Një spot televiziv me një adoleshente të dhunuar në media i parapriu gjestit të djeshëm të kryeministrit të vendit tonë. Jo pak herë po e ndeshim këtë spot që vërtet edhe mund të na alarmonte nëse në vendin tonë të gjitha gjërat do të ishin vaj, për të na shkuar mendja tek dhuna ndaj femrës. Si fenomen të kujton mesjetën por kjo pak shfaqet në vendin tonë të jetë shkaktuar tek një e panjohur apo e rastësishme si në rastin e gjimnazistes Bekime. Sot ajo është as më shumë e as më pak opinioni i ditës. Megjithatë sikur të mos kishte provokuar turmat, një ditë më të lehtë do të kishte. Në çfarë vendi të botës një gjimnaziste që duhet të ishte në shkollë apo në një qendër interneti duke up-date Facebook-un, arrin të provokojë turmat? Për sa kohë shumë të pakontrolluara përderisa Policia e Shtetit pranoi që nuk mund ta menaxhonte atë.
Sa femra të dhunuara më së shumti nga varfëria kemi në shoqërinë tonë? Sa e sa projekte i kanë dhënë jetë sensibilizimit të shoqërisë shqiptare? Në asnjë rast lektorët nuk kanë sugjeruar femrës të provokojë turmat. Dhe në asnjë rast një adoleshente nuk duhet të merret me politikë dhe të arrijë deri aty sa të përballet me mijëra demonstrues.
Po përse nuk doli përpara turmave vetë kryeministri i vendit, nëse do ta quante këtë një heroizëm? Mund të quhet pa frikë kurbani i radhës ndërkohë që shumë femra sot vuajnë dhe dhunohen pa fund. Në dhomat e Drejtorisë së Policisë të Tiranës mes shumë të ndaluarve kishte edhe gra. Njëra prej tyre ishte nënë me fëmijën në gji. Kushedi sa të qara janë dëgjuar nga shtëpia e asaj krijese hyjnore?! Përse kryeministri i vendit nuk ndërhyri në këtë rast. Po shoqatat apo lëvizjet që po shohim të na sensibilizojnë kohët e fundit pa masë. Përse kryeministri i vendit dhe qeveria nuk ndërhyjnë të rregullojnë ligjin e sigurimeve shoqërore për gratë gjatë kohës së lindjes. Përse në maternitetet kryesore të vendit mungon ngrohja dhe vaksinat, deri tek ilaçet? Përse familjarët duhet të paguajnë pa fund për të sjellë në jetë një fëmijë?
Pra dhuna dhe poshtërimi i qenies femërore fillon që nga dyert e nxjerrjes në jetë të fëmijëve tanë. Po dalja në pension e grave? A ka nevojë për t’u riparë ligji? Për të vazhduar më pas me plot halle dhe probleme që ndesh kjo shtresë, teksa sot i erdhi rasti të na kujtojë dikush se mund të ishte gruaja, nëna apo motra juaj.
Bekimja ishte një vajzë e mrekullueshme dhe me thënë të drejtën me shumë guxim. Unë e çmoj atë gjest që ajo bëri, pasi jam mësuar më demonstrata dhe “guerrilje” vite më parë. Ajo pati guxim. Por unë nuk do të çmoja këtu gjestin e kryeministrit, pasi kjo do të sjellë jo pak probleme sociale në mendjet e femrave. Të gjitha do të nxitojnë të bëjnë “heroinën” si Bekimja. Pse jo edhe si Çiljeta. Krijesa të brishta që për të plotësuar tekat mediatike, krijojnë jo pak probleme në perceptimin e politikës, kësaj “shkolle” të dalë mode në realitetin shqiptar.
Ndryshe do të ndodhte nëse ky rast do të ishte në Itali. Aty Ruby, adoleshentja joshëse po trondit themelet e perandorisë berluskoniane. Një ndërhyrje e tij në Kuesturën e Milanos dhe hapi aq shumë probleme sa e gjithë opozita e majtë apo ish-aleatët e “Il Cavaliere”, nuk kanë arritur të bëjnë gjatë këtyre viteve të fundit. Roli i femrës dhe abuzimi i kryeministrit më jetëgjatë të kohëve të fundit ka sjellë nota keqardhje në opinionin e italianëve, për së shumti për faktin se nuk abuzohet me një adoleshente.
Po tjetër realitet ky i yni. Në vend të mendohet për krijimin e një pensioni për adoleshentët e tre viktimave “sehirxhinj” në mes të bulevardit, bëhet show edhe me ngjarje të izoluara dhe lokale si rasti i Bekimes në “Rrugën e Durrësit”. Mitizimi i Bekimes e sigurt që do të harrohet shpejt, ashtu siç u harruan nga e gjithë spektri politik të gjithë mbështetësit, përkrahësit edhe ata që u bënë fli apo u dhunuan. Një lap- top i dhuruar Bekimes, nuk është as më shumë dhe as më pak i ngjashëm me telefonatën e Berluskonit policëve të Milanos. Ndaj dhe ne si shoqëri nuk duhet të biem pre e realiteteve mjerane, që prodhohen nga ai bulevard sa herë që duhet kaluar halli nga politika. Nga ai bulevard që për herë të parë në demokraci, shënoi rrëzimin përdhe të tre viktimave të pafajshme. Bekimja u dhunua vërtet dhe ai që e kreu meriton përbuzje, por më shumë dje u dhunuan fëmijët e tre viktimave pas dhunimit të Bekimes.