Qeveria e korrupsionit dhe e “plumbave të 21 janarit mbi popullin”, nuk është për shqiptarët

27 Janar 2011, 20:55Blog TEMA

Nga Luan B. Ziflo

Populli shkoi përballë qeverisë në 21 janar 2011, jo për t’i kërkuar kolltukun, apo tendera, koncensione hidrocentralesh, liçensa kromi e bakri, sipërfaqe tokash në bregdet, ndërtime TEC-esh në Porto-Romano etj., por shkoi thjeshtë për t’i kërkuar punë dhe bukë. Në vend të tyre, qeveria derdhi pa mëshirë mbi trupat e demonstruesve breshëri plumbash! Dhe ndodhi kjo gjakderdhje kolektive, nga pushteti i Sali Berishës, i të njëjtit person që ka ndodhur disa herë gjatë këtyre 20 viteve! Pushtet që mbrohet me mashtrime, me dhunë e me gjak njerëzish të pafajshëm. Një histori që nuk paska të mbaruar! Për këdo shqiptar, tashmë është e drejtë të vlerësojë qoftë minimalisht drejtimin e shtetit gjatë 20 viteve të demokracisë. Është vërtet paradoksale kur pushteti, në vend të përgjigjet para partnerëve shqiptarëve e ndërkombëtarëve për transparencë, kthehet në një makineri, që prodhon kriza në seri, që demonstron paaftësi në drejtimin e shtetit. Legjislacioni shqiptar është kthyer në një instrument, ku prodhohen e krijohen marifete për krijim dhe  plotësim interesash mafioze e jo për të respektuar dhe mbrojtur interesat e zhvillimit kombëtar e të progresit social-ekonomik të shqiptarëve. Në vijim të gjithë veprimtarive të saj, qeveria “Berisha” po shton ndjeshëm zymtësinë e jetës, populli po përjeton vetëm vuajtje, ndaj dhe u ngrit në 21 janar. Pra, kemi të bëjmë me një demokraci dhe qeveri “leckë” në mes të Europës. Për shkak të qeverisjeve, e së fundi më ashpër prej qeverisjes aktuale, Shqipëria po vazhdon të jetë një “laborator model” ku kavie eksperimentale është populli, ai populli i demonstratës së 21 janarit, që “hëngri” plumbin prej pushtetit që i ka nxirë jetën.

Zhgënjimet janë bërë si “buka e thatë” që hamë. Të gjithë kemi menduar, se “kryeministri i plumbave të 21 janarit 2011”, do krijonte mundësinë e minimumit të një koherence, por dhe të një logjike të pranueshme në gjithë këtë histori, për të kuptuar se duhej të zbriste vetë nga maja e pushtetit. Fatkeqësisht me këto pirueta politike të bëra prej tij, me “ato që thuhen sot, mohohen nesër”, duket qartazi se kaosi shqiptar është vepër e tij në vazhdim, se qeverisja ka degjeneruar në mos ekzistencë, se kreu i mazhorancës nuk ofron asnjë zgjidhje për këtë vend e për këtë popull! Nuk ka shumë kohë që për shkak të kësaj qeverisjeje të inkriminuar e të korruptuar totalist, Brukseli i tha “JO” statusit për të na bërë kandidatë të BE. Nuk mund ta konsiderosh “burrë shteti” kryeministrin Sali Berisha, kur ai si një “burrec” mohon të vërtetat, shpif, ofendon popullin e vet, gënjen edhe për gjerat më minimale. Populli thotë, por edhe psikologjia shpjegon: Ai që gënjen, tmerrohet nga e vërteta e pisët”. Pa e tepruar, kam konstatuar se gjatë gjithë kohës së tij në postin e kryeministrit, në vijimësi ai ka shpërfillur opozitën shqiptare deri me denigrim e kërcënime. Ka sfiduar disa herë Rezolutat e Parlamentit Europian dhe Raportet e Komisionit Europian, sidomos nga muaji qershor 2010 e deri në momentin e “21 janarit të plumbave mbi popullin”! Vetëm rrëzimi i kompromisit të fundit të ofruar nga opozita rreth hetimit të zgjedhjeve, vërtetojnë se negociatat me Sali Berishën janë pa rezultat. Kjo situatë që mbretëron në kupolën e qeverisjes shqiptare, më imponon të mendoj se është një fatkeqësi që ka mbuluar jo vetëm hapësirën mbarëshqiptare, por kam dyshimin evident, se po infekton  edhe individë e segmente të politikës europiane!! Kaq e paaftë është Europa, të konstatojë e të ndihmojë Shqipërinë, për të frenuar e goditur ashpër “grupin e mafies qeveritare” që e ka zhytur këtë popull varfëri ekstreme, që zhvillon veprimtari ekstreme të dukshme korrupsioni e krimesh deri njerëzore?!

Nëse i referohemi këtyre 20 viteve, që prej fillimit të ndryshimit të sistemit ish-komunist në Shqipëri, do radhisim në “tabelën e zezë” aq shumë ngjarje tragjike, sa vështirë të kenë pllakosur ndonjë vend e ndonjë popull tjetër në Europë, si mbytjet masive në Otranto, vrasjet për qëllime politike, vjedhjet masive të popullit nëpërmjet piramidave, protestat e me zjarrvënie e përgjakje, Gërdeci, varfëria ekstreme etj.,etj. Po kush është fajësuar deri sot? Askush! Po të jesh i veshur me pushtet “nuk je i fajshëm”! Po kryeministri ynë Sali Berisha, i cili në gjithë këto ngjarje “me zjarr e gjakderdhje”, përse nuk bëri dorëheqje siç kanë bërë e bëjnë shumë homologë të tij, në vende të ndryshme të Europës e të botës? Po sjell në vëmendje një fakt krahasues mes Sali Berishës dhe Milo Gjukanoviç të Malit të Zi. Berishës iu dha oferta e Bashkimit Europian, për të pranuar kompromisin me opozitën, lidhur me hetimin e materialeve zgjedhore, pra, të zgjidhte krizën e të hapte kutitë. Ndërsa Gjukanoviç, duhet t’i hapte rrugë ndryshmit të lidershipit qeverisës në Malin e Zi. Sali Berisha i tha “JO” ofertës se BE, për të larguar krizën që solli edhe 21 janarin e plumbave mbi popullin. Ndërsa Milo Gjukanoviç i tha “PO” Bashkimit Europian, duke spostuar interesat e pushtetit të tij, përballë interesave kombëtare! A mund të flasim e të çirremi se e duam demokracinë me këtë qeveri dhe me Sali Berishën? Më duket mjaft e vështirë dhe për ata që sot hiqen si “idhtarë të klasit të parë të PD-së e të Saliut”. Këtu nuk diskutoj emrat e partive politike, por drejtuesit e tyre, që me paaftësinë drejtuese e për qëllime përfitimesh, na kanë lënë e na kanë çuar edhe 100 vite mbrapa në kohë e në hapësirë. Duke gjykuar prej mënyrës së qeverisjes, prej skandaleve që kanë shoqëruar atë, prej zhvillimeve të fundit tragjike e për më tepër, prej qëndrimeve primitive e anarshiste të kryeministrit Sali Berisha, mund të thuhet pa asnjë rezervë, se kjo qeverisje e korrupsionit galopant dhe e plumbave të 21 janarit mbi popullin, nuk janë për shqiptarët.

Pse? A ka vepër më të shëmtuar se vrasjet e njerëzve, pa asnjë faj por thjeshtë dhe vetëm se dolën në protestë kundër varfërisë së tyre dhe korrupsionit qeveritar?! Është njësojë, si të vrasësh fëmijët se qajnë për bukë për shkak, se ti si prind luan kumar me lekët e bukës së tyre! Kujt nuk i le shije të hidhur veprimi i kryeministrit, kur shkon dhe përgëzon, shpërblen e dekoron pjesëtarë të efektivave të Gardës “për shërbime të shquara ndaj… qeverisë”?! Sipas kësaj logjike, mjafton të mbrohen ministrat e korruptuar, mjafton të mos preken pasuritë e familjarëve të tij, mjafton që Saliu të vazhdoj të jetë kryeministër, se për popullin ka vetëm plumba, për viktimat ka vetëm përdhosje, vetëm shpërfillje për jetët e humbura të tyre. Ky është “TURP” i shekullit të ri!. Këto akte dhune dhe vrasje të qëllimshme për interesa pushteti, të inskenuara një grupi horrash që kanë marrë peng Shqipërinë me në krye Sali Berishën, duhen ndëshkuar rëndë. Shteti duhet të jetë me fytyrë njerëzore, jo me instikte e veprime shtazarake, me objeksion detyrimin që të jap “bukë” e jo dhunë, jo plumba vdekjeprurës për njerëzit e familjet në varfëri maksimale. Rasti më i dhimbshëm i fytyrës anti-humane, të babëzitur e makabre të kësaj qeverisjeje është “pjekja” për së gjalli prej varfërisë e shpërfilljes qeveritare, të katër vocërrakëve në “kasollen e super skamjes”, atje në Sukth të Durrësit. Përditë dëgjojmë për vetëvrasje, për vrasje, për divorce të shumta, për grabitje me maska, për dhunë në familje. Të githa kanë si shkak vetem atë që ka ofruar qeverisja e Sali Berishës: prej varfërisë!

Zoti kryeministër! Sipas jush, çfarë duhet të bëjnë shqiptarët: të vazhdojnë të vrasin veten, të vrasin gruan, burrin, nënën, babanë, vëllanë, motrën? Të grabisin njeri-tjetrin me dhunë, apo të dalin në protesta për të kërkuar zgjidhje prej teje dhe qeverisë që ti drejton? Mirëpo edhe kur dalin në protestë, edhe atje i vret ti!… Nga t’ia mbajnë shqiptarët, zoti kryeministër?!

Lini një Përgjigje