Diku aty nga viti 89, më pati rënë rasti të njihem me një shqiptar të Kosovës që kishte ikur nga Kosova në vitin 1981, i detyruar për t’i shpëtuar burgut serb. Kurioziteti im ishte shumë i madh për të ditur sa më shumë se çfarë ishte në anën tjetër të kufirit, por me sa duket frika e sistemit në Shqipëri ia kishte shlyer memorien për çfarë në të vërtetë ishte Kosova, kështu që më shumë bisedat silleshin ndaj vuajtjeve të shqiptarëve nga regjimi serb. Më kujtohet një shprehje që e dëgjova nga ai për herë të parë dhe që e kam dëgjuar shumë herë të tjera më vonë nga goja e shqiptarëve të Kosovës që kam pasur mundësi t’i njoh. Më kujtohet të thoshte: “Ne shqiptarët nuk kemi mundur të bëhemi rehat asnjëherë dhe gjithmonë na kanë sunduar të tjerët. Kur i krahason serbët me shqiptarët kanë dy gjëra shumë të ndryshme. Nëse një serb mundohet të ngjitet diku, dy serbë të tjerë i vijnë nga mbrapa dhe mundohen ta shtyjnë. Ndërsa ne shqiptarët, kur dikush do të ngrihet diku, dy të tjerë shkojnë dhe e tërheqin që të mos e lenë të ngjitet”. Ajo thënie që ka marrë vërtetësi në vite, ka evoluar në një formë shumë negative. Sot mendoj që shqiptari që po ngjitet i ka vënë këmbën në fyt dy të tjerëve për t’u ngritur aty ku do ai. Kam një trishtim që sa vjen e shtohet kur shikoj që ne tropojanëve po na duhet të ndahemi në dy grupe, jo me bindje politike, apo fetare; por bash për çfarë ne kujtojmë që jemi krenarë dhe të tjerët na vlerësojnë, për karakteristikat që të parët tanë na kanë lënë trashëgimi, me ato veti që nuk mësohen por vetëm trashëgohen. “Meshkuj ka shumë, burra ka pak”. Trimëria, fisnikëria, mençuria, dituria, karakteri janë ato që i bëjnë meshkujt të jenë “burra”. Por sot po ndodh që “burrat” nuk janë ata që i kanë këto veti, por “burrë” është ai që është i “lig”. Sot po shoh që ne po na duhet të ndahemi në dy grupe prej zorit që na ka ardh’ në derë, disa me “burrat e ligj” e disa me “burrat -burra”. Gjithkush ka të drejtën për të pasur bindjet e veta politike apo fetare, por karakterin nuk mund ta zgjedhësh, fisnikërinë nuk e mëson dot në shkollë, ndershmërinë nuk e fiton duke u plakur. Kurrë nuk kam dashur që t’i shikoj çështjet kombëtare me “syze lokalisti”, por kur kompleksi i lokalistëve bëhet pengesë, deshe s’deshe, duhet me u ballafaqu me ta. Ne tropojanët shumë herë mburremi që edhe pse vend i vogël e me pak popullsi, bëjmë shume histori. Askush nuk mund ta mohoje një gjë të tillë. Por të bësh histori është një gjë dhe çfarë lloj historie, është diçka tjetër. Këtu mendoj që ne tropojanët po na duhet të ndahemi ose të bashkohemi, që të bëjmë histori për t’mirë dhe t’i themi jo historisë së keqe. Kur dëgjoj disa që flasin për Besnik Mustafën me urrejtje se gjoja paska “tradhtuar” Sali Berishën, them me vete “kujt i thonë tradhti këta”? A mos duhet që Mustafaj të dalë në rrugë dhe të fillojë të shajë (se në parlament nuk ka mundësi); a mos duhet që atë që thotë sot të mos e thotë nesër? A mos duhet që të mos shkruaj më libra, por të dalë në miting të Çiljetes? Apo duhet të pajtohem me ata që thonë që Aleksandër Biberaj nuk u tregua “burrë” kur pati kurajo që, në vend që të servilej dhe të merrte karrige, i qëndroi parimeve të veta, pati aq karakter sa i doli përpara çdo gjëje që ai mendoi që ishte e keqe. A mos ishte “tradhtia” e tij paburrëri dhe po të servilej, përulej, gënjente, të vidhte do ishte “burrëri” (i lig)? A mos Afrim Krasniqi nuk është me tropojan se po “gënjen” duke treguar të vërtetën ashtu siç është, pa syzet e “lokalistit miop”. Po të shkruante më pak analiza dhe të mos ishin aq të vërteta, a do ishte ma “burrë” (i lig). Për çfarë ne jemi të ndarë sot (dhe jo vetëm tropojanët) nuk është se janë dy ideologji, por është historia e mirë dhe historia e keqe. Sot ne shqiptarët po ndahemi në dy ekstreme, e shkak i kësaj ndarjeje është ligësia e disave që janë ndarë në dy kampe politike. Janë këta “burra të ligj” që fusin përçarje dhe urrejtje vetëm për të hypë duke na futur këmbët në fyt. Nuk ka rëndësi nëse je prej veriu apo prej jugu, prej lindje apo prej perëndimi, Shqipëria ka sa të duash “burra të ligj”, por ma të ligj janë ata që i mbështesin dhe i japin jetë. Të ligj janë ata që futin një krahinë të tërë në një thes me një apo dy “burra të ligj”, të ligj janë ata që për interesin personal janë të gatshëm të djegin Shqipërinë. Të ligj janë ata që imoralitetin e kane kthyer në normë familjare, që kompleksin e inferioritetit e përdorin si hakmarrje ndaj të diturve, të civilizuarve, të shkolluarve. Unë them që është mirë që po ndahemi. Më mirë të ndahemi në ata që mbështesin burrat dhe në ata që mbështesin të ligjtë. Ka ardhur koha që të mos përzihemi më se ka 20 vjet që s’po merret vesh se kush është kush. Vetëm atëherë do mundemi me i tregu vendin shoqi –shoqit. Vetëm atëherë do shikojmë se kush e do Shqipërinë e kush do vetëm veten.