Kush ia shiti nanën Shkurtes!

23 Shkurt 2011, 20:33Blog TEMA

Nga Ernest Bunguri

Sa më i përvuajtur të jetë një popull, aq më i lartë e më cilësor është niveli i humorit të zi që prodhon. Më ndjeni që këtë shkrim do ta nis me fjalë, të cilat rrallë i gjen në fjalorët zyrtarë të gjuhës shqipe, por që rëndom përdoren në jetën e përditshme, veçanërisht kur ajo nuk tregohet dashamirëse. Fill pas votimit me SMS të presidentit të Kosovës, çfarë një i njohuri im, qytetar i thjeshtë nga Prishtina, shkroi në fejsbuk, i përmbledh të gjitha: “Është një shprehje e vjetër në gjuhën latine që thotë: Na u kajt nona”, thoshte ai me humor të pikëlluar, për të shtuar, “në momente të tilla, edhe Zoti vetë lutet: Hej zoti im”. Një tjetër shaka fort cilësore që më bën të qesh me lot sa herë e kujtoj, lidhet me këngën e Shkurte Fejzës, ‘Oj Kosovë oj nana ime’, të cilën shqiptarët e vendit e kanë kthyer në ‘Oj Kosovë oj nana e Shkurtes’.

Seanca e turpshme e 22 shkurtit e shiti ‘nanën e Shkurtes’ dhe të gjithë banorëve të vendit, teksa të vetë-zgjedhurit nga votat e vjedhura të procesit të turpshëm zgjedhor, 5 minutat që zgjatën gati një orë i shfrytëzuan për shit-blerjet e grahmave të fundit e jo për të parë e për të dëgjuar ç’bëhet në popull, ç’mendojnë qytetarët e vendit, ç’duan ata për të ardhmen e tyre dhe si e shohin atë pas përdhunimit të institucioneve, akt të cilin një pjesë e mirë e ndoqën drejtpërsëdrejti ashtu pa frymë e plot shpresë. Të parët që e shitën në pazarin e ulët të Kuvendit, me hir a me pahir, ishin pikërisht të ashtuquajturit “të zgjedhur” për të përfaqësuar interesat e “zgjedhësve”, në një bixhoz politik ndjellakeq me një rezultat përfundimtar pa surpriza e që e thyen edhe më shumë degën buzë humnerës në të cilën është varur vendi.

E si mund të çuditesh për çfarë po ndodh me ‘nanën e Shkurtes’ kur Shqipëria, e cila i bie të jetë ‘nana e nanës së Shkurtes’ (përveçse për presidentin e ri i cili i ka njohur publikisht tjetër nanë) lëngon më vete nën zgjedhën e një pushteti politik, i cili, më së afërmi, pasi vret bijtë e vet më të varfër, i quan kokë-palarë ata të cilëve ju premton punë e mirëqenie, ndërsa ju ofron plumba ballit e pështyma të ngjirura sharjesh e kërcënimesh brenda një tjetër salle Kuvendi, në Tiranë.

‘Nanën e Shkurtes’ e shiti edhe kjo pasqyrë e shtrembër ku shihet Kuvendi i Kosovës, i cili ka kujt t’i ngjajë, edhe nëpërmjet zgjedhjeve apo mënyrës se si vidhen ato. Njësoj ngjajnë dhe për nga vjedhja e pronave dhe parasë publike, edhe në gënjeshtrat e paskrupullta për të ardhur në pushtet e për t’i marrë frymën bash dy popujve më pa frymë në Ballkan e në Evropë.

Të nesërmen e horrorit politik që tronditi ç’do shqiptar me dy fije mend e lart e me të paktën një rruazë të shtyllës kurrizore të mbetur në vend, edhe Evropa rendi të ‘mirëpresë’ qeverinë dhe presidentin e ri të ‘nanës së Shkurtes’. Kjo nuk është deklarata e parë tepër e nxituar e Bashkimit Evropian, të cilës po t’i bashkangjisim edhe atë të pas-zgjedhjeve të fundit, të vjen të ulurasësh nga nostalgjia (e të hash me bukë turpi të gjitha sharjet e kritikat) për disa liderë të kësaj ane të dalë në pension, të cilët bënë ç’mos do vite më parë për të ndaluar zgjedhjen e një kryeministri në krye të qeverisë, vetëm pak javë para se ai të fluturonte për në burgun e Hagës. Këtu ja vlen të përfshij batutën therëse që na u përplas në fytyrë kur talleshim pse kishin përfshirë në një listë të zezë emrat e do fshatarëve të zhurmshëm por në sytë tanë jo fort të rrezikshëm, e kur na e kthyen: “Në Ballkan, koha ka provuar se pikërisht këto lloj fshatarësh bëhen dhe kryeministra”!

Pas kaq vitesh, sot më shumë se kurrë e kupton që pesha e akuzave apo fajeve individuale përbën krim kundër popullit sidomos kur ja vë mbi kurriz institucioneve të një shteti-bebe, të cilit me shkeljet flagrante të së martës i deformuan institucionet më të rëndësishme, Kuvendin, Presidentin dhe Qeverinë, ashtu njësoj si një foshnje kockën e butë të kokës, e cila rrezikon të mbetet e deformuar gjatë gjithë rritjes kur që sot ja shtyp fort me të dy gishtat kafkën e paforcuar ende.

‘Nanën e Shkurtes’ e shiti pa i bërë syri tërr edhe Bashkimi Evropian i sotëm, i cili për hir të një dialogu që as mendja s’na e merr se ç’mund të pjellë në këto rrethana, rendi me dihatje për të shkelur me të dyja këmbët në vetëm dy deklarata për Kosovën të gjitha vlerat dhe parimet që ia shet sa frëngu pulën vendeve e popujve të Ballkanit që lëngojnë ende sot në mjerim nga zgjedha e mafiozëve, kriminelëve, biznesmenëve, hajdutëve, gënjeshtarëve, matrapazëve, servilëve e tru-shpëlarëve të gjithfarëllojshëm të veshur me petkun e politikanëve, rob të cilën pasi e vetë-hedhin shpatullave, ju jep në duar forcë e pushtet për të kontrolluar fatet e gjithsecilit.

Për dallim nga humori therës i Kosovës, ai i Evropës jo vetëm që nuk të bën më për të qeshur, por ta mbërthen edhe më fort dhimbjen e mendjes kur lexon se këta “mezi presin të punojnë së bashku me qeverinë dhe presidentin e ri të Kosovës për të përmirësuar jetët e popullit të Kosovës dhe për t’i ndihmuar të përmbushin perspektivën evropiane të vendit”.

Mirë politikanët tanë që kësaj fjale në Kosovë e në Shqipëri i kanë dhënë kuptimin më të ndotshëm ndonjëherë, po evropianët që i mbajmë për çoç janë, me kë tallen këta të super-paguar nga paratë publike të popujve të tyre, të cilët sot më shumë se kurrë tregojnë paaftësinë për të vepruar në emër të atyre vlerave e parimeve që mbrojnë përballë të gjithë atyre popujve që po ngrihen vetë për të kërkuar drejtësi, mirëqenie dhe përfaqësim nga njerëz që duhet t’iu shërbejnë e jo t’i gënjejnë e t’i zhvasin pa fre?

Në këtë ditë të zezë jo vetëm për ‘nanën e Shkurtes’, e për ta mbyllur me humorin e zi që buron nga Kosova, para se të ulen sallave pompoze të institucioneve vendore e ndërkombëtare që shkëlqejnë nga paratë e taksa-paguesve, të gjithë këta së bashku do të duhej ndoshta të kalonin ritualin e atij politikanit shqiptar, i cili duke kapërcyer mbi varre të një toke të larë ndër shekuj me gjak, afrohej të përqafonte një nënë-loke ashtu të përlotur nga dhimbja e jetëve të humbura e me duar të zhubravitura nga një jetë e pamëshirshme, e cila ia kthente: “Po, na keni ndihmu, na e keni kajt atë nanë”!

4 komente në “Kush ia shiti nanën Shkurtes!”

  1. Dajti says:

    Armiku me i madh i Shqiperise jane vete shqiptaret,…kete te vertet te madhe e ka thene me kohe KONICA i madh.Kot i biem me qafe Evropes dhe Amerikes se ne parlamentet tona votojne deputetet tane….ata te shkretet vetem sa u tregojne se per ke duhet te votojne.Kur do shpetoje kombi shqiptar nga mercenaret dhe tradhetaret ?

  2. Nabukodonosor says:

    Nenen atyre qe “shiten nenen e Shkurtes”.

  3. beso says:

    Hahhahaahha!Shitet nana e Shkurtes andej,ketej nana e Gezim Nikes;nana e Naimit ketej u be komshije me nanen e Naimit andej qysh ne 1913…behxheti u be president me kater dhi te shterpeta,kurse ilir Meta u be gjysem qeverie me tre talebane..Ku ku,nana;ne vend te qaje kush mbeti pa nder,qan Jozefina e zallit te Kirit,se po i quajne Saliun,Salush…Do pyetur Ameriken se ç’do beje me tutje,tani qe zgjodhi skuadrat,çfare sporti do tu mesoje?

  4. protesto says:

    Eshte per te te uleritur se sa shume politika e dy shteteve tona shqiptare ia ka ulur prestigjin vendit dhe neve si shqiptare.Fatkeqesia jone eshte se politikanet tane kane qene te shitur ne serbi dhe kane ndjekur mesimet e nenes se tyre rusise, Ato gjithmone ka luajtur dhe po luajne ne kurriz te popullit te vet duke perdorur te gjitha metodat djallezore te mashtrimit mbi ate.Fatkeqesia tjeter eshte se ne si popull nuk e kemi provuar dhe nuk e njohim demokracine e vertete pasi nuk kemi patur ndonjehere shtet demokratik, si pasoje njerezit jane shperfytyruar nga kjo politike mafioze gangstere dhe nuk dine te dallojne patriotin dhe njeriun qe do ti sillte demokracine e vertete nga djalli qe po drejton.Prandaj dhe politikanet tane bejne qejf sepse e kane shume kollaj ta sulmojne dhe ndoshta dhe ta vrasin njeriun e ndershem, largpames dhe me mendje te ndritur .Pra shqiptarit i ka ardhur e keqja nga vetvetja dhe Ne nuk u ndreqem megjithese konica ka 90 vjet qe e ka thene.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje