Efektet e fushatës së pandershme

25 Shkurt 2011, 20:24Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Për 18 muaj opozita shqiptare u stërmundua pa sukses të krijonte një komision hetimor parlamentar, i cili, sipas saj, do të vërtetonte se mazhorancës i janë dhënë zyrtarisht më pak vota se sa ka marrë realisht në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Ky deformim i rezultatit, sipas opozitës, ishte realizuar në dy mënyra: 1-nëpërmjet votave fiktive (pra, të njerëzve që në fakt nuk kanë votuar, por që dikush tjetër e ka hedhur votën për ta); 2-nëpërmjet numërimit jokorrekt të votave. Me pak fjalë, bateritë e opozitës u përqëndruan tek deformimi i rezultatit zgjedhor që mund të kishte ndodhur si rrjedhojë e veprimeve të kryera larg syve të publikut. Ndërkohë, një deformim më i madh mund të jetë realizuar nëpërmjet veprimeve të kryera para syve të të gjithëve…

Kushdo që ka ndjekur mediat kryesore shqiptare në muajt para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, e ka pasur të lehtë t’i konstatonte bataretë e spoteve publicitare që trumpetonin në atë kohë arritjet e qeverisë në përgjithësi dhe të çdo ministrie në veçanti. Dhe ato ishin spote të paguara nga taksapaguesit shqiptarë, të majtë e të djathtë bashkë. Ndërkohë, televizioni “News 24” u gjobit pse transmetoi një kundër-reklamë të paguar nga një parti opozitare, me arsyetimin se fushata nuk kishte filluar akoma zyrtarisht!

Sipas raportit të OSBE/ODHIR-it rreth zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, qeveria përdori në mënyrë të përsëritur mjete dhe aktivitete zyrtare për qëllime fushate, duke e zbehur dallimin mes veprimtarive të shtetit dhe fushatës, në kundërshtim me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së. Gjithnjë sipas OSBE/ODHIR-it, inaugurimet e projekteve të infrastrukturës nga Kryeministri dhe nëpunës të tjerë të lartë të PD-së ndodhën shumë shpesh gjatë periudhës parazgjedhore, si dhe shumë afër ditës së zgjedhjeve. Në to morën pjesë turma të mëdha që valëvisnin flamujt e PD-së, ndërsa fjalimet kishin karakter shumë të qartë fushate.

Ndërkohë që dy cënimet e mësipërme të parimit të ndershmërisë së zgjedhjeve kanë qenë më se të dukshme, ndikimi i tyre në rezultatin përfundimtar nuk është lehtësisht i matshëm. Por një hamendje e edukuar rreth tij mund të bëhet.

Pranohet botërisht si aksiomë se fushatat zgjedhore në vendet demokratike zhvillohen kryesisht për të tërhequr votuesit e lëkundur. Në qoftë se të tillë votues nuk do të ekzistonin, nuk do të lindte nevoja për shpenzimet marramendëse që kryhen për fushatat zgjedhore – votuesit e vendosur mund t’i sjellësh në kutitë e votimit edhe me një fushatë fare modeste. Por sa mund të jenë ndikuar votuesit e lëkundur nga fushata jo e ndershme e qeverisë në zgjedhjet e 28 qershorit 2009?

Në Shqipëri nuk ekzistojnë studime që mund të na ndihmojnë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, por në botën demokratike ka të tilla. P.sh., Larry M. Bartels, profesor i Universitetit Princeton, në një artikull të tij të vitit 1997 ka analizuar studime të shumta ekonometrike rreth zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ai arrin në konkluzionin se dy janë faktorët kryesorë që përcaktojnë rizgjedhjen e një shefi të ekzekutivit: 1-rritja e të ardhurave për frymë; 2-perceptimi që kanë votuesit e lëkundur rreth situatës së përgjithshme ekonomike në vend.

Duke u kthyer në Shqipëri, mund të konstatojmë se rritja reale e të ardhurave për frymë (e zhveshur nga inflacioni) ka qënë rreth 3.2% në vit gjatë qeverisjes së parë të PD-së. Një rritje e tillë, sipas profesor Bartles, ndikon në rizgjedhjen e një shefi të ekzekutivit, por jo shumë. Rritja duhet të kalojë 3.5% që të ketë ndikim të ndjeshëm.

Nga ana tjetër, fushata jo e ndershme mediatike e qeverisë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 u përqendrua në krijimin e perceptimit tek votuesit e lëkundur se situata e përgjithshme ekonomike në vend ishte shumë më e mirë se katër vjet më parë. Dhe ky mund të ketë qenë një faktor i rëndësishëm që ka shtyrë një pjesë të votuesve të vakët e të ndryshueshëm për t’ia dhënë votën koalicionit qeverisës – studime të shumta statistikore në botën demokratike tregojnë se fushatat e fuqishme mediatike arrijnë ta ndryshojnë perceptimin e votuesve rreth gjendjes së përgjithshme ekonomike. Si rezultat i këtij efekti, koalicioni qeverisës mund të ketë marrë aq vota sa për të bërë diferencën për deputetin e 3-të të saj në qarkun e Beratit, deputetin e 16-të në qarkun e Tiranës, deputetin e 7-të në qarkun e Shkodrës e të Elbasanit, etj.

Hamendjet e mësipërme, sado të edukuara, mbeten hamendje. Për të marrë vesh saktë se sa votues ia kanë dhënë realisht votën qeverisë, do të duhej të hetoheshin imtësisht kutitë e dokumentacionit zgjedhor dhe ato të votave…

2 komente në “Efektet e fushatës së pandershme”

  1. dymi says:

    Por hajduti nuk i tregon kurre xhepat ku ka futur gjene e vjedhur. Ndryshe…….. nuk do te kishim me Sal-i tersin qe na e ka nxirre jeten me keq se Enveri.

  2. LORA says:

    Eshte e para here qe po shkruani pranueshem,zoti Zaloshnja.Hamendesimet tuaja dhe skepticizmi i shumices se shqiptareve do te merrnin pergjigje vetem po te behej transparenca.Meqe votat u dogjen dhe dokumentet e komisionereve u kycen,u perftua bindja se zgjedhjet jane vjedhur pertej te imagjinueshmes dhe se pandershmeria e fushates nuk e ka pjerdhur dot mendjen e publikut por ka krijuar alibine se ja ka arritur.Uroj te jeni ketej e tutje i pranueshem.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje