Agon Hamza
Kosova ka një cilësi të veçantë: ky vend kurrë nuk pushon së befasuari. Për më tepër, ky vend kurrë nuk pushon së befasuari për së keq. Duke qenë e tillë, Kosova është shndërruar në vend të prodhimit dhe bashkëjetesës së lapërdhive, obskurantizmave e paradokseve më të paimagjinueshme. Faza më e lartë e lapërdhishmërisë e obskurantizmit në këtë epokë të zhvillimit politik të vendit, u arrit të martën, me zgjedhjen e qeverisë dhe presidentit. Thënë në termet e poetit Mallarme, kjo është ‘mënxyra e errët’ për Kosovën, në fakt, padyshim është mënxyra më e errët që nga viti 1999. “Çifti ideal” politik i Kosovës u lartësua në nivel të posteve më të larta shtetërore. Nëse në kohën e luftës, tragjeditë më të mëdha vijnë nga aleanca e poetëve me ushtarakët, si p.sh. rasti i Radovan Karaxhiç (Zizek), në kohën e paqes aleanca ndërmjet politikanëve dhe biznesmenëve prodhon format më tragjike të qeverisjes. Zgjedhja e z.Thaçi dhe partnerit të tij junior z.Pacolli në postet më të rëndësishme të vendit, shënjon fundin e politikës, fundin e secilit sistem të vlerave shoqërore e politike. Ky “çift ideal” politik fortifikon e “epokën e errët” për vendin. Nuk është vetëm se dicka shumë e keqe ka ndodhur – çështja është se me strukturën e posazgjedhur politike diçka edhe më e keqe mund dhe do të ndodhë. Dhe në fakt kjo ndodhi: nëse Presidenca e Fatmir Sejdiut (dhe pastaj me Jakup Krasniqin si u.d.) ishte shumë keq, tani me Pacollin do të jetë tepër keq! Thënë ndryshe, posti i Presidentit shfaqej në disa forma: me presidentin Sejdiu, ky post kishte karakterin e farsës, me u.d. të presidentit, ai shndërrohej në komedi, dhe lista e shtrembërimeve vazhdon tutje: me Pacollin, posti i presidentit dhe vet presidenca shndërrohen në tragjedi. Kjo është triada e parë presidenciale e fazës së parë të këtij funksioni në Republikën e Kosovës. Histori e keqe për postin i cili do të duhej të kishte karakterin e unifikuesit popullor. Kjo është historia nga e cila domosdoshmërisht duhet shkëputur.
Mes tjerash, z.Pacolli ka funksionin e unifikuesit të popullit të Republikës së Kosovës. Partia e tij, AKR, pa grumbullin qesharak të partive jo-serioze që krijuan koalicionin e quajtur Koalicioni për Kosovë të Re, fitoi rreth 4% të votave, ndërsa me gjithë ato parti tjera, fitoi rreth 7%. Atëherë, për çfarë unifikuesi të popullit të Kosovës po flasim këtu? Madje edhe në aspektin formal të demokracisë, zgjedhja e z.Pacolli si president i vendit paraqet masturbim ordiner me vullnetin popullor, me konceptin e “unifikuesit të popullit”, me një fjalë, me vet postin e presidentit.
Pyetja që duhet shtruar (në formë të problemit) nuk është ajo zakonshmja: si arriti z.Pacolli me 4% të votave (pa çervish-koalicionin e tij) të bëhet President i vendit, post që sipas Kushtetutës, duhet të përfaqësojë unitetin e popullit të Kosovës. Duke qenë kritik i sistemit liberal-parlamentar demokratik, duke i njohur të metat, zbraztësitë, çarjet e saj, dhe në të njejtën kohë pamundësinë e saj (antagonizmat e papajtueshme ndërmjet nocionit dhe përmbajtjes), ajo megjithatë garantonte – në nivelin formal, së paku – njëfarë forme të asaj që ne jemi mësuar ta quajmë liri (formale) shoqërore. Kjo epokë përfundimisht ka përfunduar! Demokracia liberal-parlamentare nuk është në gjendje më të mbrojë dhe garantojë atë që është “esenciale” për të – vet demokracinë! Në nivelin formal, demokracia sot është reduktuar në kalkulimet e lapërdhishme matematikore për krijimin e koalicionit dhe zgjedhjen e presidentit (qoftë ajo edhe me kërcënime, shantazhe, korrupsion, etj – dëshmitarë të kësaj ishim të gjithë ne, të marten para raundit të tretë të votimit për President); ndërsa në aspektin material, demokracia është shndërruar në mjet për forcimin e kontrollit politik e shtetëror edhe në fushat shoqërore të cilat, fatmirësisht, ishin jashtë ndikimit politik. Kjo epokë ka marrë fund përgjithmonë! Demokracia liberal-parlamentare është ekspozuar karshi brutalitetit të pakuptimshmërisë së saj. Tani jemi në epokë tjetër, atë të autoritarizmit politik, ekonomik e kulturor, e cila për secilin individ ‘normal’, duhet të jetë jashtëzakonisht shqetësuese – madje edhe për liberalët e mirëfilltë e të ndershëm (nëse ende ka të tillë në rrethin tonë). Kaq për aspektin e ‘parëndësishëm’ formal të kësaj çështje!
Realisht, pyetja që sot duhet të na shqetësojë nuk ka të bëjë edhe aq shumë me problemin e sistemit juridik-politik të Kosovës, sa ka të bëjë me problemet sistemike e strukturore të shoqërisë së Kosovës. Të gjithë ne e kritikojmë sistemin zgjedhor të Kosovës – madje mund të dëgjojmë edhe përfaqësues të PDK-së ta bëjnë të njejtën. Por, kjo nuk është çështja. Ishte botërisht e qartë se zgjedhja e presidentit ishte objekt i manipulimeve, kërcënimeve, intervenimeve tipike të neoimperializmit amerikan – e kështu me radhë. Nëse bëhemi të sinqertë, duhet pranuar se asnjëra nga këto nuk ishin të papritshme. Por, në krejt këtë proces të turpshëm, një gjë është tejet shqetësuese: apatia, sistemi i vlerave shoqërore e politike, me një fjalë, shoqëria e Kosovës, si determinante e këtij vendi, paraqet bazë për shqetësim dhe brengosje të jashtëzakonshme. Problemi themelor dhe më i madh i shoqërisë kosovare është fakti se shoqëria jonë është thelbësisht jopolitike. Po, ne flasim shumë për politikën, komentojmë shumë nëpër portalet e lajmeve, ka thashethëme, racizma, lapërdhi, e kështu me radhë. Por, nëse kjo mund të kualifikohet disi, atëherë këto “aktivitete” sjellen dikund ndërmjet apolitikës dhe antipolitikës. Strukturat e shoqërisë kosovare janë terësisht të depolitizuara. Kemi një kryeministër i cili lëshon premtime të tipit sci-fi për rritjen e rrogave, mjerimi social po thellohet dhe zgjerohet, perspektiva po tretet gjithnjë e më shumë, politikisht jemi nën nivelin zero, vendi rrezikohet të ndahet etnikisht, projektet për privatizim do të na tëhuajësojnë atë që quhet “e përbashkëta” – ndërsa ne jemi të qetë. Sindikalistët e mbrojnë qeverinë, kanë “mirëkuptim për problemet aktuale të vendit”, dmth janë shndërruar në aparate të Qeverisë. Sindikalistëve tanë duhet mësuar një mësim nga sindikalistët grekë, francez, slloven, anglez, etj. Pra, problemi i zgjedhjes së z.Pacollit si president qëndron pikërisht në faktin që kjo është e pranushme për këtë shoqëri. Dmth, sistemi i vlerave shoqërore të Kosovës jo vetëm që e toleron, por madje e pranon Pacollin si president të saj (njësoj sikurse që e pranon korrupsionin/vjedhjen, manipulimin dhe vjedhjen e votave, dhe shumë gjëra të tjera). Me nje fjalë, po të ishte kjo shoqëri politike, sot Kosova do të ishte kapluar nga trazirat, demonstratat, pra nga revolta popullore e cila do ta kundërshtonte zgjedhjen e Pacollit si president. Çështje me urgjente se ndryshimi i ligjit zgjedhor dhe kushtetutës është ndryshimi i strukturave shoqërore, që e bëjnë të pranueshëm për vendin një president si z.Pacolli dhe një kryeministët si z.Thaçi.
Por, nuk është vetëm se shoqëria kosovare është jo-politike (apolitike). Fatkeqësisht, problemet e kësaj shoqërie janë më të thella. Zgjedhja e Pacollit është një shënjues preciz (si në psikoanalizë) për të ardhmen e vendit: në fakt, përbrenda strukturave shoqërore, politike e ideologjike të Kosovës, z.Pacolli është njeriu ideal për President, pasi që sipas po këtyre strukturave (dhe politikave që sot i determinojnë ato), Kosova rrezikon të shndërrohet në një zone tërësisht të depolitizuar dhe rrjedhimisht, do të përfundojë në një zonë të eksperimentimit neoliberal (kujtojeni Haitin).
Me z.Pacolli në krye të shtetit mesazhi që përcillet është ky: Kosova nuk ka kurrëfarë pretendimi dhe ambicie për t’u shndërruar në arenë ku mund të eksperimentohet me ide dhe vlera universale. Zgjedhja e tij shndërron Kosovën në ekzistencën 0, si grusht i fortë ndaj politikës emancipuese si të tillë. Ajo që sot shoqëria shqiptare ka shumë nevojë, kudo në Ballkan, është pikërisht emancipimi shoqëror e politik; me fjalë të tjera, kemi nevojë për një ringjallje të filozofisë së Descartes, premisa e së cilës bazohet në subjektin si bartës i mendimeve. Kjo strukturë e pushtetit është negacion i formulës Descartiane, negacion i potencialit të mendimit kritik, si parakusht për emancipim.
Në këtë kontekst, kur ky vend është kapluar nga ky depresion kolektiv, nga kjo paperspektivë, ne duhet gjetur kurajën për t’u shndërruar në subjekte të mendimit. Kurajo! Kjo është fjala e artë për vendin. Gjëja më e mirë që opozita mund të bëj është bojkotimi i institucioneve, poashtu siç bëri në ditën e votimit të presidentit dhe qeverisë. Thjeshtë, është jashtëzakonisht e padinjitetshme të jesh pjesë e atij parlamenti dhe atyre institucioneve. Në anën tjetër, krijuar një “kod të ndershmërisë/njerëzisë”. Së paku tani, mund të fillojmë të bëhemi agjent të ndryshimeve rrënjësore e sistemike të vendit.
Comments are closed.
Pe gjithcka shkruan qendrojne, jane te drejta, por me duket se e tejkalon te drejten me formen ekstremisht te ashper.( …Kosova eshte shnderuar ne vend te prodhimit dhe bashkjeteses se LAPERDHIVE(nenvizimet jane te mijat) , OBSKURANTIZMAVE e PARADOKSEVE me te paimagjinueshme.) Keshtu thua ti.A nuk te duket se ketu, me keto fjale, e ke tejkaluar te drejten bazike qe ke? Mua me duket se po.
Mendoj se ne thelb Artikulli eshte i sakte. Jo vetem kaq, po ky artikull vlen edhe me shume per Shqiperine. [ per popullin e Shqiperise, i cili ashtu si edhe ai kosovari eshte kthyer ne nje popull qe tek e tek josht nga pushteti i radhes, dhe i ka bere leshim korrupsionit]
Keto ngjarje tregojne mos-civilitet te te dy vendeve: Kosove e Shqiperi!
Keto ngjarje jane faza me tragjike e shekujve XX dhe XXI!
Keto dy ngjarje si per cudi dolen ne te njejten kohe dhe ndihmojne negativisht ne rimekembjen demokratike, apo per nje bashkim te te dy vendeve. Jane faze teper tragjike e historise sone!!!
Une mendoj se nuk duhet folur para kohe .Le te shikojme si do punoje presidenti i ri .
Mund te me shpjegoje naj njoni per kete Pacollin qe se duan,nuk kam shume informacion,pervec atyre qe shkruajne per disa deklarata te tij pro serbise.Vetem per kete arsyenuk e duan apo edhe per gjona te tjera?
Pacolli eshte si delja rude;kjo s’ka diskutim qe eshte shume antipatik,por ne fakt Pacolli shfrytezoi dobesite e politikes kosovare,dhe i vuri kusht Thaçit,se Thaçi nuk po formonte dot qeverisjen.Edhe lekurezi te ishte Pacolli,dhe memec fare,ai zgjidhej president sipas nje marreveshjeje qe i lejonte Thaçit qeverisje.Pra,te mos shajme Pacollin,pse ai me pak lesh ja ben”bèèèèèèèèèèèèèèèè” tere diten;shfrytezoi konjukturat,biles do kete dhe ca ministra.Ishte qe ishte,pse nuk kerkoi dhe dy tragete…Nuk jam dakord me autorin vetem ne nje pike;presidenti nuk eshte e thene qe perfaqeson shumicen;ai mund te jete dhe nje personalitet si Qosja,qe merret nga shoqeria civile,dhe mund te jete krejt apolitik,dhe punen ta beje me mire nga keta qe shikojne sms ne celulare.Per te tjerat jam dakord.