Derrat që kemi mbi krye

24 Shkurt 2011, 22:00Blog TEMA

Leart Kola

Ende pa u mbushur një muaj nga futja në dhé e katër shqiptarëve të ekzekutuar brutalisht nga një bandë e armatosur që u udhëhoq nga Lulzim Basha dhe u inspirua nga Sali Berisha (bandë që vetëm për arsye konvencionale, ne, njësoj si “vendet e qytetëruara” e quajmë Gardë e Republikës), u bëmë dëshmitarë të një manifestimi “kundra dhunës” të ekzekutuar nga po e njëjta strukturë, me të njëjtin inspirim. Një manifestim që përmbante gjithë batarenë e dhunës që një fjalor pushtetari mund të përmbajë.

Ai nga tribuna e shtrenjtë, që paguhet me paratë e atyre që u vranë më 21 Janar, i foli subjekteve të tij (kujtojmë që Kryeministri është shërbëtor i gjithë popullit, e jo vetëm i Partisë Demokratike), ndërkohë që përfoli ata që protestojnë ndaj tij, duke i konsideruar morracakë, kokëpalarë, puçistë, etj. E pasi mbaroi me ata që kanë dalë që pas 21 Janarit e këndej në shesh për të kërkuar dorëheqjen e tij, u kthye nga ata që kishin dalë sheshit për ta përshëndetur, duke i konsideruar paqësorë, njerëz të emancipuar, patriotë etj.

Për këdo që ka lexuar dy rreshta, apo ka mjaftueshëm bagazh historik dhe logjik, kjo është një sjellje tipike diktatoriale fashiste. Pikërisht këtë bëjnë liderët fashistë, ata mundohen ta ndajnë arbitrarisht e simbolikisht shoqërinë në dy pjesë, duke kundërvënë njërën ndaj tjetrës, e më pas duke ushtruar terror mbi pjesën e pambrojtur, e duke i garantuar mbështetësve të regjimit mbrojtje dhe lavdi. Kjo vazhdon deri sa të mbizotërojë terrori, dhe gjithë populli, mbështetës apo jo të jenë subjekte të të njëjtit terror.

Pas 21 Janarit, regjimi i Berishës, konfiguroi shpejt e shpejt një shpurë intelektualësh e opinionistësh të pavarur, të cilët me fytyra të mallëngjyera dolën në ekranet e televizioneve, duke përdorur shprehje melhelmi për dhunën dhe gurët e përdorur nga protestuesit, por pa nxjerrë asnjë fjalë për armët e Gardës. Jam kurioz t’i bëj një pyetje kësaj kategorie elitash, në vitin ’90 cilën konsiderojnë dhunë, gurët e hedhur nga studentët apo fjalimin e Ramiz Alisë ku proklamohej që “dhe bar do hamë por socializmin nuk e tradhtojmë”?. A mbani mend që dhe në atë kohë, në Shkodër, u vranë protestues?

Po aq në mënyrë të zellshme, regjimi, me paratë e Aleksit, Ziverit, Faikut e Hekuranit krijoi një organizatë të shoqërisë civile të përbërë nga ish të rinj që shpejtuan të nxjerrin spote ku dënojnë dhunën e protestuesve. Asnjë spot në dënim të vrasjeve barbare të atyre që paradoksalisht edhe pas vdekjes po paguajnë për këto spote? Turpi i mbetet këtyre, por paaftësia për të vepruar mbetet e jona.

Sigurisht pati dhe nga ata, pas 21 Janarit, që nën zë i dënuan vrasjet, por që me zë të lartë bërtitën që këto protesta u organizuan nga opozita e për këtë arsye ne nuk do i mbështesim..!!! Do të isha shumë kurioz të vazhdonte deri në fund ky lloj logjikimi, sa për ta parë se si përfundon. Mos vallë kjo duhet kuptuar kështu: për sa kohë i organizon protestat opozita është në rregull të vrasësh njerëz?

Por mes regjimit, pati edhe të penduar, njerëz që nëpër kafene në mënyre private deklaronin që ndoshta qeveria nuk kishte vepruar mirë, por ata nuk mund të distancoheshin nga ajo, sepse në të kundërt nuk do kishin më para të bënin pushimet e dëshiruara, t’i dhuronin bashkëshorteve dhuratat e shtrenjta e t’i siguronin fëmijëve të tyre shkolla private në perëndim!! Pra kjo do të thotë që sa kohë familjet tona janë mirë, atëherë asnjë problem nuk ka t’i marrim bukën atyre që ishin në shesh, pastaj t’i marrim të ardhmen e pastaj përfundimisht jetën, për të siguruar mirëqenien tonë?! Arsyetimi duket logjik në privatësinë e meskinitetit tonë, anipse publikisht nuk pranohet asnjëherë. Por nuk ka nevojë të pranohet, në shtëpitë tona ne e dimë mirë, që duke ua marrë “bukën” fëmijëve të Faikut e Ziverit, një tjetër fëmijë drejtori, ka blerë lodrën e dëshiruar. A është kjo dhunë më e tmerrshme se gurët e hedhur në Kryeministrinë që, siç na mësohet nga librat, është e Aleksit, Ziverit, Faikut e Hekuranit, më shumë se sa e Sali Berishës?

A është po aq i dhunshëm fakti që familja Berisha, është sot aq e pasur sa fare mirë mund të rreshtohet me familjet e Mubarakëve dhe Gadafëve të botës ndërkohë që Shqipëria lundron në varfëri? (këtë e pranojnë jo vetëm anti-berishianët, por dhe ata që folëm më lart të paanshmit e të paangazhuarit). A do të ishte kjo një arsye e mjaftueshme që Berisha nesër të mos ishte Kryeministër e të kalonte menjëherë në hetim? A do të ishte një arsye e mirë që njerëzit të ishin sot të inatosur përpara zyrave të këtij neo-diktatori fashist?

Po fakti që biznespartneri i Berishës, Ilir Meta pasi vjedh paratë e shqiptarëve dhe ndërton vila në katër anët e vendit, i drejtohet njerëzve që nuk e durojnë dot këtë vjedhje si kokëpalarë, a është kjo dhunë ? A duhet që unë dhe të tjerë, që nga pas nuk kemi as pushtet as polici t’i bërtasim këtij derri në turinj se si po na vjedh në mes të ditës? Ah jo më falni ndoshta fjala “derr”ishte e tepruar karshi Ilir Metës që vjedh të ardhmen time, e që më thotë morracak, kokëpalarë!!!

Ai jo, por unë duhet të ruaj standartet e mirësjelljes. Kërkoj falje, sepse kjo është skizofrenia ku ky vend na ka katandisur. Ata, drejtuesit e institucioneve mund të na vrasin masivisht në Gërdec, mund të na seleksionojnë me snajpera në bulevard, mundet edhe të na drejtohen duke na quajtur, horra, morracakë, kokëpalarë e lavire. Kurse ne JO, ne duhet të respektojmë institucionet që na drejtohen në këtë mënyrë, t’i mirëkuptojmë ato, sepse në fund të fundit ata pushtetin për të ardhmen e fëmijëve të tyre e duan, për asgjë tjetër.

Unë nuk jam militant i Partisë Socialiste, e aq më pak një votues i saj, unë personalisht nuk do votoj me datë 8 Maj, e me shumë gjasa, nëse konfigurimi politik është ky që është, as në zgjedhjet e përgjithshme. Bindjet e mia, nuk janë sot të përfaqësuara nga partitë ekzistente politike. Por mos qoftë e thënë që ky fakt të më mbajë mua larg së bërtituri për të çuar në gjyq Fatmir Mediun që vrau 26 në Gërdec. Të më ndjejë dhe Ambasadori Amerikan, por në çdo moment të jetës time do mendoj e do veproj që si e si Lulzim Basha të shkojë para gjykatës e të dënohet për katër të vrarët në Bulevard, se si e si Berisha dhe Meta të paguajnë deri në një gjithë vjedhjet dhe shitjet që i kanë bërë Shqipërisë.

Askush nuk duhet të ndalet e të mendojë dy herë kur është puna për të luftuar kundra instalimit të një diktati që i përjashton të pushtetshmit nga përballja me drejtësinë, ashtu sikurse të gjithë duhet të ndalen një moment e të reflektojnë, që Shqipëria më shumë se kurrë ka nevojë për njerëz të guximshëm, që të përballen pa frikë me pushtetin e sotshëm, që nesër të jemi vigjilent për mos instalimin e një pushteti të ngjashëm. Unë nuk kam nevojë të pres zgjedhjet që të bëhet drejtësi, unë drejtësinë e dua TANI, sepse drejtësia është e imja, jo e politikës, e popullit jo e pushtetarëve.

Trupi im fizik, është në dispozicion të bindjeve të mia politike dhe sociale, e do jetë aty për çdo ditë duke punuar e bërtitur kundra këtyre padrejtësive, kundër institucionet që sot janë të individëve dhe duhet t’i kthehen Shqiptarëve. E jo siç thotë Arvizu, me klikime në facebook, por siç na mëson historia me prezencë në shesh. Sepse trupat e karbonizuar të Gërdecit, e ata të vrarët në 21 janar, jane baballarët, nënat, motrat e vëllezërit e të gjithëve ne. Të rezistojmë deri në fund duke refuzuar këtë bandë kriminelësh dhe hajdutësh, deri sa drejtësia të vijë në vend, e ky shtet të zbresë që nga vilat luksoze të Metave e Shkëlzenrave, për t’i përkitur atyre që u takon, pra popullit, që për t’i siguruar derrave këtë mirëqënie është trasformuar në kokëpalar e morracak.

4 komente në “Derrat që kemi mbi krye”

  1. dymi says:

    Me pelqen arsyetimi. Njerezit e PD nuk distancohen nga veprimet e Qeverise sepse:
    -Nuk ka me pushime te deshiruara,
    -Nuk ka me dhurata te shtrenjta per grate
    -Nuk ka me shkolle private ne perendim per femijte.
    Kjo do te thote se per deri sa mua aktualisht nuk me ndodh gje e keqe, une hesht, nuk e ngre zerin.
    Cfar me kujton kjo? Kete pasazh trondites: “Kur Hitleri masakronte e zhdukte hebrejte une nuk protestova sepse nuk isha hebre. Kur Hitleri denonte e ekzekutonte komunistet une heshta sepse nuk isha komunist. Kur Hitleri dergonte ne kampe shfarosese te perqendrimit e ekzekutonte polaket, caket, ruset, francezet etj une prap nuk protestova sepse nuk isha polak, cek, rus, francez,etj . Por kur erdhi rradha ime qe te persekutohesha, te burgosesha e te ekzekutohesha nuk kishte mbetur me kush te protestonte.” Protestoni tani qe te mos mbeteni neser vetem e pa perkrahje!

  2. shabon gazepi says:

    Leart, mos kerko falje per fjalen derr, biles mund te kishe shtu edhe fjalet, tradhtare te kombit, maskarenjte antishqiptare me te medhenj te historise shqiptare, klika me e degjenurar e perverse ne pushtet ne te gjithe rajonin e mbase ne te gjithe boten, kriminelet me gjakatare e te pashpirt, injorantet me te tmerrshem, mashtrusit e hajdutet perverset e hipokritet me fenomenale, monstruoze ne kulm, ….

  3. beso says:

    Kemi pretenduar shume nga Poli i Trete,pra nga shoqeria civile e papolitizuar.Kemi pretenduar qe shoqeria civile te jete motorri i vertete i integrimit ne Evrope;politika ben rregulla pushteterimi,por integrimi eshte me shume nje realitet civil,ku shoqeria merr dhe jep eksperienca pozitive.Shkrimi eshte nje shenje e qarte,se shoqeria civile,apolitike,ose dhe pakez e politizuar,nuk kerkon shume;ajo kerkon denimin e autoreve te masakres se 21 janarit,ku humben jeten 4 protestues te pafajshem,dhe u plagosen mjaft te tjere,ku u vra e drejta jone e madhe qytetare;e drejta per te demonstruar.Berisha,dhe Luli i Bashes,dhe ai zinxhir eunukesh qe bene ate krim me stampe shteterore jane dhe do te jene gjithmone ne shenjestren e shoqerise shqiptare;gjersa te besojme tek liria jone,ata jane ne kerkim te Drejtesise!

  4. velo says:

    Edhe une e dua drejtesine tani sepse sa me shume te kalojne ditet do te dalin njerez si Arvizu qe na trajtojne si injorante (apo me keq tallen duke na treguar se sa vota ka nje person) qe perpiqen te na mbushin mendjen se demokracia tek ne eshte funksionale.Nese do te ishte ashtu sot Sala dhe Luli (keta derra te ndyrë)duhet te ishin para drejtesise per te dhene llogari per njerezit qe vrane ne bulevard.Perderi sa kjo nuk ka ndodhur do te thote qe intitucionet nuk funksionojne.Prandaj dhe une kam qene dhe do te jem gjithmone ne shesh per te larguar kete bande kriminele nga qeverisja.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje