Shpulla e shtetit

4 Shkurt 2011, 20:38Blog TEMA

Nga Dorian Matlija

Njëlloj si në një gomone mes stuhisë, Berisha dhe rremtarët e tij çanë heroikisht skutat e grushtit të shtetit nga njëri breg në tjetrin. Njëlloj si paraardhësit e së njëjtës lartësi, Berisha e mprehu shpatën edhe një herë për situatën. Dukej si heroi i fundit në betejën e fundit, si Gjergj Elez Alia kundër Bajlozit, si Leonidha kundër Persisë, apo si Mihali kundër Satanit. Në këtë betejë nuk ka më nuanca gri. Ka vetëm të mirë si Berisha me djemtë e tij, ashtu siç ka vetëm armiq antishqiptarë që kanë kapur instikamet kushtetuese. Ka vetëm luftë midis të mirës dhe të keqes. E pra nuk ka si të jetë ndryshe, pasi forcat e errëta dhe segmentet e krimit nëpër dhëmbë thonë se kjo është lufta finale dhe vendimtare mbi dhe. Përballë së keqes absolute nuk mund të ndjehesh gjë tjetër veçse misionar i qëndresës së fundit.

Jo të gjithë e kanë luksin e të qenit hero. Jo çdo vdekatari ja mban të qëndrojë sypatrembur përballë një sulmi të paprecedent si ai i 21 janarit. Mes plumbave 9 milimetërsh që dilnin nga çadrat-pistoletë, dhe mes gazit helmues që villnin çakmakët e agresorëve, jo çdokush do ia dilte të bënte mbledhje të rëndësishme qeverie. Në ato momente dramatike, populli priste si do vente fati i ullinjve dhe arrave tona. Pema fisnike e arrës është për evokuar arritjet e popullit tonë, ndërsa opozita dëshiron të mbjellë vetëm lajthi duke na evokuar lajthitjen kombëtare. Kombi dhe arrat e Berishës po rrezikoheshin seriozisht nga kallashët portativë të fshehur nëpër këpucët e demonstruesve, celularët bomba dhe stilolapsat radioaktivë.

Heroi nuk duhet të jetë vetëm trim, por ai duhet të jetë njëkohësisht edhe i mençur edhe largpamës. Ai duhet të jetë një strateg i mirë dhe të kuptojë me zgjuarsi dredhitë e armikut. Pa dyshim që jo gjithkush është aq i zoti sa të kuptojë se pas ferrës së vogël të presidencës fshihet një puçist i madh. Ai e dyshonte prej kohësh këtë gjë, prandaj dhe i shkurtoi kompetencat presidentit. Por kaq nuk mjaftoi. Presidenti Topi në vend që të qëllonte me top, po qëllonte me pambuk armikun. Ai gjoja u bëri thirrje politikës, por mospërdorimi i fjalës dhunë nuk mund t’i shpëtonte veshit të stërvitur të Berishës.

Një tjetër nepërkë ishte fshehur në një dritare qorre në rrugën Qemal Stafa. Me fytyrën e saj të pafajshme prokurorja që i ngjante Silvia Kontit na e hodhi të tërëve se gjoja ishte e butë dhe naive, por jo. Mendjendrituri e kuptoi mirë se çfarë po kurdisej në korridorin e tretë të Prokurorisë. Në orën 3 të mëngjesit, kur shqiptarët flinin, vajza me pamje naive nuk kishte gjumë dhe po përgatiste tinëz planin e vet famëkeq të shpërbërjes së Gardës së Republikës, për t’u hakmarrë ndaj saj, sepse akti i shpëtimit të flamurit ishte vërtet një halë në sy për prokuroren puçiste. Ajo strategji e prerjes së kokave ishte frymëzuar nga plani i natës së Shën Bartolomeut, duke na treguar sesa gjakësor ishte armiku. Por nuk ja hodhi dot Sali Berishës. Ai i rrethoi gardistët me tela me gjemba dhe thirri për ndihmë aleatin e tij më të fortë, Naton. Kryeprokurorja nuk flinte. Ajo nën rrogoz arriti të depërtonte në radhët e NATO-s dhe me anë të magjisë voodoo bëri që ambasadori amerikan të tundte kokën pa vetëdije kur ajo të mbante fjalën e saj ogurzezë. Pikërisht atëherë kur të gjithë menduam se nuk kishte të tjerë, Berisha me mendjen e tij të mprehtë zbuloi se edhe shefi i Shishit kishte gishtin e tij në grusht. Duke bërë një vesh shurdh e një sy qorr Bariu nuk kishte vepruar si një bari i mirë…

Berisha ama nuk dorëzohej, ashtu siç i ka hije një heroi epik dhe burri shteti. Pasi pa se armiku ishte shumë serioz, me qëllim zbërthimin final të grushtit të shtetit, Berisha në emër të kombit thirri në ballë të luftës djemtë e tij më të mirë. Kështu në mes kërcënimeve për djegie makine, apo për rrahje me shkop tabele dhe gurë bulevardi, trimat Halimi, Alibeaj, Gumi, etj vendosën të dalin komitë duke bërë komisionin antipuç. Kamerat e mediave të pavarura si Klani, TVSH, dhe ABC News, me heroizëm fiksuan momentet historike të komisionit. Gjithashtu komentatorë të njohur i dhanë jetë pamjeve dramatike të luftës së këtyre trimave. Ja një kronikë e shkëputur nga transmetimi live: “…Përballë komisionit është Lulëzim Basha, i cili duket shumë i tensionuar… eh, askush nuk do donte të ishte në këpucët e tij tani… E merr fjalën Halimi, shikon shokët, qarkullon fjalët nga e djathta, pason tek Gumi i cili depërton në thellësi të argumentit, kombinon bukur aty me Alibeaj dhe ky i fundit në pozicion të prirët kroson lart dhe… Basha me kokë … shpie përgjigjen e tij drejt e kundër portës së kundërshtarit… E pabesueshme… Shpejtësi, fantazi, dinakëri… kjo është skuadra e ëndrrave…”

Por pikërisht atëherë kur të gjithë besuam se grushti i shtetit do të çmontohej përfundimisht, atëherë Dream Team me trimat e Berishës u përballën me armikun më të rëndë të mundshëm – realitetin. Realiteti thirri në skenë atë bjondinën e vogël dhe tinzare dhe në mes të një tmerri të madh ajo i qëlloi me shpullë trimat e komisionit. I qëlloi dhe iku…

Një shpullë e rëndë sa një shpullë shteti. Pikërisht atëherë kur po përjetonim momente meskaline dhe makthi, kjo shpullë kërciti aq fort sa për të na zgjuar të gjithë. Na tregoi se kush është shteti i vërtetë dhe se trimat e Berishës ishin vetëm ca deputetë – rremtarë prej letre në një gomone qesharake që aventuron nëpër ekranet televizive. Bravo Ina. Faleminderit Realitet.

*saktivista.com

1 komente në “Shpulla e shtetit”

  1. Dino USA says:

    Sokol Olldashi e demostroi trimerine e tij.Bash ne shtepi te vet,bash ne studion televizive ,e tmerroi Ilir Pacon,desh e kapi me grushte dhe shqelma kur i hipi nje vale terbimi ndaj armiqeve te Partise dhe te Pusht-etit…!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje