Së pari është gjuha…

8 Mars 2011, 21:17Blog TEMA

Nga Alqi Kadenasi

Janë shtuar reagimet nga emigracioni ynë në botë lidhur me domosdoshmërinë e njohjes dhe përdorimit korrekt të gjuhës shqipe nga komunitetet shqipfolëse në këto vende. Me të drejtë ndjehet si shqetësim i madh përdorimi jo korrekt i gjuhës, veçanërisht nga brezi i ri i lindur apo i rritur në këto vende, larg vendit amë.

Problemi i përdorimit dhe mirëpërdorimit të gjuhës amtare, sot është një çështje jo thjesht kulturore, se sa shoqërore, historike dhe identifikimi. Në kushtet e proceseve të pandalshme integruese dhe ato të një vendi të vogël siç është vendi ynë, problemi i gjuhës amtare është dhe do të jetë edhe një problem i madh kombëtar. Ndaj shqetësimi i shprehur nga ana e shumë e shumë personaliteteve e njerëzve të thjeshtë, specialistëve të arsimit dhe njerëzve të kulturës për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe në radhët e emigracionit është një çështje e madhe.

Problemi në fjalë, ndonëse duket si një problem i lidhur thjesht me emigracionin, sipas mendimit tim s’është tamam i tillë. Ndoshta do të dukej çudi, por mendoj se s’është e tillë ideja që problemi i gjuhës shqipe në emigracion lidhet drejtpërsëdrejti me atë që quhet reforma arsimore në Shqipëri.

Pa dashur të hyj në detaje të idesë së reformimit të sistemit arsimor brenda vendit, mbetet kusht bazë që shqiptarët jashtë vendit të njohin, përdorin dhe mirëpërdorin gjuhën e nënës, mjafton të sjellim në vëmendje  domosdoshmërinë e teksteve, programeve të unifikuara, specialistëve, që do të duhej të përgatiteshin dhe dërgoheshin jashtë pranë komuniteteve shqiptare.

Eksperienca e deritashme e shtetit tonë në këtë fushë është veçse sporadike. Ajo më shumë reflekton shqetësimet dhe përpjekjet dashamirëse të individëve të veçantë se sa ato të vetë shtetit.

Me gjithë përpjekjet jo të vogla të administratës dhe qeverisë aktuale për gjoja nivelin e cilësinë e lartë arsimit në vend, statistikat e sistemeve monitoruese ndërkombëtare, të specializuara në studimet për arsimin (OECD) e rendisin vendin tonë në shkallët më të ulëta krahasuar me vendet e tjera.

Ka shumë e shumë arsye për këtë gjendje të arsimit në vend, gjendje të cilën vetëm pushtetarët aktualë nuk duan ta shikojnë. Por sidoqoftë, një gjë është e sigurt. As që mund të mendohet se situata do të ndryshojë pa realizuar një reformë të vërtetë arsimore e jo një pseudoreformë virtualë dhe kozmetike. Kur shohim se si po zhvillohet arsimi në vend në këto vite, që ende quhen të tranzicionit, të vjen në mëndje një thënie shumë e mençur e një prej specialistëve më të njohur amerikanë në fushën e arsimit kur thotë se “…shkollat janë ngritur për t’i shërbyer nevojave të të rriturve më tepër se nevojave të fëmijëve” (Tomas L.Fridman).

Nëse sot arsimi në vend ka shumë probleme, mbetem në një mëndje me shumicën e specialistëve se problem mbi problem i shkollës sonë sot janë përpjekjet e pamjaftueshme për mësimin e gjuhës amtare.

Kur sheh se gjuha amtare flitet dhe ca më shumë shkruhet si mos më keq nga brezi i ri brenda territorit të Republikës, kur dëgjon se sa larg gjuhës letrare zyrtare janë shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë e Malit të Zi dhe këtu nuk kam parasysh aspak dialektalizmin, problem i të mësuarit të gjuhës shqipe nga brezi i ri i emigrantëve është një problem edhe më i madh.

E vërteta e pamohueshme është se nxënësit në shkollat tona do të duhej të mësonin e pastaj të testoheshin posaçërisht për nivelin e përvetësimit të gjuhës amtare. Dhe këtë e bën prej vitesh bota e qytetëruar. Kështu në Amerikë, në çdo fakultet apo degë të shkollës së lartë që nis, studenti testohet të paktën në dy lëndë, në matematikë dhe në gjuhën angleze. Tek ne as që bëhet fjalë për kërkesa të tilla.

Problemi është se gjendja po rëndohet çdo ditë.

Më habiti, por njëherësh edhe më trishtoi, një fakt domethënës. Duke lexuar testimet e një grupi nxënësish në lëndën e fizikës, vura re mes testeve edhe një fletë të shkruar vetëm me germa kapitale, tamam si një parullë apo reklamë. U interesova më shumë pasi më bëri përshtypje ky fakt dhe përfundimi ishte mëse trishtues. Nxënësi i testit nuk ishte i vetmi. Si ai ishin shumë të tjerë. Nuk dinin të shkruanin me shkronja dore. Aq kishin mësuar nga shkolla!?

Ndërkaq, qeveritarët flasin për nivele e cilësi në shkolla!? Për epokën e moshën e internetit dhe teknologjisë?

2 komente në “Së pari është gjuha…”

  1. Elza says:

    Shkrim mjaft i goditur e aktual. Duhet ngritur zeri edhe me shume, pavaresisht se me kete qeveri shkon ne vesh te shurdher.

  2. mendimi_im says:

    fotoja tregon me se mire djallezin vet, u dashka qe femije te mesohemi se si duhet dhuruar lulja dashnores? Se si te afrohemi me shum me sexin?p o gjej nje foto tjter te pershkrush udhen e shkronjave i dashur.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje