Tripoli s’është Tirana; Gaddafi është Saliu

21 Shkurt 2011, 20:06Blog TEMA

Nga Mustafa Nano

Sot situata është edhe më dramatike në Libi (demonstratat kanë arritur në Tripoli dhe flitet se u është vënë zjarri institucioneve shtetërore), por dje djali i Muammar Gaddafi-t, Saif al-Islam Gaddafi, u shfaq në ekranin e televizionit shtetëror dhe, siç pritej, mbrojti regjimin e komanduar prej të atit. Ato që tha janë shumë interesante për dy arsye. Së pari, ngaqë është gjuha e diktaturës apo e diktatorëve në agoni e sipër; së dyti, ka një ngjashmëri që të lë pa gojë mes asaj që ai tha dhe fjalimeve që mbajti Sali Berisha disa orë, pasi garda e tij vrau katër protestues. Nuk është se ka ndonjë ngjashmëri të madhe midis regjimit të Tiranës e atij të Tripolit, por Saliu ynë është shumë i ngjashëm me Gaddafi-n; dhe me djalin e tij. Shikoni gjuhën që përdor regjimi i atjeshëm përballë protestave popullore, dhe ngjashmëria bëhet e qartë. Në thonjëza janë frazat e Gaddafi-t junior, ndërsa në kllapa janë qëndrimet e mbajtura në Tiranë.

“Ne do të luftojmë deri sa të mbetet në këmbë një njeri i vetëm; madje, dhe një grua e vetme. Ne nuk do ta lëmë Libinë në duart e italianëve, turqve” (Saliu ka thënë të njëjtat gjëra idiotike, veçse italianët e turqit i ka zëvendësuar me opozitën e puçistëve, me bllokmenët, me presidentin, me prokurorinë, etj).

“Janë me dhjetëra mijëra vetë që janë nisur drejt Tripolit, sepse duan që të mbrojnë kryeqytetin, Libinë, Gaddafi-n. Nuk kam pse të mbaj sekrete. Janë me mijra autobuzë që janë nisur nga rrethinat për të ardhur këtu” (Ndërsa Saliu tha, se me mijëra mesazhe më erdhën, dhe të gjithë ishin të gatshëm që të mbronin demokracinë kundër puçistëve; në një rast tjetër tha, se administrata qëndroi aty, në zyrë, tok me mua, dhe të gjithë ishin gati ta mbronin kryeministrinë; në një rast tjetër Saliu njoftoi njerëzit për një tubim për paqen; por pastaj, si ‘burrë shteti’ që është, e anuloi).

“Ne kemi dhe ushtrinë, e cila është e vendosur për të luajtur rolin, që i takon të luajë. Ushtria do jetë me Gaddafi-n deri në momentin e fundit, derisa të asgjësohen armiqtë” (Saliu mori takim vetë me ushtrinë e Imamit, me policinë e Bashës, me gardistët e vet, dhe me ushtarët që erdhën nga Afganistani, e veç e veç u tha, se puçistët nuk ia arritën qëllimit; dhe nuk kanë për t’ia arritur).

“Ne jemi më të fortë se kurrë, jemi në mbështetje të udhëheqësit tonë Muammar Gaddafi, i cili ka me vete popullin dhe ushtrinë” (këto fjalë, në fakt, do të shkonin në gojën e ministrit tonë të Mbrojtjes. Imami foli para nja dy javësh, dhe mesazhi që dha ishte i njëjtë me këtë që dha dje Saif al-Islam-i).

“Janë bërë ca gabime nga ana e policisë, e cila nuk ishte përgatitur për t’u përballur me njerëz të zemëruar. Secila palë ka gabimet e veta. Por një e vërtetë ia bë mu që larg: këto ditë është derdhur gjaku i libianëve, dhe kjo është një tragjedi” (Në këtë pikë Gaddafi junior del që është më i gdhendur e më kompasional se sa Saliu; ky i fundit ka folur veç me përbuzje për katër të vrarët; madje, përbuzja e këtij regjimi arriti kulmin, kur ministri i mbrojtjes iu drejtua deputetëve të opozitës me fjalët: ju jeni të gjithë Ziverë!” Një kafshëri e padëgjuar këtyre anëve; edhe Enver Hoxha do t’ia kish zili këtë frazë këtij palo burri, të cilin e ka kapur dalldia e shërbimit).

“Protestuesit kanë sulmuar gazermat e ushtrisë, kanë vrarë ushtarë, oficerë, dhe kanë rrëmbyer armët. Forcat tona të sigurisë kanë arrestuar shumë vetë, mes të cilëve ka armiq të njohur të Libisë, por edhe biznesmenë e tregëtarë të mëdhenj, të cilët kanë financuar protestat” (Në fakt, nuk ka patur lajme se protestuesit kanë sulmuar gazermat e kanë grabitur armët, por Gaddafi junior gënjen me synimin për të nënvizuar konspiracionin e madh. Edhe Saliu ka bërë të njëjtën gjë, por në mënyrë më fantazmagorike: ka folur për makina me tritol e me kallashnikovë, për stërvitje në grupe pesëshe në baza të caktuara, për para të shpërndara, për urdhëra të lëshuara me sms nga brenda kullave binjake, për ca biznesmenë që kanë shpenzuar miliona për të paguar protestuesit, për thika me helm, për armë-pistoleta).

“Ka grupe që kanë formuar qeverinë në hije në Benghazi” (Saliu na tha se puçistët kishin planifikuar të merrnin kryeministrinë, disa ministri dhe televizioni; e pastaj na tha, se ata kanë ndarë qysh tani portofolet; Tom Doshi do bëhej ministër i Brendshëm).

“Për fat të keq, mediat arabe, stacionet e tyre, kanë ndihmuar që ky konspiracion të ndodhë” (Saliu shkoi një hap më tutje: i zbuloi me emër e mbiemër gazetarët puçistë)”

“Ka qënë një konspiracion shumë i rrezikshëm, por unë dua t’u them se Libia nuk është Egjypti apo Tunizia” (Saliu na bëri me dije, se puçistët kanë dashur të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë, dhe duhet thënë se kanë bërë pak dëm. Por ata harrojnë se Shqipëria nuk është Tunizia; përkundrazi, është një vend i NATO-s, dhe qytetarët e saj janë qytetarë të lirë të Europës).

“Ne jemi libianë, dhe ky është Atdheu ynë. Ne duam liri, demokraci, reforma, dhe të gjitha këto kanë qënë planifikuar për t’u bërë” (Saliu nuk ka planifikuar gjë; ai i ka realizuar tanimë; ai i ka bërë reformat, ai e ka futur vendin në NATO, ai u ka dhënë shqiptarëve mundësinë për të lëvizur në Europë, ka bërë që këtë vend t’mos ta prekë kriza, që këtë vend ta vizitojnë me miliona turistë e që në këtë vend të investohen me miliona dollarë, etj, etj, por është kjo opozitë e bllokmenëve që ka bërë çmos që këto suksese të mos arriheshin; nuk ia kanë arritur qëllimit e nuk do t’ia arrijnë kurrë; kurrë nuk do t’i lejoj t’ma marrin pushtetin me dhunë).

*respublica.al

4 komente në “Tripoli s’është Tirana; Gaddafi është Saliu”

  1. raimondi says:

    Mirpo kur Sala eshte si Gaddafi, atehere c’duhet te beje opozita ???

  2. saimir says:

    Shkrim i goditur i nderuar z.Nano.A s’ishte Saliu qe donte dhe dha urdher qe te bombardohej jugu(deshmi e dy piloteve te ulur ne Itali)!A nuk e realizoi Kadafi kete ender te Saliut e bombardoi popullin,dhenete zoti te mos kene edhe ata nje ambasador si ky i yni qe ta kete quajtur “Burre shteti”.A s’eshte Sali Berisha mik i Berluskonit!Berluskoni a s’ka mik te ngushte Muhamar Kadafin.Dhente zoti mos te jete edhe ai i perfshire ne agjentura e per pasoje te kene bere te ty te njejtin kurs.A s’eshte si vete dora Sali kur djali i tij deklaroi se Babai nuk eshte as Ben Ali,e as Mubaraku,a s’eshte i njejti paralelizem edhe me Imamin e Saliut?I nderuar z.Muçi keta jane “Burra” qe dine te menaxhojne situatat edhe me te veshtira pavaresisht se jane kunder vendit e atdheur te popujve perkates.Me keta “Bura shteti ” eshte mbushur tere politika boterore sot ,ndaj edhe revoltat popullore sa v ijne e rriten,ku tek te gjitha keto vende emeruesi eshte i perbashket”Sistemi i kooruptuar”,ketu fale edhe mjeshterise e atyre qe sa here qe ekonomia u bie,nxisin pika tensioni, si e si qe fuçite e naftes te shkojne deri ne majat me te larta te shitjes se tyre,e neser te kene teren per investimet e tyre.Mjer popujt qe behen viktima te ketyre lojrave te pista.Do te pyes ndonjeri se perse nuk e bejne nje loje te tille edhe ketu ne Shqiperi!Theme dhe jam i bindur se ne shqiperi perveç “Amoniakut” nuk kane ç’te nxjerrin gje tjeter,se Shqiperia eshte ne planin “B” siç e deklaron edhe dora vete Sali Kadafi por qe di te manipuloje e te luaj me keto plane ,si njeriu me i talentuar i shkolles se agjenteve ,i cili ka marre edhe titullin me te larte te kesaj shkolle “Burre shteti”.

  3. beso says:

    Muçi,Ghedafi Jr.nuk tha se sherbimet e huaja te inteligjences e kishin lajmeruar per komplotin,ndersa kryeIDIOTI i qeverise tha se sherbimet mike fqinje te inteligjences(Spartak Braho ku mutin je tani qe te doli endrra?)e kishin njoftuar per planet e opozites per sulm,dhe sesa pushke di sillte me furgona,dhe kamione me dinamit dhe tritol.Mbase te shkau kjo imtesi,po Sali Trapi i Treshit e tha shkoqur fare,qe sherbimet e huaja fqinje(mike?!!)e paskerkan ndihmuar.Mbase nuk te rendohet ta pyesesh nese dhen Saliu i ndihmon ata,apo ka kohe qe i ndihmon,e qekur e ka zanafillen jo”miqesi” e Saliut me sherbimet sekrete”mike”?

  4. Enkel.Dishani says:

    Pershendetje

    Por saliu na doli edhe me i forte se Ghedaffi. Mos te harrojme se ky regjim qe kemi sot eshte Sali Berisha i II. Te parin e pame edhe e provuam nje here deri ne vitin 1997. por si per cudi Saliu i asaj kohe jo vetem qe ja doli mbane ta kaperceje ate moment per te, por madje sot e kemi ne te njejtat pozita. Me vjen spontanisht te ngreje pyetjen si ka mundesi? Berisha ka shume faje ne vendin tone por a nuk kemi edhe ne, qe sot e kesaj dite arrijme te mbrojme kete palo kryeminister. nje kryeminister ( i majte) ne krye te partise demokratike. per fat te keq ne nuk mund te bejme protesten qe sot ben tunizia , Egjipti apo edhe vete Libia kunder Ghedafit. Problemi qendron se njerezit ne Shqiperi nuk jane te gatshem te perballen ne te njejten forme edhe pse regjimi po i shtyp nga dita ne dite me shume. eshte per te ardhur keq qe keto argument konsumohen me shume neper tavolina kafenerash apo ne komente ne faqet e internetit. Personalisht me vjen cudi se si nje pjese e konsiderueshme e njerezve ne Shqiperi e cilesojne Berishen si politikani perfekt i demokracise. ” Te mjeret ne ku do ishim sot pa Berishen”. Eshte sinqerisht e trishtueshme qe pas 20 vitesh
    ” Demokraci” flasim po per te njejtin person. Kujtoni pak krizat ne shqiperi dhe per nje moment mendoni se kush eshte emeruesi i perbashket per te gjitha. Pergjigjja eshte e lehte apo jo. Ndryshimi ne Shqiperi duhet te filloje te vete njerezit filllimisht. Kjo do te ishte fitorja me e madhe qe mund te arrije shoqeria jone dhe te jeni te sigurte qe nese kjo gje ndodh, nuk do te kete me kurre Sali, Ilir apo Fatos qe mund te pengojne kete popull te shkoje drejt rruges se integrimit. Persa i perket pjeses aktuale te qeverise doja thjesht te thoja qe fundi eshte i afert dhe te gjithe pergjegjesit do ndeshkohen ashtu thjesht e qarte sic e parashikojne ligjet e shtetit tone Shqiptar

Comments are closed.

Lini një Përgjigje