S’ka më karota, vetëm dajak!

10 Shkurt 2011, 20:36Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

Prishtina zyrtare më nuk përballet me kushtin e njohur të intermediatorëve ndërkombëtarë “merre ose lëre!”, por vetëm me postulatin “merre!”, pra nga BE-ja nuk ka më karota, por vetëm dajak! Agjenda e qeverisjes së Kosovës nuk është e gatshme si një manual, por ajo shprehet përmes deklarimeve të Pieter Feithit dhe ambasadorëve të Quintit në Prishtinë, si edhe nga zyrtarë të BE-së. Kjo agjendë nis me krijimin e një Qeverie kredibile e me duar të pastra, vendosjen e shtetit të së drejtës, pra edhe hetim të paanshëm për të gjithë “peshqit e mëdhenj” të politikës kosovare, pastaj mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe shtypit të lirë, si edhe rishikimin e politikave fiskale, posaçërisht në kontekstin e rritjes së pagave për shërbimet publike.

Alfa dhe Omega e zbatimit të kësaj agjende padyshim se është krijimi i një Qeverie të duarve të pastra, minimaliste, e cila, duhet ta rikthejë imazhin e mirë të demokracisë së re kosovare, që është rrezikuar ndjeshëm dhe ta çojë vendin në zgjedhjet të parakohshme, vërtet të lira e të ndershme për një vit.

Mandatari i Qeverisë së re, sipas rezultatit të zgjedhjeve famëkeqe të 12 dhjetorit, Hashim Thaçi, ndonëse ende pa u mbyllur procesi i komprometuar zgjedhor ishte optimist se të gjithë do të vraponin t’i hidheshin në përqafim, ai së fundi ka telashe të mëdha për ta ndërtuar një koalicion të qëndrueshëm qeverisës. Atij, LDK-ja dhe lëvizja Vetëvendosje “ia kanë bërë bllok”, ndërsa AAK-ja kërkon “kthimin e tij në shtëpi”. Tashti i mbetet vetëm AKR-ja dhe komunitetet pakicë. Çfarë mund të bëjë Thaçi me këtë format qeveritar dhe sa mund t’i zgjasë “sundimi”?

Ai përpara ka agjendën e integrimeve, por për këtë proces kërkohen standarde, të cilat, në rrethanat aktuale, mund ta qesin nga loja edhe vetë Thaçin.

Në këtë situatë, kur lidershipi kosovar po bombardohet nga ajri dhe toka (mekanizmat e ndryshëm evropianë dhe botërorë, si edhe media më e fuqishme ndërkombëtare, e shkruar dhe elektronike), tërë shoqëria kosovare, me apo pa Thaçin në pushtet, duhet të angazhohet që t’i riparojë dëmet e shkaktuara nga “djemtë e këqij” brenda dhe nga “komplotistë” të të gjitha ngjyrave dhe formateve përjashta. Shoqëria kosovare dhe forcat politike opozitare, duhet ta ndihmojnë këtë Qeveri (e çfarëdo formati qoftë), përmes alternativave, qortimit, madje edhe manifestimit në rrugë, për të mos e lejuar të gabojë, sepse të gjitha qeveritë e pasluftës nuk kanë mësuar nga gabimet. Zbatimi i agjendës së Brukselit në Prishtinë është interes madhor kombëtar për kosovarët.

E mira, ndoshta ndër të paktat të mira që ka kjo shoqëri, është pikërisht uniteti i faktorit politik kosovar, kur është fjala te fati i shtetit. Pra, në këso situate, në asnjë periudhë nuk janë shfaqur rivalitete dhe kundërshti mes pushtetit dhe opozitës.

Kur është fjala te mbrojtja e shtetit nga gërryerja e brendshme (dështimi) ekziston një konsensus i plotë.

Nëse Qeveria e drejtuar nga PDK-ja i merr seriozisht gajlet e shtetit dhe kërkon jo një koalicion numrash, por partner të fuqishëm me tërë shoqërinë kosovare, me shoqërinë civile dhe me mediat e lira, për t’i bërë detyrat e shtëpisë për notë kaluese, atëherë, në vitin katërt të pavarësisë, shteti do të nisë të ecë vetë, besohet, pa protektorë dhe pa misione ndërkombëtare.

Detyra nr.1: Padyshim është ndërtimi i institucioneve qeverisëse në afat optimal dhe natyrisht “me duar të pastra”, që duket të jetë kryeagjenda e Brukselit dhe e SHBA-së karshi Prishtinës zyrtare.

Detyra nr. 2: Si të dilet nga qorrsokaku i rritjes së papërgjegjshme të pagave, hap ky i kontestuar nga FMN-ja dhe BE-ja. Në këso situate, kritikat ndaj Thaçit, të stilit “pse e bëre, e kemi ditur që s’ia del dot” nuk sjellin rezultate pos që bëhen për mujshi.

Pra, Qeveria e re dhe Kuvendi duhet ta diskutojnë një strategji dalëse, duke gjetur mënyra që pagat të mos zbriten, por jo duke mbajtur karshillëk ndaj FMN-së dhe BE-së, jo duke rritur TVSH-në, që do t’i dërmonte bizneset private, por duke aplikuar alternativa fiskale, si edhe me rimëkëmbje dhe rritje ekonomike.

Detyra nr.3: Bisedimet me Beogradin.

Ato do të nisin nga temat e lehta, që cilësohen si teknike, për të pagjeturit e luftës, energjetikën, regjistrimin e popullsisë, për çka duhet një marrëveshje ndërshtetërore, sepse nuk mund të ketë regjistrim të pjesshëm të popullsisë, bashkëpunimi policor për kontrollimin e kufijve rreth trafikimeve ilegale dhe terrorizmit ndërkombëtar, që Serbia e ka ndër kushtet themelore për ta marrë statusin e vendit kandidat në BE, e pastaj bisedimet do të kenë edhe pika të nxehta si targat unike kosovare, komanda unike policore etj. Natyrisht një ndër çështjet e mëdha politike do të jetë në tavolinë edhe çështja e pjesës veriore të Kosovës, e cila do të varet shumë nga agjenda ndërkombëtare si dhe agjendat integruese të të dyja shteteve respektive, Serbisë dhe Kosovës.

Duke pasur parasysh atë që thotë Ernest Gelner, se fuqia dhe prestigji i një kombi varen nga përqindjet e rritjes ekonomike, e jo nga madhësia e hartës që arrin ta lyejë me ngjyrën e vet, pala kosovare duhet të lëvizë në drejtimin e duhur.

Në këtë kontekst duhet ta ketë të gatshme një ofertë joterritoriale, por administrative dhe ekonomike për këto bisedime, e që duhet të ishte krijimi i “zonave të lira” të formatit të Strasborgut mes Gjermanisë dhe Francës. P.sh. Strasbourgët mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë Mitrovica dhe Presheva. Në këtë aspekt, lidershipi kosovar duhet të investojë në deterritorializimin e nacionalizmit, sepse kjo logjikë anon kah bosnizimi i vendit, pra nga ndarja etnike.

Në këtë kontekst vetë Rezoluta e paradokohshme e Parlamentit Europian për Serbinë dëshmon se në këtë agjendë, dy shtetet respektive e kanë si detyrim ta ndihmojnë, së paku të mos e pengojnë njëra-tjetrën, si dy shtete fqinje.

Rezoluta e PE-së që iu dedikua Serbisë, i dha një bonus edhe Kosovës, sepse serbët kosovarë po e hetojnë fuqishëm se Beogradi zyrtar po i përdor vetëm si instrumente të pazareve politike, për ardhje në pushtet mbi fatkeqësinë e tyre dhe mbajtjen e tij, ose mbijetesën e pushtetarëve vetëm në rrethana konflikti me shqiptarët.

Beogradit i sqarohet pozicioni i BE-së se kthim prapa nuk ka. As negociata statusore, as ndarje territoriale.

Implementimi i kësaj rezolute nga ana e Serbisë, e në interesin shtetëror të saj, direkt ndikon edhe në ndreqjen e imazhit të Kosovës, që e ka damkosur raporti i Dick Martyt, i cili mund të harrohet shpejt, nëse vepron drejtësia e paanshme ndërkombëtare.

Që këtu del edhe detyra nr. 4 për Kosovën, ballafaqimi me hetimin gjithëpërfshirës dhe të paanshëm të dyshimeve që dalin nga raporti i Dick Martyt, tashmë të votuara si rezolutë nga KE-ja.

Tek pasi të bëhen detyrat e shtëpisë, Kosova do ta ketë luksin t’i rrisë pagat krye në vete dhe ta njohë Sudanin Jugor.

Lini një Përgjigje