Litari përjashta i vetdeklarimit etnik

15 Shkurt 2011, 19:00Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Boomerang artificial!

Sikur të mos mjaftonte anormaliteti demokratik, ekonomia e trazuar e kacafytja politike absurde mes vetes, tranzicioni shqiptar po rëndohet artificialisht prej lëshimeve qeveritare ndaj trysnisë për të realizuar projekte që cenojnë perspektivën e rendin kushtetues në vënd sikurse së fundi procesi i vetëdeklarimit etnik e fetar.

Ndonëse në kontekstin shqiptar, voluntarizmi e bën kaotik e irreal procesin e përfundimet e tij, të befason zelli i qeverisë që bën ‘balet’ në terrenin delikat të çështjes kombëtare duke sponsorizuar një pyetje të “pafajshme” që mund të provokojë boomerang artificial me spekulime afatgjata me multietnicitetin fals me sherrin jo më mes vetes por me të tretë e komunitetin ndërkombëtar. Përditësimi i hartës etnike është rutinë pa komplekse në perëndimin e çliruar prej nacionalizmit por ky nuk është rasti ballkanik. Tek ne minoritarët janë parë si urë lidhjeje dhe nuk janë diskriminuar përveçse pozitivisht deri me prona sipas 7501 gjë që nuk ka paralelizëm me pronësinë matanë kufirit.

Irealizëm dhe provokim!

Mentalitetet ekstremiste e fantazma si “Vorioepiri” kompromentojnë objektivitetin e sinqeritetin e të interesuarve për vetëdeklarim etnik, veçanërisht minoriteti grek, që ndryshe nga arvanitasit që nuk i mbijetuan “demokracisë” greke, jo vetëm i mbijetoi socializmit “më të egër” por dhe u akomodua prej tij pa dallim prej shoqërisë shqiptare, pavarësisht precedentit arvanitas e fatit të komunitetit çam që u martirizua e anatemua nga shteti matanë, mëkat e makth që shoqëria moderne greke e mban ende në ndërgjegje.

Vetëdeklarimi implikon përtej një të drejte për të konfirmuar identitet. Presioni matanë kufirit për vetëdeklarim imediat nuk lë vënd për optimizëm rreth interpretimit të rezultateve pavarësisht objektivitetit. Ai mund të jetë jo realist sepse, për arsye të kuptueshme, syresh të vetëdeklaruar grek për pension, leje qëndrimi, punë, vizë, ndonëse shqiptarë në gen, të sikletosur nga ky deklarim, me keqardhje mund të pohojnë identitetin e ri për të ruajtur statukuonë e mos rrezikuar implikime penale e civile për deklarime false me efekte ligjore e rimbursime të favoreve të gëzuara.

Ky proces provokon gjendjen ekonomike e integritetin moral të atyre që adoptuan për mbijetesë, me zemër të lënduar, një identitet të ri e që sot qeveria e tyre i ekspozon ndaj presionit për hapjen e ‘kutisë personale të Pandorës’ ndonëse ata do të preferonin të mbeteshin diskret. Alibia për të sfumuar presionin formal apo informal ndaj tyre me arsyetimin se ata e kishin alternativën për të ruajtur identitetin(!) përveçse nëpërkëmbje dinjiteti, indirekt konfirmon emancipimin e shoqërisë shqiptare që asnjëherë nuk i vuri në dilemë zgjedhjeje minoritetet për hir të mbijetesës apo karrierës në jetë.

Ura e miqësisë kërkon dy ‘këmbë’

Drejt BE shkohet me dinjitet e reciprocitet. Ndonëse në BE, Greqia shpërfill minoritetet ndaj përfaqësuesit e minoritetit tek ne, si shtetas e parti politike, krahas sensibilizimit rreth vetëdeklarimit etnik, për të qenë konsekuentë si tribunë të të drejtave njerëzore, duhet të sensibilizojnë paralelisht Çështjen Çame, arvanitase, arbëreshe, të drejtat e shqiptarëve jashtë shtetit amë apo emigrantëve.

Është detyra e shtetit amë që të stimulojë e mbështesë patriotizmin e bashkëkombasve matanë për t’u ndjerë krenar për identitetin e tyre, pavarësisht komplekseve e implikimeve, duke lartësuar imazhin e vendit me stabilizimin e demokracisë e shtetit ligjor, seriozitetin me partnerët ndërkombëtar e një marketing efikas rreth vlerave të një kombi vazhdues i qytetërimit pellazg.

Etnia nuk zgjidhet sepse gjaku nuk zhbëhet

Nëse “grek nuk bëhesh por lind”, çfarë vlere ka deklarimi si i tillë përmes konvertimit përveçse synon jo thjesht rritjen e prezencës së faktorit grek të ‘natyralizuar’ por disbalancimin e homogjenitetit shqiptar? Ndërsa është normale për një shtet demokratik të trajtojë sipas konventave ndërkombëtare minoritetet reale, është e papranueshme të provokohet politikisht, financiarisht, administrativisht e ligjërisht me pseudominoritete “romantike” apo “pragmatike” që “licencohen” në absurd.

Etnia nuk zgjidhet sepse gjaku nuk zhbëhet. Trajtimi si hobi apo preferencë stili jetese bazuar në fjalë në erë zhvlerëson solemnitetin e etnicitetit ndaj vetëm gjeneza e faktet objektive nuk lënë vend për dilemë. Vetëdeklarimi etnik “poetik” apo pragmatik fut të gjithë në një “shportë” e krijon pretendime “surrogatësh” në kurriz të interesave legjitime të minoritetit real me faturë ekonomike, sociale e zhgënjime eventuale.

Momenti i përzgjedhur!

Vrulli i qeverisë për vetëdeklarim, për “rastësi” gjatë pashkëve ortodokse e zgjedhjeve të radhës me pritshmëri të pranisë të emigrantëve nga Greqia, që në rastin më të mirë synon zhvendosjen e vëmendjes prej krizës politike, provokon boomerang për interesat kombëtare, cenon harmoninë me komunitetet etnike reale e krijon konfuzion mes vetë minoritetit. Përveçse jo ‘kusht’ për BE, ai mbetet inferior në hierarkinë e prioriteteve që lidhen me respektimin e pronës, afirmimin e shtetit të së drejtës, besimi tek vota apo lufta kundër korrupsionit.

Kjo ngutje bëhet më absurde kur kemi humbur kaq kohë në sensibilizimin e çështjes çame, stimulimin e identitetit arvanitas e integrimin dinjitoz të emigrantëve. Këto janë sfidat e qeverisë ndaj fqinjit jugor ndërkohë që me lëshimet e njëpasnjëshme me kulmim marrëveshjen e ujërave apo paktet e fshehta të varreve, nuk lënë vend për optimizëm.

Që litari të mos lihet jashtë!

Nëse vetëdeklarimi lançohet, zgjidhja nuk është bojkoti sepse minoritarët, në të drejtën e tyre, e ‘surrogatot’ që “pagëzohen” me identitet të ri nën presionin e verifikimit eventual, do të marrin pjesë e llogariten përkundrejt totalit duke “legjitimuar” kuotën përkatëse demografike e hapur rrugën për abuzime.

Zgjidhje nuk është as kthimi me të njëjtën monedhë “sinqeriteti” sponsorëve e inspiruesve të procesit përmes ironizimit e zhvlerësimit të konkluzioneve pas vetëdeklarimeve masive e të qëllimshme  që përfshijnë gjithë hartën e botës – amerikan, indian, japonez etj apo “vetëdeklarimit” me qëllim të të gjithëve si “pakicë greke” që kompromenton besueshmërinë përmes krijimit të një realiteti etnik absurd të pabesueshëm nga vetë qarqet nacionaliste.

Zgjidhja parimore mbetet lobimi e presioni publik për administrim në kohën e duhur të procesit sepse minoritetet nuk ndodhen nën trysni denigrimi e mosnjohjeje, sikurse gjetiu në rajon, që ai të jetë imperativ. Minoritetet vetë duhet të jenë të interesuara për tablo sa më objektive, duke shmangur “ujërat” e implikimet që kompromentojnë interesat afatgjata. Vetëdeklarimi në këtë format duhet pezulluar deri në nivelin e duhur ekonomik, social e ligjor për të shmangur rrethanat që promovojnë subjektivitetin, pseudorealitete etnike e nxitjen e pretendimeve absurde përtej kufirit.

Nëse qeveria injoron oponencën publike e kufizohet me voluntarizmin në vetëdeklarim të pabazuar në të dhëna arkivore reale, normale në perëndimin që nuk vuan nga sindroma “ballkanike”, mbetet sfidimi ligjor për nulëzimin e rezultatit, nëse artificial, përmes denoncimit e diskretitimit të besueshmërisë nëpërmjet ballafaqimit të deklarimeve me burimet arkivore me konsekuencat legale përkatëse.

Krye-arsyeja e rokadës qeveritare

Nëse qeveria injoron interesin më të mirë të kombit, përtej karshillëkut ndaj votës së lirë e transparencës, problemeve me ekonominë e zhbërjen e buxhetit, shpërfilljen e pronës e kapitullimin para korrupsionit, konfirmimin e mediokracisë ndaj meritokracisë, zhvlerësimin e degradimin e jetës e dinjitetit njerëzor si me Gërdecin etj, përçmimi e cenimi i interesave kombëtarë është kryearsyeja e rokadës së saj.

Precedentët e Himarës, varret e ushtarëve, mosreagimi ndaj spekulimeve rreth minoriteteve, injorimi i çështjes çame, braktisja e emigrantëve, mostransparenca e marrëveshjes së ujrave, brishtësia prej prezencës në sektorë strategjikë të ekonomisë të bizneseve të caktuara e së fundi zelli për sponsorizimin e vetëdeklarimit etnik, rrezikojnë të lënë pas ‘litarin’ e pengmarrjes e kalvarit pafund të ngatërresës e sherrit artificial etnik. Kompromentimi i politikës zyrtare nuk mund të sfumohet me cinizmin e komentet rreth episodit sporadik me flamurin ndaj një opozite që kur koha e deshi, me denoncimin e marrëveshjes së ujërave, dëshmoi patriotizmin e pritshëm ndërkohë që mazhoranca u investua aq fort e u njësua aq shumë me të.

Kaq afër e larg!

Ne e Greqia jemi të lidhur nga fati e historia. Gjaku shqiptar rrjedh në dejet e shoqërisë matanë kufirit tek bashkëkombasit tanë autokton arvanitas e emigrantët ndaj të thuash popuj miq, ke thënë pak. Në harmoni e respekt reciprok, vendet tona të lashta sa historia, duhet të shndërrohen në faktorë të rajonit. Fjala magjike është reciprociteti. ‘Topi’ është tek fqinji ynë jugor që për simetri duhet të çlirojë vetveten prej tundimit arkaik nacionalist e të njohë e promovojë minoritetin arvanitas, shtrijë dorën e ndjesës e paqtimit komunitetit çam e integrojë me dinjitet emigracionin shqiptar. Abuzimi me vetëdeklarimin etnik është ‘kondrapedal’ që veç merr peng shanset e bashkëjetesës. Sfida e vetme janë komplekset e së kaluarës. Koha për t’u çliruar prej tyre.

1 komente në “Litari përjashta i vetdeklarimit etnik”

  1. mic sokoli says:

    Kur qeveria dhe deputetet mendojne vetem per veten e tyre dhe si te vjedhin sa me shume te jete e mundur, ky artikull duket sikur te jete nje pershkrim utopik. (utopia)

Comments are closed.

Lini një Përgjigje