“Liria nuk është përpara paqes, por as pas saj, janë të pandashme. T’i ndash do të thotë t’i nënshtrohesh shantazhit totalitar dhe së fundi t’i humbasësh të dyja…”
Octavio Paz
Demonstratat e 11 – 25 marsit dhe 1 – 2 prillit 1981 ishin pasojë e një aktivizmi politik, që e kishte prodhuar trysnia e hegjemonisë serbe ndaj shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe ky aktivizëm u identifikua me kërkesa sociale dhe nacionale, pra për liri dhe paqe. Zhvillimet në Kosovë shpejt morën karakterin e një lëvizjeje politike popullore, për çlirim nga kolonializmi serb, gjë që nuk e akceptoi shpejt klasa politike autonomiste brenda Kosovës dhe as Republikat tjera federale e edhe më hiq, faktori perëndimor, që në vend të ‘balancës së dinjitetit’ njerëzor, (Francis Fykuyama) mbahej fort pas modelit të Luftës së Ftohtë, përmes ‘balancimit të frikës’ (Andrey Gromiko nga “Perdja e hekurt” dhe Zbigniev Bzhezinski & Henry Kissinger nga “Bota e lirë”).
Sëkëndejmi rezistenca e lëvizjes së ’81-shit nuk u thye nga njësitë speciale të milicisë federale dhe serbe, por ajo u thye pikërisht nga brenda, në Komitetin Krahinor të LK të Kosovës dhe në gjykatat, prokuroritë dhe zyrat e policisë dhe sigurimit shtetëror, që në masë të madhe dominoheshin nga shqiptarët, por edhe në zyrat politike të njësive tjera federale, sidomos në Maqedoni, Mal të Zi e Bosnjë, e më pak në Kroaci dhe Slloveni dhe natyrisht nga mungesa e çdo inkurajimi nga Perëndimi. Dhe ky është një fakt që sot, nuk mund të mohohet nga askush. Në thelbin e tyre, demonstratat e vitit 1981 në Kosovë denoncuan në sy bote, dy levat e socializmit shtetëror (komunizmit si proces botëror), çështjen sociale dhe atë nacionale, që konsideroheshin si të zgjidhura, madje edhe nga vrojtues perëndimorë.
Njëri nga organizatorët e 11 marsit 1981, Bajram Kosumi, ka të drejtë kur, për levën e parë, “parajsën sociale” të premtuar nga komunistët, thotë se u denoncua nga Solidarnosti polak, kur më 1981 hodhën parulla si: “Jemi të uritur”, “Duam të hamë” dhe parulla sarkastike “Të uritur të gjithë botës-bashkohuni!”, të cilat po e tregonin një realitet tjetër socialist, pra bankrotimin e socializmit në rrafshin social dhe ekonomik. Në të njëjtën kohë, demonstratat e shqiptarëve në vitin 1981 me parulla si “Jemi shqiptarë – nuk jemi jugosllavë” etj. tregonin një realitet tjetër socialist, moszgjidhjen e çështjes nacionale, por krijimin e një “burgu popujsh”. Sipas Kosumit, ky realitet po ashtu ishte i tmerrshëm: kombet e mëdha socialiste, në emër të vëllazërim-bashkimit dhe “parajsës nacionale” po zhvillonin pa pengesë politika shoviniste, të shkombëtarizimit e deri te politikat gjenocidiale. “Viti 1981 i Polonisë dhe i Kosovës i rrënuan dy premisat themelore të socializmit shtetëror, si ideologji dhe si praktikë[1]”, thotë ai.
Për një lëvizje politike dhe nacionale në Kosovë, pas vlimeve planetare të ’68-ës, më 1981, pra një vit pas vdekjes së Titos, qenë pjekur parakushtet e domosdoshme në aspektin psiko-social, parakushte që janë të domosdoshme për një lëvizje të madhe politike dhe kombëtare (pra ndikim të fuqishëm kishte Universiteti dhe elitat politike, ekonomike dhe kulturore) dhe nga ky kënd ishte krejt në rregull, porse dy janë të metat qenësore të kësaj lëvizjeje: e para, ideologjizimi jokritik dhe nganjëherë euforik i demonstratës dhe stepja, fillimisht e pastaj edhe tërheqja dhe distancimi i plotë nga lëvizja, i elitave politike, kulturore dhe ekonomike të Kosovës. Intenca e lëvizjes nuk u thye nga njësitë speciale të milicisë federale dhe serbe, por ajo u thye pikërisht nga brenda, në Komitetin Krahinor të LK të Kosovës dhe në gjykatat, prokuroritë dhe zyrat e policisë dhe sigurimit shtetëror që në masë të madhe dominoheshin nga shqiptarët. Dhe ky është një fakt që sot, nuk mund të mohohet nga askush. Por natyrisht, se mungoi edhe çfarëdo inkurajimi nga ajo që njihej si “botë e lirë”, pra nga Perëndimi, nga frika se mund të prishej balanca rajonale, por edhe nga fakti se Tito admirohej si një politikan komunist i moderuar, sepse në Jugosllavinë e tij federale ishin bërë disa përpjekje impresive për zgjidhjen e çështjes nacionale, ndonëse këto përpjekje i shkelte hegjemonizmi serbomadh. Klasa e re e mesme kosovare dhe elita politike kishin pritur mjaft gjatë, për të parë se çfarë rrjedhash do të marrin zhvillimet dhe në ndërkohë i kishin lejuar ekspansionizmit serb që të hartojë platformën e shuarjes totale të lëvizjes dhe e kishin dëmtuar atë nga brenda, përmes një diferencimi të egër politik. Nga kjo distancë, duhet shtruar çështja se çfarë do të ndodhte sikur pas lëvizjes të rreshtohej tërë shoqëria, në rend të parë elitat politike, intelektuale, ekonomike dhe kulturore të Kosovës? Mirëpo në histori njihet fakti i kryer dhe nuk mund të shtrohet pyetja ‘çka nëse’?
Duket se po të ndodhte ky rreshtim i ngjeshur, drama do të shthurej shumë më shpejt. Pra, lëvizja e minatorëve dhe ajo masive e ’89-ës do të ndodhte më 1981, pastaj edhe pluralizmi politik do të inaugurohej shumë më përpara, pra para ’90-ave, ndërkaq përgatitja për luftë do të ishte shumë më e efektive, sepse konflikti me Serbinë do të ishte i pashmangshëm; në këtë dinamikë të re politike, UÇK-ja do të ishte një ushtri tipike mbrojtëse dhe procesi i pavarësisë do të rridhte më natyrshëm dhe që sot do të ishte një proces i mbyllur. Mirëpo, atëbotë ndodhi ndarja fatale e shoqërisë kosovare në “kombin komunist” (pro LKJ-së) dhe në “kombin separatist dhe irredentist” dhe në këtë çarje duhet kërkuar esencën e debaklit kosovar të ’81-shit. Është indikative se në tërë Universitetin pësuan tre-katër profesorë, kurse të tjerët u “nxorën” disi, qoftë edhe duke përqafuar tezat e KQ të LKJ-së dhe fushatën antishqiptare dhe në këtë kontekst Ukshin Hoti mbeti thuaja i vetmuar, një Don Kishot kosovar.
Nga kjo distancë, pjesëtarët e ilegales (dy organizatat më të fuqishme OMLK dhe PKMLSHJ) dëshmojnë se kanë pasur sugjerime të drejtpërdrejta nga Tirana zyrtare, por, ndonëse të tërthorta, edhe nga elita politike-institucionale kosovare (nga Hoxha dhe Bakalli) që të mos i shmangen vijës marksiste. Para së gjithash “komunisticizimi i lëvizjes” i konvenonte posaçërisht kreut komunist të Shqipërisë, kështu që, për t’i ruajtur privilegjet pushtetore, në krijimin e vijës ideologjike të lëvizjes, ata investuan në vijën marksiste-leniniste, dhe më këtë, në anën tjetër, u shkëputën nga kohezioni i lëvizjeve në Evropën Lindore (Hungari, Solidarnosti polak, lëvizjet në Çekosllovaki etj.) dhe nuk e fituan simpatinë dhe përkrahjen politike të Perëndimit.
Dhe kjo heshtje apo indiferencë indirekt u kuptua si përkrahje e Perëndimit për jugosllavët. Në kontekstin e kanalizimit të revoltës gjithëpopullore, rol kyç ka pasur Sigurimi shqiptar, porse në ndërkohë në lojë është gjuajtur edhe DB-ja serbe në bashkëpunim me shërbimet sekrete të bllokut prosovjetik, për ta kthyer ujët në mullirin e shtetit jugosllav. Dhe pikërisht roli i DB-së konsistonte në atë, që ish-republikat e RSFJ-së të rreshtoheshin me hegjemonizmin serb, për t’ia lënë duart e lira Serbisë në Kosovë, e si shpagim t’i shpëtonin vetë këtij hegjemonizmi. “Neutraliteti” ndaj Kosovës u shërbente republikave federale për t’i forcuar elitat politike dhe për t’i ndërtuar potencialet e luftës gjatë këtij “Time-outi” për t’u përgatitur për sfidat e reja që dukeshin në horizont, që atëherë…Mirëpo, roli më i madh i demonstratës së ’81-shit konsiston në rritjen e nacionalizmit dhe krijimin e vetëdijes shtetformuese, pra në rizgjimin kombëtar të shqiptarëve kosovarë. Përpara 30 vjetëve, pikërisht më 11 mars në Kosovë ka ndodhur revolucioni, një revolucion ideologjik, i cili dështoi. Një lëvizje e fuqishme kundër shtypjes politike dhe sociale e nacionale nga ana e pushtuesit njëshekullor, por kjo lëvizje, thellë në prapavijë synonte forcimin e parimeve marksiste-leniniste, sepse, në Evropën Lindore po luhatej pikërisht shteti ideologjik. Demonstratat e Pranverës ’81 në Kosovë, ndonëse kreu i shtetit ideologjik jugosllav (Lazar Mojsov) këtë e pati vlerësuar si ‘kundërrevolucion’ (!?) ishin pikërisht e kundërta e kësaj, një rebelim i modelit të ‘revolucionit permanent‘ trockist. Kjo lëvizje ishte një shmangie nga vija më liberale e demonstratave të vitit 1968, ndonëse në shtrirje dhe në synimet e veta ishte nacionalçlirimtare, ishte më e fortë në aspektin e saj ideologjik marksist-leninist.
Nga prizmi i sotshëm, mund të vërehet ky defekt, porse çuditërisht asnjëra nga palët e involvuara këtë nuk duan ta pranojnë, kjo disi, sot, aktorëve u duket si një turp, gjë që marrë në kontekstin kohor, nuk ishte!?
Shteti ideologjik shqiptar në njërën anë, përmes kontrollimit të grupeve ilegale në diasporë dhe në Kosovë pareshtur ka investuar në karakterin ekstra ideologjik dhe klasor të çështjes së Kosovës, gjë që nuk ishte fare, po ashtu. Kurse elementi antikomunist (e djathta politike) në Kosovë pothuajse ishte shpartalluar që herët, pas Luftës së Dytë Botërore. Por, në një vlim të mllefit gjithëpopullor arrihet një aleancë e çuditshme midis këtyre dy lëvizjeve, kundër një armiku të përbashkët, kështu që edhe ata pak demokratë “shkrihen” në turmat e dirigjuara nga vija ideologjike marksiste-leniniste dhe pikërisht këtu, Lidhja e Komunistëve Jugosllavë (vija serbe) e sheh rrezikun më të madh.
Madje kreu shovinist serb në RSFJ pa tërhequr ndonjë vijë të distinksionit, në këtë lëvizje sheh ballistët irredentist, zogistët rojalistë dhe enveristët nacionalë-socialistë sikur edhe komunistët kosovarë oportunistë etj. Sidomos Balli Kombëtar dhe NDSHja (si parti historike) ishin të orientimit të djathtë dhe duheshin çrrënjosur, ngase kreut jugosllav nuk i pengonte karakteri ideologjik i lëvizjes separatiste, por i pengonte pikërisht prapavija nacionalçlirimtare e saj. Këtë “shkrirje” në një “trup unik” të spektrit politik kosovar në një lëvizje ideologjike nuk duan ta pranojnë asnjëra anë, sepse kështu mendojnë se zbehet historia dhe fama e lëvizjes, madje pas rënies së komunizmit dhe shtetit ideologjik në Evropën Lindore, liderët e grupeve ilegale marksist-leniniste shkojnë aq larg sa edhe e mohojnë organizimin e demonstratave, por jo edhe karakterin revolucionar dhe enverist të tyre (Adem Demaçi deri kah përfundimi i dënimit, Hydajet Hyseni, Nuhi Berisha e Rexhep Mala, Mehmet Hajrizi e Kadri Zeka etj.), kurse liderët studentorë (Bajram Kosumi, Gani Koci, Ismail Syla, Kadri Kryeziu, Ali Lajçi etj.) anojnë më tepër nga karakteri nacionalçlirimtar i lëvizjes së ’81-shit. Në anën tjetër, Abdullah Prapashtica (një ish-pjesëtar i forcave të sigurimit në Kosovë dhe njëkohësisht një nga liderët e Partisë Marksiste Leniniste të Shqiptarëve të Jugosllavisë) flet për faktin se kjo organizatë mund të jetë organizatore direkte e demonstratave, pa e mohuar karakterin ideologjik dhe nacionalçlirimtar të tyre. Prapashtica më së miri e ilustron këtë shkrirje: “Ne kemi marrë mesazhe nga liderët komunistë kosovarë që mos të shmangemi nga vija marksiste në punën tonë ilegale”!
Kjo do të thotë se krerët komunistë të Tiranës dhe Prishtinës, kishin marrë pozicione të një aleance të heshtur, për ruajtjen e privilegjeve të pushtetit vetjak, që hetohej se po luhatej. Në Jugosllavi tashmë kishte vdekur Tito, ndërsa në Shqipëri Enveri ishte i sëmurë dhe në të dyja shtetet edhe nga qarqe perëndimore paralajmërohej tërmeti politik dhe social. Kreu komunist i Kosovës (Mahmut Bakalli) dhe strukturat autonome flasin për një parakohësi të protestave, për një organizator të dyshimtë, për involvimin e shërbimeve të huaja sekrete, sidomos atij shqiptar dhe bullgar etj.
Pra Bakalli&Co flisnin tamam për një “kundërrevolucion”.
Mirëpo në këtë ‘storie nebuloze’ shihet qartë kundërshtimi i robërisë serbe dhe jugosllave nga ana e shqiptarëve, me të njëjtën vijë ideologjike me të cilën serbët dhe jugosllavët kundërshtonin të drejtat legjitime të shqiptarëve. Pra, në këtë rast kishin hasur në kundërshtim elita hegjemoniste serbe me elitat nacionalkomuniste shqiptare (në të dy anët e Bjeshkëve të Nemuna) dhe në esencë nuk kishte kundërshtime ideologjike, sepse edhe shteti jugosllav edhe shteti shqiptar në njërën anë, por edhe elita politike kosovare si dhe ilegalja shqiptare ishin aleatë ideologjikë. Shihet qartë, se “revolucionarët e përjetshëm” (siç i quan Lech Walesa) ishin dhe janë për një “revolucion permanent” (i koncipuar nga Law Trocki) që nuk arrijnë ta përmbyllin një revolucion e ndërkohë ia fillojnë revolucionit tjetër, të ri…
Kjo ndodhi edhe më 1989-‘90 kur prapa lëvizjes masive (turmave të revoltuara) kundër hegjemonisë serbe sërish qëndronin strukturat e grupeve ilegale, (Lëvizja Popullore e Kosovës, LPK) ndonëse kishin marrë një goditje të rëndë nga shteti jugosllav dhe ishin dënuar me burgje të mëdha, mirëpo tani shënohet një cilësi e re: në lëvizje shkrihet për të parën herë në historinë e re edhe lidershipi komunist, i cili duke parë fundit e vet dhe të idealeve të shtetit të Titos, nuk distancohet nga lëvizja e 1989-ës, sikur më 1981, sepse tani po goditej njësoj edhe ky lidership, sidomos pas rrënimit të autonomisë së Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1981. Në këtë vazhdë, më 1990, duke u organizuar në parti dhe organizata legale politike (LDKja e Ibrahim Rugovës, Parlamenti Rinor e më pas Partia Parlamentare, ajo Socialdemokratike, fshatare etj.) lëvizja fiton cilësi të re: orientimin properëndimor, pra demokratik, ndonëse orientim i brishtë, sepse tanimë komunizmi po binte rrëmbyeshëm që nga Moska e Berlini deri në Beograd e Tiranë.
Kësisoj zbehet ideja e revolucionit, i cili sipas Raymond Aron është nocion i kundërt me demokracinë[2]. Por kjo lëvizje e re ishte e pafuqishme, ndonëse kishte një mbështetje morale të Perëndimit dhe i shmangej konfrontimit të hapët me shtetin serb, gjë që, u dëshmua se ishte iluzore. Dhe ky iluzion e degjeneroi lëvizjen e ashtuquajtur paqësore në nënshtrim të plotë. Ekzemplari më shprehës ishte fjalia ikonike e Hydajet Hysenit në Kuvendin IV të LDK-së, kur iu drejtua dr.Rugovës: “Nuk ka bir nane që më tërheq nga lufta për popullin tim, për Kosovën…”!?
Prandaj sërish në skenë dolën ideatorët e “revolucionit permanent”, që do ta pranonin sfidën e konfrontimit të hapur me Serbinë. Kjo rezultoi në krijimin e UÇK-së dhe në luftën, e cila eskaloi në një çështje ndërkombëtare dhe përfundoi me intervenimin e NATO-s kundër Jugosllavisë dhe me protektoratin e OKB-së mbi Kosovën, deri më 17 shkurt 2008, kur u shpall Deklarata e Pavarësisë. Pra, Revolucioni “i dështuar” i vitit 1981 rezultoi me fitore, por tek pas “rikthimit kah Perëndimi” dhe pas gati 30 vjetësh!
Duket qartë, shqiptarët ende nuk i kanë spastruar hesapet me shtetin ideologjik dhe vazhdojnë të sillen konform me fjalët e Walesës, që është ekzemplar i ndryshimeve rrënjësisht demokratike në Evropën Juglindore, se “revolucionarët e përjetshëm ende pa e mbyllur një revolucion duan t’ia fillojnë një revolucioni tjetër”.
Dhe LPK-ja, ende dominon skenën politike në shoqërinë kosovare.
Octavio Paz mendon se “mbrojtja e demokracisë në vendin tënd është e pashmangshme nga solidariteti me ata që luftojnë për të në shtetet totalitariste apo nën tiranitë…” (vetëm t’i hedhim një vrojtim se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore) për të mos u lëkundur në ndërtimin e demokracisë. Pra shteti liberal-demokratik kosovar dhe afirmimi i tij në OKB, si një nga kombet e lira, i orientuar drejt BE-së dhe NATO-s është kurora e ’81-shit dhe interes madhor nacional. Poende ka sa të duash shtrëngesa dhe tirani madje, ndaj shqiptarëve në Serbi dhe në Maqedoni, dhe duket qartë, vetëm zhvillimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Kosovë ndihmon luftën për të drejtat e shqiptarëve, atje ku ato mungojnë. Klasa politike kosovare aktualisht duhet ta ketë parasysh atë që e thotë Aron, se pas secilës situatë revolucionare dikush do ta vendos rendin (sipas bindjeve të veta ideologjike), do ta ndërtojë një pushtet që dominon klasat e mundura, me sistem vlerash, burgjesh e ndjekjesh politike, pra pushtet revolucionar, i cili nga vetë përkufizimi është një pushtet tiranik.
Pra, revolucioni dhe demokracia janë antinomi.