6 mashtrimet e mëdha të qeverisë “Berisha”

5 Shkurt 2011, 19:32Blog TEMA

Nga www.ama-news.al

Kryeministri Sali Berisha thirri në një mbledhje jashtë radhe në ditë pushimi kabinetin qeveritar. Objekti i takimit ishin politikat e turizmit dhe urbanistikës në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme lokale të 8 majit.

Po kështu shpërndarja e ministrave të kabinetit qeveritar në qarqe për organizimin e elektoratit dhe përgatitjen e fushatës, duke harruar se ka mbledhjen e Kuvendit të Partisë Demokratike dhe Këshillin Kombëtar, të cilat në fakt i neglizhoi për shkak të pakënaqësive që mund të lindin brenda radhëve. Por a qëndrojnë ato që deklaroi dje kryeministri në mbledhje, apo ishin mashtrimi i radhës ndaj shqiptarëve, pasi sa më i madh të jetë ky mashtrim, aq më shumë e beson populli.

Turizmi

Kryeministri u shpreh se Shqipëria është shpallur destinacion për vitin 2011 i turistëve anekënd botës. Një vend që nuk duhet humbur dhe që ky ranking bëri shumë bujë në mediat ndërkombëtare. Por prej një jave kanë ndodhur zhvillime të befasishme politike, ekonomike dhe sociale. “Prioritet do të jetë turizmi dhe do të vijnë më shumë të huaj nga e gjithë bota, sepse Shqipëria është shpallur destinacion”, tha Berisha. Por si duket kryeministri nuk i ka ndjekur zhvillimet e diplomacisë ndërkombëtare javën e fundit. Departamenti Amerikan i Shtetit këshillon në faqen e tij zyrtare në kuadër të zhvillimeve politike në Mesdhe dhe protestave të dhunshme, të anulojnë udhëtimet e tyre për në Afrikën Veriore dhe në Shqipëri. Demonstrata e dhunshme e 21 janarit ndryshoi destinacionin e turistëve dhe këtë fakt e konfirmojnë edhe agjencitë e udhëtimeve shqiptare. SHBA-të u bënë thirrje qytetarëve amerikanë zyrtarisht që “të shmangin vendet në krizë politike dhe ku ka trazira apo protesta”. Sot kryeministri tha se do vijnë shumë turistë nga mbarë bota. Por nga ana tjetër pranoi se ngjarjet e 21 janarit ku u vranë tre protestues ndryshuan imazhin e vendit dhe patën impakt në mbarë botën. “Por dje puçistët patën ditën e zezë, sepse Tirana i braktisi”, tha ai, duke lënë të kuptohet se kjo ishte një frazë elektorale për mbështetjen ndaj ministrit të Brendshëm Lulzim Basha. Vetëm një javë më parë, Ministria e Jashtme Britanike këshillonte agjencitë e udhëtimeve në Ishullin mbrëtëror që të porositnin të gjithë qytetarët anglezë apo britanikë, të shmangnin Shqipërinë në udhëtimet e tyre. Këtë nismë kanë ndërmarrë dhe shumë vende të tjera të BE-së apo zonës Shengen. Shkak është situata politike e tensionuar dhe protestat e pandërprera. Ambasada Amerikane dhe misione të tjera diplomatike në Tiranë, për të disatën herë përsëritën apelin ndaj qytetarëve rezidentë bashkatdhetarë të tyre që të mos dilnin në rrugë ditën e protestave.

Siguria detare
Javën e kaluar qeveria italiane e drejtuar nga miku i kryeministrit Sali Berisha, Silvio Berluskoni, ka lëshuar një urdhër urgjent që të blindohet i gjithë Adriatiku dhe Mesdheu me anije dhe motovedeta speciale për të ndalur hemorragjinë e klandestinëve që mund të shpërthejë nga Shqipëria dhe Afrika e
Veriut, Egjipti, Algjeria dhe Tunizia. Megjithëse ministri i Jashtëm italian, Frattini u shpreh me fraza mbështetëse ndaj qeverisë shqiptare, nga ana tjetër Komanda Detare spostoi brenda një dite dhjetëra mjete lundruese të Rojës Bregdetare në Jug të Italisë, Pulja, Siçili, Otranto. Frika e një invazioni të
madh në çdo situatë të papritur, pavarësisht se shqiptarëve u janë hequr vizat. Çfarë sigurie detare deklaron kryeministri, kur e di fare mirë që në të gjithë vijën bregdetare nuk ka më shumë se 10 motovedeta dhe nja dy anije për patrullim. Kur të gjithë hapësirën detare ia ruan Guardia Di Finanza me mjetet e
saj, deri në ishullin e Sazanit.

Pushuesit
Qeveria shqiptare është mburrur 4 vitet e fundit me numrin në rritje të pushuesve shqiptarë apo të huaj. Por në realitet siguria e tyre është në rrezik në çdo moment dhe jo pak prej tyre bien preh e plaçkitjeve e grabitjeve, apo dhunës. Shkak është mungesa e stafit policor dhe komisariateve të veçanta, të
specializuara me agjent e deri te rojet bregdetare. Qeveria harxhon miliarda lekë për fushata publicitare, për ta shpallur vendin ekzotik në Mesdhe, por harron të shpenzojë edhe një pjesë të parave për t’ua dhënë policëve.

Ndotja
Të afrosh turistë dhe pushues do të thotë t’u sigurosh kushtet më minimale. Duke nisur nga shkarkimi i ujërave të zeza në bregdetin durrsak, përgjatë vijës së tij bregdetare e deri në zonën e Vlorës, ku Petrolifera dhe kompani fantazma derdhin mijëra ton mbetje hidrokarburesh duke ndotur jo pak herë bregdetin. E
vetmja zonë që mund të quhet e virgjër është Saranda, por dhe aty privatizimet ndërkombëtare, çrregullimi urbanistik i kanë ulur vlerat turizmit. Nga ana tjetër tre ditë më parë një kompani gjigante e gazit dhe naftës në Amerikë, “San Leon Energy” në bashkëpunim me “Beach Energy LTD.”, sapo kanë marrë licencën për
të kërkuar përgjatë bregdetit durrsak në vijë 30 kilometra me qëllim nxjerrjen dhe përpunimin e gazit dhe naftës. Përveç kësaj do investohen dhjetëra milionë dollarë për shpime, ngritjen e bazës së përpunimit në Durrës, po në atë bregdet ku çdo vit pushojnë të paktën 1 milionë vetë përgjatë sezonit veror, nga Gjiri i Lazlit, deri në Currila e më tej në Ishëm. Shtoi kësaj TEC-et me Qymyr, Portin Detar, e Porto-Romanon, llogarit se çfarë mbetet më tej për pushuesit në të ardhmen. E njëjta gjë mund të thuhet për bregdetin në Lezhë, Shëngjin, ku pritet të ndërtohen petrolifera të tjera në shërbim të import-eksportit dhe
përpunimeve. Madje do të nisin dhe investimet italo-shqiptare për energjinë nënujore Pulja-Vlorë, miliona euro investime, ku bregdeti do të mbingarkohet me një fushë elektrike dhe deri magnetike që do rrezikojë jetën e njerëzve. Koncesione të tjera janë petrolifera, Mullinjtë me Erë në Karaburun dhe TEC-i i
Vlorës, për të cilin u rrëzua dhe qeveria Nano. Mbase kryeministri nuk e di se aty ku ka zona industriale, kombinate, uzina e fabrika, turizmi nuk zhvillohet kurrë. O industri të rëndë, o turizëm, një nga të dyja.

Trashëgimia
Kryeministri foli dhe për Trashëgiminë Kulturore. “Do investohet në qytetet me vlerë, trashëgiminë kulturore, do ruhen vlerat e kombit dhe investohet në arkeologji”. Kryeministri mund të ketë këshilltarë shumë të mirë në këtë fushë dhe madje një ministër dashamirës, edhe pse diplomën e ka si mekanik. Po për fat të keq dhjetëra shtëpi në qytetet muzeale janë rrënuar, u bien gurë, çati dhe suva, me miliona lekë dëm për pronarët që nuk lejohen të investojnë privatisht. Përveçse u duhen nga shtatë leje të ndryshme për ndërhyrje, duhet të harxhojnë dhe një thes me para për të rikonstruktuar godinat e paguar ryshfetet. Flasim
për Beratin mbi 2400 vjeçar, turp i vërtetë i të gjitha qeverive dhe Gjirokastrën. Vetëm me këto dy qytete pjesë e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje të UNESKO-s, qeveria mund të sigurojë qindra mijëra turistë nga e gjithë bota në vit. Por çfarë është bërë për t’i mirëmbajtur. Hidhen para që nuk mjaftojnë as
për të ndërtuar një mur rrethues, kurse vlera e banesave ka zbritur deri në 600 mijë lekë të reja, edhe pse në të vërtetë nuk kanë çmim për anticitetin e tyre. Prej 4 vitesh këto qytete janë braktisur plotësisht dhe qeveria nuk ka bërë asnjë investim. Mbi 60 për qind e shtëpive janë të pabanueshme dhe vështirë se
mund t’u kthehen vlerat që kanë pasur për shkak të amortizimit dhe mos mirëmbajtjes. E njëjta gjë për arkeologjinë në vend. Prej 6 vitesh në qeveri, kryeministri u kujtua sot të thoshtë një fjalë të mirë, kur pothuajse gjithë pasuritë janë vjedhur si në Butrint e Apoloni, qoftë në kishat e vjetra. Afreske, objekte kulti me vlerë e statuja të zhdukura e shitura nëpër ankandët
botërorë, nën hundën qeveritare.

Investimet
Në mbledhjen e qeverisë u premtua përfundimi i rrugëve të nisura apo të lëna përgjysmë në të gjithë vendin. Po me çfarë do të përfundohen apo nisen këto rrugë. Ku do i gjejë paratë qeveria, pasi arka është boshatisur. Drejtoresha e Bankës Botërore ia preu shkurt kryeministrit Berisha kërkesën e tij për 20 projekte e investime të reja. “Duhet të përfundoni një herë 15 projektet për të cilat kemi investuar dhe më tej këto të tjerat”, i tha ndër të tjera. Qeveria është e detyruar t’i japi koncesione Bankës Botërore për të riparuar dëmet në fushën energjetike, përmbytjet e Shkodrës, zgjerimi i Bunës, ndërtimi i HEC-eve. Pra për të larë një pjesë të borxheve, por edhe që të mos zhytet më tej në
borxhe dhe të kalojë shifrën 60 për qind të borxhit publik, që do e çonte vendin në faliment dhe inflacion, pasi do detyrohej të shtypte para të tjera. Ku i çoi kryeministri paratë e Bankës Botërore që mori për 15 projektet e para në fusha të ndryshme?. Mbase me to janë paguar borxhe të tjera?. Gjithsesi Banka Botërore pranoi të investonte me kushte dhe një nga to janë koncesionet, pra marrja dhe përfitimi i parave të hedhura nga objektet ku do investohet. Bashkimi Evropian prej një viti ka paralajmëruar se nuk do të japë më investime për vendet në zhvillim për shkak të krizës globale ekonomike. Në vjeshtën e vitit të kaluar, drejtori i Financimeve dhe Investimeve në Bashkimin Evropian deklaronte se kriza që ka prekur vendet e BE-së i ka detyruar të zbrezin në 0,27 për qind investimet për këto vende, kryesisht ato të Ballkanit dhe Evropës Juglindore. Ky ishte një ogur i keq për shqiptarët, pasi duke përforcuar lajmin, zyrtari i lartë do deklaronte: Një tjetër arsye është shpërdorimi i fondeve tona nga ana e vendeve në zhvillim në Evropën Juglindore, siç është dhe Shqipëria. Pra ky organizëm është i pakënaqur me mënyrën se si i shpenzon dhe kontrollon qeveria fondet apo investimet e huaja.

1 komente në “6 mashtrimet e mëdha të qeverisë “Berisha””

  1. ben says:

    Ka hedhur budallai Sali nje gure ne lume per turizmin,dhe te gjithe duan ta nxjerrin.Sala eshte nje lojtar qe luan me shifra,edhe kur thote qe Shqiperine e vizituan 3,5 milione turiste per nje vit,e deshmon se eshte mashtrues pa ganiture.Shqiperia gjithsej te rregjistruar ka rreth 30 mije shtreter,ato qe kuptojne nga turizmi do te gajasen me theniet e Sales.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje