Hiqeni kapakun!

10 Mars 2011, 20:20Blog TEMA

Nga Enton Palushi

Pallati im është sa gjysma e një qyteti provincial. Ndonjëherë duket si ato godinat e ndërtuara në republikat e Kaukazit apo si ato pallatet që ka ngritur presidenti kosovar në Siberi. Ai është në Tiranë, por nuk i përket Tiranës. I përket atyre qindra e mijëra pallateve e godinave që rrethojnë Tiranën, që përbëjnë tulin e saj. Nuk është pjesë e bërthamës. Por tuli është shumë më shumë se bërthama. Ai është pjesë e atyre komunave (komuna u thënçin) që rrethojnë kryeqytetin dhe që përbëjnë shumicën e metropolit. Aty nuk ka ujë, rruga është për faqe të zezë, kanalizimet nuk ekzistojnë, plehrat hidhen ku të munden. Mediat kujtohen kur protestohet me bidona në duar duke bllokuar Unazën e Madhe- atë vijën që të ndan nga Tirana- qytet. Pastaj lajmet vijojnë pa fund për pamundësinë për të parkuar në Tiranën- bërthamë. Beteja e ujit nuk ka rëndësi. Kur sheh qeveritarët që flasin për Tiranën si shtëpinë e gjysmës së shqiptarëve, mendja të shkon tek këto komuna që kanë banorë më shumë se çdo qytet përveç Tiranës, që drejtohen nga disa kryekomunarë më të gjerë se të gjatë, që e kanë burgun si shtëpinë e tyre të dytë. Pastaj të vjen sërish në mendje beteja për ngjyrat e pallateve në Tiranë dhe vijat e bardha…

It’s party time

Tani nuk është koha të flasësh për ujë, kanalizime e plehra. Është koha për festë. Së shpejti në Tiranë do mbërrijë Rihana. Ose Lady Gaga. Kjo e fundit refuzoi para disa kohësh që të shkonte në Kosovë e ftuar në një festival me arsyetimin se ishte shume e famshme për një vend të tillë. Kosovarët u mërzitën ca, por ajo po u thoshte indirekt se ai nuk është një treg për të. Kosovarët e varfër nuk do e përballonin një koncert me këngëtaren më të njohur për momentin. Sepse muzika funksionon si një treg. Ah po, bëhet përjashtim vetëm në rastet e diktaturave dhe kleptokracive. P.sh Gadafi paguante pa teklif nga 1-2 milionë dollarë për koncerte me Beyonce e Nelly Furtado.

Ja shihni dhe në Kosovë. Gjëja e parë që bëri presidenti i ri, Bexhet Pacolli, ishte të sillte në Kosovën me një sport të rrënuar, Franc Bekenbauerin. Shfaqja ishte e bukur, Bekenbauer dha ca autografe, hëngri drekë, mori çekun dhe iku. Po ashtu Ramazan Kadirov i Çeçenisë ia doli të merrte Rud Gulit si trajner të ekipit të tij. Ndërsa dy ditë më parë u shfaq në një ndeshje futbolli me ish- yjet e Brazilit. Kolonel Gadafi e ka pasion të hyjë në tregun e aksioneve të ekipeve italiane, kurse kryeministri ynë dërgon “biznesmenin” e tij të bëjë pazare për të blerë ndonjë ekip në Serinë A.

Politika e SMS-ve

Mirëpo koncertet e ndeshjet nuk zgjasin shumë. Realiteti është sërish aty. E në raste të tilla të duhet një leksion për njerëzit. Aq më mirë kur atë e jep dikush nga demokracia më e madhe në botë. Numri tre (kjo renditje është në modë) i diplomacisë amerikane u tha shqiptarëve se po u jepte një leksion për shkollë të mesme për demokracinë ndërsa foli në një konferencë të gjatë për shtyp. Nuk na quajti as studentë, thjesht gjimnazistë. Dhe leksioni ishte i thjeshtë: në një demokraci duhet zbatuar ligji. Mirëpo ne për ters kemi shkuar pak më larg, kërkojmë që ligji të jetë i barabartë për të gjithë. Si për habi mu në këtë kohë na erdhën edhe dy leksione nga demokracia më e madhe në botë: një kongresmen na tha se nëse qeveria vjedh zgjedhjet, ajo duhet të rrijë në pushtet deri në fund të mandatit e më pas një ambasador u kap mat duke zgjedhur me sms një president.

Ndaj ne duam të shkojmë përtej kësaj, nuk duam të lejojmë që dikush të vjedhë zgjedhjet se mund ta përsërisë këtë e po ashtu duam të dimë se a po zgjedhim ne realisht, apo dikush tjetër. Dhe sa herë vjen puna tek sms-të të vjen në mendje Dritan Prifti në vitin 2009 kur deklaroi se i kërkoi Doktorit që t’i ruante votat. Më pas ky dërgoi një sms tek Olldashi, ai dërgoi një sms tek komisionerët, këta të fundit dërguan një sms tek kodoshët, këta të fundit dërguan një sms tek kundërshtarët…

Po për politikë bëhet fjalë?

Meqë jemi prapë tek demokracia më e madhe në botë, lind menjëherë pyetja, po për politikë flitet gjëkundi se deri më tani kemi folur vetëm për ligje. Se ky është sistemi që ka në bazë politikën, reflektimin mbi të drejtën, përparimtaren. Te jetë për ligje, nuk do ishte larguar asnjë diktator nga drejtimi. Po për politikë nuk flet kush. Më i qarti në këtë drejtim duket është Bashkimi Europian kur thotë se Shqipëria është në krizë politike. Dhe një krizë politike zgjidhet me politikë, nuk zgjidhet duke cituar ligje e nene. Kjo nuk ka dyshim. Mirëpo si mund të zgjidhë diçka me politikë një kryeministër që ka një urrejtje të tillë ndaj opozitës, medias e çdo pushteti të pavarur?

Ka një arsye pse Perëndimi bën diferencën. Dhe ajo lidhet me faktin se opinioni publik, opozita, media, shoqëria civile, ziejnë. Herë më pak e herë më shumë. Dhe një qeverisje e tregon nivelin e saj të demokracisë tek aftësia që ka për t’i hequr kapakun këtij kazani që zien në momentet e duhura. Sapo filloi të nxirrte flluska kazani gjerman, Ministri i Mbrojtjes dha dorëheqjen për plagjiaturën e doktoraturës. Po ashtu në Japoni për 4-500 euro një ministër u largua nga detyra. Madje dhe në Maqedoninë fqinje dhe në Kroaci kazanit i është lëvizur pak kapaku sa për të marrë frymë. Kurse tek ne edhe kur shpërthen ndonjë curril, ai saldohet me shpejtësi. Por ai vazhdon e zien pa fund. Dhe sipas Financial Times mund të shpërthejë në fushatë.

1 komente në “Hiqeni kapakun!”

  1. beso says:

    “Tirana ka luks te rreme”-i thosha nje miku tim,dhe ai tundte koken i pezmatuar.Tirana ka humbur apo ka fituar nga tranzicioni;une nuk e di,por rrethet kane humbur pa mase.Kam pare pallate nga ato monstrot,qe i bejne ne forme U-je,ku sheh perreth vetem dritare.Kur une prenotova nje apartament,me treguan nje depliant te pallatit dhe te zones;dukej si Las Vegas.Une zgjodha katin e fundit,se doja te shihja Dajtin.Kur morra çelesat(duhen kohe biblike per”tapine”)pashe qe me kishin mbyllur nje dritare,se kishin shtuar nje kat abuziv.As Dajti duket,as Mali me Gropa,por rruget me gropa po.I ka zene amoku ndertuesit,bleresit,sekseret,a thua se do vijne kinezet e Shanghait te na blene tullat per lingota floriri.Lexoja dikur nje ethe te tille ne Baku te Azerbajxhanit,dhe shitej metrua i apartamenti per 4000 euro,por atje justifikohej me petrodollaret,edhe pse grataçela te tera,te shitura ishin bosh.Thone qe ka dale moda e fshatrave turistike,e njerezit po leshohen te deshperuar te mos lejne tu shkoje nga dora fshati i rradhes;berishajt si gjithmone jane ne avangauarde…Eshte mrekulli te fluturosh me barkun bosh,po ne shkollen e fluturimit te thone qe ngritja eshte e lehte;ulja eshte fatale!Me pelqeu shkrimi,suksese autorit!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje