Kur evropianët futen në veprim

19 Mars 2011, 19:43Blog TEMA

Nga Blerina Gjoka

Sulmi ajror i ndërmarrë dje nga avionët francezë mbi qiellin e Libisë kundër udhëheqësit libian Gadafi ishte shumë më shumë se sa vetëm një sulm ushtarak. Ky veprim i marrë menjëherë pas Kombet e Bashkuara miratuan rezolutën për ndalim fluturimin mbi Libi dhe pas një samiti të aleatëve në Paris, ka treguar se evropianët janë hedhur në veprim. Për herë të parë në një situatë të tillë, Shtetet e Bashkuara nuk janë në frontin e parë të sulmit. Avionët francezë me hedhjen e raketave të tyre mbi tanket e Gadafit kanë hedhur njëkohësisht përfundimisht poshtë tezën se evropianët janë më shumë spektatorë në atë çfarë ndodh në botë, edhe atëherë kur reagojnë e bëjnë për të mbështetur amerikanët ose për të kundërshtuar amerikanët, siç ndodhi në Irak. Ky sulm francez që mbështetet nga aleatët të tjerë si Britania e Madhe dhe Kanadaja në veprim, ndërsa ka marrë vetëm mbështetje me fjalë amerikanët, ka treguar se evropianët po tentojnë të ndryshojnë përfundimisht rolin e tyre në arenën ndërkombëtare duke marrë përsipër sfida të ngjashme me ato që ishim mësuar t’i shihnim nën flamurin amerikan deri dje. Bashkimi Evropian i konsideruar deri dje si një superfuqi vetëm ekonomike dhe si jo fort e vendosur për të luajtur rolin që i takon në gjeopolitikë, e shfaqur herë- herë si një motër e vogël e SHBA-së e vendosur nën mbrojtjen e saj ushtarake që pas luftës së dytë botërore, dje ka treguar forcën dhe guximin. Atë forcë dhe guxim që i mungoi (përveç Britanisë) në krizën e Kosovës apo të Bosnjës. Përtej kufirit të saj, ku interesat strategjikë dhe ekonomikë janë të mëdha për shkak të furnizimit me naftë nga toka libiane, evropianët nuk kanë nguruar të hyjnë në veprim. Në këtë ditë, kur fjalori i liderëve të rinj evropianë Kamerun e Sarkozy është i vendosur dhe i prerë, duket si një humor i dalë boje epitetet që amerikanët i kanë vënë evropianëve duke i cilësuar si bij të Afërditës, ndërsa veten e quan bij të Marsit. Pikërisht në një kohë kur roli evropian kishte nisur  të ngrinte pikëpyetje të mëdha në një gjeopolitikë të re të krijuar pas rënies së murit të Berlinit me ngritjen e superfuqive të reja ushtarake e diplomatike si Kina, Rusia, Brazili apo India, Evropa tregoi se dinte të merrte frenat në dorë. Ndërkaq epiteti i “policit ndërkombëtar” për amerikanët duket se s’do të ketë më të njëjtin kuptim pas këtij sulmi evropian mbi Libi. Edhe pse evropianët shpenzojnë shumë herë më pak se amerikanët për ushtrinë dhe nuk kanë arritur akoma të krijojnë një ushtri të vërtetë të bashkuar nën juridiksionin e Brukselit, ata treguan se nuk janë vetëm të fjalës (diplomacisë), por edhe të veprimit (forcës).  Duket qartë se amerikanët, të ngecur në dy “fronte” që po u hanë energji, kohë dhe kosto financiare, në Irak dhe Afganistan, s’kanë qenë gati të përballen me një “front” të ri. Ndërsa evropianët, të cilët vitet e fundit si kauzën më të madhe të tyre të deklaruar kanë mbrojtjen e mjedisit nga ngrohja globale, treguan se janë po aq të ndjeshëm dhe ndaj të drejtave të njeriut. Ndërhyrja në Libi bëhet për të mbrojtur popullin libian që është nën terrorin ushtarak të një diktatori të çmendur, që jo shumë kohë më parë flinte në parqet e Brukselit, i pritur dhe i përqafuar me të gjithë ata liderë, që dje i thanë po sulmit ushtarak. Mbetet për tu parë nëse aksioni do të ketë sukses, dhe mbetet për tu parë nëse ky standard do të përdoret dhe për Jemenin dhe Bahreinin, ku protestuesit po shtypen gjithashtu me dhunë nga diktatorët e  këtyre vendeve.

1 komente në “Kur evropianët futen në veprim”

  1. ik-more-sale says:

    E more Blerine, po si se permende qe Gjermania eshte kundra kesaj? Pra, s’eshte ‘Evropa’ ose EU po disa shtete. Prape Evropa mbetet nje plake qe kurr s’do behet gje sepse duhen rene dakord 27 (njezet e shtate) shtete para se te levizin.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje