Në NATO dhe ‘larg’ saj!
Jemi vend i NATO, por më 21 janar dështuam të sillemi si të tillë. Jemi kandidatë për BE por me të premten e zezë i bëmë karshillëk asaj. Me spirale dhune të denjë për Bagdadin e largët, me kulm humbjen e jetëve të pafajshme, shokuam vetveten, vumë në siklet e pataksëm miqtë e partnerët që për turpin tonë po ndërmjetësojnë sërish. U vranë qytetarë të pafajshëm, u dhunuan protestues e policë, u keqtrajtuan kalimtarë, u sfidua godina qeveritare e ‘horoskopi’ politik mbetet ende i paqartë. Mjerisht nuk ditëm të menaxhonim një protestë e nuk po dimë të menaxhojmë as post-tragjedinë duke xhiruar kërcënueshëm ‘ruletën ruse’ të radhës. Përmbi çdo denoncim e justifikim politik, përtej teknikalitetit të zbardhjes së dinamikës së zinxhirit shkak-pasojë e sqarimit se kush, pse, kur, si dhe sa i hodhi ‘benzinë’ shkëndijës së parë që provokoi anarkinë, përtej spekulimit që ushqeu abuzimin si për rrethanat e vrasjes dhe dorën që hodhi ‘gurin’ e parë, mbetet fakti se tre qytetarë, ndonëse jo në flagrancë antiligjore, humbën jetën në mënyrë absurde për një vend të NATO.
Protesta të ‘imunizuara’ nga anarkia
Opozita, në të drejtën e saj të përfaqësimit, frymëzoi protestën për kauzën e transparencës së votës e qeverisjes. Përtej komenteve rreth referencave me realitete afrikane, duhet të analizohet nëse ajo kishte mundësi reale të përmbante si duhet veprimet e një fraksioni protestuesish, evidentuar si provokim fillestar prej mazhorancës për të shpjeguar spiralen e dhunës që pasoi, pavarësisht se incidente të tilla kanë ndodhur më parë në protestat e opozitës apo në provincë por janë mbyllur me profesionalizëm prej policisë. Mes vërshimit të dhjetëra- mijëra njerëzve që e shndërruan bulevardin në një ‘hinkë’ gjigande mbledhur në një pikë, presuar prej njerëzve pretendimi i të cilëve për hapësirë fizike e simbolike nuk kurseu as trotuarin publik ku ndodhej e panumërt, disi sfiduese e debatueshëm paragjykuese policia, përballë rrëkesë së ujit, gazit lotsjellës e paralizues, opozita pa mbrojtje e antigaz u sfidua seriozisht për të qenë plotësisht aktive në shuarjen e ‘shkëndijës’ së parë e prevenimin e precipitimit, sikurse eksponentë të saj bënë çmos për të sprapsur, demotivuar e qetësuar protestuesit më pas.
Ndërsa opozita mund të komentohet përse nuk ishte më efikase për të bërë më shumë në parandalimin e dhunës teksa mori përsipër të organizonte protestë në një kontekst e dimension që ndoshta nuk mundej ta menaxhonte gjithsesi, pavarësisht motivimit demokratik për të zëdhënë publikun e sensibilizuar ndërkombëtarët për papërgjegjshmëri në qeverisje, mbetet fakt se dhuna ndaj policisë apo institucioneve, ndonse prezente dhe në protestat në demokracitë perëndimore, si veprim me dimension anarkik nuk është modeli që duhet të adoptojmë e domosdon distancim në emër të preçedentit që nuk duam të përsëritet. Epilogu tragjik i kësaj proteste nuk duhet të dekurajojë protestat por ato duhet të jenë tërësisht paqësore sepse ‘gandizmi’ edhe nëse nuk e bën mazhorancën të reagojë, është efikas për radarët e perëndimit si ‘watchdog’ të demokracisë.
Përgjegjshmëri dhe abuzim
Në një vënd të NATO, policia është profesionale e misioni i saj është garantimi rendit, jeta e qytetarit dhe shënjtërisë së institucioneve. Me veprimet e mosveprimet e saj ajo nuk arriti të ruante këtë balancë e fatalitetet njerëzore kompromentojnë. Jeta e fati i një njeriu, qoftë dhe anarkist, pjesmarrës pasiv apo kalimtar, mbrohet me ligj e nëse fajtor ndëshkohet po me ligj. Ndërkohë që nuk raportohen të shtëna prej demostruesve, përdorimi i zjarrit prej uniformave ishte jo i nevojshëm e rezultoi fatal.
Dimensioni anarkist i lokalizuar i protestës ishte sfida e policisë e pasojat dëshmojnë se nuk u menaxhua si duhet. Nëse nuk është e paparë dhuna anarkiste në një vënd të NATO, është anormale një polici që godet me gurë protestues pa mburojë, që shtie në ajër duke provokuar plumba qorr, që drejton armën horizontalisht, që ndjek në cepat e bulevardit e keqtrajton e ndalon deri kalimtarë të rastit, që futet në qëndra biznesi e intimidon pa dallim, që ekspozohet ndaj anarkistëve me mjete mbrojtëse që thyhen si lëvozhgë, që asistohet prej civilëve anonimë në ndalimet pa dallim e që kishte rastin të izolonte në kohë anarkistët duke mos e zgjatur agoninë e dhunës. Ndërsa anarkistët mbajnë përgjegjësi për goditjen e institucionit e uniformave, nuk ka simetri me humbjen e jetëve të pafajshme ndaj ‘kush provokoi’ tejkalohet nga ‘kush abuzoi’.
Mazhoranca, teksa bën dallimin mes protestuesve paqësorë të Urës së Madhe, që gjithsesi u paragjykuan më pas prej policisë, dhe anarkistëve të dalë jashtë kontrollit, duhet të bëjë të njëjtin dallim mes policëve heronj që rrezikuan jetën për mbrojtjen e solemnitetit të institucionit e atyre që shtinë mbi turmën pa hezitim. Nëse mazhoranca aludon për ‘lidhje të shkurtër’ mes veprimit anarkist e ‘urdhërave’ prej lidershipit opozitar, nuk bën veçse stimulon paralelizmin opozitar për ta lidhur veprimin e jashtëligjshëm të ushtarakëve me një skenar e jo aksident fatal. Ndërsa me të drejtë mazhoranca kërkon distancimin e opozitës prej elementëve anarkistë e faturës politike që ata bartin, etika e kërkon të distancohet vetë prej uniformave që abuzuan me ligjin me pasoja fatale. Dhuna sepse dëmton të gjithë, bashkon të gjithë në distancimin prej saj ndaj, ndërsa mazhoranca bën thirrje për protestë pa dallim partiak, është në nderin e saj të respektojë protestën homazh në nderim të atyre ishin në shesh për standarte për të gjithë.
Burrështetësi dhe Gandizëm
Përtej mjerimit të politikës shqiptare e brishtësisë së shtetit sërish në panik, dështimi ynë vë në pozitë miqtë e partnerët që, teksa palët ngurtësoheshin në llogoret e tyre, nuk arritën të bënin në kohë ndërmjetësin e efektshëm në emër të interesit të shoqërisë shqiptare që meriton më shumë por që paguan kaq shtrenjtë. Momenti kërkon artikulim të qartë perëndimor e jo deklarata ekuivoke që lexohen ndryshe nga protagonistët shqiptarë duke mos kontribuar efektivisht në zbutjen e tensionit. Imazhi perëndimit nuk mund të merret peng prej politikës shqiptare dhe ai e ka ‘metrin’ e duhur demokratik për të vënë pikat mbi ‘i’.
Tragjedia e 21 janarit imponon një autoskanim urgjent të shtetit sepse në demokraci, mirëqënia, liritë e siguria e individit janë prioritare e thelbi i ekzistencës së tij. Përballë murit të pandjeshmërisë së pushtetit, sfida e opozitës mbetet protesta e trysnia demokratike paqësore duke demotivuar e u distancuar prej anarkizmit që, sepse haset në perëndim, nuk përbën aset demokratik. Tashmë me një dimension sublim, kauza e saj për transparencë e përgjegjshmëri qeveritare inspiron më tej të drejtën e saj demokratike që, në pamundësi të reagimit prej palës tjetër deri në karshillëk të urtësisë perëndimore, të trysnojë deri në bojkot sepse nëse kauza është e shënjtë, koha punon për të. Sfida e mazhorancës është burrështetësia, e opozitës gandizmi.