Dellokracia e dëmshme

1 Mars 2011, 22:19Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Ambasadori amerikan Christopher Dell, fatkeqësisht, u bë pjesë e një farse zgjedhore para një jave, kur u zgjodh jo presidenti i Kosovës, por kryetari i tarafit politik të Hashim Thaçit. Dell mund ta lajë pak këtë turp vetëm nëse nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese të marrë vendimin e vetëm të mundshëm sipas logjikës juridike dhe mendore: Anulimin e votimit të realizuar me kërcënime, shantazhe, presion – dhe SMS!

Ambasadori amerikan Christopher Dell i ka bërë një dëm të madh demokracisë edhe ashtu të brishtë të Kosovës. Këtë dëm ai e ka bërë me mendime, me fjalë dhe me vepra të turpshme. Ditën kur parlamenti u mblodh për të zgjedhur institucionet e reja, s’kishte asnjë shenjë solemniteti. Dhe si të kishte kur gjithçka i përngjante një varrimi – varrimit të demokracisë sipas skenarit të përgatitur nga çifti i ri pushtetor i përbërë nga Hashim Thaçi dhe një person që ditëve të fundit në opinion po paraqitet si kryetar i Kosovës, e në fakt është president i tarafit politik të kryeministrit. Atë ditë, të martën e 22 shkurtit, ambasadori Dell kishte zënë vend në tribunën e nderit në Kuvend, bashkë me diplomatë të tjerë. Afër Dellit ishte ulur (athua rastësisht?) një person me emrin Esad Pushkar – nomen est omen, do të thoshin latinët! Po përse ulej bash afër ambasadorit një person, një Pushkar, që hiqej si këshilltar i kryetarit të Aleancës Kosova e Re (AKR)? Pushkar duhej të mbante lidhjen, ai ishte përçuesi i porosive të ambasadorit dërguar kandidatit për kryetar, i cili po rrinte ulur në Kuvend afër Ukë Rugovës, i cili brenda pak muajve i ka dhënë leksion trishtues këtij vendi se një prind i mirë pas vete mund të lë edhe ndonjë trashëgimtar faqezi.

“SMS nr. 6”

Kur dështoi raundi i parë, kur një fraksion i madh, me gjasë, brenda Partisë Demokratike hapur dërgoi sinjal kundër kandidatit, Pushkar në emër të Dellit, përmes mesazhit telefonik, i dha gajret kandidatit të hutuar, duke i thënë se kjo ishte vetëm lojë me nerva. Në këtë mënyrë kandidati u këshillua të qëndrojë në garën e turpit. Kur dështoi edhe raundi i dytë, kur deputetët e PDK-së ikën nga salla duke nxjerrë me zor një “pauzë pesëminutëshe”, nisi procesi i përpunimit të deputetëve. Rolin e përpunuesve e morën në dorë edhe figura jashtë parlamentit. Edhe pse ambasadori Dell po përbetohet se s’ka pasur rol në seancën e të martës, një mesazh, që në histori do të hyjë si “SMS numër 6”, e demanton diplomatin që fatkeqësisht përfaqëson Amerikën, vendin e demokracisë dhe lirisë. Në këtë masazh Pushkar, duke iu referuar Dell-it, i tregon shefit të AKR-së se gjithçka do të jetë në rregull pasi që “Fatmiri (Limaj) dhe Jakupi (Krasniqi) ishin të frikësuar nga kërcënimi në fund…”. Këto mesazhe e bëjnë Christopher Dellin pjesë të farsës zgjedhore – një farsë e kurdisur me shantazhe, kërcënime dhe presion. Nëse Pushkar ka shkruar në emër të Dell-it pa dijeninë e këtij të fundit, atëherë ambasadori do të bënte mirë që ta padiste Pushkarin! Kjo është çështja! Sqarohu me Pushkarin, zotëri ambasador! Dell me veprimin e tij e ka turpëruar Amerikën dhe e ka fyer popullin e Kosovës. Ai e ka ndotur higjienën demokratike, e cila edhe ashtu qëmoti ka qenë e helmuar nga politikanët vendorë, pushtetarë e opozitarë.

Ata gazetarë, kameramanë e fotografë që regjistruan mesazhet e turpit lëre qe nuk kanë shkelur asnjë kod publicistik, por kanë kryer një punë heroike në interes të popullit të Kosovës. Në vend që t’i kërkonte falje opinionit për ndërhyrjen e tij në një proces zgjedhor, Dell dërgoi një letër publike duke u ankuar se qenkësh shkelur privatësia e tij. Ky reagim ishte i çuditshëm, sepse Dell fliste në emër të Esad Pushkarit, nga telefoni i të cilit ishin dërguar SMS-të. Thua se Dell është zëdhënës i këtij personi me origjinë boshnjake, i cili është përmendur si njëri nga personat që synon t’i fusë gishtat në privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK). Letra e Dellit ishte, me gjasë, një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga farsa zgjedhore. Ajo copë letër ishte po ashtu presion i paparë deri më sot nga ana e një diplomati amerikan në Kosovë kundër mediave të lira. Nuk i takon ambasadorit Dell t’u japë leksione për etikë gazetarëve, të cilët kryejnë punën e tyre në një ambient të egër demokratik, ku punonjësit e pavarur medialë ndodhen mes një pushteti që ka mbjellë frikën dhe një aradhe mushkonjash pseudogazetareske, që për qëllim kanë prodhimin e mjegullës informative dhe zhvatjen e ndonjë honorari për shërbim në punë të liga.

Fajtori kërkon fajtorë

Duke parë se sulmi ndaj mediave vetëm e diskrediton dhe assesi nuk e arsyeton për veprimet e tij, ambasadori Dell u përpoq të gjejë argumente të tjera kinse më të bindshme pse ndodhi ajo që ndodhi të martën e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë ai e bëri fajtor Ramush Haradinajn, sepse duke refuzuar koalicionin me PDK-në e paskësh shkaktuar këtë situatë, kur president i vendit, në fakt i tarafit politik të Hashim Thaçit, u bë ky që u bë dhe që po shet poza të qullëta patriotike. Ishte cinizëm i paparë për historinë e përgjakur të Kosovës që ky person pas një aksidenti fatal të demokracisë kosovare zyrtarisht mori detyrën më 24 shkurt 2011, rrafsh tri vite pasi, më 24 shkurt 2008, në “Veçernji list” të Zagrebit ishte cituar me këto fjalë, që kurrë s’i demantoi në gazetën kroate: “Srbija [je] još majka Kosova, nažalost, zla majka”.

Nëse është fajtor Ramush Haradinaj, atëherë fajtorë janë edhe Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Albin Kurti nga Vetëvendosje (VV) që s’pranuan të lidhin aleanca qeveritare me Thaçin. Athua ambasadori Dell e ka pyetur ndonjëherë veten pse të gjitha partitë e mëdha politike shqiptare në Kosovë po e refuzojnë Thaçin si partner qeverisjeje? Nuk janë fajtore këto parti që gjenden në opozitë dhe përfaqësojnë shumicën e popullit shqiptar të Kosovës. A ka menduar diplomati amerikan se si i ka trajtuar deri më tash partnerët e koalicionit Hashim Thaçi? Me përçmim e përbuzje i ka hedhur si çamçakëzë. Rasti i LDK-së është shembulli më grotesk. Kjo parti në qeveri përfaqësohej kryesisht prej figurave të parëndësishme politike, që vërshimet dhe stuhitë e kohës i sollën në pozita. Thaçi s’kishte as respektin më të vogël për ta. Këtë e dëshmoi edhe natën e Zanzibarit, kur vicepremieri Hajredin Kuçi u bë aq i pashpirt dhe në mesnatë ia prishi gjumin kolegut të tij zëvendëskryeministër Ramë Manaj, duke ia kumtuar lajmin e hidhur se gjithçka mori fund. LDK e duroi edhe këtë poshtërim, sepse kështu dëshironte Fatmir Sejdiu, i cili ndihej tepër komod si president dhe më shumë ishte i preokupuar që me ligj ta rregulloj statusin e zonjës së parë se sa të bënte politikë serioze. Mbetet të shihet nëse LDK e ka ndërmend të bëhet parti e besueshme. Mbetet të shihet nëse në mesin e 27 deputetëve të saj nuk ka ndonjë prostitutë politike, që do të joshet gjatë mandatit për të kaluar në ndonjë taborr tjetër politik. Sa i përket Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK): Kjo parti në javët e fundit ka folur me disa zëra dhe opinioni nuk e ka pasur të qartë se cili, në fakt, është qëndrimi i saj. Disa eksponentë të saj luftonin të hynin në valle me Thaçin, disa të tjerë ishin kundër. Dhe kjo bëhej publikisht dhe kështu AAK dilte qesharake. Mbetet të shihet nëse do të nxirren mësime nga kjo rrëshqitje.

Mesazh i keq

Të kthehemi te ambasadori Dell: Duke folur për opozitën ai tha për Radion Evropa e Lirë se LDK, AAK dhe VV duhet të lënë lojën me fjalë për procedurat dhe të koncentrohen me sfidat e vërteta, siç janë: sundimi i ligjit, korrupsioni, zhvillimi ekonomik dhe prodhimi, krijimi i vendeve të punës për njerëzit, kujdes më të mirë shëndetësor për të moshuarit, arsimi për fëmijët e Kosovës. Si të kuptohet ndryshe ky qëndrim i ambasadorit përveç se si apel ndaj opozitës dhe popullit të Kosovës që t’i mbyllin sytë para aktit makabër të shkeljes së Kushtetutës të martën e kaluar. Mesazhe të tilla vijnë në një kohë kur Amerika po shkëputet nga regjimet autokratike në Magreb dhe në Gjirin Persik, kur presidenti Barack Obama hapur mbështet lëvizjet demokratike në gjithë botën. Ambasadori Dell mund t’i ndihmojë shumë qytetarëve të këtij vendi nëse e inkurajon ose së paku nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës që sa më shpejt të marrë vendimin e vetëm të mundshëm sipas logjikës juridike dhe mendore: Anulimin e votimit para një jave, i cili u realizua me kërcënime, shantazhe e presion. Dhe me SMS! Nëse nuk riparohet dëmi sa më shpejt, atëherë mirë se vini në Xhamahirinë e Kosovës, ku një person që paraqitet si kryetar i Kosovës e shkel Kushtetutën disa minuta pasi lexon betimin.

Lini një Përgjigje