Ka kohë që në qiejt shqiptaro – italianë janë shtuar fluturimet shtetërore Tiranë – Romë, dhe kjo për shkak të afrimitetit politik dhe human që lidh liderin italian me njeriun nga Viçidoli. Takimet Topalli – Fini, Haxhinasto – Frattini sa vijnë edhe shtohen sikur të ishim një provincë e Italisë. Berlusconi asnjëherë nuk e ka fshehur simpatinë e tij për liderat autoritare, dhe janë pikërisht ata që ai frekuenton me shpesh si psh. Putini dhe Ghedafi, ku ai nuk ngurron t’i vizitojë shpesh në haremet e tyre.
Që me ardhjen e njeriut nga Viçidoli në pushtet, partitë respektive të dy liderave kanë shtuar bashkëpunimin e tyre, dhe këtë e demonstron më së miri vizita e deputetit dhe përfaqësuesit të partisë së Berlusconit, zotit Mario Valduçi dhe njëkohësisht President i Komisionit të Transportit në Parlamentin Italian në dt. 3 dhjetor 2010. Në atë vizite ishin edhe shumë të rinj të marrë nga qarqet e “Popullit të Lirisë”, partisë së Berluscon-it për të eksportuar pak liri në Shqipëri meqë neve na mungon theksueshëm.
Le të kthehemi pak tek titulli i këtij artikulli për të parë më mirë se sa e besueshme është diplomacia italiane në këto momente.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006 partia e Berlusconit si qeveria dalëse e vendit organizon zgjedhjet, ku i humbet minimalisht me një diferencë prej 24 mijë votash në 38 milion votues, kundrejt të majtës së udhëhequr nga Romano Prodi. Një rezultat i paarritur ndonjëherë në historinë e Italisë, por ajo që prokuroria e vendit hasi në mënyrë të menjëhershme ishte se këtë radhë si kurrë ndonjëherë tjetër, rezultonte ulja drastike e skedave të bardha ose të pavotuara, që gjithmonë kishin qenë rreth 4 %, ndërsa këtë radhë ato ishin vetëm 1.1 %. Duke qene se numërimi i votave ishte elektronik dhe kryhej nga e njëjta kompani amerikane që akuzohej për manipulimin e votave në shtetin e Floridës në mandatin e dyte të presidentit Bush, ku ai fitoi me rezultat të ngushtë, ishte një motiv më shumë për Prokurorinë të vazhdonte hetimet.
Prokuroria vazhdoi të hetonte parcialisht në 26 qendra votimi duke i zgjedhur si kampion për hetimin, dhe rezultati ishte se të majtës italiane i ishin vjedhur vota, dhe partisë së Berlusconi-t i ishin shtuar në procesverbalet e dorëzuara në Ministrinë e Brendshme. Prokuroria nuk vazhdoi më hetimet dhe Berlusconi pranoi humbjen e zgjedhjeve edhe pse ishte ai që akuzonte të majtën për vjedhje votash.
Hetimi i gazetarit Enrico Deaglio, i përmbledhur në dokumentarin “Uçidette la Democrazia” tregon se si më shumë se 1 milion e 200 skeda të bardha janë pilotuar ne partine e Berlusconi-t, por asnjëherë prokuroria nuk hetoi mbi të, turpi do të ishte shumë i madh për një vend si Italia të demonstronte botes se pas 60 viteve demokraci nuk ishte e aftë të garantonte votën e qytetarëve. Hetimet u bllokuan edhe me konsensusin e të majtës italiane për mos të humbur besueshmërinë në arenën ndërkombëtare.
Prandaj i nderuar Frattini unë personalisht nuk kisha dyshime për qëndrimin tuaj që zgjedhjet ishin të rregullta dhe të ndershme, nuk kisha dyshime për qëndrimin tuaj kundrejt manifestimeve paqësore. Partia dhe qeveria juaj ka dhënë prova të mjaftueshme se di edhe ajo të dhunojë njerëz dhe demonstrata paqësore, si në mbledhjen e G8 në Genova në vitin 2001, ku mbeti i vrare edhe i riu Salvatore Giuliani. Ju zotëri duhet të kujtoni masakrën në shkollën e mesme “Armando Diaz”, e kryer nga forcat e policisë, të drejtuara nga bashkëpunëtorët e tu. Tashmë që 25 policë, nga 27 që kanë qenë akuzuar për këtë masakër, kanë marrë dënimet me burg që meritonin, mos pengoni me deklaratat tuaja hapat e ngadaltë të institucioneve tona drejt demokratizimit dhe pavarësisë duke mbrojtur qeverinë klanore dhe të korruptuar të Berishës. Deklaratat tuaja se Shqipëria është më afër Europës janë një farsë, ashtu siç është farse partia e sloganeve dhe populiste e Berlusconi-t. Ne shqiptareve na pëlqen të importojmë shumë gjëra nga Italia, por Berlusconi-zmin mbajeni për vete i nderuar Ministër se ne nuk na intereson.
Comments are closed.
Faleminderit,faleminderit, faleminderit,,,,,,,,ke shkruajtur edhe per mua Donald Toska.