Ku ndodhet Shefi i Shtatmadhorisë?

31 Janar 2011, 21:38Blog TEMA

Nga Pëllumb Pogradeci

Nuk u pa natën kur kryeministri shpalli rrezikun e “vazhdimit të puçit kundër Ministrisë së Mbrojtjes”. Nuk u pa të mblidhte Shtatmadhorinë e të jepte detyra për përballimin e këtij rreziku. Nuk u pa as pas shpalljes së mbarimit të puçit nga ministri i Mbrojtjes! Nuk po shihet edhe këto ditë që shumë shtetarë ekzekutivas po i deklarojnë të mbarsura me puçizëm!

Vërtet ku ndodhet? A është gjallë? A i ka në dorë frenat e Shtatmadhorisë përballë këtij eventi që teorikisht e praktikisht konsiderohet shumë i rrezikshëm? Që është krejtësisht origjinal po të kemi parasysh se në historinë e puçeve nuk ka asnjë rast kur ky të jetë drejtuar kundër Forcave të Armatosura. Përkundrazi, – ka qenë ushtria dhe Forcat e Armatosura planifikueset, organizueset, drejtueset dhe fuqia kryesore goditëse e tyre. Në të gjitha rastet!?

Ku ndodhesh kolegu im, shoku im i zyrës dhe i degës operacionale të ish-divizionit të parë të Tiranës? Jam së bashku me shumë kolegë, shumë i shqetësuar për fatin tuaj. Të njoh që nuk je aventurier. Të njoh edhe që je edhe më timid se sa duhet. Mos kanë përfituar nga kjo? Ka nja dy-tre muaj që kisha dëgjuar se t’i kishin rrëmbyer të gjitha kompetencat. Tani para rreth tre javësh dëgjova se ishe grindur keq me ministrin Imami. Nuk e di përse? Kam vetëm një ide jo të plotë. Po të qëndrojë ideja që kam, them se ke vepruar mirë. Nuk duhet të pranosh cenimin e dinjitetit dhe të integritetit profesional. Nuk kanë çfarë të të bëjnë? Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë nuk është një funksionar që nëpërkëmbet aq lehtë. Është funksionari dhe Gjenerali më i lartë në hierarkinë ushtarake. Është këshilltari ushtarak numër një i Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe i shtetarit Nr. 1. Fjala Juaj ka peshë dhe konsiderohet nga opinioni publik. Mos e harro këtë zoti Gjeneral?

Mos u shqetëso nga fati i paraardhësit tuaj, gjeneral Luan Hoxha? Z. Hoxha ndonëse me vonesë gjeti guximin e duhur që në nëntorin e 2007-ës të shkruajë një letër për Qendrën Kaliforniane të Marrëdhënieve Civilo-Ushtarake të NATO-os në të cilën nuk ishte vështirë të observoje se shprehte dhe artikulonte pikëpamjet e një profesionisti të kultivuar mirë. Po të ishte dëgjuar, po të ishin shmangur lajthitjet alarmuese ministrore në strukturimin ushtarak, po të ishte ndaluar uzurpimi i tmerrshëm i kompetencave të Shtatmadhorisë jam i sigurt se nuk do të kishte ndodhur “Gërdeci” dhe gjithë ato “atentate“ ligjore që u janë bërë Ushtrisë e ushtarakëve. Kjo letër nuk do ta lejë z.Luan Hoxha një gjeneral nga ata që mbulohen nga pluhuri i harresës!

Nuk e di ç’rrugë do të zgjidhni zoti Maksi, por zgjidhni të mendoni e të veproni si një gjeneral? Zgjidhni të dilni në krye të frontit si një gjeneral?! Zgjidhni të thoni në popull dhe në opinionin publik ato që kërkojnë interesat e tyre. Zgjidhni të deklaroni, dhe këtë po e nënvizoj, – pse nuk ishit në krye të Shtatmadhorisë “ditën e parë dhe ditët e tjera të puçit” pasi s’ka ushtarak që nuk e di se “Urdhri Operacional“ për  “situatën puçiste“ (!) dhe tërë procedura e “planizimit operacional për shmangien, neutralizimin a asgjësimin e “puçistëve” drejtohet nga Shtabi i Përgjithshëm. Është i pari ky Shtab që merr dhe zbaton urdhrin. Është ky që e çon deri tek hallka më e fundit e zinxhirit hierarkik. Është, gjithashtu ky staf që raporton e përgjigjet para eprorit të tij kryesues,i cili jini JU.

Nëqoftëse ju kanë shmangur dhe kjo më duket se është arsyeja, prapëseprapë duhet të flisni dhe të tregoni pse ky akt i shëmtuar është kërkuar të kryhet pa zhurmë!!? Kë tmerronte transparenca e deligjitimimit të Kryegjeneralit të Shtatmadhorisë? Pse ju nxorën nga kryekazerma kur deklarohej se “Ushtria do t’i mbrojë kazermat“ dhe “Nëse ato do të sulmohen asnjë nuk do të dalë i gjallë“? Pse nuk caktuan të paktën një zëvendësin Tuaj kur dihet se në një situatë “kaq të rrezikshme“ dhe decizive Ushtria nuk duhej dhe nuk mund të lihej kurrsesi pa Kryegjeneral? Apo e kanë caktuar dhe ne nuk e dimë? Apo e dekretoi Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe kjo mbahet “top secret“ që të mos e marrin vesh “puçistët“? Apo është bërë hataja edhe më e madhe si ajo që ndodh në rastin kur Komandanti i Përgjithshëm zëvendësohet dhe ky zëvendës pa legjitimitet dekreton zëvendësin Tuaj në Shtatmadhori, gjithashtu pa legjitimitet? A ke marrë kontakt me Prokurorinë Ushtarake për ta hetuar këtë procedurë të jashtëligjshme? Kuptohet, po të ketë ndodhur!? Mor po a ekziston një Prokurori e tillë? Që ka kompetenca jo vetëm ligjore, por dhe profesionale? Përvoja shqiptare e përzgjedhjes së lidershipit ushtarak është e mbushur me marrinat që thashë. Për një orë këtu ka ndodhur të bëhesh kryekomandant dhe gjeneral. Për një tekë të lidershipit politik këtu janë ngrysur gjeneralë dhe janë gdhirë ushtarë ose hamallë. Për një seancë parlamentare, këtu ministri i financave ka arritur atë që s’e arrin armiku në front, – të nxisë kundër ushtarakëve “urrejtjen sociale“ të armatës 180-mijëshe të pensionistëve fshatarë të cilëve NE dhe jo ushtritë e kundërshtarëve u kemi rrëmbyer pensionet!!!? Për një rekomandim të partisë në pushtet këtu ka pasur ushtarakë që kanë marrë 3-4 grada njëherësh dhe e kundërta; – mosrekomandimi ishte dhe është ekuivalent i daljes në reformë!? E të tjera, e të tjera…

Kryesorja është të marrim vesh çfarë ka ndodhur me JU z. Gjeneral? Të jini shëndoshë e mirë ky është lajmi i parë që presim! Na dhëmb zëmra për kolegun dhe shokun me të cilin kemi e kam ndarë bukën, sakrificat dhe shqetësimet e karrierës ushtarake. Për të tjerat le t’ja lëmë kodit tradicional të nderit, të besnikërisë ndaj popullit dhe Atdheut, të betimit që bën një ushtarak. Aq më tepër një kryegjeneral që besoj se di të bëjë gjënë e duhur.

2 komente në “Ku ndodhet Shefi i Shtatmadhorisë?”

  1. xenilirise says:

    Po a ka nevoje Ushtria per nje Krye Gjeneral, tani qe Ministrine e Mbrojtjes e “drejton” Krye Gjenerali JUGUT ne 1997?
    Sidomos tani qe i ka “vene” dhembet qe i thyen banditet e Berishes me 1996, por edhe me ata qe i kishin mbetur ai eshte si dikur Imperializmi “…edhe me nje dhemb mbetet i rrezikshem.”
    Kohe legenash, pa karakter…

  2. arber says:

    Arben imami ka qene dhe eshte kryegjenerali grek i cili ka per detyre ta mbaje vendin ne shah…vendi yne eshte plot me agjente te tille dhe problemi eshte se te gjithe e dime por nuk reagojme.
    agjenturat greko-serbe manovrojne keta mercenare qe ne i quajme politikane
    duhet rrezu ky sistem dhe ti rrasim ne burg te gjithe nje nga nje…

Comments are closed.

Lini një Përgjigje