Qeveri Mirëbesimi

7 Shkurt 2011, 17:01Blog TEMA

Nga Artan Xh. DUKA Prof. As. Dr.

Ilaritet perëndimor

Zhgënjim është pak të thuash për qëndrimin perëndimor të deritanishëm ndaj krizës shqiptare. Pritshmëritë tejkalojnë reagimin e mefshtë, aspak transparent dhe deri diskriminues të tij dhe ‘kasnecëve’ ecejakës ndaj aspiratave të sinqerta demokratike të një populli të tërë.

Europa nuk duhet të shqetësohet të akomodojë me përparësi interesat e klasës politike përpara atyre të publikut shqiptar. Formulat e ‘koduara’ për publikun nuk dëshmojnë respekt e sinqeritet për ndjesinë demokratike e shpresën perëndimore të tij. Stabiliteti e garantimi i perspektivës së shoqërisë janë pritshmëri normale prej perëndimit ku vemi ndaj ‘zarfet’ dorëzuar nën një vello ‘konspiracioni’ politikanëve shqiptarë, duke anashkaluar publikun, vetëm dëshpërojnë.

Stabilitetin e kujt synojnë formulat e ‘forta’ perëndimore!

‘Formulat’ e forta të Perëndimit nuk ka përse të jenë diskrete vetëm për ‘sytë’ e politikës sepse përtej balancës së fatit të karrierës politike të individëve, fati i shoqërisë dominon, ndaj marrëveshjet e këtij lloji, vetëm diskrimojnë e përçmojnë sensitivitetin e inteligjencën e një shoqërie të tërë.

Nëse diskrete vetëm për politikën, mesazhet e perëndimit perceptohen të kompromentuara e paragjykohen prej publikut fati me zigzage i të cilit është rrjedhojë e mjaft marrëveshjeve të mëparshme të ‘nëndheshme’. Llogjika e shmangies së medias përpara informimit të politikanëve të lë të deduktosh se nuk synohet transparenca e luajiteti ndaj shoqërisë por stabiliteti i klasës politike e futja e ‘mëkateve’ të saj në hullinë e harresës. Qasja e duhur nuk është zarfi i ‘mbyllur’ rekomande për politikanët por shpallja qartazi në publik e qëndrimit perëndimor dhe ndarja e ‘shapit nga sheqeri’ pa mëdyshje.

Hetimi penal dhe ‘hetimi’ politik

Ndërsa Europa këshillon për durim për hetimin penal të 21 janarit, kjo nuk do të thotë se ajo duhet të anashkalojë e të mos sensibilizojnë për ‘hetimin’ politik e përgjegjësinë përkatëse. Hetimi penal, për preçedent, nuk mbush me shpresë për drejtësi në rrethana ku politika është e përzjerë ndaj përmëndja, qartazi për pragmatizëm kohor prej mazhorancës, më shumë se sinqeritet ndaj drejtësisë tingëllon alibi për sfumim të kryargumentit të humbjes së jetëve të pafajshme që protestonin për më shumë demokraci.

Ndërsa hetimi penal kërkon kohë, ai ‘politik’ duhet të japë verdiktin sot sepse elektorati nuk meriton politikën që përçmon e që gjenezën e ka, sikundër opozita denoncon, më herët se 21 janari me Gërdecin, katastrofën financiare të rrugës së Kombit, strategjinë e nëpërkëmbur të zhvillimit të vëndit, ‘dhurimin’ e pasurive me 1 Euro për interesa klienteliste, kërshillëk ndaj votës së lirë e transparencës, sfidim parlamentit europian me pengmarrje të së ardhmes etj.

‘Ujku’ dhe ‘gjurmët’

Zhvlerësimi i analizës mediatike të origjinës së zjarrit vdekjeprurës të 21 janarit, ndonse të ndjekur ‘live’ nga miliona qytetarë, mbuluar dhe me ‘mjegullën’ e matricës së urdhërave për zjarr nën arsyetimin korrekt se fjalën e fundit do e thotë prokuroria e  gjykata, përtej pengmarrjes së hetimit penal, synon sfumimin e ‘hetimit’ politik e shmangjen e marrjes së përgjegjësisë së pritshme për një qeveri të NATO.

Nëse nuk duhet paragjykuar garda, thjesht e vetëm mbi bazën e filmimeve e dëshmitarëve okularë derisa dikush nga Amerika e largët të na thotë se çfarë ndodhi, atëhere të mos paragjykohen për paralelizëm edhe personat që kamera i kapi duke flakur gurë sepse ndoshta nuk kanë qënë ata por të tjerë(!) Spekulimi i mazhorancës me montazhin e subjektivitetin e pasqyrimit mediatik nuk mund të jetë selektiv sepse nëse kështu, nuk do të jetë çudi që absurdi të shtrihej deri në pretendime se ishte garda që hodhi gurët dhe Molotov(!) apo që në shesh nuk pati asnjë fatalitet(!). Ndërsa presim hetimin penal, ai politik nuk ka mëdyshje dhe pret vetëm që përgjegjësit të dëshmojnë burrështetësi e dorëhiqen për të mos paragjykuar hetimin penal më pas.

Stabiliteti i shoqërisë vlen më shumë se statukuoja e qeverisjes

21 janari nuk është aksident politik por guri i rradhës në mozaikun e brishtësisë demokratike të mazhorancës që me vendimmarrjet e saj ka shënuar devijacione shpesh përtej gabimeve normale demokratike.  Tashmë statukoja e qeverisjes vjen më faturë të lartë të stabilitetit të demokracisë dhe integrimit europian duke bërë të domosdoshme një formulë të re politike për të konverguar përsëri stabilitetin politik me atë demokratik.

Demokracia garantohet me zgjedhje të ndershme e të pakontestueshme vijuar me përgjegjshmëri qeverisjeje pjesë e së cilës është dhe dorëheqja. Kalendari formal zgjedhor nuk është kusht për demokraci por ‘instrument’ për të. Shtyrja apo afrimi i zgjedhjeve nuk përbën ‘sakrilegj’ demokratik dhe preçedent që nuk duhet stimuluar për aq kohë sa çalojnë zgjedhjet e mëparshme apo qeveria dështon të performojë demokratikisht. Përkundrazi, mosbërja e tyre do të ishte preçedent tepër negativ inkurajimi për mazhorancat e ardhshme për të abuzuar me vullnetin e zgjedhësve. Një qeverisjeje e papërgjegjshme nuk e meriton imunitetin 4 vjeçar ndaj zgjedhjet e parakohëshme nuk e bëjnë një vënd më pak demokratik por më të emancipuar politikisht sepse katarsisi zgjedhor veç rrit standartin e kërkesës ndaj politikës që nuk e ka më apriori komoditetin e qeverisjes.

Zgjidhje e re politike përtej formatit të mazhorancës

Zgjedhjet e 2009 nuk ishin normale për një vënd të NATO dhe më tej mazhoranca zhgënjeu në performancën e saj karshi institucioneve, transparencës së votës, menaxhimit të buxhetit të shtetit, partnerëve ndërkombëtarë, opozitës dhe mundësitë që pati për të amortizuar gabimet me riformatim qeverie, largim të ministrave të përfolur, dorëheqje individuale, distancim ndaj fenomeneve jo demokratike etj duke e bërë realiste kërkesën tashmë për një zgjidhje të re politike që del përtej formatit të mazhorancës.

Individi apo rrethanat!

Kriza politike nuk mund të zgjidhet në thelb nëse vetëm personalizohet. Përtej voluntarizmit të individit, ajo është pjellë, si dhe më parë, e rrethanave, emancipimit e perceptimit tonë demokratik, produkt i të cilës janë vetë individët e karrierat e tyre politike. Normaliteti demokratik nuk mund të jetë afatgjatë e solid nëse përpjekja për të reduktohet në marzhinalizim individësh, veç e veç apo si binom politik, por si ndërgjegjësim demokratik e zhbërje e indiferentizmit, pasionit apo ‘besnikërisë’ së verbër në politikë në favor të racionalitetit, mosparagjykimit, qasjes kritike ndaj alternativave e insistimit në respektimin e rregullave të demokracisë. Për aq kohë sa individët filtrohen përmes zgjedhjeve të ndershme e nuk kanë probleme me drejtësinë e pavarur, si të votuar ata  meritojnë konsideratën që buron prej respektit ndaj votës së lirë, për aq kohë sa ata dëshmojnë përgjegjshmëri politike.

Dorëheqje që emancipon

Në kontekstin aktual, pritshmëri normale për një elektorat të NATO, është dorëheqja e qeverisë dhe perspektiva e zgjedhjeve të reja. Dorëheqje që jepet vetë. Pa qënë nevoja të kërkohet. Nëse jo, përveç zhgënjimit të papërgjegjshmërisë demokratike që debiton politikisht për zgjedhjet e rradhës, krijohet një preçedent negativ ‘mostutjeje’ për të ardhmen gjë që duhet të shqetësojë seriozisht perëndimin që nuk duhet të jetë ‘alergjik’ ndaj ndryshimit të kalendarit rutinor zgjedhor por realizimit të zgjedhjeve të ndershme dhe përgjegjshmërisë në qeverisje deri në dorëheqje nëse e nevojshme.

Përballë humbjes së besimit të opozitës ndaj mazhorancës si tutore e proçesit zgjedhor, formulat perëndimore që ruajnë stakuonë qeverisëse e bëjnë thirrje thjesht për zgjedhje të pakontestueshme të 8 majit, janë ireale, provokuese për opozitën e nuk garantojnë, përkundrazi, bartin farën e pështjellimeve të tjera politike në vënd. Nëse perëndimi injoron sentimentin e opozitës në të drejtën e saj për të paragjykuar këtë mazhorancë që shkoi kaq larg, ‘zarfet’ misterioze nuk garantojnë stabilitet të vëndit por thjesht të qeverisjes.

‘Qeveri Mirëbesimi’ për normalitet demokratik

Nëse perëndimi insiston në përgjegjshmëri e mazhoranca dëshmon burrështetësi, zgjidhja e vetme që i jep fund agonisë demokratike në vënd mbetet një ‘Qeveri e Mirëbesimit’. Qoftë kjo tranzite ‘afat-shkurtër’, ad-hoc për të përgatitur zgjedhjet e përgjithshme, ‘afat-mesme’ deri në 2012 për t’i dhënë kohë amendimit të kodit zgjedhor e kalimit të paketave me shumicë të cilësuar në parlament apo funksionale ‘afat-gjatë’ deri në 2013 për të futur vëndin në shinat e pakthyeshme drejt integrimit europian ndonse mund të ekspozojë soliditetin e ‘simbiozës’ së palëve dhe lërë vëndin gjatë pa opozitë.

Mocion mosbesim popullor

Në 1990 u vra frika e protestës për demokraci dhe të intimidosh sot opozitën, direkt apo indirekt, deri dhe prej përfaqësuesve të perëndimit në të drejtën e tubimit nuk është formula e duhur drejt kapërcimit të krizës. Aq sa është normale për një vënd demokratik të ketë opozitën në rrugë për të kërkuar më shumë demokraci, aq civilizuese e demokratike do të ishte nëse vetë Kushtetuta do të mundësonte një shans për elektoratin për të kërkuar e imponuar shans për ndryshim përmes formulave efikase të referendumit për të drejta demokratike deri në zgjedhje të parakohëshme. Përtej mocionit të mosbesimit në parlament, ai popullor ka më shumë moral të kërkohet sepse pasojat e keqqeverisjes nuk rëndojnë mbi deputetët por votuesit që i zgjedhin ata.

Lini një Përgjigje