Të plogësht

23 Shkurt 2011, 20:22Blog TEMA

Nga Bledar Lumani

Bota është tronditur së fundmi nga protestat në botën arabe, ku janë rrëzuar regjimet diktatoriale në Tunizi dhe Egjipt dhe pritet që një gjë e tillë të ndodhë edhe në disa vende të tjera. Frymëzuesit dhe ata që i kanë shtyrë përpara këto protesta, më së pari kanë qenë të rinjtë. Ata kërkojnë gjëra të thjeshta në dukje: pjesmarrje, drejtësi, ligjshmëri, ndershmëri dhe më shumë mundësi për jetën. Për këto, shume prej tyre është dashur që të sakrifikojnë edhe jetën.

Zhvillimet e fundit në Shqipëri, kanë bërë që të hiqet një paralele mes asaj që ndodh këtu dhe asaj që ndodh në botën arabe. Nëse mund të hiqet një paralele për problemet e përbashkëta, si mbizotërimi i skenës politike për vite me radhë nga të njëtët politikanë, mungesa e ligjit dhe drejtësisë, korrupsioni dhe krimi qeveritar, për një gjë që nuk mund të hiqet e njëjta paralele: të rinjtë.

Socilogu italian, Ennio Grassi, në një shkrim të botuar pak ditë më parë për situatën në Shqipëri, shihte pozitivisht vetëm një gjë: të rinjtë. Sipas tij,  në Shqipëri “ka lindur një gjeneratë e re, me djem dhe vajza të reja, të edukuar, as ish dhe as post komunistë, të rritur me shkëmbimin e përditshëm të ideve dhe pasioneve më të rinjtë e tjerë të të gjithë botës, frekuentues të një sheshi të madh, ku fjalët ligjshmëri, ndershmëri, solidaritet, janë tashmë monedha të përbashkëta. Tek këta të rinj duhet besuar”.

Grassi përmend fjalët ligjshmëri, ndershmëri, solidaritet. Mu për këto tre fjalë, nuk duhet besuar tek të rinjtë shqiptarë. Më saktë, tek pjesa dërrmuese e tyre. Ka pasur shumë raste kur të rinjtë shqiptarë mund të luftonin për vendosjen e ligjshmërisë. Nuk e kanë bërë. Ka pasur shumë raste për të luftuar për ndershmëri. Nuk e kanë bërë. Ka pasur shumë raste për solidaritet. Nuk e kanë bërë.

Rastet më flagrante janë ato të Gërdecit dhe të videos së ish-ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta. Nuk kishte rast më të mirë se këto dyja, që të rinjtë të tregonin pasionin për fjalët ligjshmëri, ndershmëri, solidaritet. Nuk e bënë, me përjashtim të pak të rinjve të lëvizjes “Majft”.

Nëse të rinjtë nuk reagojnë kur vriten 26 persona, kur familjarëve të tyre u mohohet drejtësia, kur ministra që akuzohen për vrasje dhe vjedhje shpëtojnë me anë të imunitetit, atëherë besimi tek këta të rinj nuk bën gjë tjetër veçse venitet.

Fundjavën e kaluar, në Tiranë u organizua një protestë dhe një koncert festiv, përkatësisht nga opozita dhe mazhoranca. Në protestë shihje 30-vjeçarë e sipër, që, të lodhur nga varfëria, nëpërkëmbja, mungesa e ligjit, punës, kërkonin ndryshim, kërkonin drejtësi. Dy ditë më pas, në koncertin festiv, përveç punonjësve të administratës, që u detyruan të shkonin, shihje anën e kundërt të atyre që kishin dalë në protestë: shumë të rinj. Ndoshta muzika e Çiljetës i tërhiqte më shumë se muzika funebër e vendosur me rastin e protestës!

Të rinjtë arabë sakrifikuan deri dhe jetën për fjalët ligjshmëri, ndershmëri, solidaritet. Të rinjtë shqiptarë nuk e kanë bërë kurrë këtë.

Të rinjtë grekë, serbë, italianë, britanikë, e kështu me radhë, janë në gjëndje që t’i vënë flakën vendit, kur bëhet fjalë për të kërkuar të drejtat e tyre. Të rinjtë shqiptarë nuk e kanë bërë kurrë këtë.

Përse nuk e bëjnë këtë?! Ndoshta nuk janë, siç thotë Grassi, frekuentues të një sheshi të madh, ku fjalët ligjshmëri, ndershmëri, solidaritet, janë tashmë monedha të përbashkëta.

Sheshi tyre i madh është plogështia!

4 komente në “Të plogësht”

  1. protesto says:

    Me pelqen shume shkrimi Juaj dhe eshte per te ardhur keq qe Ne kemi nje RINI TE MPLAKUR.E them kete se fatkeqsisht rinija jone e tanishme,nje pjese e saj lindi dhe u rrit nen ndikimin e korrupsionit, dhe u ushqye prej tij.Ajo nuk e njeh punen dhe parane e ndershme.Rendja pas parase se piset ,qe brenda nje kohe te shkurter mund te behej pasanik, vetem thjesht te ishe militant i njeres prej forcave politike gangstere,duke pershire ne kete grup edhe trashegimtaret e kastes se politikes se vjeter,krijoi e instaloi nje rini pa kollone vertebrale. Nga ana tjeter kemi pjesen tjeter te rinise qe nuk e duruan dhunen , nuk i sherbyen asnje force politike kriminale,dhe nuk u bene pale me ato, qe deshen ligjshmeri,ndershmerie e solidaritet por nuk u lejuan dhe u perndoqen e u vrane, I tille ishte Arben Broci ete tjere te devotshem, pra Politika E JONE E VRAU KETE PJESE.Ato nuk e pane vetveten me te rrinin ne vendin e vet,keshtuqe e vetmja zgjidhje per ta ishte te emigronin jasht shtetit, duke iu nenshtruar punes. Kjo vjen ngaqe pluralizmi ne Shqiperi u dirigjua po nga ajo klase e diktatures e cila polli nje Rini, te gershetuar me ideologjine e diktatures e te korrupsionit.

  2. lilolabja says:

    Na e ke perplasur ne fytyre te gjitheve me kete shkrim .Shume e vertete, qe duhet thene me ze te larte dhe jemi fajtore te gjithe.Faji eshte i perbashket, duke ju trembur faktit se mos akuzohemi se politizijome rinine dhe si pasojme zgjojme ndjenjen e “komunizmit “kemi kaluar ne anen tjeter te medaljes, e kemi lene te lire para nje ekrani qe i servire çdo dite antivlerat per vlera ,kemi harruar tju themi çeshte liria, demokracia, zgjedhje te lira.Rinia jone ka fituar imunitet nga korupsioni,i ben pershtypje se si mund te reagosh per nje kasete ,”s’eshte i pari te pergjigjet”.Mjere ai komb kur rinia e saj fle ne kembe ,ai komb eshte i destinuar te vdes.

  3. rrapi-i-treshit says:

    Mire qe e moret vesh
    Nje 2 mije leksh dhe per kafe nga blloku

  4. pellasgu says:

    Përvuajta e një populli sherben si mates/barometer, sa me i vuajtur populli aq më i lartë e më cilësor është niveli i humorit të zi që prodhon!!Shqiptaret jashte kufijve te Shqiperise Londineze shpeshhere thone qe;rinise se Shqipnise i eshte prish gjaku,thenie qe askush s’ka qejf ta pranoje?!Vecse kur sheh dhe faktet se si rinia shqiptare vazhdimisht e ul veten dhe e bashkangjit/krahason me nivelet me te uleta te mundshme te vjen me te vertete keq?!Po permend disa gjera te vogla;me te huajte ose jashte shtetit mohojne prejardhjen e tyre,s’mbrojne dhe s’kane asnje prej vyrtiteve qe t’paret na i kane trashegu, s’jane aspak krenar per gjuhen,veshjet,zakonet,traditen historine e token e tyre dhe ne te kundert me gjithcka bejne gjera tjera dhjesht per perfitime qesharake qe s’ja vlen te permenden…kurse ne Shqipni thjesht hane fara luledielli,pine kafe,mundohen te nxjerrin fitime te pista pa djerse e pa mund,ne vend qe te krijojne grupime me qellim shkembim mendimesh e pasurim mendor, rrijne gjithe diten ne facebook e big-brother….etj etj qe s’kane te sosur!!Sa per vlerat e siperpermendura ne artikull do te thoja qe s’duhet te shomim me larg per tu lodhur por vecse te pyesim veten;perse vetem ne Shqiperi s’ka nje levizje si VETEVENDOSJA?!!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje