Mbrohet demokracia, institucionet nuk kanë nevojë të mbrohen

17 Shkurt 2011, 19:50Blog TEMA

Nga Alqi Kadenasi

Ngjarjet e 21 janarit kanë nxjerrë në pah më shumë se asnjëherë më parë togfjalëshin “mbrojtje [sulm] ndaj institucioneve”. Këtë togfjalësh e përdorin sot në mënyrën më frekuente politikanët e të dy krahëve, diplomatët dhe mediatorët e huaj, që janë angazhuar dhe po angazhohen në zgjidhjen e krizës sonë politike.

Nuk ka dyshim që, kudo në botën demokratike, së pari dhe së fundi ajo që mbrohet është demokracia. Pra rendi demokratik kushtetues. Çdo deformim i tij është me pasoja të mëdha mbi vetë institucionet e vendit. Institucionet janë produkt i rendit kushtetues dhe domosdoshmërisht do të pasqyrojnë rendin. Dhe këtë mësim të madh të ndërtimit të shtetit të së drejtës ne shqiptarëve na e japin vendet mike me rend demokratik të konsoliduar prej qindra viteve.

Por, mbetet pezull një pyetje. Pse bëhet aktualisht një zhurmë kaq e madhe për gjendjen e institucioneve në vendin tonë? Ç’janë për mazhorancën institucionet, po për opozitën, po për ndërkombëtarët?

Duket qartë dhe është e padiskutueshme se për pozitën ka vetëm një institucion. Ai  institucion është qeveria. Sipas saj, aty fillon dhe mbaron mbrojtja apo deformimi i rendit kushtetues. Të “sulmosh” qeverinë sipas mazhorancës është baras të godasësh rendin kushtetues dhe demokracinë dhe domosdo në këtë rast je pjesë e puçit, je puçist. Nuk ka dyshim që në këtë rast pushteti barazohet me shtetin, pasoja paraqitet si shkak.

Gjithkush që ka një minimum formimi  juridik, mund me të drejtë të shtrojë pyetjen: A është institucion presidenti; po SHISH, po Prokuroria? A është institucion opozita, po zgjedhjet, a janë institucion në një vend të vërtetë  demokratik? Pse pozita e sotme, jo vetëm nuk i “mbron”, por përkundrazi i klasifikon ato si pjesë të grushtit të shtetit?

Nuk ka asnjë diskutim se në një vend demokratik, tërësia e institucioneve është një e tërë dhe e vetme dhe si pjesë e së tërës, çdonjëri prej institucioneve është sa i pavarur aq dhe i ndërvarur.

Praktika e derisotme po provon me fakte se shumica në qeverisje përdor dy standarde ndaj atyre që ne i quajmë institucione. Nga njëra anë mbron me çdo mjet institucionin e qeverisë deri dhe me vrasje të njerëzve të pafajshëm dhe nga ana tjetër sulmon pa asnjë skrupull  institucionet e tjera që nuk varen prej saj si Presidenca, Prokuroria e përgjithshme, SHISH etj.

Interesant është edhe një tjetër këndvështrim i respektimit të institucioneve nga ana e pozitës aktuale. Praktika e derisotme po tregon se pozita i konsideron institucionet e shtetit të së drejtës thjesht si “pronë” të saj.

Sipas këtij koncepti, ajo nuk lejon askënd të  “mbrojë apo sulmojë” institucionet. Këtë të drejtë ajo ia atribuon vetëm vetes. Pozita aktuale i jep të drejtën vetes, jo thjesht të sulmojë deri në absurd ato institucione që nuk i binden, por nuk shqetësohet aspak, bile mbështet  faktorë politikë e jopolitikë që të sulmojnë si pa të keq institucionet që manifestojnë pavarësinë e tyre kushtetuese.

Por nuk ndodh kështu me faktorët që, sipas këndvështrimit të tyre, i dalin në mbështetje institucioneve të pavarura të shtetit të së drejtës. Opozita, faktori ndërkombëtar, vetë njerëzit e thjeshtë, që shprehin mbështetjen e tyre ndaj institucioneve të pavarura, etiketohen e shigjetohen nga pozita si faktorë që cenojnë  rendin kushtetues e më tej. Thjesht, është vetëm pozita ajo që përcaktoka, janë apo nuk janë të pavarura institucione të caktuara, duhen mbrojtur apo duhen sulmuar institucionet, përkatësisht edhe cilët. Një qëndrim zemërak, konstant antidemokratik, që sa vjen e thellohet nga ana e pushtetarëve aktualë. Dhe kjo ka domosdo arsyen e saj duke na sjellë në mëndje një thënie të Blair: “Njerëzit se pari  braktisin arsyen, pastaj bëhen kokëfortë, dhe …sa më e thellë është humbja e tyre, aq më shumë ata bëhen zemërakë.”

Një qëndrim dhe vlerësim i tillë i pozitës për institucionet duket qartë se bie ndesh edhe me trajtimin aktual të krizës nga ana e ndërkombëtarëve. Gjithmonë e më qartë po dëgjojmë të artikulohen kërkesat e tyre për një demokraci funksionale, çka do të thotë se institucionet e shtetit ligjor nuk kanë nevojë për “mbrojtjen” e qeverisë, por përkundrazi të mos pengohen në realizimin e funksioneve të tyre kushtetuese.

Në një rend të vërtetë demokratik, në një shtet të së drejtës, mbrohet me çdo çmim demokracia. Institucionet nuk kanë nevojë as të mbrohen dhe as të sulmohen, ca më shumë nga qeveria.

1 komente në “Mbrohet demokracia, institucionet nuk kanë nevojë të mbrohen”

  1. dymi says:

    Shume interesant ky shkrim. Kjo duhet te jete edhe argumenti i betejes se opozites me nderkombetaret(te jemi te hapur se ne fakt ka nje beteje te tille, ne kuptimin qe opozita duhet te binde ata se Sal-iu nuk mbron institucionet, por po perpiqet qe te mos ike per here te dyte nga pushteti me turp, i koritun). Ne se ne njeren ane thua qe po mbroj institucionet dhe ne anen tjeter nuk zbaton vendimet e institucioneve te pavarura atehere cfar “burre shteti je”.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje