Për më shumë se një muaj zhvillime intensive në teatrin politik, ligjor e profesional shoqatat e ushtarakëve kanë heshtur. Kanë heshtur në mënyrë të pafalshme. Peng i heshtjes mbetën të gjitha, pa dallim arme e shërbimi. Janë afro njëzet të tilla. Çuditërisht kjo ndodh kur dihet që nuk ka shoqatë të “memecëve ushtarakë“?!
Nuk po ju kërkoj përse heshtën për zhvillimet politike, megjithëse edhe në këtë pikë kam rezervat e mia. Kam rezerva sepse nuk e përjashtoj pjesëmarrjen në zhvillimet politike. Përjashtoj nga kjo pjesëmarrje vetëm ato zhvillime politike që kanë ngjyrë partiake dhe që vijnë në kundërshtim me programet dhe statutet e shoqatave ushtarake. Nga zhvillimet e tjera politike nuk i përjashtoj. Nuk i përjashtoj veçanërisht nga ato politika që quhen “politikat ushtarake”, “politikat e sigurimit kombëtar”, “politikat ushtarako-juridike” apo “politikat ushtarako-sociale” etj. Nuk i përjashtoj sepse koncepti im për politikat ushtarake që duhet të ndjekin shoqatat e ushtarakëve dhe anëtarësia e tyre është një koncept bashkëkohor i përfaqësuesve më në zë të politikës ushtarake amerikane. Hantington dhe Sarkesian janë dy më të shquarit prej tyre. Unë tezat dhe pikëpamjet e tyre i kam asimiluar. Le t’i studiojë kush të dojë këto pikëpamje dhe teza dhe unë jam i sigurt se nuk do të guxojë kush të më thotë “pse merresh dhe na kërkon të merremi me politikë”.
Po. Do të merrem. Do të merrem me politikat që janë në interes të kombit e të shtetit tim, me politikat që garantojnë ose synojnë minimin e sigurisë së tij dhe me politikat qeveritare që diskriminojnë e nëpërkëmbin interesat e shoqatave ushtarake. Këto përbëjnë dhe interesat e mia e të komunitetit ku bëj pjesë. Nëse do të jeni kundër këtij vizioni e qëndrimi, edhe n.q.s do të jini pjesë e komunitetit ushtarak, do të jem kundër jush. Do të jem kundër jush sepse jeni kundër programeve dhe statuteve të shoqatave ushtarake. Në këto programe e statute politikat që thamë edhe pse mund të mos përmendet fjala “politikë”, përfshihet totalisht misioni dhe roli ynë politik. Për çdo politikë që nuk del nga zyrat e partive dhe që nuk shpreh interesat e tyre ngushtësisht partiake.
Edhe të mos duan të merren shoqatat e ushtarakëve me politikë, merret politika me to. Është marrë gjithmonë duke ua marrë nëpër këmbë interesat dhe të drejtat. Është marrë aq shumë sa i ka lënë në rreshtat e fundit të qytetarëve të këtij vendi. Është marrë sa ka krijuar standardin më të ulët të sjelljes politike me ta. S’e merr mundimin fare t’i presë e t’i përcjellë si grupe interesi. S’i thërret të konsultohet kur bën ligje. S’i pyet dhe i shpërfill krejtësisht kur i miraton. S’i rrit pensionet e tyre si ato të qytetarëve dhe fshatarëve të këtij vendi. Me një fjalë s’i quan as qytetarë, as fshatarë. I kategorizon sipas llogarive financiare të Shrefedin Shehut, i cili pa qenë asnjë ditë në ushtri është emëruar të merret me borderotë e saj. Ai merret dhe sipas zakonit të atyre që s’e kanë haberin na nxjerr alienë. Përderisa s’na i jep të drejtat njëlloj me homo-sapiensat e tjerë. Janë apo a’janë politika diskriminuese këto që që po them? Janë që ç’ke me të?! Dhe nuk meritojnë gjë tjetër pos përgjigjes politike.
Prandaj në zhvillimet politike intensive të kohëve të fundit shoqatat ushtarake duhej t’i ishin bashkuar zërit intelektual, qytetar e popullor. Klima politike e krijuar kërkonte medoemos prononcimin dhe faktorizimin e tyre. Kërkonte të thoshin pikëpamjen e tyre politike. Kërkonte të thoshin pikëpamjen e tyre profesionale. Kërkonte të thoshin pikëpamjen e tyre për çështjet e sigurisë. “Ushtaraku është përgjegjës për sigurinë ushtarake të shtetit,” thotë Hantingtoni. Po cila ishte përgjegjësia jonë në situatat që u zhvilluan? Cila ishte përgjegjësia kur Ministri i Mbrojtjes mblodhi gjeneralët dhe kërkoi t’i kundërvinte me popullin? Cila ishte përgjegjësia kur pak para kësaj ky ministër bëri politikën e kundërvënies ndaj Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ndaj atyre vendimeve që u kanë dhënë të drejtë ushtarakëve? Nuk e kuptuan shoqatat ushtarake se me këtë veprim ministri drejtpërdrejt apo tërthorazi u pajtua me qëndrimet politiko-partiake kundër ushtarakëve? Nuk e kuptuan se kjo ishte një sjellje tërësisht politiko-partiake që kishte për qëllim të na linte pa mbështetjen e vendimeve interprete të Kushtetutës. Dhe kur ti si ushtarak nuk ke mbrojtjen e Kushtetutës së vendit tënd, do të thotë se je i tepërt në këtë vend. Këtë politikë bëri ministri i mbrojtjes. Politikën që të mos na njihen të drejtat e fituara ligjërisht, por ato të partisë së tij. Duhet apo jo të shprehemi politikisht kundër një ministri të tillë? Duhet të themi se s’kemi ç’të presim nga një ministër që dje bënte regjisorin e “rebelimit komunist”, ndërsa sot aktorin e zbulimit të puçizmit anti-demokrat? Duhet demaskuar ky ministër që për herë të parë në historinë e ushtrive demokratike vetë-unifikon postin e tij me atë të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura? Duhet ta nxjerrim jashtë standardeve të sigurisë këtë ministër që kundërvë hierarkinë partiake me atë shtetërore e ushtarake? Duhet, por kjo nuk ndodhi!? Shoqatat nuk u ndjenë përgjegjëse për mbrojtjen e sigurisë ligjore kushtetuese dhe në çdo rrafsh tjetër sigurie. Pa këtë pamje, as siguria në tërësi as ajo ushtarake në veçanti nuk mund të konsiderohen të tilla. Janë politikisht anarkiste. Sepse strategjia e sigurisë nuk fillon nga “baza e nisjes” së strategjisë partiake. Kjo strategji udhëhiqet nga rregullat e gjeneralëve. Tjetra nga turmat e partisë, jo të sigurisë.
Shoqatat ushtarake gjatë zhvillimeve të fundit kanë humbur shumë raste të shprehjes së tyre politike. Raste në fushën e angazhimit e të ideve në ato politika që përmendëm më përpara dhe që për arsye thjeshtësimi kuptimor po i përmbledhim nën emërtimin “politika ushtarake”. “Çfarë angazhimi politik patën shoqatat kur nëpër filtrin profesional të tyre u desh të kalonte një farë politike ushtarake e prezantuar në trajtën e “grushtit të shtetit”? Asgjë dhe, mund të thonë se nuk marrim pjesë në “betejat“ ndërmjet partive. Mirëpo këtu fillon gabimi dhe faji i madh. Fillon sepse një betejë e tillë në mënyrat si u artikulua dhe si u shoqërua nga veprimet praktike mund të kishte një fund të tmerrshëm. Mund të hidhte në erë sigurinë e këtij vendi. Fillon sepse shumë nga ne e kuptuan që në pikënisje, se ideja provokative e grushtit të shtetit ishte një ide marrëzie politike dhe jo një ide reale e shoqëruar nga performanca dhe masat me karakter ushtarak. Fillon sepse u mor vesh ashiqare që tërë informacioni për grushtin e shtetit buronte vetëm e vetëm nga një “sms” drejtuar kryeministrit. Tek kjo “sms” filloi dyshimi im serioz për marrëzinë politike. E dini pse? Sepse nuk ka pasur e nuk ka kurrë mundësi që për një “grusht shteti“ tërë informacioni të jetë centralizuar tek një shtetar (pushtetar) i vetëm. Kur ndodh kështu do të thotë që s’ka shtet. S’ka shtet, sepse shteti i vërtetë nuk mund të jetë në dorën e një njeriu. Qoftë dhe kryeministër? Është tjetër punë se më pas në mbrojtje të idesë marroke të “grushtit të shtetit” dolën dhe ekzekutivas të tjerë, doli dhe ministri ynë i mbrojtjes. Dolën, por kjo nuk e hedh poshtë pikëpamjen profesionale e politike që parashtrova. E cila ka në themel argumentin se ata dolën pasi doli dhe e tha kryeministri dhe pasi kryeministrit ja “tha” sms-ja. Po sikur të jenë tallur? Po sikur të këtë qenë “dezinformacion ushtarak”? Po sikur të ketë bërë shaka Fazlliçi? Mundet. Sidoqoftë unë i besoj më shumë vështrimit në atë kontekst që e shikon “grushtin e shtetit” si një grusht qelbi që shpërtheu nga një tru i mahisur prej kohësh nga shtimi i pandalshëm i viruseve të marrëzisë. Të marrëzisë politike. Kjo do të thotë se shoqatat ushtarake duhej të ishin vënë përballë saj. Na rrezikonte të tërëve. Na rrezikonte dhe për arsyen e thjeshtë se një fitore e supozuar e kësaj marrëzie do t’i shpinte interesat tona poshtë e më poshtë. Ne kemi qenë viktima e parë e fitores së tyre. Duhej të ishim ndër të parët që t’ju kundërviheshim.
Përkundrazi, është e vështirë të gjesh fakte sesi shoqatat ushtarake i kanë qëndruar koherente misionit të tyre në fushën e politikave ushtarake. Gjen aksione individuale por jo angazhimin e tyre për një mision të strukturuar me këto politika. Është e pafalshme që ato të përfshihen nga memecëria në problematikat serioze që krijohen për sigurinë kombëtare nga tentativat e përdorimit partiak të Forcave të Armatosura, e uzurpimit të kompetencave të Komandantit të Përgjithshëm të F A, e emërimit në funksionet e larta të përfaqësimit aleat e admiralëve që trafikuan sovranitetin detar (kur në mënyrë simbolike këta duheshin hipur në një gomone trafiku, e cila të bombardohej dhe t’i çonte në fund të detit që trafikuan) e vjedhjes së pasurisë kolosale ushtarake, e trajtimit të gardistëve vrasës si heronj, etj, etj. Asnjë logjikë ushtarake nuk mund ta pranojë këtë memecëri. Nuk mund ta pranojë sepse heshtet për çështje kapitale të politikave ushtarake e të sigurisë. Kur mbërrin tek këto çështje aty s’mund të ekzistojë asnjë barrierë që të të ndalojë të merresh me politikë a të sulmosh politikisht. Është masë e vetëmbrojtjes së nevojshme. Ke të drejtë të kundërveprosh si ndaj atij apo atyre që po kryejnë një krim. Të drejtë të apelosh se krimi po kryhet kundër sigurisë kombëtare dhe ky doemos do të jetë një apel politik. Të drejtë veprosh si një njeri politik sepse në fund të fundit ndalja e krimit të këtij dimensioni është jashtë aftësive individuale dhe kërkon mbështetjen masive të popullit.
Nga ana tjetër ushtarakët e shoqatave janë qytetarë të lirë dhe një qytetar i lirë nuk mund të kuptohet jashtë lirive politike. Nga shkalla e sigurimit të këtyre lirive varen të gjitha të tjerat. Çfarë lirie e të drejtash ekonomike mund të kenë ata ku politika bën vetëm ligje që synojnë përkeqësimin e statusit të tyre social? Ky status siç e kemi parë e përjetuar, ka shkuar poshtë e më poshtë sipas modeleve ligjore që s’janë gjë tjetër përveçse modele ligjore politike. Të “prera” për më tepër me “gërshërët” e një partie, të ideuara nga një kryeministër kryetar i kësaj partie, të miratuara nga parlamenti gjithashtu i drejtuar nga nënkryetarja partiake e partisë së kryeministrit.
Edhe po të mos duam të merremi me politikë, zjarrin e saj ta ndez fjala vjen ministri ynë i Mbrojtjes dhe nuk mund të mos përpiqemi ta shuajmë me të njëjtat mjete. A nuk deklaroi ministri se ishte krijuar një teatër luftarak i vërtetë ku qarkullonin qindra në mos mijëra stilolapsa pistoletë, çadra kallashnikov e ku ta di unë se çfarë? A nuk shpalli se do të ketë luftë për mbrojtjen e kazermave ushtarake? Shpalli. Por pikërisht tek kjo shpallje ne nuk mund të mos shihnim misionin tonë. Ne e dimë qysh nga Klauzeviçi se lufta (përfshi dhe atë për mbrojtjen e kazermave) është vazhdim i politikës. Ne e dimë këtë aksiomë nga të gjitha doktrinarët ushtarakë të kohës së sotme. Atëherë si mund të bënim zgjidhje tjetër përveçse të ndalonim rrjedhën e burimit politik të konfliktit? Politikën tonë e imponoi politika e ministrit. Dhe pavarësisht se siç po qesëndisin ministrin e Mbrojtjes ushtarakët e tij me uniformë të cilët thonë se “armët e tij në format e stilolapsave e të çadrave ju katandisën në garuzhde-kallashnikov dhe në kazanë pilaf-tritoli”, ne besuam se ai e kishte me tërë mend kanosjen me rrezikun e asgjësimit tonë nga puçi. Por ai nuk e pati seriozisht. E pati politikisht. Dhe ne politikisht vepruam. Shoqatat ushtarake duhet të nxjerrin mësime nga kjo përvojë. Fjala vjen është një përvojë që historikisht nuk duhet harruar ajo që gardistët vrasës i quajti heronj. Paska dhe “heronj” kundër popullit!? E ky është një “zhvillim” politik demokratikas i historisë! Si të mos pataksen shoqatat e ushtarakëve nga zbulimi i tij?!
Përrallat e depolitizimit ushtarak u janë dashur politikanëve shqiptarë sa herë kanë pasur nevojë për të realizuar qëllimet e tyre politike. Por në lëmin e politikave ushtarake këto qëllime nuk duhet të “pinë ujë”. Ne jemi për qëllimet e mosangazhimit politik por deri në atë pikë ku politikat nuk kanë synimin të na kufizojnë maksimalisht në lirinë themelore që është “liria politike”. Për ato kufizime politike që janë të nevojshme në demokraci shoqatat ushtarake duhet të bien dakord me qeverinë e ministrinë, por me kushtin që kufizimet të shoqërohen nga kompensimet. Vetëm kështu do të kuptohet nga ne se sakrifica në një nga liritë themelore është një e keqe e domosdoshme e cila në pamundësi të shmangies kompensohet. Nëqoftëse nuk do të ishte kështu liria jonë politike do të kishte trajtën e lirisë së cunguar. Kjo lloj lirie është antidemokratike. Këtë lloj lirie të sakatuar kanë provuar veçanërisht ushtarakët prandaj edhe sa kohë do të vazhdohet të mos luftohet për të? Zhvillimet intensive të kohëve të fundit apeluan nga panteoni më i lartë i lirisë por çuditërisht shoqatat ushtarake heshtën për thirrjet e saj?! Heshtën në mënyrë vetëvrasëse. Heshtën duke e mbyllur në prangat e subkoshiencës së vet lirinë e tyre themelore. Ndoshta për të na dhënë nëpërmjet saj mesazhin se misioni i shoqatave nuk është mision politik por një mision që fillon dhe mbaron tek kërkesa për një garuzhde supe e ca qindarka më tepër. Por ne tashmë e kemi parë se ky është një mision i pamundur. Edhe po të mundemi nuk na lë gjeneratori politik të mos karikohemi.
Comments are closed.
Shkrimin e Pullumbit( e njoh personalisht) e lexova ne kete ore te vone te nates, njesoj si atehere kur ishim ne sherbim. U trondita dhe e para gje qe me shkoi ne mendje thashe me vete si nuk na kane shkuar ne mendje me pare keto gjera. Gjeja e dyte qe mendova ishte: Momenti e kerkon kete titull por per mendimin tim nuk eshte perfaqsues.Do te ishte me mire:” Deri kur kjo memeceri e shoqatave te ish ushtarakeve.” Pellumb te falenderojme per kete shkundje duhet te mendojme seriozisht per kete.
.. te lumte mendja dhe dora !!!
Bravo!Po ku ke qene me heret qe sje ndjere?
Bravo! Po ku ke qene me pare qe sje ndjere?