Drejtësia në shërbim të politikës

16 Mars 2011, 22:08Blog TEMA

Rastet Divjak, Ganiq, Morina – ose si po e keqpërdorë Serbia sistemin e saj të drejtësisë për të rishkruar historinë e luftërave të fundit në Ballkan?

Nga Enver Robelli

Krimi është individual. Prandaj, çdokush që ka kryer krime duhet të përgjigjet para drejtësisë. Faj kolektiv nuk ka. Këto fjalë i dëgjojnë prej vitesh popujt e Ballkanit. Këto fjalë vijnë nga Haga, atje ku gjendet Tribunali i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për krime të luftës në ish-Jugosllavi. Kjo gjykatë prej ekzistimit të saj para gati dy dekadash është përqendruar në ndjekjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”, pra figura qendrore politike dhe ushtarake, që akuzohen për krime të luftës. Njëkohësisht nga Haga është theksuar se mbetet detyrë e drejtësisë lokale në Ballkan që të merret me “peshqit e vegjël”, pra me mijëra e mijëra ushtarë, paramilitarë e pseudoçlirimtarë, të cilët po ashtu dyshohet se kanë kryer krime. Tribunali i Hagës e ka bërë të qartë se nuk do të publikojë akuza të reja ndaj eksponentëve të luftës në ish-Jugosllavi.

Nëse në vitet në vijim sillen në Hagë ish-komandanti i ushtrisë së serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiq, dhe Goran Haxhiq, njëri prej prijësve të kryengritjes së pakicës serbe në Kroaci në gjysmën e parë të viteve 90-të, atëherë Tribunali do të kujdeset të përfundojë proceset kundër tyre dhe, pastaj, do t’i mbyllë dyert. Para se kjo të ndodhe kompetencat e Tribunalit dalëngadalë dhe arbitrarisht është duke i marrë heshturazi drejtësia serbe. Në Beograd prej vitesh funksionon Prokuroria për krime të luftës, e cila ka një buxhet solid dhe një staf numerikisht të madh, i cili punon me ngulm në zbulimin e të gjithë kroatëve, boshnjakëve apo shqiptarëve të Kosovës që dyshohet se kanë kryer krime ndaj serbëve. Shpesh kundër këtyre personave lëshohen fletarrestime ndërkombëtare dhe prokurorët në Beograd presin me qetësi se cili do të bie në grep. Kjo ndodhë shpesh. Derisa shtetet e tjera të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë nuk i kanë kushtuar rëndësi të duhur forcimit të institucioneve të drejtësisë dhe dokumentimit të krimeve, Serbia është kujdesur për një gjë të tillë. Për këtë mjafton të shikohet prezantimi në internet i Prokurorisë për krime të luftës, ku me përpikëri janë të publikuara rastet e trajtuara.

Dy serbë, dy fronte

Duke qenë e përgatitur me personel dhe me resurse të tjera mbështetëse Prokuroria serbe për krime të luftës në disa raste po përpiqet të rishkruajë historinë e konflikteve të Ballkanit në vitet 90-të, duke barazuar fajin apo përgjegjësinë për krime sipas motos: “Të gjithë agresorë – të gjithë viktima”.

Për këtë ekzistojnë dy shembuj prominent.

Para pak ditësh në aeroportin e Vjenës me kërkesë të Serbisë u arrestua gjenerali Jovan Divjak, i cili pas shpërthimit të konfliktit në Bosnjë vendosi të qëndrojë në Sarajevë dhe u bë njëri prej mbrojtësve të këtij qyteti. Divjak nga drejtësia serbe dyshohet se ka pasur rol në sulmin ndaj kolonës së ushtrisë jugosllave (në fakt serbe) që në vitin 1992 po tërhiqej nga Sarajeva. Me atë rast, sipas palës serbe, qenë vrarë 42 ushtarë. Pala boshnjake thotë se janë vrarë vetëm tetë sish. Sidoqoftë, Tribunali i Hagës ka konstatuar se nuk ka fakte që gjenerali Divjak ka qenë i përzier në rastin e sulmit ndaj ushtarëve të Armatës Popullore të Jugosllavisë. Divjak është liruar nga burgu me kaucion, por duhet të qëndrojë në Vjenë derisa të vendosë drejtësia e Austrisë. Ndonëse politikanë austriakë kanë theksuar se nuk mund ta marrin me mend ekstradimin e Divjakut në Serbi, arrestimi i gjeneralit ka ngjallur një sërë reagimesh nga Sarajeva. Divjak është një figurë simbolike e Bosnjës: I lindur në Beograd ai gjatë rrethimit të Sarajevës ishte gjenerali i vetëm serb në ushtrinë e Bosnjës që e mbronte kryeqytetin e vendit kundër sulmeve të një gjenerali tjetër serb: Ratko Mladiq.

Keqpërdorimi i Britanisë së Madhe

Shembulli tjetër: Vitin e kaluar autoritetet britanike arrestuan në Londër Ejup Ganiqin, ish-anëtar i kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës në kohën e sulmit ndaj ushtarëve të APJ-së në rrugën “Dobrovoljaçka” në Sarajevë. Ganiq dyshohej se ishte njëri nga urdhërdhënësit e sulmit. Ndonëse për këtë çështje nuk është akuzuar asnjëherë nga Tribunali i Hagës, drejtësia serbe u përpoq ta tërheq në Beograd Ganiqin përmes një fletarrestimi ndërkombëtar. Por, drejtësia britanike refuzoi ekstradimin e tij në Serbi, duke nënvizuar se atje Ganiqin nuk do ta priste një gjykim i drejtë dhe se fjala është për një proces të motivuar politikisht. Madje gjykatësi përgjegjës britanik kishte shkruar në arsyetimin e tij se pala serbe e ka nisur dhe e ka shfrytëzuar këtë proces për qëllime politike dhe si i tillë ai paraqet keqpërdorim të gjyqit britanik. Një politikan gjerman, i cili është i angazhuar prej vitesh në mbrojtje të interesave të Bosnjës, thotë në kushte anonimitetit se në prapaskenë Serbia i kishte bërë një ofertë Sarajevës: “Po heqim dorë nga ndjekja e Ganiqit nëse e pranoni rezolutën e Kuvendit të Serbisë mbi Srebrenicën”. Kjo rezolutë e dënon krimin në Srebrenicë, por askund nuk e përmend fjalën gjenocid.

Loja me fletarrestime e Serbisë është kritikuar edhe në numrin e fundit të revistës “Vreme”, e cila thekson se drejtësia serbe po përpiqet ta kap gjeneralin Divjak derisa anëtarët e tigrave të Arkanit, të cilët kanë vrarë në Bosnjë, shëtisin nëpër Beograd. “Vreme” përkujton se rrugës “Knez Mihajlova” në Beograd shëtit i lirë themeluesi i kampeve në Vllasenicë (Bosnjë) Svetozar Andriq, se në hotelet e Beogradit qëndron Tomislav Kovaç, njësia e të cilit ka vrarë masivisht boshnjakë në Bratunac afër Srebrenicës, se në Beograd është kthyer Goran Radosavleviqi (Guri), i cili ka qenë komandant i kampit në Petrovo Selo, ku është zbuluar një varr masiv me shqiptarë të Kosovës, se gjeneralët që kanë urdhëruar transportin e kufomave të shqiptarëve të vrarë ende bartin uniforma të policisë. “Vreme” thekson se fletarrestimi kundër Jovan Dijvakut nuk do të ishte lëshuar sikur pjesë e Qeverisë së Serbisë të mos ishin edhe ata që kanë qenë zëdhënës të politikës, e cila i kishte dërguar tigrat, shqiponjat dhe “specialcat” nga Petrovo Selo për të vrarë njerëz. Partia e kryetarit serb Boris Tadiq qeveris bashkë me Partinë Socialiste të diktatorit të vdekur Slobodan Milosheviq. Zëdhënës i tij ka qenë Ivica Daçiq, sot ministër i brendshëm i Serbisë dhe zëvendës i kryeministrit.

Rasti Morina

Në kurthin e fletarrestimit serb në fund të shkurtit 2010 ra edhe Sinan Morina, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai u burgos nga policia kroate me kërkesë të Serbisë derisa po hynte ne Kroaci në pikën kufitare Debeli Brijeg. Morina dyshohet për krime kundër serbëve në Rahovec. Është mbushur një vit prej se Morina gjendet në burg në Dubrovnik dhe autoritetet kroate shpesh madje kanë qenë afër vendimit që ai të ekstradohet në Serbi. Ende nuk dihet se si do të vendoset për rastin e tij. Kur para disa javësh, sërish me kërkesë të Serbisë, në Bosnjë u arrestua një kroat që e kishte mbrojtur Vukovarin, opinioni në Kroaci u alarmua, veteranët kërcënuan me protesta dhe kryeministrja Jadranka Kosor e kritikoi fletarrestimin e palës serbe. Presioni i madh i Zagrebit ndaj Beogradit doli i suksesshëm: Prokuroria serbe para disa ditësh njoftoi se ka hequr dorë nga ndjekja e mbrojtësit të Vukovarit Tihomir Purda, i cili dyshohej për krime ndaj serbëve. Pastaj ai u lirua dhe Jadranka Kosor urdhëroi që një avion i qeverisë të fluturojë në Bosnjë dhe ta marrë Purdën. Javën e kaluar Purda u duartrokit në Parlamentin e Kroacisë dhe u prit nga kryeministrja, e cila madje i premtoi se do të bëhet kumbare e një fëmije të tij. Është tepër e çuditshme që në rastin e një kroati – Tihomir Purdës – Qeveria në Zagreb e kritikon ashpër dhe me sukses fletarrestimin serb, ndërsa në rastin e shqiptarit Sinan Morina e zvarrit lirimin e tij qe një vit, madje shpesh edhe duke u matur që të pranojë kërkesën serbe për ekstradimin e Morinës në Beograd. Me gjasë kutet e drejtësisë janë të ndryshme. Dhe një gjë e tillë është tallje me drejtësinë.

Lini një Përgjigje