Grushti i imagjinuar i shtetit dhe gazetarët

3 Shkurt 2011, 20:19Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

Shteti shqiptar spiunon Andi Bushatin, gazetar, Filip Cakulin, gazetar, Sokol Ballën, gazetar, Mero Bazen, gazetar… Emrat e këtyre kolegëve tanë janë vënë në “shtyllën e turpit” sepse pushteti paranoik i Tiranës ka ngritur akuzën më të pakuptimtë dhe më agresive kundër tyre: Ata paskëshin inspiruar, ideuar dhe kryer aktin e shëmtuar të Grushtit të shtetit! Sepse, ata thjeshtë kanë menduar me zë.

Ne, gazetarëve na pëlqen përkufizimi i Edmund Burkes, burrështeti anglez i shekullit 19 për gazetarinë si pushtet i katërt.

Ai kishte thënë se në Parlament janë tre autoritete, por, atje në galerinë e reporterëve, ulet autoriteti i katërt që është shumë më i rëndësishëm se të gjitha tjerat.

Katër gazetarë kundër shtetit. E pabesueshme, por e vërtetë. Ata edhe janë kundër shtetit autoritar, por në thellësinë e shpirtit janë liberatorë. Ata nuk janë armiq qysh i paraqet shteti aktual miqtë e vet më të mirë, por, autoritarizmi s’mund të mbijetojë pa armikun e brendshëm, i cili në mungesë, duhet fabrikuar, zmadhuar…

Që lufta kundër tij të jetë e shenjtë, e përmasave xhihadiste, që fitorja të jetë sa më madhështore dhe të përligjet nga besimtarët.

Armiqësia e tyre konsiston me faktin se kanë folur dhe shkruar.

Kanë folur më shumë se sa që duhet, ose kanë ditur më shumë se duhet.

Jo që janë moralisht më të lig, as estetikisht më të shëmtuar se fytyrat e pushtetit, por ata, thjeshtë mendojnë.

Demokracia i ka ligjësitë e veta, si në Tiranë, ashtu edhe në Londër, Paris, Berlin dhe Washington. Pushteti në demokraci nuk mund të merret dhe as nuk mund të mbahet me zor, por vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Nuk ka qeveri demokratike në botë që do ta njihte një kastë që papandehur merr dhunshëm pushtetin, prandaj “froni” i Sali Berishës mund të përdorej nga Edi Rama vetëm sa për një fotografi, sepse që të nesërmen do të duhej të shkonte në selinë blu për negociim të një zgjidhjeje politike. Për kompromis.

Kompromis pa qare.

Dhe, pushteti në Tiranë duke e pa se kompromisi është detyrim, mëton që ta stigmatizojë opozitën dhe liderin e saj, mundësisht deri në përmasat e shtetngrënësve dhe njeringrënëse, të cilët, thjeshtë duhet vrarë, në emër të popullit. Për të mos bërë kompromisin e kërkuar nga aleatët e Shqipërisë.

Po a bëhet kompromis me “fuqitë e errëta monstruoze”? Kurrë.

Kjo është makina propagandistike e pushtetit shqiptar, sado që opozita atje nuk është e veshur me aurën engjëllore, por ajo nuk e ka asnjë mjet tjetër në duar pos presionit politik, të rrugës, për ta ndryshuar pushtetin, i cili, vet po i jep argumentet më të fuqishme se është i padrejtë.

Grushti shtetit në Tiranë sëkëndejmi i përshkruhet opozitës e cila, kinse po e shti në dorë shtetin levë pas leve, së pari Prokurorinë e shtetit, pastaj SHISH-in dhe gazetarët, e në fund edhe vet Presidentin. Dokrra!

Kërkesa e një komisioni jolegjitim (pa opozitën) të Kuvendit Popullor të Shqipërisë për  zbardhjen e tablateve telefonike të gazetarëve që mendojnë ndryshe nga regjimi, nuk është as diçka e re dhe as tipike shqiptare, por luftë klasike e totalitarizmit kundër pluralizmit dhe fjalës së lirë. Kërkesa për përgjimin e gazetarëve, që ata me lehtësi të padurueshme të implikohen në lëvizjen e projektuar nga mazhoranca shqiptare si anti shtetërore, është thjeshtë tendencë për rrëmbimin e të drejtave civile dhe varrosjes përfundimtare të fjalës së lirë, e cila, në secilin cep të botës së egër është syri dhe veshi i publikut, i cili, nuk duhet të marrë vesh asnjë të vërtetë tjetër pos asaj të pushtetit, të vërtetës zyrtare. Ky akt i pushtetit në Tiranë, përfundimisht dëshmon se lidershipi atje e ka humbur busullën orientuese dhe po rrëshqet marramendshëm drejt humnerës. Përplasja e Sali Berishës nga gabimi në gabim s’ka të ndalë

Ai si në ëndërr të keqe, e di dhe nganjëherë po e thotë, se liria e shtypit dhe e protestës është vlerë siperane dhe ai ka hise në arritjen e këtyre vlerave, por çfarë po ndodh në mendjen e tij, tashti kur po do që ta ngul në hu, secilin që i shfrytëzon këto vlera, që njëherësh janë të drejta themelore?

Demokracia nuk mund të jetojë pa lirinë e fjalës dhe të shprehjes. Të diskutosh dhe të votosh, të mblidhesh dhe të kundërshtosh, të falesh përpara Perëndisë, të sigurosh drejtësi për të gjithë – të gjitha këto varen nga liria e fjalës dhe e informacionit, si dhe nga liria e shprehjes dhe protestës.

Kanadezi Petrick Wilson, autor i serisë televizive «Lufta për demokraci», shkruan se demokraci do të thotë komunikim: njerëz që bisedojnë me njëri-tjetrin për shqetësimet e përbashkëta e që ndërtojnë të ardhmen e tyre. Përpara se të mund të qeverisen, njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehen.

Shtetasit e një vendi demokratik janë të bindur se nëpërmjet shkëmbimit të lirë të ideve dhe mendimeve, e vërteta triumfon mbi gënjeshtrën, vlerat e të tjerëve çmohen më mirë, zonat e kompromisit përcaktohen më saktë dhe rruga drejt përparimit hapet. Sa më i madh të jetë vëllimi i këtyre shkëmbimeve, aq më mirë!

Ndryshe nga sa ndodh në shtetet autoritare, në shtetet me qeveri demokratike, përmbajtja e fjalës së shkruar dhe të folur është jashtë çdo kontrolli, diktati apo gjykimi. Çfarë duhet të bëjë një qeveri kur mjetet e informacionit ose organizatat e tjera e shpërdorojnë lirinë e fjalës duke përhapur të dhëna që sipas mendimit të shumicës, janë të rreme, të neveritshme, pa përgjegjësi apo thjesht të pahijshme?

Përgjigjja e përgjithshme do të ishte: Asgjë!

Qeveria nuk ka për detyrë të merret me gjëra të tilla.

Gazetari e ka të drejtën të flasë me viktimën dhe me kriminelin, me të drejtin dhe hileqarin, me secilin Jezus dhe me akëcilin që e vë atë në kryq, pra edhe me Berishën dhe me Ramën.

E pse i kërkohet gazetarit si rregull e artë, t’i dëgjojë të dyja anët?

Kolegët tanë në Tiranë mbase e kanë bërë këtë “krim” me 21 janar 2011.

Kanë folur me pushtetin dhe me opozitën.

Dhe tash Komisioni “Berisha me të vetët” kundër “bashibozukëve dhe trafikantëve” më të rrezikshëm të Shqipërisë, sipas kandarit të pushtetit, i ndërlidh me fantom Grushtin e Shtetit, i vë në bashkëveprim, i shkrin dhe i ngjet si mishin me thoin, për t’i shkërmoqur ata. Jo ata si Anda, Filipa, Sokola e Mero, por neve si zëdhënës të atyre që s’kanë.

Atyre që s’kanë zë, vegjëlisë, duhet t’u prehen lidhjet me botën tjetër, sepse ata nuk duhet ta dinë se ekziston edhe një botë tjetër, që njihet si demokraci, sepse po të marrin vesh për ekzistencën e saj, ata do të nisën si në ecje biblike për ta zbuluar atë dhe mrekullitë e saj, që përkufizohen me lirinë.

“Liria jonë varet nga liria e shtypit dhe ajo nuk mund të kufizohet pa u humbur”.

Kjo fjali e presidentit Jefferson pasohet me tjetrën, kur ai thotë se mes një pushteti pa gazeta dhe gazetave pa pushtet do ta zgjidhte këtë të dytën.

Nuk e zgjedh Berishën pa gazeta. Zgjedh katër kolegët, qoftë edhe pa pushtet.

Larg duart nga liria e shtypit, kjo do të ishte këshilla më e mirë për Berishën para 21 janarit. Tashti, e kotë është çdo thirrje dhe apel.

Pas vendimit që të spiunohen gazetarët, e vetmja thirrje e arsyeshme do të ishte: “Mëshoju fort” gazetarëve Kryeministër!

Me grusht po ia shkurton rrëmbimthi vetes qëndrimin në “fronin shqiptar.”

Çka është mjaft, mjaft është…

Lini një Përgjigje