Përtej bojkotit
Ndërsa në parim bojkoti zgjedhor mbetet për opozitën aksion sensibilizues demokratik me rrjedhojë thjesht politike përballë kontekstit politik të përkeqësuar, përgjegjshmërisë e ndjeshmërisë demokratike në pikëpyetje të palës tjetër dhe prezencës së protagonistëve ‘bias’ për shkak të lakimit në administrimin e politizuar të zgjedhjeve të 2009, duke patur parasysh: (a) interpretimin eventual si ‘sabotim’ elektoral për shkak të ‘bipartizmit’ të Kodit Zgjedhor në administrimin e proçesit, (b) të drejtën kushtetuese të votimit, (c) ndjeshmërinë perëndimore ndaj bojkotit administrativ, (d) insistimin e miqve anglo-saksonë për përmbushje të proçesit, (e) krijimin e preçedentit të kompromentimit të proçesit, (f) preçedentët e kësaj mazhorance që mund të hyjë në zgjedhje edhe me vetveten apo me opozitë ‘surrogato’(!) etj, prania në zgjedhjet lokale për opozitën, përtej dilemës së ‘grackës’ apo legalizimit të farsës eventuale, mund të jetë ‘asi’ tjetër nën mëngë për të avancuar, nën një dimension të ri, kauzën e kahershme të zgjedhjeve të parakohëshme.
Pavarësisht faktit se: (a) garancitë mund të mos ofrohen, (b) se dhe nëse ofrohen, nuk ka garanci për garancitë nisur nga preçedenti i 2009 e këtej, (c) perëndimi e ka ulur ‘stekën’ ndaj performancës e përgjegjshmërisë demokratike të qeverisjes etj, opozita nuk e ka luksin e bojkotit që si akt civil demokratik presupozon sensibilitet e reagim demokratik nga pala përballë. Në delirin politik dhe karshillëkun ndaj parimeve të demokracisë, nëse bojkoti ndodh, ‘fitorja’ plebishitare në zgjedhjet lokale për mazhorancën nuk do të ishte për të aspak kompromentuese përpara opinionit, sikurse preçedenti i 1996 provoi, por një alibi më shumë për të justifikuar abuzim të mëtejshëm në emër të votës së ‘lirë’ së rradhës.
Zgjedhjet lokale – sfidë apo shans!
Sfida e opozitës mbetet pjesmarrja e triumfi në zgjedhjet lokale si shans për: (a) forcimin e pozicionit të saj në raport me pushtetin qëndror përmes administrimit të fondeve që ndryshe do të kanalizoheshin e abuzoheshin jo vetëm në disfavor të qytetarit por dhe korrektësisë së zgjedhjeve të parakohëshme të synueshme, (b) potencial për presion deri mosbindje civile mbështetur në infrastrukturën, matricën e funksioneve e fondet në dispozicion, (c) konsolidimin e imazhit, ‘legalizimin’ e trendit politik të nevojës për ndryshim e tundimin e perëndimit për zgjedhjet e parakohëshme. Duke e shndërruar outputin e zgjedhjeve lokale në plebishit për kauzën e zgjedhjeve të parakohëshme, pritshmëritë ndaj reagimit të vetë mazhorancës duhet të jenë realiste sepse ajo ka dëshmuar se nuk impresionohet dhe nuk lëshon pe ndërsa vijon me klishetë e ‘votës së lirë’ dhe mbarimit të mandatit qeverisës me çdo kusht.
Për të gjeneruar efekte pozitive me zgjedhjet e majit, opozita duhet të: (a) transformohet në një koalicion të gjërë pan-ideologjik të majtë e të djathtë që bazohet tek respekti ndaj pronës, barazisë përpara ligjit, jetës dhe dinjitetit njerëzor dhe përgjegjshmëria e transparenca në qeverisje, (b) lobojë sistematikisht partnerët perëndimorë për pritshmëritë e perceptimin e outputit lokal elektoral, (c) monitorojë zgjedhjet e në rast abuzimi prej mazhorancës të shtojë listën e arsyeve të largimit të saj.
Fakti që fushata për zgjedhjet lokale interferon me protestën në proçes për lançimin e zgjedhjeve të parakohëshme, sesa sfidë përbën një shans sepse momenti e ngarkesa emocionale, psikologjike e politike që ka ndezur e frymëzon kërkesa për zgjedhje të reja, do t’i mbivendoset predispozicionit tradicional për zgjedhjet lokale duke shtuar pjesmarrjen në votim gjë që në përgjithësi favorizon opozitën. Një fitore eventuale do të forconte imazhin e opozitës dhe do të bartej për inerci në fushatën imediate për zgjedhje të parakohëshme duke lehtësuar administrimin e frymëzimin e një elektorati tashmë nën psikozën e fitores që në ‘vrap e sipër’ prej garës lokale natyrshëm është gati dhe për trofeun në ‘finishin’ e dëshiruar – zgjedhjet e parakohëshme. Edhe nëse abuzimi eventual prej mazhorancës, duke filluar me ID off-line apo listat e pasakta zgjedhore, pasuar me intimidimin e abuzimin institucional, deformon rezultatin elektoral, kjo veçse forcon kauzës e opozitës që ka rastin që të koleksionojë efektet boomerang të abuzimit të rradhës të një qeverie që rikonfirmon e thellon arsyet për largim me pritshmërinë prej perëndimit larg ngutjes së çertifikimit si në 2009.
Tehu opozitar
Arsyet e një zgjidhjeje të re politike janë të shumta dhe të hershme nga nëpërkëmbja e votës së lirë, transparenca e munguar, abuzimi me buxhetin dhe kaotizmin e strategjisë ekonomike, varfërinë në progres, humbjen e jetëve si në rastin e Gërdecit, 21 janarit, kompromentimi i interesave të kombit etj. Kjo e fundit, me marrëveshjet jo transparente të varrezave, ujrave, rregjistrimit etnik e fetar sëbashku me 21 janarin e bëjnë imediate zgjidhjen politike të futur në rrugë pakthim me cënimin e votës së lirë. Në kushtet kur ushtarët e huaj varrosen në Shqipëri, ndërsa pretendohet se prehen në tokë të tyre(!), kur ujrat detar rezultojnë më pak të shenjta se kufiri tokësor dhe rregjistrimi etnik promovohet ndonse vetëdeklarimi presupozon liri prej presionit, rrokada qeverisëse është imediate për hir të demokracisë e interesit kombëtar dhe kjo duhet të përbëjë një dimension kryesor në lajmotivin e protestës opozitare në vijim.
Kryeministri ‘hije’
Përballë një mazhorance që nuk arriti të demostronte ndjeshmëri demokratike për të krijuar preçedentë pozitiv të dobishëm për standartin demokratik e vetveten kur të ndodhet në opozitë, opozita, si flamurtare e politikës së re, pa ulur ‘stekën’ për reciprocitet, duhet të krijojë preçedentin e një beteje elektorale parimore përmes skemave politike transparente dhe të moralshme episod i të cilës është dhe identiteti i kryebashkiakut të ardhshëm.
Lideri i opozitës është ‘kryeministër në hije’ ndaj perceptimi i elektoratit të opozitës dhe shumë syresh të pavendosur është se formati i kryetarit të bashkisë është tashmë i tejkaluar, formalisht për shkak të pozicionit si titullar i opozitës, ashtu dhe diferencës së madhe mes potencialit, evoluimit të staturës e dimensionit politik të tij dhe matricës së funksioneve dhe përgjegjësive që posti kryebashkiakut bart. Nëse sipas opozitës vëndi i kryeqeveritarit është ‘vakant’ për shkak të shpërdorimit, ai është njëkohësisht, përtej kalkulimeve për fatin e karrierës personale, destinacioni dhe ‘fati’ pakthim në horoskopin politik të liderit të opozitës. Kontratën e rradhës ai e ka për detyrim ta lidhë me gjithë shqiptarët, tiranasit përfshirë. Një kontratë e re me tiranasit, do të stononte me statusin e liderit të opozitës e do të ishte zhgënjyese për elektoratin që beson në kauzën e zgjedhjeve të parakohëshme dhe moralin e kontratave elektorale që nuk zhbëhen në mes të udhës duke kompromentuar rrjedhimisht vetë kauzën eventuale kryeministrore. Falë CV si kryebashkiak dhe rezultateve impresionuese në vite, do të mjaftonte prania e mbështetja publike, sikurse kudo në Shqipëri, ndaj një kandidati të ri në Tiranë, që lideri opozitës të kontribuonte në fitoren e rradhës, pa cënuar moralin e etikën e synimit politik për postin e krye-qeveritarit. Duke mos ulur ‘pjacën’ me një fitore që ‘korrupton’ këtë moral e ambicie përballë një figure dytësore të mazhorancës, lideri opozitës merr përsipër përgjegjësinë përballë gjithë shqiptarëve që meritojnë, si tiranasit deri më tani, privilegjin e progresit që bart politika e re por tashmë e implementuar në qeverinë qëndrore. Shoqëria nuk ka nevojë vetëm për qytete të pastra dhe me infrastrukturë, gjelbërim dhe kanalizime, lulishte dhe kënde sportive por dhe arsim dhe shëndetësi efektive publike, bujqësi dhe industri në progres, strategji ekonomike të qarta, dinjitet në politikën e jashtme, polici dhe administratë korrekte etj elemente kuadër që ofrohen vetëm prej qeverisë qëndrore. Përtej kalkulimeve taktike, pritshmëria mbetet që lideri opozitës të shpallet pretendent për kryeministër, duke rrezikuar gjithshka për gjithshka në emër të moralit politik dhe respektit ndaj elektoratit e aspiratës së tij perëndimore.
Comments are closed.
Edi si Kryemnisiter do jete i shkelqyer ,por si lider i opozites eshte shume i dobet
Sala ne opozite eshte perfekt , ndersa si kryeminister eshte nje fatkeqsi kombetare
Ky konkluzion i autorit s’ka nevoje per komente.
“Përtej kalkulimeve taktike, pritshmëria mbetet që lideri opozitës të shpallet pretendent për kryeministër, duke rrezikuar gjithshka për gjithshka në emër të moralit politik dhe respektit ndaj elektoratit e aspiratës së tij perëndimore”