojë se po marr në mbrojtje bllokmenët e dikurshëm. Jo të dashur miq, shëmtime njerëzore si ata mos i ardhshin kurrë Shqipërisë. Por për hir të së vërtetës, asnjeri nga bllokmenët e dikurshëm nuk mund të guxonte as mendërisht të vidhte një fletore se i priste kokën Diktatori! Madje jo pak nga ta, kur morën pushkët të luftonin pushtuesin e huaj ishin të sinqertë dhe ëndërronin si idealistë për një Shqipëri të lirë e të lumtur ku njerëzit të ishin të barabartë. Ndërsa gjatë këtyre 20 vjetëve të periudhës së ashtuquajtur demokratike, shumica e politikanëve e shohin pjesëmarrjen në partitë politike të vendit si mjetin më të shpejtë për t’u pasuruar, madje edhe shumë më të shpejtë se marrja me trafik droge a njerëzish! Mjafton të bësh një përllogaritje të shpejtë të rrogës që kanë marrë gjatë 20 vjetëve si nëpunës shteti shumë nga politikanët tanë dhe ta krahasosh me milionat që kanë grumbulluar si pasuri të tundshme apo të patundshme do të shihni saktësinë e pohimit të lartpërmendur. (Kot nuk e quante kryeministri Ilir Metën, Ilir Floriri!) E kapën me presh në duar zëvendëskryeministrin Ilir Meta–për hir të së vërtetës nuk u kap me presh!–dhe në vend që t’u lihej organeve përkatëse ta hetonin, Kryeministri e merr në mbrojtje. Dhe ky Flori, e shkuar floririt, vazhdon të bëjë moral.
Për 50 vjet ky vend njihej si Republikë Popullore, por në të vërtetë ishte një sistem totalitar mesjetar. Ndërsa sot, flitet se shqiptarët jetojnë në një shoqëri demokratike, por vetëm fasada i ka mbetur e tillë.
Pse kemi rënë kaq poshtë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e ka dhënë ajo vajzë e vogël. Kjo fëmijë 4-vjeçare ndoshta nuk ka filluar të mësojë as germat e para të alfabetit, por kur të rritet do të shohë se këshilla e saj është e njëjtë me atë të filozofit të Iluminizmit evropian, Emanuel Kantit, që thoshte se “dëshira për pushtet e shkatërron në mënyrë të pashmangshme aftësinë për të gjykuar.” Dhe çdo ditë ndeshemi me shembuj të një gjymtimi mendor nga politikanët tanë: revoltën e rebelimin para dyerve me hekura të kryeministrisë të disa varfanjakëve që s’kanë bukë të hanë, e marrin si grusht shteti. Ministri i Rendit në vend që të skuqet e të japë llogari për vrasjen e katër njerëzve, nxjerr nga goja marrina të tilla “se paska marrë përgëzime madje edhe nga anëtarë të PS-së për mbrojtjen e shtetit”; nuk do të habiteshim edhe sikur të kishte shtuar se përgëzime të tilla ka marrë edhe nga familjet e viktimave. Thuhet se demonstruesit, si në filmat e Xhejms Bondit, ishin të pajisur me armë të sofistikuara, si stilografë e çadra me pistoleta, thika me helm, paçka se të varfrit në xhepa nuk iu gjet asgjë përveç astarit! Prokurorja e Përgjithshme barazohet me laviret e bulevardit, dhe ngaqë në deklaratën Presidentit nuk gjendej fjala “dhunë” rreshtohet në listën e puçistave, sipas parimit komunist: ose me ne, ose kundra nesh.
Kur u rrëzua komunizmi, në statutin e Partisë Demokratike u vendos që “kryetari i PD-së nuk mund të zgjidhet më shumë se për dy mandate me radhë”. Por në Kongresin e PD-së në vitin 1994 vetë presidenti i atëhershme, z. Sali Berisha kërkoi heqjen e kësaj kërkese. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo goditje e “siguresës” që shmangte rrezikun e uzurpimit të pushtetit nga brenda partisë, u vendos që edhe miratimi të bëhej me votim të hapur. (Përsëri si në kohën e komunizmit, ku njerëzit kishin frikë të hynin në dhomën e fshehtë, kështu që sapo merrnin fletën e votimit, drejtoheshin përnjëherë te kutia!) Pikërisht këtu duhen kërkuar rrënjët e këtyre fryteve që po vjelim tani. Hidhni shikimin në vendet e Evropës Lindore ku u rrëzua komunizmi. A gjendet qoftë edhe një rast i vetëm që një kryeministër apo lider i atyre lëvizjeve të para të përmbysjes së komunizmit të vazhdojë të jetë në pushtet ashtu siç ndodh në Shqipëri? Emrat e liderëve të famshëm, baballarëve shpirtërorë të lëvizjeve demokratike në Evropë, si Vaclav Haveli me “Revolucionin e Kadiftë” në 1989 dhe Leh Valesa me “Solidarnost” në 1980 janë larguar nga skena politike për t’ua lënë vendin emrave të rinj. Kurse në Shqipëri për 20 vjet sheh po të njëjtët emra. dhe Apo edhe në rrugëtimin demokratik, Shqipëria, ashtu si në periudhën e diktaturës, vazhdon të kërkojë shtigje të reja? Rrëzuam një diktaturë, për të pasur një shoqëri demokratike, një shtet të së drejtës, apo siç thotë Xhon Adams “që të qeverisemi nga ligjet dhe jo nga njerëzit.” Por ne vazhdojmë si në kohën e komunizmit, pa një shtet ligjor, por me një shtet të një njeriu të fortë që luan me ligjin si të dojë. Në ç’vend të botës (e kam fjalën për botën e vërtetë demokratike) Kryeministri përpiqet të vërë në kontroll njëherazi Presidentin, Prokurorin e Përgjithshëm, Shërbimin Informativ Shtetëror? Qysh në kohën e tij, Tomas Xhefersoni paralajmëronte se “përqendrimi i pushtetit në duart e ekzekutivit të çon në korrupsion” e i hap rrugën shtetit totalitar. Në shoqëritë diktatoriale mbreti është ligji, ndërsa në shoqëritë e vërteta demokratike ligji është mbret. Por në Shqipërinë tonë ligji s’është as shërbëtor. Por Kryeministri nuk u mjaftua vetëm me Presidenti, Prokuroren e Përgjithshme dhe me Shërbimin Informativ Shtetëror. Iu sul disa gazetarëve të shtypit të pavarur. Asnjë vend nuk është vërtet i lirë pa një shtyp të lirë. Vetëm në Shqipëri mund të shohësh të ashtuquajturin shtyp të lirë e të pavarur që t’i thurë ditirambe pushtetarëve. (Nuk e kam fjalën këtu për gazetën Zëri i Popullit dhe Rilindja Demokratike, pasi misioni i tyre është që të jenë mjete propagandistike të partive të tyre, por për atë pjesë të shtypit “të pavarur” që e ka venë veten në shërbim të pushtetit. Lexon gazetën “Koha Jonë” e disa organe të tjera dhe të duket sikur janë anekse të zyrës së propagandës pranë partisë në pushtet. Shtypi i vërtetë është oponencë dhe karakterizohet nga objektiviteti. Skandali i Watergate-it u zbulua nga dy gazetarë të rinj që e detyruan Presidentin e Amerikës, Niksonin, të jepte dorëheqjen. “U habita,” thotë në kujtimet e tij Gorbaçovi” kur mora vesh se njeriu më i fuqishëm në botë dha dorëheqjen kaq kollaj.” Ja kjo është forca e shtypit të lirë në një vend të vërtetë demokratik. Prandaj në Amerikë dhe vende të demokracive popullore, gazetari është i mbrojtur me Kushtetutë dhe ata shkelin etikën profesionale po të nxjerrin burimin e informacionit. Në një kuptim, gazetari është i shenjtë si ai prifti që i merr në varr rrëfimet e besimtarëve. Ndërsa në Shqipëri, servilët e puthadorët e kryeministrit, nxitonin kush të dilte i pari që të zbatonte urdhrat të tillë antidemokratikë. (Se s’i thonë shaka, vijnë zgjedhjet e tjera, dhe emrat nuk u shfaqen në listat e kandidatëve).
Zhvillimet e kohëve të fundit janë një sulm i hapur mbi arsyen dhe demokracinë shqiptare. Po ashtu edhe Kuvendi popullor është shndërruar në një vend mjeran ku vendin e debatit të civilizuar e intelektual e kanë zënë sharjet, fyerjet, kërcënimet deri në nivele të tilla të ulëta sa të kujtojnë përplasjet e grupeve mafioze. Fjalori që përdorin përfaqësuesit e “popullit” aty është po aq pervers sa interesat e tyre personale. Edhe pse flasin në emër të popullit, qëllimin e kanë si të pasurohen më shumë, si t’i hyjnë në zemër shefit të tyre. Zonja që drejton Parlamentin të kujton ato “virgjëreshat komuniste” që përgjëroheshin e njomnin të mbathurat kur shihnin portretin e diktatorit. Ajo zonjë ende s’e ka mësuar se nuk e kanë zgjedhur në atë vend për t’i bërë tifozllëk partisë së saj, por për të drejtuar Parlamentin Shqiptar me atë dinjitet që kërkon ky tempull i demokracisë dhe ai popull nga taksat e të cilit ajo paguhet. Po kështu edhe deputetët e Kuvendit, (TË TË DYJA FORCAVE POLITIKE!!!) ende nuk e kanë mësuar se janë betuar për të mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe jo interesat e ngushta të partisë së tyre. Nëse përfaqësuesit e organit legjislativ do të arrijnë të ngrihen mbi interesat e ngushta partiake e të vënë Shqipërinë mbi partitë, duhet të amendojnë Kushtetutën që “Askush të mos qëndrojë më shumë se dy mandate në pozitën e Kryeministrit apo të Presidentit. Numri dy nuk duhet të kalohet edhe në raste kur në një mandat je zgjedhur President dhe në mandatin tjetër Kryeministër.” Pikërisht kjo do të ishte një garanci që demokracia të mos degjenerohet në të ardhmen dhe ai kuvend do të mbetej në histori si kuvendi që i mbylli rrugën përpjekjeve të ndonjë lideri të ardhshëm për të uzurpuar pushtetin.
Ne që jetojmë larg Shqipërisë na skuqen veshët kur shohim se ç’bëhet brenda dhe jashtë parlamentit. Në këtë sulm mbi arsyen dhe demokracinë duhet përgëzuar Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama që vazhdon të mbrojë me profesionalizëm e përkushtim Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Zonja Ina Rama, u tregoi puthadorëve se mbi interesat personale e partiake është mbrojta e ligjeve. Nëse do të ndodhte e kundërta, demokracia shqiptare do të kishte marrë një plagë të pashërueshme.
Sikur të na jepej mundësia të dialogonim me vajzën e vogël 4-vjeçare nga Arabia Saudite, do t’i bënim këtë pyetje: Çfarë do t’u thoshe Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe deputetëve të Kuvendit Popullor?
Do t’u thosha që ta vendosnin ligjin që askush mos të zgjidhej në krye të qeverisë dhe të Parlamentit më shumë se dy herë, sepse nëse nuk bëjnë kështu, ata para zgjedhjeve elektorale do të jenë gjithmonë në televizor me gërshërë në dorë duke prerë shiritin për çdo gur e dru të Shqipërisë”.