Si parantezë të këtij shkrimi më duhet të vendos një situatë tipike për gjendjen të cilën po e jetojmë. Më rastisi njëherë të gjendem në mesin e disa pleqve, të cilët ankoheshin për gazepet e mëdha që kishin përjetuar gjatë jetës së tyre të gjatë. Njëri nga ta, i cili u duk të ishte më i heshturi, nuk u përmbajt e tha: “Përnjëmend kemi hequr shumë, ama edhe budallallëk kemi pasur tepër”. Në fakt, plaku i urtë veç sa e parafrazoi sentencën e njohur se njeriu heq për mend. Edhe ne po vazhdojmë të heqim gazepe të mëdha.
E caktuam të martën për t’iu gëzuar zgjedhjes së përfaqësuesve të vendit, pas një ngërçi të gjatë institucional. Po e marta, edhe në bazë të besëtytnisë që ka populli ynë për të, doli të ishte ditë e zezë për Kosovën. E marta është dita e vetme në kalendarin javor, në të cilën populli ynë nuk cakton aktivitete festive a gëzime familjare.
Të martën e vumë në siklet edhe ambasadorin amerikan Dell, i cili sigurisht që nuk ka ditur për këtë besëtytni. Ambasadori amerikan tash e tutje kurrë nuk do ta harrojë të martën, sepse jo vetëm që do ta ketë të regjistruar në kujtesë, por do ta ketë të ruajtur edhe në celularin e tij. Tani ai nuk ka të drejtë të ankohet pse mediat e nxorën në pamjen, e cila dëshmonte se edhe ai ishte pjesë e një zgjedhjeje të tillë, e mbështetur sall në kalkulime të interesave të grupeve dhe individëve. Mediat nuk bënë gjë tjetër, pos që, duke i shkaktuar zemërim, ambasadorin amerikan e bënë anëtarë të bashkësisë sonë të dëshpëruar, e cila në këtë rast padyshim bën shumicën e qytetarëve të Kosovës. Kjo nuk është keq për të.
Dëshpërimi i ambasadori Dell karshi ekzaltimit të Pacollit duket të jetë një gjë e vogël, përkundër që zgjedhja për president të Kosovës e biznesmenit nuk ishte ndonjë befasi, ndërsa ishte prodhim i një rrjedhoje logjike të të gjithë asaj që kemi parë e përjetuar që nga rasti i “Zanzibarit”. Nuk është zor të bëhesh edhe president në “republikën e patateve”, zor është të jesh qytetar në këtë vend, ku ka kohë ka humbur kuptimin edhe habia. Nuk është gjë e zorshme që një milioner të bëhet kryetar i fukarenjve më të mëdhenj në Evropë.
Po t’i kthehemi fenomenit Pacolli dhe ekzaltimit të tij, mbi imazhin shumë të keq të vendit. Ekzaltimi i Pacollit më së miri shpjegon krizën tonë morale, e cila vendin po e shndërron në një moçal politik. Ndërsa në mediat e huaja Pacolli kishte deklaruar se do të jetë Titoja i Kosovës, për gazetarët kosovarë Pacolli tha se do të ndjek rrugën e Rugovës. Kjo ishte deklarata e parë e tij që dëshmonte se presidenti i ri i Kosovës do të vazhdojë të përdor konstruksione të ndryshme për t’u hedhur hi syve qytetarëve, gjë kjo e cila është tipike për politikanët e konceptit makiavelist.
Të gjithë e kemi të qartë se nuk ka mundësi Pacolli të ecën në këtë rrugë. Rugova për rrugë të vet dhe të Kosovës kishte zgjedhur Perëndimin, fort i bindur në maksimën e rilindësve se dielli për shqiptarët lind në Perëndim. Rugova si aleat të tij kishte Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK), mu shkaku i këtyre motiveve. Pacolli ka zgjedhur rrugën e Lindjes, prej nga edhe është mbushur motiv dhe forcë për të ardhur këtu ku është, mu për këto motive. Pacolli për aleat ka zgjedhur Partinë e Drejtësisë (PD), e cila gjithë aktivitetin e saj e ka përqendruar në lejimin e shamive nëpër shkolla, gjë për të cilën Pacolli edhe i ka dhënë premtime.
Rugova përfaqësonte një lëvizje të mbështetur në frymë shumë të theksuar iluministe, ndërsa Pacolli është prodhim i një fryme të kapitalizmit të egër, mbështetur në një ekonomi informale, e cila edhe po dikton rrjedhat e politikës në Kosovë. Në fund të fundit jo vetëm Pacolli, por as vetë djali legjitim i Rugovës nuk po e ndjek rrugën e babait të tij, përkundrazi.
Pacolli vërtet realizoi ëndrrën e tij dhe kjo nga aspekti i së drejtës është krejt legjitime. Dhe hallall i qoftë, sepse ne ishim ata që e ndërtuam mitin për të dhe të njëjtin tash duam ta rrënojmë, si në baladën për Rozafën. Kujtoni vrapimin pas tij të gazetarëve nga të gjitha hapësirat shqiptare. Kujtoni vetëm televizionin publik me çfarë hapësire dhe përkushtimi ka ndërtuar këtë mit. Po nuk është mirë të harrohet e të mos kujtohet fakti se Pacolli kishte edhe mediat e tij, nëpërmjet të cilave bleu shumë gazetarë, analistë e koluministë. Fromi më së miri e shpjegon këtë fenomen, kur robi përkushtohet për të zotin, se sa zor e ka t’ia kthejë shpinën pastaj.
Hodhëm gur e dru mbi Pacollin, madje duke shkelur etikën gazetareske njësoj si në rastin e ndërtimit të mitit për të. Shkuam aq larg sa në raport me bashkëshorten e tij ruse, shfaqëm edhe ndjenja fashizmi.
Po tashmë, të gjitha këto janë pak të rëndësishme. Pacolli u pranua si president nga familjet emblematike të Kosovës. Edhe vetë Krasniqi ia dorëzoi solemnisht postin e të parit të Kosovës, duke dëshmuar kështu se ai respekton institucionet, pavarësisht ndikimit të SMS-ve për bërjen e tyre. Më në fund, asnjë nga politikanët me ndikim nuk u deklarua të mos e kishte mik Pacollin, përkundrazi!
Çka duhet të bëjmë që të dalim nga ky moçal ku keqas jemi katandisur – kjo është çështja, sepse nuk bëjnë më punë ankimet e vajtimet. Demokracia është procedurë, siç e pamë edhe të martën. E pamë se demokracia mund të jetë edhe e kontrollueshme nga forca e pushtetit. Megjithatë, esenca e demokracisë nënkupton një qytetari në veprim. Dhe kjo tashmë është më e mundshme se kurrë. Mbase është e mirë e vetme e kësaj të keqeje me maje. Vullneti i shumicës së qytetarëve tashmë është në opozitë.
Opozita është pjesë integrale e institucioneve. Është koha që të veprohet për një reformë të njëmendtë të sistemit zgjedhor, në kuadër të të cilit do të bënte pjesë edhe zgjedhja e presidentit nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve. Është koha kur me durim duhet ta pimë koktejin e bërë nga ekzaltimi i Pacollit dhe dëshpërimi i ambasadorit Dell. Shija është e keqe, por…
Comments are closed.
BRAVO I PAPARE FARE
Une mendoj se ketu teprohet me kritika
kunder kesaj qeverisjes se re qe nuk ka filluar nga puna akoma
Lereni te filloj e te punoj
edhe pastaj kur ta shifni se gabon ,kritikojeni .Por te kritikosh paraprakisht nuk eshte e shendetshme per nje shtet te ri sic eshte Kosova
Duhet qe edhe kur kritikon te kesh sensin e Patriotit , te mos kritikosh aq shume sa te kalosh ne extrem ,
per arsye se Shteti i ri i Kosoves ka shume armiq ,
ndaj eshte mire
qe te shikohen me shume ku jane te mirat e kesaj qeveri dhe hajde ta ndihmojme si ti shtoje ato, si ta beje me te miren per Kosoven dhe popullin shqiptar te Kosoves…..
Ne qofte se ju kosovar nuk keni njerez per udheheqje,pse derdhet gjak?Me pare e kishet sherrin me serbin kishte kuptim! tani do beni sherr me njeri tjetrin,a ka kuptim?