Leter e Hapur e Levizjes "MJAFT" drejtuar perfaqesive diplomatike ne Shqiperi

24 Janar 2011, 21:41Blog TEMA

Shkëlqesia juaj…

Po ju drejtojmë këtë letër proteste në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të konstatuara gjatë dhe pas demonstratës së 21 Janarit. Lëvizja Mjaft beson thellësisht në rolin tuaj si kontribuues thelbësor në mbështetjen e vlerave demokratike në Shqipëri dhe tek ekspertiza që ju në vazhdimësi keni dhënë për zhvillimin e mëtejshëm të të drejtave civile në vend.

Po kërkojmë asistencën tuaj në një kohë kur është tejet e nevojshme, në një kohë kur klasa politike Shqiptare nuk po tregon as pajtimin më formal ndaj parimeve demokratike.

Lëvizja Mjaft! është tejet e tronditur për sjelljen brutale ndaj protestuesve gjatë dhe pas protestës së 21 Janarit. Mes shumë shkeljeve të të drejtave të njeriut, tri janë çështjet më shqetësuese për të cilat po kërkojmë vëmendjen tuaj.

Ziver Veizi nga Gjirokastra, Hekuran Deda nga Dibra, dhe Faik Myrtaj nga Fieri u vranë nga të shtënat e armëve të përdorura nga garda e republikës gjatë protestës. Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme reagoi me shpejtësi në nxjerrjen e gjashtë urdhër-arresteve për anëtarët e Gardës së Republikës të cilët kishin për përgjegjësi ruajtjen e godinës dhe sigurinë e protestuesve. Deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim për ekzekutimin e këtyre urdhër-arresteve.

Njëqindekatërmbëdhjetë individë u arrestuan gjatë kësaj proteste dhe deri më tash nuk kas asnjë informacion zyrtar për sa i përket gjendjes së tyre shëndetësore dhe fizike. Dje një nga protestuesit – Z. Fiqiri Xibri, kryetar Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë – u transportua në mënyrë urgjente nga qelia ku mbahej drejt Pavijonit të Neurokirurgjisë të Spitalit Ushtarak si pasojë e plagëve kritike në kokë, dy ditë pas arrestit. Për më tepër, paçka akuzave të zëshme nga mazhoranca në pushtet se shumica e protestuesve ishin kontingjent kriminal, pas verifikimeve vetëm një numër shumë i vogël syresh rezultuan se kishin kryer shkelje penale më parë. Andaj përgjithësime të tilla janë të papërshtatshme në kushtet kur qeveria është përgjegjëse kryesore për neutralizimin e elementëve të tillë dhe sigurinë e protestuesve. Për sa më sipër ne nuk mund të gjejmë asnjë justifikim në vazhdimësinë e dhunës ndaj protestuesve të arrestuar; çka vetëm thellon krizën aktuale.

Ekzekutivi i përfaqësuar nga Kryeministri, por dhe organe të tjera shtetërore, si polica e shtetit, kanë neglizhuar dhe sulmuar autoritetin e Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo jo vetëm që përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës Shqiptare dhe parimit të ndarjes së pushteteve, por gjithashtu vendos një precedent shumë të rrezikshëm ku ekzekutivi në pa-të-drejtë merr rolin e gjyqësorit dhe të çdo pushteti tjetër që garanton sistemin ‘check and balance’ në një demokraci funksionale. Gjithashtu gjatë seancës së veçantë Parlamentare të datës 23 Janar, pati akuza politike nga ana e Kryeministrit dhe përkundrejt kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar. Lëvizja MJAFT! deklaron me vendosmëri se kjo është e papranueshme. Sulmi ndaj sistemit gjyqësor dhe institucioneve të pavarura ka vetëm një emër: autoritarizëm. Nëse lejohet që institucionet kushtetuese të kthehen në një shtojcë të vullnetit të ekzekutivit, vendi me shumë gjasa është drejt rrugës së diktaturës.

Zhvillimet aktuale autokratike në Shqipëri janë të pajustifikueshme dhe të papranueshme. Ne nuk kemi asnjë iluzion apo dyshim për sa i përket këtyre veprimeve, dhe si pasojë kërkojmë mbështetjen tuaj dhe të qeverisë tuaj për të vënë në dukje këto shkelje në mënyrë që të parandalohen dhe të tjera që mund të pasojnë. Duke marrë në konsideratë ndihmën tuaj të vazhdueshme dhe mbështetjen për krijimin e nje shoqërie civile funksionale në Shqipëri, ju kërkojmë që të reagoni me urgjencë. Ne ishim mes protestuesve – dhe ndoshta mund të kishim qenë dhe ndër ata që u qëlluan verbërisht. Ne e vlerësojmë së tepërmi ndihmën tuaj të vazhdueshme ndaj lëvizjes sonë dhe ndaj vendit. Ne e konsiderojmë mbështetjen tuaj një investim civil i cili aktualisht ka nevojë për mbrojtje.

Bindja ndaj Kushtetutës dhe shtetit ligjor qëndron në themel të një shoqërie të drejtë dhe demokratike. Sulmet aktuale nga kreu i ekzekutivit ndaj atyre të drejtave të patjetërsueshme përfaqësojnë një shkelje të qartë të këtyre parimeve bazë. Ne besojmë së është koha që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë presonin e nevojshëm në mënyrë që këto parime historike të ruhen. Ne vendosim besimin tonë ndaj jush për të përcjellë një notë proteste ndaj Qeverisë Shqiptare për ndalesën e këtyre shkeljeve të papranueshme menjëherë.

Po i bëjmë një thirrje të fortë përfshirjes dhe rolit tuaj të pamohueshëm në mbrojtjen e demokracisë dhe  ndreqjen e problemeve të sipërpërmendura, që t’i jepet fund në mënyrë të menjëhershme përdhosjes së kushtetueshmërisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.

Me respekt,

Lëvizja  Mjaft

1 komente në “Leter e Hapur e Levizjes “MJAFT” drejtuar perfaqesive diplomatike ne Shqiperi”

  1. kastriot says:

    1. Ish drejtuesi i levizjesd “Mjaft” vullnetarisht u largua nga levizja dhe u be antar i PS me synimin te behet deputet i PS, gje per te cilen i ka dyert e hapura.
    2. Shpresohet nga levizja “Mjaft” qe tradita e tille te vazhdoje dhe ne te ardhmen.
    3. Prokurorija nuk ka leshuar “urdhera aresti”, por deklarimi se kane leshuar “urdhera aresti” i bere qellimisht mund te genjeje lexuesit e pashkolle, por jo nderkombetaret.
    4. Turma qe u vendos perballe nderteses te Kryeministrise, ishte teper paqesore, por sekush, nuk dihet, hodhi Flamurin Kombetar pertoke me qellim qe te godiste policet; po ashtu dikush qe nuk e ka pare njeri, por duket se nje tulle e ardhur nga qielli goditi dhe e shtriu pertoke ne pamundesi qe te levizte pas goditjes normalisht, nje polic. Megjithse polici ishte ne ate gjendje te nje disekuilibri mbi te vinin tulla nje pas nje nga qielli.
    4 Ka ikur koha e hipive me floke te gjata e te palara.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje