Gadafi dhe Sloba

22 Mars 2011, 21:48Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

Kosovarët janë njerëz që më së miri në botë do të mund ta kenë kuptuar gëzimin e qytetarëve të Bengazit, kur kanë dëgjuar bombardimet nga avionët francezë ndaj pozicioneve të Gadafit. Kjo e kujton gëzimin e madh të kosovarëve para 12 vjetësh, kur nisën bombardimet e NATO-s ndaj pozicioneve të ushtrisë së diktatorit serb Slobodan Milosheviç, pikërisht para 12 vjetësh. Në vendet normale, që nuk e kanë përjetuar luftën dhe krimet, as represionin e regjimeve diktatoriale, qytetarët e kanë të vështirë të kuptojnë se si dikush mund t’u gëzohet bombave. E kanë të vështirë shumë në Evropë sot e kësaj dite ta kuptojnë se pse kosovarët ishin gëzuar aq shumë kur edhe mbi ta filluan të binin bombat e NATO-s, sikurse që sot gëzohen shumë qytetarë të Libisë. E ky gëzim për një gjë të tillë tregon se në çfarë rrethanash jetonin kosovarët nën Milosheviçin dhe populli i Libisë nën Gadafin.

Kur NATO-ja kishte sulmuar Serbinë për të shpëtuar popullin e Kosovës, Gadafi ishte ndër liderët e rrallë në botë që mbështeste Milosheviçin. Madje as lideri rus, Jelcin, nuk e bënte këtë. Tash i ka ardhur koha edhe Gadafit që të përballet me sulme ushtarake, sepse kjo është gjuha e vetme që e kuptojnë diktatorët. Ka shumë ngjashmëri në sjelljet e sotme të Gadafit me ato të Milosheviçit në vitin 1999. Nëse nuk pëson në ndonjë mënyrë tjetër, edhe Gadafi mund të përfundojë para ndonjë gjykate ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.

Ngjashmëri mes Gadafit dhe „Slobes“ ka shumë, duke filluar që nga qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj tyre. Edhe kundër Milosheviçit në Kosovë, Perëndimi kishte ndërhyrë vetëm pasi kishte qëndruar duarkryq kur forcat e tij bënin krime në Kroaci dhe gjenocid në Bosnjë, dhe pasi vetë bashkësia ndërkombëtare me vite kishte punuar me Milosheviçin. Tash e kanë bërë të njëjtën me Gadafin, ndërhynë kundër tij pas disa vjetësh bashkëpunimi.

Sulmet ajrore nisën të mënyrën e ngjashme, me bombardime të kombinuara nga ajri dhe me raketat “Tomahawk” nga nëndetëset në Mesdhe.

Edhe Gadafi përdor taktikën e Milosheviçit. Së pari llogariti se bashkësia ndërkombëtarë po bën një blof dhe nuk do të ndërhyjë. Kështu mendonte edhe Milosheviçi. Kur sheh se ndërhyrja është afër, atëherë shpall „armëpushim“, siç bënte edhe Milosheviçi. Dhe njësoj sikur makineria kriminale e Milosheviçit, edhe forcat e Gadafit shkelën armëpushimet për të grumbulluar forca në terren dhe duke avancuar ndaj kundërshtarit.

Milosheviçi dinte ta bindte Perëndimin se „në Kosovë po luftohet kundër terrorizmit“ dhe se „forcat serbe bëjnë atë që secili shtet në botë do ta bënte – të luftojë terroristët në territorin e saj“. Tash edhe Gadafi, në letrën dërguar presidentit amerikan, Obama, shkruan se „në Libi po lufton kundër terroristëve dhe bën të njëjtën gjë që do ta bënte edhe Amerika“. Kur bombardimet filluan në Serbi, Milosheviçi  filloi fushatën propagandistike me dy qëllime; Ta unifikojë popullin rreth tij karshi një agresioni të huaj dhe ta ndajë bashkësinë ndërkombëtare. Sot Gadafi nxjerr në rrugë qytetarët, të cilët kinse do ta mbrojnë deri në gjakun e fundit, sikurse Milosheviçi që nxirrte mbi ura në Beograd qytetarët serbë. Televizioni i Libisë lëshon muzikë patriotike, sikurse e veja e kriminelit Arkan që argëtonte qytetarët e Serbisë gjatë bombardimeve të NATO-s, për t’ua ngritur moralin me këngë patriotike.

Sikurse edhe Milosheviçi që mundohej ta bindte popullin serb se “shumica në botë janë me ta”, edhe Gadafi sot thotë se “Amerika Jugore, Rusia, India e Kina, pra shumica e botës janë me Gadafin”. Sikurse propaganda e Milosheviçit që fliste vetëm për viktima civile (duke thënë madje edhe se qindra mija shqiptarë nga Kosova iknin nga bombat e NATO-s e nuk ishin dëbuar nga forcat serbe) ashtu edhe TV shtetëror i Libisë sot lajmëron për “viktima civile të ndërhyrjes perëndimore“ dhe jep pamje nga spitalet në përpjekje për ta kthyer opinionin publik perëndimor kundër intervenimit ushtarak.

Ka në Kosovë njerëz që me vite kanë adhuruar Gadafin, madje edhe të tillë që për hir të këtij diktatori i kanë pagëzuar bijtë e tyre me emrin e tij. Ka edhe politikanë në nivel shumë të lartë që publikisht  kanë thënë se e kanë „mik“diktatorin e Libisë, duke filluar nga presidenti Pacolli. Mund të kuptohet naiviteti që dikujt edhe diktatori t’i duket lider i mirë, vetëm pse ai diktator shtyp dikë tjetër e jo neve. Por, pak ka dallim mes diktatorëve dhe kosovarët, si viktima të diktaturave, do të duhej të ishin të fundit që të kenë simpati për mënyrë të tilla të sundimit ndaj një populli siç ka sunduar Gadafi në Libi tash e 40 vjet. Për të gjithë diktatorët, qytetarët nuk janë asgjë tjetër veçse vegël; i përdor kur ke nevojë, mbështetsh në ta kur të kesh interes, dhe i shtyp sa herë që u shkon mendja të besojnë në dikë tjetër. “Ne po vijmë dhe nuk do të kemi mëshirë”, i porosiste Gadafi qytetarët e  Bengazit. “Nuk ka mëshirë ndaj terroristëve”, thoshin Sloba dhe Shesheli në rastin e Kosovës. E diktatorët janë edhe njerëz me psikologji të veçantë: ata besojnë se nuk kanë bërë asgjë të keqe dhe vetëm ata që ua kanë inat mund të veprojnë kundër tyre. Por edhe bashkësia ndërkombëtare e ka nxjerrë mësimin, dikur nga Sloba e tash edhe me Gadafin: atyre nuk mund t’u besohet dhe forca është e vetmja gjuhë që e kuptojnë.

1 komente në “Gadafi dhe Sloba”

  1. Frederik says:

    E megjithate besoj fatkeqesisht se shumica e qytetareve te Kosoves ende nuk e kuptojne shkrimin tuaj te goditur se perse duhet te duash dhe mos duash nje lider . Ata kosovaret qe e duan ende Gadafin jane besimtaret fanatike islame si dhe nje pjese e mire e komunisteve te cilet jane verbuar nga terapia ideologjike qe u eshte ushtruar njehere per te “derguarit” e Zotit te tyre , i cili u perdor si nje ideologji per te mbajtur te bashkuar popullin si nje rivalitet ndaj hebrejve dhe tashme shqiptaret besimtare fanatike e hane sapunin per djathe se Zoti paska folur me nje njeri “te zgjedhurin” e tyre dhe te Zotit qe flirton dhe me femije dhe si nje njeri me pafundesi mekatesh dhe komunistet qe me pare kane ideologjine se Atdheun e tyre .
    Kur shqiptaret e Kosoves dhe te Shqiperise do te kuptojne se Zoti i krijoi ata si nje komb mevete dhe race e bardhe mevete jo e njejte me te tjeret dhe se vendi ku ata jetojne sot i trasheguar nga pafundesi sakrificash dhe jetesh te dhena nga te paret e tyre ne emer te Atdheut dhe jo te ideologjive raskapitese e tulatese te huazuara nga jashte kufijve tane , atehere shqiptaret do te jene ne gjendje qe te punojne dhe sakrifikojne ne emer te Atdheut te tyre , kesaj toke te bekuar me njerez te sotem qe s’e dine se ç’bejne.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje