Pavarësinë Kosovës s’ia marr askush. E drejta ndërkombëtare nuk parasheh që pranimi i mëvetësisë së një shteti të anulohet. Por, pavarësia po degradohet aq shumë nga pushtetarët saqë së shpejti nuk do t’i duhet askujt prej qytetarëve të zakonshëm të Kosovës, përveç një grupi vjedhësish ordinerë, të cilët akuzojnë njëri-tjetrin për plaçkitje derisa shtyhen me bërryla të zhvatin edhe disa copa mishi nga vegshi i (pu)shtetit. Njëri – si deri më tani – do t’i thotë tjetrit: “Ti ke shtëpi në Dubai!”; tjetri do të kundërpërgjigjet: “Ti ke firmë në Zvicër, e cila të shërben si mbulesë për transferimin e parave të korrupsionit”. Dhe të gjithë – mizantropë dhe dashamirës të shpifur – do të mblidhen tani tok dhe do të bëjnë sikur po qeverisin. Këtë spektakël të neveritshëm qytetarët e Kosovës do të jenë të dënuar ta këqyrin për shumë vite nëse nuk e kundërshtojnë me vendosmëri; nëse nuk vetëdijesohen dhe nuk refuzojnë ta hanë sapunin për djathë; nëse nuk e mundin frikën dhe nuk i denoncojnë keqbërësit e plotfuqishëm, të cilët sundojnë në emër të demokracisë së manipuluar; nëse nuk triumfon guximi qytetar përballë të keqes. Duke i kosovarizuar vargjet e Bertolt Brecht-it, poetit të madh gjerman, për shtetin më të ri në Evropë mund të themi (natyrisht në gegënisht):
“Në shtëpinë tande / Bërtasin, rrejnë. / E, e vërteta duhet me heshtë / A s’asht keshtu? / Pse po të thurin lavde shtypësat, / e të shtypurit po të fajësojnë? / Të plaçkiturit / Po ta bajnë me gisht / Por, plaçkitësat po i thurin lavde sistemit / I cili asht shpikë në shtëpinë tande. / Të gjithë po të shohin / Cepin e fustanit tand e ke mshefë, ai cep asht i përgjakun / Prej gjakut të birit tand ma të mirë. / Kosovë, nanë e zbehun! / Oh, çka të kanë ba bijtë e tu / E ti qëndron mes popujsh / E tallun, e fyme, nji vend i frigësuem.”
Sinjalet alarmuese po ushtojnë prej kohësh. “Unë besoj që Kosova ka katër-pesë vjet ose do të bëhet shtet i dështuar”, thotë ambasadori amerikan në Prishtinë. Publikisht. Pa asnjë ngurrim diplomatik. Ai i referohet një zëvendësi të tij, i cili paskësh thënë: “Vjehrri dhe vjehrra ime e kanë ditur një fakt për Kosovën. E kanë ditur se bija e tyre, pra gruaja ime, jeton në Kosovë. Tash vjehrrit e mi i dinë dy gjëra për Kosovën: e dinë se bija e tyre jeton në Kosovë dhe e dinë se në Kosovë shiten organe”. Dinamika e lajmit të keq është e pamëshirshme, por a nuk duhet ta pyesin pak veten sundimtarët lokalë kur ambasadori i SHBA-ve thotë: “Kosova në thelb nuk është qeverisur qe pesë muaj”. Pra, çfarë është bërë që kjo dinamikë e lajmeve të tmerrshme të sfidohet me mençuri dhe jo me fyerje, ta zëmë, kundër deputetit zviceran Dick Marty apo Evropës në përgjithësi, e cila qenkësh antishqiptare – po ajo Evropë që para 11 vitesh bombardoi forcat serbe, duke i dhënë fund kështu spastrimit etnik të shqiptarëve!
Sinjali tjetër është deklarata e një ministri holandez, i cili citohet të ketë thënë: “Kosova është e drejtuar nga njerëz të cilët jetojnë nga krimi”. Këtë ai e ka thënë në vitin 2007 – dhe, për fat të keq të këtij vendi, ai deklaratën e tij mund ta përsëris edhe sot, sepse realisht nuk ka ndryshuar pothuaj asgjë.
Varfëria, krimi dhe dehja
E njëjta vlen për raportin e Institutit për Politikë Evropiane nga Berlini, që u publikua para katër vitesh: Për shumicën e protagonistëve të atëhershëm dhe të tanishëm politik thuhet se e kanë shndërruar Kosovën në një “territor multifunksional polikriminal”. Për këtë raport janë intervistuar 70 ekspertë për Kosovën, është cituar literatura profesionale dhe janë lexuar dokumente të brendshme të qeverive perëndimore. Nuk është e mundshme që gjithë këta ekspertë të jenë armiq të Kosovës, siç thuhet shpesh nga ndonjë tellall pushteti sa herë që publikohen kritika ndaj mënyrës se si qeveriset ky vend. Në raport nënvizohet se aktivitetet e mafies në qarkun ekonomik të Kosovës kanë arritur përmasa “astronomike”, se dëshmitarët e krimeve “automatikisht shndërrohen në caqe tepër atraktive për atentate”, se lojtarë kyç të krimit janë figura që sot drejtojnë Kosovën, se popullsia e përvuajtur dhe e nënshtruar nga varfëria jeton “në frikë të thellë” nga kasta drejtuese, e cila ka etabluar një regjim të heshtjes sipas omertës siciliane. Përmendet në raport edhe gjenerali amerikan Steven Schook, detyrë e të cilit, siç thuhet, është që “njëherë në javë të dehet me Ramush Haradinajn”. Pastaj: Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj përmes aktiviteteve të tyre të paligjshme “i janë afruar më shumë se kurrë synimit të tyre për kontroll total të Kosovës”. Me fjalë të tjera: Bashkimi Evropian në Kosovë ka trashëguar nga misioni i OKB-së “një dyqan me dinamit dhe plot piromanë”.
Hajde ta zëmë se një raport qenkësh dashakeqës, por si është e mundshme që të gjitha raportet e institucioneve të huaja të jenë të rrejshme dhe vetëm versioni i politikanëve sundues në Kosovë të jetë i saktë?
Sipas kësaj logjike gënjen KFOR-i, gënjen NATO, gënjejnë shërbimet sekrete gjermane, amerikane, franceze, italiane, britanike, gënjejnë alamet institute për analiza politike e strategjike. Dhe vetëm sundimtarët e Kosovës e thonë të vërtetën! Nga “Fausti” i Goethes jehon kjo fjali: “Porosinë po e dëgjoj mirë, vetëm se po më mungon besimi”
Rrufeja s’e vrau askënd!
Është trishtuese që një politikan me moshë të re si Hashim Thaçi lërë që nuk arriti të spastrojë rrethin e tij nga të dyshuarit për krime e korrupsion, por – me apo pa dashje – u bë urë e tyre drejt pushtetit dhe drejt afirmimit publik. Pas luftës Thaçi e ka pasur zakon që në çdo intervistë të tregonte se ka jetuar në Zvicër, në njërin prej vendeve më demokratike në botë, dhe premtonte se nuk do të ishte dorëlëshuar ndaj ekstremistëve, por do të punonte për ndërtimin e një demokracie të mirëfilltë në Kosovë. Shpejt u zbulua se kjo ishte vetëm një frazë që tingëllon mirë. Asgjë më shumë. Tani Partinë Demokratike (PDK) në Kuvendin e Kosovës do ta përfaqësojnë figura me dosje të trasha krimi, të dënuar nga gjykatat, të njohur në Prishtinë e gjetiu për shantazh ndaj bizneseve, për haraç, kërcënime, për vrazhdësi sjelljesh dhe mendimesh. Me figura të tilla synohen integrimet evropiane? Ka humor më të mirë, jo kaq bizar.
Ky vend, me gjasë, ende se ka kaluar fruthin. Nëse s’ka gatishmëri që të largohen nga skena publike të gjithë ata që janë diskredituar me akuza të rënda, në vitet në vijim do të dalë ndonjë Dick Marty tjetër dhe do të flasë edhe në emër të shumë viktimave të pasluftës në Kosovë. Këta njerëz nuk i ka vrarë rrufeja, gjaku i tyre do t’ia dridh dheun nën këmbë çdokujt që jeton në Kosovë derisa rrethanat e vrasjes së tyre mbeten të errëta. Sot zëri i çdo viktime – dhe nuk janë pak! – thërret për drejtësi dhe për një prokuror kosovar që s’e tremb asgjë, që pamëshirshëm depërton në kthinat e krimit. Sot Kosova s’e ka këtë prokuror, por mos të mendojë askush s’e nuk do ta ketë një ditë, sepse fati i madh i këtij vendi është gjeografia: gjendet në Evropë dhe ky kontinent vlerash nuk do të lejojë triumfin përfundimtar të krimit. Ata që sot luajnë rolin e mujsharëve arrogantë nesër mund të zgjohen në burg. Mullinjtë e drejtësisë bluajnë ngadalë, por disa keqbërës dora e ligjit do t’i godas qoftë edhe atëherë kur të plaken e të bëhen për oturak.
Momenti është tani. Kush ka informata për çdo krim, për korrupsion duhet të flasë. Të deponojë të dhënat në prokurori. Ata biznesmenë që me vite paguajnë reket e ryshfet dhe heshtin vetvetiu bëhen pjesë e krimit. Para disa ditësh në një qytezë afër Prishtinës shpërtheu një granatë në një garazh veturash, pasi pronari, siç thuhej, s’kishte pranuar të paguajë haraç. Ky njeri është hero i Kosovës. Të tillët duhet të bëhen shembull i kësaj shoqërie. Jo ata biznesmenë që prej vitesh heshtin dhe notojnë në moçalin e njëjtë me politikanë. Sepse për krime e korrupsion nuk janë fajtor vetëm ata që janë direkt të përzier, por edhe ata që heshtin, që mbyllin sytë dhe bëhen të shurdhër.
Portat e mbyllura
Për Hashim Thaçin tani shtrohet një pyetje: Në cilën anë të historisë dëshironi të mbeteni, kryeministër? Në anën e errët apo të ndritshme? Me krimin apo me shpresën për një Kosovë evropiane? Kur publiku e sheh listën e deputetëve të PDK-së, atëherë përgjigjen frikësuese mund ta marrim me mend. Në një situatë të tillë Thaçit po i vijnë mesazhe nga jashtë, sikur ai i Geoffrey Nice, ish-prokuror në Tribunalin e Hagës. Në revistën e famshme “London Review of Books” Nice i bëri thirrje Thaçit të ndjek shembullin e Milo Gjukanoviqit “nëse zërat e tanishëm (për krim e korrupsion, v.j.) vazhdojnë të qarkullojnë”. Kosovës s’i duhet një kryeministër që nuk ia hapë portën asnjë kancelari në Evropë. S’i duhet as një shef qeverie që hyn në negociata me Serbinë me këtë bagazh akuzash mbi kurriz dhe pa legjitimitet të plotë demokratik. Që tani po shihet se Kosova e ka vështirë të funksionojë si shtet me planin e Ahtisaarit. Pas bisedave me Serbinë do të jetë edhe më keq. Kosova po hyn në negociata që të humb, jo të fitojë. Prandaj, Kosovës i duhet një fillim i ri.