MIGJENI- ky uragan i pandërprerë

7 Shkurt 2011, 16:48Blog TEMA

Nga Behar GJOKA

Ky vit përkon me 100 vjetorin e Millosh Gjergj Nikollës, të mirënjohur në arealin e kulturës sonë dhe më tutje saj, me emrin shkurtimor Migjeni, që pamëdyshje ëshrë autori që shënon kthesë të jashtëzakonshme në fatin e ligjërimit të letrares në gjuhën shqipe, e po kaq edhe të futjes së saj në hullinë e lëvrimit modern. Shkrimtari, që për ironi të fatit përjetoi ndalim të veprës letrare në gjallje, kryesisht për shkak të botimit të krijimtarisë tek revista Bota e Re, e njohur asokohe për prirjet e saj komuniste, një shkëlqim lëbyrës dhe të pazakontë, megjithëse të shoqëruar edhe me shpërdorimin e tij në motet e socializmit dhe të modelit letrar të Realizmit Socialist, sepse universi letrar migjenian, pa shkak dhe pa asnjë argument të thelluar në tekstet artistike, u mendua vetëm si poet i botës së re, kur në fakt nuk pati lidhje dhe aq të prekshme me të, e po kaq në këto vitet e demokracisë me një heshtje absurde, madje deri në një rrudhje të çuditshme dhe mjerane në programet e shkollave të mesme, profesinale dhe të përgjithshme, sa vetëm përmendet dhe komentohet, shatra-patra ndonjë poezi e tij. Prania dhe paprania e tij, në kohë dhe hapësirë, madje në shumicën e vetë mundet që të flitet për një prani të paranishme, një term i U. Eco-s ky, e cila sadoqë është lexuar dhe analizuar, shqytuar dhe interpretuar, serish tekstet e tij bartin një vlerë që pret të zbulohet dhe verifikohet në të gjitha dimensinonet e veta përfaqësuese. Migjeni nuk mundet të trajtohet si një rast i zakontë, sepse ai është unik në shumëçka, në ndërprejen e jetës, në magjinë letrare të mbyllur në një magji të pakrahasueshme, pra do të duhet kundruar dhe interpretuar në sistem dhe në modelimet e ndryshme letrare, çka dëshmon se arti dhe shkrimi i tij letrar, në ide dhe frymë, në teknikë dhe formësimin shkrimor, është më tepër mbikohor, madje krejt i pakohë, aq sa duket sikur poezia dhe proza e tij, fatet e jetës dhe mjerimi i skajshëm, janë shkruar në këtë kohë, si me thënë janë pjesë e bashkudhëtimit të qenies njerëzore, njëherit edhe më përtej hapësirave tona. Poezia e Migjenit, që përmblidhet vetëm në përmbledhjen Vargjet e Lira, ngërthen caqet e plota të shkrimit poetik, risimet e përveçme shkrimore si vargëzim dhe poetikë, si shenjë dhe arritje letrare, duke shënuar kështu edhe urën e ndarjes me shkrimin e poezisë klasike, si dhe duke shtruar shinat e lavrimit të poezisë në të gjithë arealin e shqipes. Tekstet poetike, të derdhura kaq magjishëm në atë libër, mbeten edhe sot e gjithë ditën një referencë e pashmangshme e modelimeve të shkrimit modern, në ide dhe formë, në stil dhe figurime gati të paimagjinueshme. Proza e shkrimtarit, që shpalohet në një vëllim, të emërtuar jo rastësisht Novelat e Veriut, sendërtojnë botën e universit artistik në këtë gjini, ku shohim dhe prekim realizmin e novelës, tregimit, skicës, pamfletit, fejtonit, pra duke hedhur kështu binarët e shkrimit të prozës, në rruginat e ligjërimit letrar modern. Migjeni, vepra e tij letrare, poezia dhe proza, origjinale dhe e papërsëdytshme, universale dhe moderne, në letrat shqipe dhe më gjerë se sa kaq, shënojnë një përmbysje të madhe në shkrimin letrar të gjuhës shqipe. Poetika e teksteve të tij, si me thënë letrarja e materializuar në tekstet në poezi dhe prozë, një shenjë dhe gjurmë e pranishme në përmbajtje dhe formë, në mjete dhe stilistikën autoriale, shpalohet në disa aspekte:

– Në hapësirën reale që fiton problematika sociale, si mjerim dhe protestë, vuajtje dhe revoltë, ma tepër individuale, si ide dhe fokusim i asaj, që ngjet në jetën shoqërore të mjediseve tona, por edhe më gjerë se sa kaq, në atë kohën shkrimore, porse edhe këndejkohore.

– Në plasimin e realizmit kritik, si model dhe metodë, si frymë dhe dëshmi, si ide dhe mesazhe, si tekst dhe magji letrare, madje në një nivel të posaçëm, që edhe sot e gjithë ditën, megjithatë ka mbetur si pikë referencë e padiskutueshme e figurimit të asaj mënyre.

– Në hedhjen e themeleve të lëvrimit të poezisë moderne shqipe, jo thjesht dhe vetëm si poezi e vargut të lirë, pra të çliruar përfundimisht nga metrika dhe fryma tradicionaliste, porse më tepër të sendërgjimit të një shkrimtaria të përveçeme të modulimeve të letrares.

Nëse fizikisht jeta e tij është e shkurtër, sepse ai iku shpejt si një meteor i ndritshëm, si me thënë u duk dhe u zhduk me shpejtësinë e vetëtimës, në kuptimin letrar, të shkrimit të poezisë dhe prozës, të hapësirave të reja që pushton teksti dhe tekstura e tij, më tepër se një uragan i ndërprerë, në fakt është dhe do të mbetet një uragan që e viojn shtegtimin e vetë të pandërprerë, mbase si një rast specifk i letrave shqipe, i ngjashëm në disa aspekte me fatin e Pushkinit, si ndarje e parakohshme nga jeta, por edhe si fakturë letrare, gjithnjë në kontekstin e novitetit dhe evoluimit, që përçuan me krijimtarinë e tyre, në çeljen e shtigjeve të tjera të shkrimit të letërsisë, në secilin gjuhën që shkruan. Migjeni dhe Pushkini, të ngjashëm në fatin e tyre, por edhe po kaq të ndryshueshëm, por që lidhen ngushtësisht, nga njëra anë, me fatin e letërsisë së ruse, pra me magjinë letrare të Pushkinit, si dhe në tjetrën anë, të universit letrar migjenian në letrat shqipe. Ngjashmëritë rastësore, porse edhe dallimet thelbësore ndërmjet tyre, vetëm e vetëm si një përqasje e rrekjes për ta rizbuluar Migjenin, si dhe për të shmangur leximin shijembrapshtë, e po kaq për të thelluar njohjen dhe kuptimin që rrezaton arti i Migjenit, fjala si shenjë letrare. Njëqind vjetori i lindjes, le të shërbejë si një moment reflektimi i qytetërimit tonë, i mjediseve kulturore dhe shkencore, gjithsesi jo duke e pronëzuar, siç ngjet rëndomë në këto mjediset tona, të MTKRS apo QSA, Filologjikut ose të shoqatave të ndryshme, por duke organizuar veprimtari të gjera dhe përplot larmi, në mënyrë që Migjeni të preket në të gjitha përmasat dhe rrafshet, siç i takon në bazë të meritave të shumta shkrimore. Shapllja e vitit të Migjenit, nëse ndodh është në nderin e institucioneve, kulturore dhe shkencore shqiptare, nëse për një mijë arsye, ndonëse pa kurrëfarë vlere, kjo nuk ngjet, atëherë këto institucione kanë humbur edhe një shans tjetër, të vonesave dhe shpërfilljes që i kanë bërë mjeshtrave të shkrimit letrar, figurave të mëdha të kulturës dhe letërsisë shqipe, e ku pasqyra e letrares së Migjenit, ka gjasa të përthekojë të gjitha kohërat, shenjat dhe dëshmitë, pikëtakimet dhe udhëkryqet e lëvrimit të letërsisë. Migjeni, jetoi dhe shkroi në kohën e mjeshtrave të shkrimit të poezisë, si Fishta dhe Poradeci, dy pena që në fakt e sunduan panteonin e letrave shqipe, sidomos për periudhën e shekullit të ndritshëm, siç edhe emërtohet nga njëherë pjesa e parë e shekullit të njëzet, nga studimet historiografike, në kuptimin e sendërtimit të letrares. Po ashtu, shkrimi i prozës prej tij, ngjet në ato kontekste të veçanta, kur pena të tilla si Konica, Koliqi dhe Kuteli, kishin futur prozëshkrimin në shtratin e ligjërimit modern dhe Migjeni, proza e tij, për nga fuqia dhe magjia e lavrimit të saj, është e barabitur, porse duke rritur edhe aftësitë e përjetimit të fatit të qenies njerëzore, jo vetëm shqiptare, por e të gjitha hapësirave. Edhe nëse e harrojmë, arti i migjenian na troket në çdo hap, si klithëm kundër mjerimit, si dhe si një besim dhe aspiratë për ta ndryshuar botën e mbrapshtë, sa herë ajo i zë rrugën mbrothësisë dhe prosperitetit.

Lini një Përgjigje