Revolucion me jasemin

28 Janar 2011, 22:07Blog TEMA

Nga Enver Robelli

1. Një akt i frikshëm.

Ky është një rrëfim për një revolucion, i cili e përzuri nga pushteti një bandë plaçkitëse, duke i dhënë fund një sundimi të egër që zgjati mbi 20 vjet. Ky është, në radhë të parë, rrëfimi për një tiran dhe klanin e tij si dhe për një shitës pemësh dhe perimesh. Tirani Zine el-Abidine Ben Ali mbase kurrë s’kishte menduar se një shitës pazari do të niste largimin e tij nga pushteti në Tunizi. Gjithçka filloi më 17 dhjetor, kur para prefekturës së qytetit Sidi Bouzid i vuri vetes zjarrin 26-vjeçari Mohammed Bouazizi. Me këtë akt ai protestonte kundër burokratëve të regjimit, të cilët s’i jepnin licencë të punonte si shitës në pazar. Pas disa ditësh ai vdiq në spital. Kjo tragjedi ngjalli mllefin e njerëzve në Tunizi, të cilët prej deceniesh shtypeshin nga regjimi i Ben Aliut. I vdekuri Mohammed Bouazizi nga u quajt “Jan Palahu i Tunizisë” – sipas studentit çek, i cili në vitin 1969 publikisht dogji veten në shenjë proteste kundër shtypjes së Pranverës së Pragës nga trupat sovjetike. Vetëdjegia në Sidi Bouzid nxiti mijëra tunizianë të dalin në rrugë dhe të protestojnë kundër regjimit. Gjatë një proteste gazetarëve u ra në sy kjo parullë: “Në kalldrëm lulëzon jasemini” – një aludim në sloganin e njëjtë të lëvizjes së vitit 1968 në Paris. Ishin mediet franceze që përdorën shprehjen “Revolucion i jaseminit”, më vonë kjo shprehje nisi të përdoret si në Tunizi ashtu edhe në vende të tjera.

2. S’ka monopol mbi të vërtetën.

Brenda më pak se një muaji Ben Ali u mbështet për muri nga protestuesit dhe para 10 ditësh iku në Arabinë Saudite. Kështu filloi edhe shkapërderdhja e sistemit të tij diktatorial, i ndërtuar mbi dhunën dhe plaçkitjen e vendit. Ende një pjesë e vartësve të tij mban poste të rëndësishme, por akti i përzënies së një diktatori është i pashembullt në historinë e botës arabe. Tani shumë vëzhgues politikë pyesin nëse Tunizia do të jetë vetëm fillimi i rrëzimit të sunduesve shumëvjeçarë, siç janë Hosni Mubarak i Egjiptit (që nga viti 1981 në pushtet), lideri i revolucionit të Libisë Muamar al-Gadafi (sundues tashmë 42 vjet) dhe presidenti i Jemenit Ali Abdulla Saleh (32 vjet në pushtet). Vështirësitë e vendeve arabe janë pothuaj të njëjta: korrupsioni dhe problemet e mëdha sociale, të cilat ashpërsohen dita-ditës për shkak se gati çdo kund pothuaj gjysma e popullsisë është nën moshën 30-vjeçare dhe kryesisht e papunë. Ekonomitë e këtyre vendeve bazohen ose në industrinë e naftës ose në turizëm derisa qeveritë nuk përpiqen të zhvillojnë sektorë të tjerë. Deri para pak vitesh regjimet në Tunizi, Egjipt e Libi kishin monopol mbi politikën informative. Me zhvillimin e teknologjive të reja të komunikimit, të cilat i mundëson interneti, këtij monopoli po i vjen fundi. Le të thonë çfarë të duan mediet shtetërore, masa kritike e njerëzve gjithnjë e më shumë po lidhet dhe po informohet përmes mjeteve të komunikimit, siç janë Facebook-u, Tëitter-i, Youtube, telefonat mobilë etj. Kështu ishte edhe në Tunizi.

3. Al Capone!

Krahas Bel Ali ndër figurat më të urryera në Tunizi ishte gruaja e tij e dytë Leila Trabelsi, një floktare që në fillim të viteve 90-të kishte arritur t’ia marrë mendtë presidentit. I mbështetur nga Ben Ali klani Trabelsi futi nën kontroll degë të rëndësishme të ekonomisë – banka, hotele, kompani ajrore, zinxhirë dyqanesh, vila tepër të shtrenjta. Banda Trabelsi jetonte në luks: për çdo ditë ajo e sillte jogurtin e freskët për mëngjes nga Saint-Tropez-i (Francë), njëri anëtar i klanit e kishte vjedhur një jaht në një port francez, një tjetër e mbante në torishtë një tigër, i cili për çdo ditë hante nga 60 kilogramë mish derisa një pjesë e madhe e popullsisë jetonte të varfëri ekstreme. Një politikan opozitar, nëse në Tunizi mund të flitet për opozitë, kështu e përshkroi për mediet gjermane sundimtarin: “Ben Ali në pallatin tonë presidencial është sikur të futësh Al Caponen në Shtëpinë e Bardhë”. Me një rast Leila Trabelsi kishte blerë te “Dior” në Paris një pallto për 30 mijë euro! Llogaria i kishte shkuar Ambasadës së Tunizisë në Paris, e cila s’kishte reaguar fare, njëjtë ishte sjellë edhe selia e presidentit. Meqë nipit të Leila Trabelsit i pengonte ezani i hoxhës, ai urdhëroi të ndaleshin altoparlantët. Kur u largua nga Tunizia Trabelsi me vete mori 1,5 tonelata alltën në vlerë prej 45 milionë euro. Gjatë sundimit të tij Ben Ali mbajti lidhje të ngushta sidomos me Francën, koloni e së cilës kishte qenë Tunizia. Tek pas rrëzimit të diktatorit autoritetet franceze vendosën t’i bllokojnë kontot e klaneve Ben Ali dhe Trabelsi. Ben Ali ishte një lloj garanti kundër islamistëve në Tunizi. Ai kishte ndjekur mësimet në një kolegji ushtarak në Francë dhe kishte kryer disa kurse pranë shërbimit sekret amerikan CIA. Më vonë kishte punuar si diplomat në Maroko, në Spanjë dhe në Poloni. Me këtë karrierë ai ishte i përgatitur të marrë drejtimin e vendit në vitin 1987. Me kalimin e viteve u shndërrua në diktator plaçkitës. Por, secilës batërdi i vjen fundi.

Lini një Përgjigje