Nga Enver Robelli
(Retro: Ky tekst, i ndarë në katër artikuj, është botuar te “Koha Ditorë” në verë 2009. Po e sjell këtu pas deklaratave skandaloze të konsullit grek në Korçë, i cili këtë qytet e quajti Vorio-Epir dhe u bëri apel banorëve të atjeshëm që në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë të deklarohen si grekë.)
Sarandë, Pargë, Janinë
Një çerek milioni euro ka paguar Qeveria e Shqipërisë për ta prezantuar rivierën e vendit nëpër botë me qëllim të joshjes së turistëve. Është një reklamë mjaft amatore, e cili përpiqet të shpalos një Shqipëri me ambient të pastër dhe paqësor. Për fatin e zi të Shqipërisë m’u në mes të sezonit turistik një person që fajësohet të jetë i involvuar në shumë krime vrau katër policë. Edhe sikur spoti në CNN të emitohej 24 orë pandërprerë – imazhin e Shqipërisë ai s’e përmirëson dot. Hiç problemet me sigurinë në vend, Shqipëria vazhdon të deformohet edhe nga papërgjegjësia e madhe ndaj natyrës. Duhet të jesh dashamir i verbër i Shqipërisë që Durrësin ose Sarandën t’i shikosh si qytete pitoreske. E vërteta e hidhur është se këto qytete i përngjajnë një grumbulli betoni. Syrin e çdo vizitori të interesuar për zhvillim e vrasin skeletet e betonit, të cilat ia kanë zënë frymën Durrësit dhe Sarandës. Ato sot u përngjajnë disa vendbanimeve palestineze të rrethuara dhe të shkatërruara nga terrori i shtetit izraelit. Shpresa e njerëzve në Sarandë dhe Durrës, megjithatë, është turizimi. Për shembull në Sarandë tashmë janë nënshkruar kontrata për sjelljen e turistëve nga Korfuzi. Turistët kureshtarë vijnë, zbresin në Sarandë, këmbejnë euro në lekë, hanë drekë, pinë kafe dhe ikin. Të rrallë janë ata që qëndrojnë më shumë se një ditë. Oferta turistike e këtij qyteti nuk i josh të huajt që të kalojnë më shumë kohë këtu.
Tredhësi i mizave
Ka edhe tipa të tjerë që vijnë këtu, në Sarandë. Janë disa shqiptarë me pamje mafiozi, me zinxhirë të trashë në qafë dhe në duar, me unaza pompoze. Ata rrinë së bashku rreth një tavoline, njëri bërtet, tjetri flet me dikë në telefon, tjetri kërcen në pishinë dhe befas çirret si i çmendur, sepse tashmë e ka kuptuar se është hedhur në ujë me kuletë në xhep. Dy gra vrapojnë, ia marrin portofolin dhe i nxjerrin bankënotat e lagura, të cilat i shtrijnë në një krevat plazhi. Një skenë bizare. Një varg me euro teret në diellin e Sarandës. Në Sarandë mund të takosh papritmas edhe ish-zyrtarë të lartë të UNMIK-ut, të cilët vazhdojnë të jetojnë në Kosovë, duke punuar si këshilltar për tredhjen e mizave dhe si numërues të thumbave. Shumica e të huajve që vijnë në Sarandë menjëherë vazhdojnë rrugën drejt Butrintit. Një rrugë e ngushtë që i ngjason Urës së Xhehenemit. Po nuk ia lëshuat rrugën shoferëve shqiptarë, ata të hedhin pamëshirshëm përtej në det. Këtu është në fuqi ligji i atyre që nuk kanë vetëdije për rrezikun. Vetëm gjatë ditëve të fundit mbi dhjetë persona kanë humbur jetën nëpër rrugët e Shqipërisë. Raportet policore tingëllojnë si të ishin buletine lufte. Dy të vdekur këtu, tre atje, katër të lënduar diku.
Butrinti është thesari i Sarandës, madje i gjithë Shqipërisë. Këtu vijnë grekë e italianë, anglezë dhe amerikanë, por edhe polakë e çekë. Dikur, në kohërat antike, Virgjili e kishte quajtur Butrintin një Trojë të vogël. Këtu i kanë lënë gjurmët e tyre shumë civilizime e kultura, helenë, romakë, bizantinë dhe venedikas. Në hyrje të qytetit antik, i cili është pothuaj i mbuluar me drunj si dafina, vidhi dhe shkurre të tjera, gjenden disa fidanë të mbjellë – jo nga Hashim Thaçi! -, por nga Sali Berisha, Romano Prodi, Silvio Berlusconi, Stipe Mesiqi, Ivo Sanaderi. Qeveritë shqiptare – prej asaj të Enver Hoxhës deri te qeveritë e Fatos Nanos dhe Sali Berishës – nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi mirëmbajtjes së Butrintit. Viteve të fundit një Fondacion nga Britania e Madhe po kujdeset që Butrinti, kjo perlë e Mesdheut dhe pjesë e trashëgimisë botërore, të mirëmbahet dhe të hulumtohet. Nga mesi i viteve 50-të Sarandën e kishte vizituar vetë Nikita Hrushçovi, shefi i madh i Bashkimit Sovjetik. Nga Enver Hoxha kërkonte një bazë, flitej se BRSS do të sillte këtu nëndetëse me koka bërthamore. Hoxha u mendua dhe tha jo. „Megjithatë, Perëndimi nuk e shpërbleu“, thotë një banor i Sarandës. Në fakt Hoxha, një diktator megaloman, as që dëshironte të afrohej me Perëndimin. Pasi u prish me vëllezërit sovjetikë, gjeti miq e vëllezër në Kinë. U inspirua nga revolucioni kulturor kinez dhe e shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë.
Ndërrim skene: “Kafe Himara 1928” është hapur në vitin e largët 1928, siç e tregon edhe emri. Këtu takohen çdo mëngjes pleq e të rinj. Kamerierët sjellin kafe, raki dhe ëmbëlsira. Po në vitin 1928 Ahmet Zogu e shpalli veten Mbret të Shqiptarëve. Sundimi i tij shihet nga historianët si periudhë relativisht paqësore, gjatë së cilës me para të Italisë u konsolidua ushtria shqiptare dhe burokracia, u ndërtuan rrugë dhe ura. Kur Zogu u përpoq të shkëputej nga dominimi italian, Shqipëria u pushtua nga trupat e diktatorit Benito Mussolini. Në murin e “Kafe Himara 1928” është varur një fotografi, në të cilën shihet Mbreti Zog duke qëndruar para këtij restoranti, në diell, dikur në vitet 30-të. Kthim në kohën e sotme: Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil (ose: Vasillaq) Bollano, prej vitesh sillet si kapadai. Kështu së paku e përshkruajnë gazetat e Tiranës. Sivjet ai e dha një shembull të bindshëm për kapadaillëkun e tij, duke ia ndaluar një grupi të fëmijëve nga Durrësi këngët me motiv patriotik shqiptar. Lajmi u dha në të gjitha mediet shqiptare, por për Bollanon nuk pati asnjë konsekuencë. E vetmja protestë mund të lexohej në një teneqe në qendër të Tiranës, ku dikush kishte shkruar me bojë të kuqe: “Fuck Bollano”. Me gjasë e njëjta dorë kishte shkruar edhe këtë parullë: “Shqipëri Etnike”.
Ndotësit patriotikë
Kthim në Sarandë: Sikur të mos ishte mbuluar me beton dhe me arkitekturë primitive Saranda do të ishte një qytet vërtet pitoresk në Mesdhe. Natyra është tepër e pastër për shkak se këtu nuk ka pasur asnjëherë industri, e cila do ta kishte ndotur ambientin. Por, për ndotje tani kujdesen shqiptarët nga Shqipëria dhe nga Kosova, duke hedhur mbeturina çdokund. Sikur t’i hapnin vetëm pak sytë këta njerëz të papërgjegjshëm do t’i shihnin turistët maqedonë, të cilët gjithnjë e më shumë po vijnë në Sarandë dhe, për dallim nga patriotët e rrejshëm shqiptarë, as nuk hedhin mbeturina, as nuk bëjnë zhurmë dhe as nuk pështyjnë në asfalt. As në Sarandë dhe as në Ksamil, një katund aty afër, buzë rrugës drejt Butrintit. Ksamili ka disa plazhe të mrekullueshme, të cilat njeriu i sheh vetëm në televizor, për shembull në ishujt Maledive në Oqeanin Indian. Emri antik i këtij katundi është Heksamilion. Gjatë sundimit të Enver Hoxhës Ksamili ishte vendpushim për zyrtarë të shtetit dhe të kombinateve të mëdha. Në vitet 60-të këtu u mbollën mijëra fidanë ulliri, limoni dhe qitroje (dru frutor i ngjashëm me limonin). Mund të thuhet se Ksamili ia kishte parë hairin Nikita Hrushçovit. Në prag të vizitës së liderit sovjetik në vitin 1959 autoritetet komuniste asfaltuan rrugën drejt Ksamilit dhe Butrintit. Turistët edhe sot kalojnë nëpër asfaltin e Hrushçovit, por nuk e gjejnë më Ksamilin e qetë, të fjetur, të dremitur pranë valëve të Detit Jon. Që në hyrje të katundit bien në sy një kishë ortodokse dhe një xhami, të dyja të ndërtuara viteve të fundit. Gjithçka tjetër çfarë sheh njeriu janë skelete të pafundme betoni, godina të ngritura pa asnjë shije arkitektonike, aty-këtu ndonjë ndërtesë e prishur nga shteti. Edhe pak vite dhe Ksamili do të shpërfytyrohet tërësisht. Plazhet e Ksamilit tashmë ndodhen në duar të privatëve, ata kanë hapur restorantet e tyre dhe kanë vendosur shtretërit e çadrat e diellit, për të cilat kërkojnë herë 4 euro, herë 6, nganjëherë edhe më shumë. Nga bregdeti i Ksamilit shpesh mund të shihen anije të mëdha me turistë ose me mall, të cilat përmes Korfuzit largohen drejt Italisë. Nga Ksamili ato duken tepër larg.
Histori më vete është puna me kamerierët e Sarandës dhe të Ksamilit. Nëse jeni vetë i dyti, atëherë lirisht porositni tri rizoto ose tri pizza, sepse do t’ju vijnë dy. Ose asnjë. Arsyetimi i kamerierit tingëllon kështu: “Harrova” ose “Rizoto do të jetë gati për 40 minuta”, natyrisht pasi tashmë ke pritur 40 minuta orizin e bekuar dhe të stolisur me fruta deti. Edhe largimi nga Shqipëria është përherë legjendar. Sepse çdoherë polici kufitar të pyet nëse e njeh, për shembull, “një Ilir nga Gjilani”. Ec e gjeje për cilin Ilir e ka fjalën. Kësaj radhe në pikën kufitare Qafë Botë polici na pyeti nëse e njihnim Qefser Majacin nga Prishtina. Ishte i zhgënjyer kur i thamë se, për fat të keq, nuk e njohim. U nevrikos, kur i treguam se Kosova i ka dy milionë banorë dhe vërtet ne të gjithë disi jemi dajë e kushërinj mes veti, por prapëseprapë s’njihemi të gjithë, se një gjë e tillë është e pamundshme. Për disa çaste të gjitha këto përvoja bizare harrohen, kur kujtojmë kamerierin e restorantit afër Butrintit, i cili me të drejtë i lavdëronte prodhimet e detit që na i servonte, duke thënë: “Shijoni, shijoni se këtë zanat e kemi me librezë të Enver Hoxhës”.
“Alvanitët” e Pargës
Pika kufitare e Qafë Botës ende nuk e meriton një emër të tillë. Disa kontejnerë dhe kioskë të vendosur në fushë tregojnë se këtu është kufiri i Shqipërisë me Greqinë. Qeveria e Tiranës ka ndarë 1,4 milionë euro për ndërtimin e godinës së doganës. Punimet tashmë kanë filluar dhe pritet që ato të përfundojnë në pranverë të vitit të ardhshëm. Në pjesën greke pika kufitare quhet Sagiada (ose në shqip: Sajadha). Godina e doganës dhe e policisë kufitare është moderne dhe e ndërtuar së fundi. Edhe rruga duket e re dhe të shpie në drejtim të Igumenicës (ose Gumenicës, siç është emri shqip i këtij qyteti tani grek). Gumenica është porta e Greqisë veriore dhe veriperëndimore ndaj botës. Në portin e këtij qyteti për çdo ditë hedhin çengelin anije nga Ancona, Brindisi, Bari dhe Venecia. Gjatë verës këtu zbarkojnë disa milionë turistë nga Evropa Perëndimore, të cilët vazhdojnë rrugëtimin drejt rivierës greke. Jo pak nga këta turistë ndalen në Parga (Pargë), rreth 50 kilometra larg Gumenicës.
Qyteza e Pargës numëron jo më shumë se 2500 banorë dhe gjendet në një gji idilik të Detit Jon, buzë maleve të Epirit. Në çdo ciceron turistik përshkruhet si njëri ndër vendet më të bukura të Greqisë. Sidomos në muajin gusht në Pargë pushojnë mijëra turistë nga Italia, Gjermania, Britania e Madhe, por edhe nga vendet e Ballkanit. Aty-këtu shihen autobusë me targa të Beogradit dhe qyteteve të tjera serbe, ndërsa maqedonët kryesisht preferojnë të vijnë me veturë në Pargë. Për dallim nga Saranda në Pargë pothuaj asnjë ndërtesë nuk është më e lartë se tre kate. Fasadat e shtëpive janë të lyera me ngjyra të ndezura dhe i japin qytetit një hijeshi të veçantë. Në portin e vogël të Pargës, i cili shërben vetëm për anije turistësh, gjenden me dhjetëra taverna. Para tyre kamerierët i joshin turistët me menynë e begatshme. Kur nuk ka vend në tavernë, kamerierët shpejt u ofrojnë turistëve nga një gotë uzo. Kërkohet pak durim. Derisa turistët zbrazin gotat, kamerierët e gjejnë vendin për t’u ulur. Këtu kafes turke i thonë kafe greke. Përndryshe pothuaj gjithçka që ofrohet është nga kuzhina ballkanike, veçse më mirë e përgatitur. Djathë feta, ullinj, musaka, mish qengji me patate, pite. Dhe mbi të gjitha peshk dhe gjallesa të tjera deti.
Vend i ullinjve
Kamerierët e Pargës janë poliglotë. Njerëzit këtu jetojnë nga turizmi, prandaj mësimi i gjuhëve të huaja është domosdoshmëri. Gjuhën shqipe, ndërkaq, banorët e Pargës nuk kanë pse ta mësojnë. Atë e dinë të gjithë. “Shih, këta flasin shkip”, thotë një kameriere, e cila duket se përnjëherë shënon porositë e të gjithë mysafirëve të lokalit. Pastaj afrohet pronari, një burrë rreth moshës 60-vjeçare. Pas tij vjen një vajzë e re, është nga Fieri. Punon këtu gjatë sezonit turistik. Bashkë me të atin, i cili fiton bukën si punëtor në plazhin Lichnos. Shumica e banorëve të Pargës janë arvanitë, domethënë vendas, autoktonë, shqiptarë, “alvanitë”, siç thonë. Kanë qëndruar këtu përkundër stuhive të historisë. Për fat të keq shumica janë asimiluar, deklarohen si grekë, por shqip flasin ende, sidomos gjenerata e mesme dhe e moshuar. “Edhe ne dhe ju – të gjithë jemi njerëz të mirë”, thotë Konstantini, i cili me entuziazëm e gjeti një apartament për ditët më të bukura të vitit. Qyteti i Pargës ka tri plazhe të mrekullueshme. Lichnos, Valtos dhe plazhin pranë portit. Turistët që flenë shumë e kanë vështirë që pas orës 11:00 të gjejnë vend buzë detit. Parga është vend i ullinjve. Të gjitha kodrinat janë të mbuluara nga druri i ullirit. Mesatarisht prej çdo rrënje parganjotët vjelin deri në 300 kilogramë ullinj. Nëpër oborret e shtëpive dhe në kodrinat përreth banorët vjelin edhe limona e portokaj. Falë zhvillimit të turizmit shumë banorë të Pargës janë kthyer nga mërgimi, kryesisht nga Gjermania, ku kishin shkuar si punëtor krahu në vitet 50-të dhe 60-të, kur Greqia ishte një vend i varfër. Ata në vendlindjen e tyre kanë hapur taverna dhe kanë ndërtuar shtëpi, të cilat i japin me qira gjatë sezonit turistik. Një shqiptar nga Mirdita, i cili punon si mbikëqyrës plazhi, tregon se ka ardhur këtu para 17 vjetësh, “atëherë kur pleqtë dhe plakat e Pargës më lehtë flisnin shqip se sa greqisht”.
Muzgu i bekuar
Në Mesjetë Parga kishte një rëndësi të madhe strategjike. Për këtë qytezë interesoheshin oborret mbretërore të Stambollit, Venedikut, Parisit dhe Londrës. Në vitin 1401 Parga ra nën mbrojtjen e Venedikut. Më 1452 e pushtuan turqit, por dy vite me vonë u çlirua nga venedikasit. Në vitin 1537 Parga u plaçkit dhe shkatërrua nga pirati osman Hajredin Barbarosa, i njohur si zotërues detesh. Në lagjen Beshiktash të Stambollit gjendet një përmendore në kujtim të tij. Në pjesën e pasme të monumentit janë të shënuara këto vargje të poetit turk Jahja Kemal Bajatli:
Nga po vjen gjëmimi i topave prej horizontit të detit?
A mos është Hajredini duke u kthyer me flotën e tij nga udhëtimi?
Nga ishujt? Nga Tunisi? Nga Algjeria?
Dyqind anije lundrojnë në det të hapur
Vijnë në drejtim të hënës që lind
Çfarë muzgu të bekuar mëngjesi jeni duke lënë prapa?
Nën mbrojtjen e Venedikut Parga u shndërrua në portin më të rëndësishëm të Epirit. Në vitet vijuese sundimtarët e Pargës u ndërruan disa herë. Në vitin 1819 Ali Pashë Tepelena vendosi ta blejë nga anglezët këtë qytet, i cili i krijonte telashe, sepse ishte territor i administruar nga të huajt në pashallëkun e Janinës. Thuhet se pashai i ashpër kishte paguar 150 mijë lira. Thuhet po ashtu se anglezët ia shitën Pargën Ali Pashës për të dobësuar ndikimin rus në rajon. Mbi qytetin e Pargës, rreth katër kilometra larg qendrës, turistët mund të shikojnë edhe sot kalanë e Ali Pashës. Ajo vazhdon të jetë një atraksion jo vetëm për turistë.
Gjuha shqipe nuk flitet vetëm në Pargë. Shumica e banorëve të fshatrave Agjia, Rrapëza, Shëndiella, Shenica, Livadhari, Arpica etj. gjuhën shqipe e kanë gjuhë amtare. Toponimet e këtyre katundeve janë greqizuar. Banorët shqiptarë të këtyre zonave, sidomos ata të përkatësisë fetare myslimane, janë dëbuar sistematikisht nga Greqia pasi u caktuan kufijtë e rrudhur të Shqipërisë në Londër në vitin 1913. Pas miratimit të Marrëveshjes së Lausanne-s (Lozanës) në vitin 1923 përzënia e shqiptarëve nga Greqia u intensifikua. Marrëveshja parashihte shkëmbimin e popullsive mes Turqisë dhe Greqisë. Domethënë grekët duhej të largoheshin nga Turqia, ndërsa pakicat myslimane në Greqi qenë të detyruara të gjenin strehim në Turqi.
Llojet e shqiptarëve
Me një dekret Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë dhe jozyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lausanne-s për turqit e Greqisë. Kryeministri i atëhershëm grek Theodors Pangalos i kishte premtuar ambasadorit shqiptar në Athinë Mit’hat Frashëri se popullsia arvanite dhe çame nuk do të prekej nga Marrëveshja e Lausanne-s dhe shqiptarët myslimanë nuk do të quheshin popullsi turke. Ky ishte një premtim bosh, sepse edhe në vitet në vijim vazhdoi shpronësimi i çamëve. Ministri i atëhershëm i punëve të jashtme i Britanisë së Madhe George N. Curzon e kishte quajtur Marrëveshjen e Lausanne-s “një zgjidhje fund e krye të keqe dhe qëllimkeqe, për të cilën bota gjatë njëqind vjetëve të ardhshme do të paguaj një tagër të lartë”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore një pjesë e popullsisë çame bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë të Greqisë. Pas kapitullimit të gjermanëve shteti grek i dënoi çamët kolektivisht, duke i dëbuar nga shtëpitë dhe duke ua marrë pronat shumicës së tyre.
Historiani i Evropës Juglindore Konrad Clewing i ndan shqiptarët e Greqisë në tri grupe. Në grupin e parë ai i numëron arvanitët, të cilët nga shekulli 13-të deri në shekullin e 15-të me ftesë të sundimtarëve lokalë u vendosën në më shumë se 300 vendbanime në Greqinë jugore, siç janë Atika (rrethina e Athinës), ishujt e Egjeut (p.sh. Hidra) dhe në Peloponez. Banorët e këtyre zonave e quanin veten arbërorë, ndërsa gjuhën që e flisnin – arbërisht. Me kalimin e shekujve ata kanë përvetësuar emërtimin grek arvanitka. Sipas Clewing-ut numri i arvanitëve në Greqi, bazuar në kriterin e përdorimit të gjuhës dhe të vetëdijes, vlerësohet të jetë mes 150 mijë deri në 200 mijë. Derisa arvanitët e moshuar ende flasin gjuhën amtare, te të rinjtë dominon tendenca e njëgjuhësisë, domethënë ata flasin vetëm greqisht. Asimilimi gjuhësor i arvanitëve është intensifikuar sidomos me urbanizimin e Greqisë. Në qytete ata i janë përshtatur shumicës greke.
Grupin e dytë të shqipfolësve në Greqi e përbëjnë banorët e disa lokaliteteve në zonën kufitare greko-bullgaro-turke. Clewing shkruan se këta shqiptarë janë pjesë e mbetur pas shkëmbimit të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë në vitet 1922/23, pra në prag dhe pas Marrëveshjes së Lausanne-s. Në grupin e tretë të shqipfolësve në Greqi hyjnë çamët (greqisht: tsamides), të cilët jetojnë në veri të Epirit, në kufi me Shqipërinë.
Tirana pasive
Në një artikull për shqiptarët e Greqisë profesori Clewing shkruan: “Ndryshe nga dy grupet e tjera çamët historikisht dhe gjuhësisht janë pjesë e hapësirës së përbashkët gjuhësore shqiptare dhe kanë pasur përkatësisht kanë vetëdije etnike shqiptare. Gjuhën e tyre ata e quajnë si në Shqipëri, pra shqipja. Kur pas përcaktimit të kufijve në vitin 1913 u krijua një pakicë (shqiptare, v.j.) gjysma myslimane dhe gjysma e krishterë ortodokse, pjesa myslimane zyrtarisht u përjashtua nga shkëmbimi i popullsisë mes Greqisë dhe Turqisë, por për hir të së vërtetës pakica myslimane u diskriminua. Si pasojë e gjoja bashkëpunimit me trupat pushtuese italiane përkatësisht gjermane dhe me administratën civile shqiptare të instaluar prej tyre në Luftën e Dytë Botërore shqiptarët myslimanë të mbetur atje, rreth 20 mijë, në vitin 1944 u dëbuan kolektivisht në Shqipëri nga ana e trupave greke. Çamët e krishterë dhe të mbetur sipas interpretimit grek nuk ekzistojnë. Ata janë hulumtuar pak, por duket që ende kanë një vetëdije të veçantë dhe gjuhën e tyre dhe i nënshtrohen presionit të dukshëm zyrtar. Por, ata nuk artikulohen publikisht. Në përgjithësi shteti grek nuk i ka stimuluar grupet shqipfolëse të popullsisë ose e ka pranuar vetëm veçorinë e tyre kulturore. Në disa vendbanime myslimane çame në vitet 1936-39 me gjysmë zemre u bënë përpjekje për të ofruar mësim më gjuhën amtare. Deri në sot Greqia me politikën e saj të gabuar ndaj pakicave nuk ndikon në mirëkuptimin ndërkufitar në Evropën Juglindore”.
Për Greqinë zyrtare çështja çame nuk ekziston. Në nëntor të vitit 2005 presidenti grek Karolos Papoulias kishte anuluar takimin e tij me kryetarin e Shqipërisë Alfred Moisiu, i cili ishte paraparë të mbahej në një hotel në Sarandë. Shkas për këtë veprim kishte qenë paralajmërimi i një proteste nga ana e komunitetit çam. Ata kërkonin që çamëve t’u kompensohej prona e konfiskuar nga shteti grek gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe t’u kthehej shtetësia greke. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri politika shqiptare ka qenë e rezervuar sa i përket aktualizimit të çështjes çame. Ky pasivitet është lehtë i shpjegueshëm: Në Greqi punojnë mbi gjysmë milioni shqiptarë, të cilët mbajnë familjet e tyre në Shqipëri dhe janë një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë ende të dobët shqiptare. Po ashtu nuk duhet të nënçmohet ndikimi i Greqisë në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto i kanë shtyrë qeveritë shqiptare të jenë të kujdesshme në këtë çështje.
Napoleoni muhamedan
Gjatë verës vizita në Janinë është më së miri të fillohet në orën 07:00 të mëngjesit. Fresku i mëngjesit, aroma e luleve dhe shkëlqimi i rrugëve të shtruara me kalldrëm tërheqin vëmendjen e çdo këmbësori. Nga çdo kënd i qendrës së qytetit bie në sy një ndërtesë: Xhamia e Asllan Pashës, e cila u ndërtua në vitin 1618/19. Kafeteritë e Janinës hapin portat herët në mëngjes. Jo pak turistë nga Italia, të cilët zbarkojnë në portin e Gumenicës dhe vazhdojnë rrugëtimin kodrave të Pindit, ndalen në Janinë, sidomos për motoçiklistët ky qytet është adresa e parë. Rrugët gjarpërore në rrethinën e Janinës, natyra e bukur, malet dhe liqenet malore e bëjnë këtë rajon tërheqës për motoçiklistët. Treva e Janinës është e njohur për prodhimin e duhanit, drithërave dhe rrushit. Vetë qyteti është i përmendur për punimet artizanale prej argjendi. I njohur është edhe mermeri i Janinës, në rrethinën e së cilës janë hapur disa gurore.
Sipas një legjende Janinën e kishte themeluar në fillim të shekullit të VI-të Perandori bizantin Justiniani. Në shekullin e XIII-të, pas një zhvillimi të hovshëm si nyje tregtare, Janina u bë kryeqytet i despotatit të Epirit. Mes viteve 1430 dhe 1913 Janina i takoi Perandorisë Osmane. Por, periudhën e saj të lulëzimit ekonomik dhe ndikimit politik ky qytet e përjetoi në vitet 1788-1822, kur ishte rezidencë e Ali Pashë Tepelenës, i cili sundonte faktikisht i pavarur nga Porta e Lartë. Nga kështjella e tij Litharica Ali Pasha bashkoi shqiptarë e grekë në luftë për mëvetësi. Ai ishte zot i pashallëkut të Janinës, i cili fillonte në Durrës e mbaronte në Korinth. Ky territor me 60 mijë kilometra katrorë kishte mbi 1,5 milionë banorë. Titullin e Pashës ai e kishte marrë nga Sulltani për shkak të meritave në luftë kundër Rusisë dhe Austrisë. Por, raportet mes Ali Pashës dhe Perandorisë Osmane shpejt u ashpërsuan për shkak se Pasha i Janinës u angazhua për pavarësinë e viseve të sunduara prej tij.
Një kuti duhani
Ndonëse në literaturën greke ai shpesh përshkruhet me epitete fyese si dhunues, i paskrupullt, i etur për gjak, prapëseprapë pranohet se atij i takon merita kryesore për çlirimin e Greqisë nga sundimi osman. Ushtria e tij në vitin 1815 numëronte rreth 100 mijë ushtarë. Për shkak të rezistencës së tij kundër pushtuesve osmanë Ali Pashë Tepelena u bë i njohur në gjithë Evropën. Nami i tij gjeti vend në shumë vepra artistike. Ai përmendet në veprën letrare të poetit anglez Lord Byron, i cili kishte qëndruar në oborrin e Ali Pashës në Janinë. Në librin “Konti i Monte Kristos” të autorit francez Alexandre Dumas përmenden Ali Pasha dhe rrethimi i Janinës nga trupat turke. Figura e Ali Pashës është përjetësuar edhe në operën njëaktëshe “Ali Pascha von Janina” të kompozitorit, libretistit, aktorit, këngëtarit dhe dirigjentit gjerman Gustav Albert Lortzing (1801-1851). Në letërsinë shqipe romani më i njohur për Ali Pashën është shkruar nga autori Sabri Godo. Gjatë sundimit të tij Ali Pashë Tepelena në literaturën dhe në debatet e kohës u quajt “luan epirot”, “vezir i Janinës”, “Napoleon muhamedan”, “Solomoni shqiptar”, “Aliu me shtatë zemra” etj. Në vitin 2000 shkrimtarja holandeze Tessa de Loo ka botuar një udhëpërshkrim, pasi ajo kishte ecur gjurmëve të Lordit Byron nga Greqia në Tepelenë. Libri është përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe mban titullin “Miq tek Ali Pasha”. Në rezidencën e Aliut hynin e dilnin konsuj, gjeneralë dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme nga Evropa. Vetë Napoleon Bonaparti i dërgoi atij si dhuratë një kuti duhani me pikturën e tij.
“Bajame e sherbet”
Lidhur me marrëdhëniet mes Ali Pashës dhe Lordit Byron ka disa supozime, të cilat flasin se të dy ishin në mos homoseksualë, atëherë biseksualë. Në një letër dërguar nënës së tij vetë Byroni lë për të kuptuar se raporti i tij me Aliun mund të ketë qenë edhe intim. Ai shkruan: “Të nesërmen më shpunë tek Ali Pasha. (…) Veziri më priti në një odë të madhe të shtruar me mermer; një shatërvan vrijonte ujët në mes të saj, oda e shtruar rreth e rrotull me otomane të kuqërremtë. Më priti në këmbë, shenjë e një nderimi të madh nga një mysliman dhe më vuri të rri në shesh në krah të djathtë të tij. (…) Më tha se qe i bindur se isha prej oxhaku se kisha veshë të vegjël, flokë kaçurrela dhe duar të vogla të bardha, dhe u duk shumë-shumë i kënaqur nga pamja dhe paraqitja ime. Më tha ta kisha si baba sa të qëndroja në Turqi dhe se ai më quante si birin e tij. Dhe me të vërtetë më trajtoi si një foshnjë, më dërgonte bajame e sherbet, pemë e ëmbëlsira nga njëzet herë në ditë. M’u lut ta vizitoja dendur edhe natën kur kishte nge”. Byroni e përshkruan Ali Pashën me dashuri të madhe: “Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekrën të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më duket se është veti e të gjithë turqve. Por karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mirë sa e quajnë Bonoparti muhamedan”.
Koka në Stamboll
Rebelimi i Ali Pashë Tepelenës e zemëroi Sulltan Mahmutin e II-të. Në tetor të vitit 1820 para portave të Janinës u shfaq ushtria osmane, e cila kishte vendosur ta shfaroste luanin e barrikaduar në kështjellën e tij. Aliu u mbrojt për dy vjet radhazi prej sulmeve osmane, muret e kalasë së tij u bënë ballë gjyleve dhe topave. Por, në fund ai u dorëzua, sepse e hëngri një rrenë. Pas premtimit të Hurshit Pashës se do të falej, Aliu shkoi në një shtëpi në ishullin e liqenit të Janinës, në Shën Pandalejmon, për t’u takuar me një delegacion osman; kjo shtëpi mund të vizitohet edhe sot me anijet që bartin turistët nëpër liqenin e Janinës. Në vend të faljes Aliut ia prenë kokën më 22 janar 1822 dhe Hurshit Pasha u ngut që atë ta dërgojë në Stamboll për t’ia prezantuar Sulltan Mahmutit të II-të si dëshmi se “luani i Janinës” ishte vrarë. Këtë skenë e ka përjetësuar në një litografi piktori austriak Johann Nepomuk Geiger, i cili në shekullin e XIX-të ishte bërë i njohur në Evropë sidomos me vizatime të skenave erotike. Në Shën Pandalejmon bashkë me Aliun u vranë edhe dy djemtë e tij, ndërsa gruaja e tij greke Vasilika (Vasiliqia) u burgos dhe vdiq në vitin 1835.
Afera e Frosinës
Në literaturën greke dhe atë filohelene të Evropës Perëndimore pranohet roli i Ali Pashës për çlirimin e Greqisë ose së paku për zgjimin e ndjenjës kombëtare greke kundër pushtimit osman. Por, nga ana tjetër, Pasha i Janinës përshkruhet si njeri mizor, maniak seksual, i pamëshirshëm etj. Si shembull për mizorinë e tij përmendet rasti i Frosinës, një gruaje greke, e cila, ndonëse e martuar, mbante lidhje intime me të birin e Aliut, Miftarin. Në vitin 1801 Aliu kishte marrë vesh për këtë aferë dhe kishte urdhëruar që Frosina të mbytej me 17 gra të tjera. Kështu edhe u veprua, ushtarët e Ali Pashës i futën këto zonja në thasë dhe i hodhën në liqenin e Janinës. Derisa adhuruesit e Ali Pashës mendojnë se ai vetëm e kishte dënuar një grua që kishte shkelur kurorën, në baladat greke Frosina këndohet si heroinë kombëtare, kurse Kisha Ortodokse e ka shpallur martire të krishterë. Në folklorin grek Frosina edhe sot është një ndër figurat qendrore. Studiuesja amerikane Katherine E. Flemming, e cila është autore e librit „Bonaparti mysliman. Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës“, shkruan se historia e mbytjes së Frosinës kishte shërbyer nga shkrimtarët dhe historianët e kohës për të ushqyer paragjykimet tradicionale kundër pamjes dhe traditës orientaliste. Skena e fundosjes së Frosinës dhe shoqeve të saj në liqenin e Janinës është e prezentuar në shumë panorama, të cilat turistët mund t’i blejnë nëpër dyqanet e shumta të qytetit. Pothuaj nuk ka banor të Janinës që nuk e di historinë e Ali Pashës, tregimet për trimërinë e tij, përrallat, këngët dhe legjendat janë bartur nga gjenerata në gjeneratë. Në xhaminë e Asllan Pashës, e cila është shndërruar në muze, gjendet një portret i Ali Pashës.
Autostrada Egnatia
Për të gjithë kureshtarët: të shkosh në Janinë tani është lehtë. Pas shumë vitesh ndërtimi sivjet është lëshuar në përdorim autostrada që lidhë Gumenicën me Selanikun dhe vazhdon tutje deri në Kipi të prefekturës së Evrosit, në kufi me Turqinë. Duke iu referuar rrugës antike Via Egnatia autostrada e gjatë 670 kilometra ka marrë emrin Egnatia Odos. Është një projekt madhështor, me 350 hyrje/dalje, me 1650 ura me gjatësi të përgjithshme prej afër 40 kilometrave, me 76 tunele, me 43 mbikalime lumenjsh dhe me 11 mbikalime hekurudhash. Gjithë projekti ka kushtuar gati 6 miliardë euro; gjysmën e kësaj shume e ka mbuluar Bashkimi Evropian. Para ndërtimit të autostradës udhëtimi me veturë nga Janina në Selanik zgjaste 5 deri në 6 orë. Tani nga rezidenca e Ali Pashës deri në Selanik udhëtimi nuk zgjat më shumë se tri orë. Rruga nga Selaniku në Prishtinë mund të kalohet për 4 orë.
Gjurmë dhe simbole shqiptare në Greqi
1. “Gjinia e helenëve”
Në Greqi edhe sot është vështirë të debatosh pa emocione me banorët vendas për Jakob Philipp Fallmerayer-in. Orientalisti dhe publicisti austriak (1790-1861) u bë i njohur në shekullin e XIX-të përmes studimeve të tij etnografike dhe gjeografike. Ai është autor i tezës se grekët antikë janë zhdukur nga faqja e dheut në Mesjetë dhe vendin e tyre e kanë populluar sllavët dhe shqiptarët e helenizuar. Për shkak të këtij mendimi ai ishte ndër figurat më të urryera nga filohelenët në Evropë dhe nga patriotët grekë. Në Gjermaninë e asaj kohe Fallmerayer akuzohej se bënte propagandë pansllaviste, edhe pse ai ishte kundërshtar i carit rus, të cilin e akuzonte se synonte sundimin e botës. Në veprën e tij „Historia e siujdhesës së Moresë gjatë Mesjetës“ („Geschichte der Halbinsel Morea während des Mittelalters“) Fallmerayer arrin në përfundimin se etnia unike helene ka ekzistuar në Greqinë antike, por me kalimin e shekujve është shuar. Këtë pikëpamje ai e mbështet në bazë të toponimeve sllave dhe shqiptare. Fallmerayer shkruan se „gjinia e helenëve në Evropë është shfarosur… Asnjë pikë e vetme e gjakut fisnik dhe të papërzier helen nuk rrjedh në damarët e popullsisë krishtere të Greqisë së sotme“. Përkthimi dhe botimi i veprës së tij në greqisht u bë i mundur tek në vitet 1980-të. Pas akuzave të shumta Fallmerayer shkroi librin „Fragmente nga Orienti” (“Fragmente aus dem Orient”), në të cilin thekson se grekët e Azisë së Vogël ndoshta mund t’i referohen një kontinuiteti historik me Greqinë para Mesjetës. Njëkohësisht ai shprehte zhgënjimin se nuk kishte takuar asnjë grek në Azinë e Vogël, i cili i përgjigjej përfytyrimit të tij ideal të një greku të arsimuar. Teza e Fallmerayer-it është mbuluar nga pluhuri dhe nuk përfaqësohet më në universitetet e Evropës.
2. Korfuzi
Sot ky ishull grek është sinonim i turizmit dhe jetës mondane. Dikur, në shekullin e XIX-të, në këtë vend u botua Dhjata e Re në gjuhën shqipe. Në vitin 1824 u publikua vetëm një pjesë e Dhjatës (në dialektin lab), ndërsa si e tërë ajo pa dritën më 1827. Përkthyes i saj ishte Vangjel Meksi. Ai u lind rreth vitit 1770 dhe shërbeu në ushtrinë e Ali Pashës si oficer artilerie. Meksi kishte kryer gjimnazin “Zosimea” në Janinë dhe Ali Pasha e dërgoi atë për të studiuar mjekësinë në Napoli të Italisë. Në një letër rekomanduese veziri i Janinës i shkruante mbretit Ferdinandit të I-rë Burbon: “Po ju dërgoj Vangjel Meksin, shqiptarin, për të mësuar atje. I lutem Madhërisë Suaj të keni mirësinë, që t’i jepni mbrojtjen tuaj mbretërore, në mënyrë që të gëzojë ato kushte dhe lehtësi, të cilat të çojnë në mësimin e këtyre shkencave”. Disa muaj më vonë Aliu sërish interesohet për fatin e studentit shqiptar dhe i shkruan si vijon Mbretit të Napolit: “Ju dërgoj falënderimet më të shquara për gjithçka i është dhënë Vangjel Meksit, i cili shpresoj se do të përfitojë nga kushtet, që i janë krijuar me bujari nga Sovrani dhe, kur të kthehet në atdhe me vlerësimin për sjelljen e mirë dhe përvetësimin e dijeve, të ngrejë lart emrin e Mbretit të lavdishëm”. Pasi studimeve Vangjel Meksi u kthye në oborrin e Ali Pashës, ku shërbeu si mjek. Në vitin 1819, pas takimeve me përfaqësues të Shoqatës Ungjillore angleze në Stamboll dhe Selanik, ai nënshkroi kontratën për përkthimin e Dhjatës së Re në gjuhën shqipe. Mbikëqyrës i përkthimi ishte Grigor Gjirokastriti, i cili në vitin 1821 ishte peshkop i ishullit të Eubesë, ndërsa gjashtë vjet më vonë kryepeshkop i Athinës.
3. Janina
Ky qytet në historinë shqiptare është i njohur jo vetëm për shkak të Ali Pashë Tepelenës. Këtu në vitin 1809 kapedani i njohur nga fshatrat suljote Marko Boçari përgatiti fjalorin greqishte e re – shqip. Këtë vepër ai e shkroi edhe me kërkesë të konsullit francez në Janinë, François Pouqueville (Fransua Pukëvil). Fjalori përbëhet nga 111 faqe, 1494 fjalë shqipe dhe 1701 fjalë greke. Origjinali i këtij fjalori gjendet sot në Bibliotekën Kombëtare të Parisit dhe u dhurua në maj të vitit 1819 nga konsulli Pouqueville. Duke studiuar fjalorin e Marko Boçarit, Pouqueville hartoi një fjalor të vogël frëngjisht-shqip, me rreth 440 fjalë dhe origjinali i këtij fjalori gjendet në Paris.
4. Papa Kristo Negovani
Në autostradën Janinë-Selanik, lart në veri të Greqisë, një tabelë tregon rrugën për Florina. Shqiptarët e quajnë Follorina, në maqedonisht njihet si Lerin. Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane Follorina mbante lidhja të ngushta me Manastirin. Në vitin 1875 afër Follorinës, në fshatin Negovan, u lind Papa Kristo Negovani, i cili u bë i njohur edhe me emrin Kristo Harallambi. Pasi ndoqi shkollimin në Athinë, punoi mësues në një shkollë greke në Leskovik. Një kohë jetoi në Rumani, ku mësoi të shkruajë shqip (me alfabetin e Stambollit). Pasi u kthye në fshatin e lindjes, u shugurua prift dhe vazhdoi punën si mësues i gjuhës shqipe. Kur filloi të mbante edhe meshën në gjuhën shqipe, ai u ballafaqua me urrejtjen e hierarkisë fetare ortodokse dhe të qarqeve nacionaliste greke. Peshkopi i Kosturit pas një shërbese kishtare në shqip i kishte thënë: “Mos të gjettë viti tjetër ndër të gjallët”. Dy ditë më vonë, më 12 shkurt 1905, Papa Kristo Negovani u masakrua me sëpatë. Për të marrë hak pas një viti e gjysmë luftëtari shqiptar Bajo Topulli e vrau peshkopin e Korçës, Fotis Kallpidhis.
5. Suli
Me këtë toponim përfshihen fshatrat shqiptare në jugperëndim të Janinës. Banorët e kësaj treve janë të famshëm si luftëtarë të paepur. Ndër më të njohurat gjatë periudhës së Perandorisë Osmane kanë qenë familjet Boçari dhe Xhavella. Fshatrat e Sulit kundërshtonin sundimin e Ali Pashës dhe kur ky i fundit me ushtarët e tij në dimrin e vitit 1803 depërtoi thellë në territorin e suljotëve, shumë gra suljote u hodhën në greminë bashkë me fëmijët e tyre vetëm e vetëm që të mos binin në duar të Aliut. Ky akt është përjetësuar edhe në pikturë. Në historiografinë greke suljotët konsiderohen si grekë, ndonëse literatura serioze ata i sheh si shqiptarë etnikë. Emrat e luftëtarëve të njohur si Marko Boçari dhe Kiço Xhavella janë greqizuar (Markos Botsaris dhe Kitsos Tzavellas). Që të dy kanë marrë pjesë në çlirimin e Greqisë nga osmanët. Lidhur me suljotët udhëtari anglez Thomas Smart Hughes në veprën “Voyage á Janina en Albanie” shkruante (sipas përkthimit nga Eqrem Çabej): “Ky popull kishte vetia të shquara luftarake dhe edukata e tij përmblidhej kurdoherë në stërvitje për luftë. Dëfrimet më të para të suljotëvet ishin vallja e këngët. E para u shtonte fuqinë e trupit, të dytat u ndiznin zemrën dhe ua ushqenin entusiazmin. Ata ishin fort të ngjitur te vendi i tyre… Shumë prej tyre kanë dhënë shembëlla të mëdha qëndrimi heroik dhe fjalët që mbanin në luftë kishin frymën e zjarrin e atyre të vjetrave. Gratë nuk binin pas nga burrat për trimëri dhe ishin gati të ndanin me ta të gjithë rreziqet e luftës. Mënga grash trimëresha shkonin rregullisht pas ushtarëvet për t’u sjellë këtyre ushqimin dhe municionin, për të shikuar të plagosurit dhe, në rasë nevoje, për të luftuar krahas me prindërit, me burrat e me bijtë e tyre. Nga këto amazone më e ndjera ka qenë Moskoja, e shoqja e kapedan Xhavellës dhe e ëma e trimit Foto, Hektorit të kësaj troje të dytë. Emri i saj lavdohet edhe sot nëpër këngë greke dhe shqiptare… Për t’i nderuar burrat në trimëri, gratë rrinin me radhë në pus a në krua sipas trimërisë së burrave të tyre; ajo që kish pasur fatin e lig të martohet me ndonjë burrë frikacak, ishte e detyruar të presë me turp që t’i mbushin të tjerat shtambat e tyre. Gratë ishin shumë të nderuara në këtë republikë të vogël dhe pak burra mund të duronin qortimet që u bënin gratë e zemëruara, kur tregoheshin frikacakë”.
Një udhëtim veror nëpër rërë dhe histori