OZNA "na kapi..."

18 Mars 2011, 21:07Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

Një portal marroq në Prishtinë përpiqet t’ia bëjë ndonjë hair Qeverisë, përmes hiç më pak se “zbulimit” të një komploti antiqeveritar. Sipas këtij kinse plani të shoqërisë civile, i cili publikohet tek pasi retushohen detajet nga spiunë partiakë, gazetarët qenkan përfshirë në një “grusht shteti”, me mjetet e tyre të punës: një penë ose PC në dorë. “Deja vu” (kaherë e parë) në shoqëritë totalitare

Bashkëpunimi i do gazetarëve pa etikë me spiunët lokalë është i njohur që moti që nga BRSS-ja dhe në tërë bllokun komunist, pastaj arriti te Kamboxhia e Pol Potit, Kuba e Castros, Venezuela e Chavezit ose në Iranin e ajatollahëve. Ideja e akuzimit të gazetarëve kritikë për t’i fshehur dështimet dhe hajnitë e pushtetit, para do ditësh “zbarkoi” në Ankaranë e Erdoganit, prej nga u importua në Tiranë, pas 21 shkurtit, kur ndër “puçistët” pushteti i “gjeti” edhe katër gazetarë shqiptarë dhe nga andej ia behu edhe në Prishtinë. Këtu media proqeveritare “zbuloi” komplotistët, ndër të cilët, pa iu dridhur dora, renditen edhe gazetarë.

Demokracia as që mund të mendohet pa medien e lirë dhe gazetarët kritikë, përndryshe pasurimi nga zyra publike dhe abuzimi i pushtetit do ta gërryenin vetë legjitimitetin e shtetit dhe do ta shpinin në tirani.

Andaj, pushteti i papërgjegjshëm shkatërron institucionet e shtetit, e jo gazetarët. Gazetarët shkruajnë për të mos e lënë Qeverinë të gabojë, pra përdorin një të drejtë legjitime, por nuk u përket atyre të merren me organizimin e protestave apo të thërrasin në padëgjueshmëri qytetare, qofshin ato edhe kauza të drejta e të përligjura qytetarisht. Përmendja e emrave të gazetarëve si pjesë e debatit për protesta, nga shoqëria civile dhe pastaj publikimi i këtyre emrave “komplotistë” nga media proqeveritare dhe fjalët kundërmuese për ta, të shqiptuara nga presidenti i vendit, pos që dëshmon paranojën e këtij pushteti, janë edhe thirrje të tërthorta për ta legjitimuar dhunën e pushtetit ndaj gazetarëve dhe “fshehjen” e dorës që e ka rrezikuar rëndë lirinë e shtypit në Kosovë.

Një Qeveri e pakicës (pra me shumicën shqiptare në opozitë) dhe e cila e di se është jolegjitime e që sundon me dorë të fortë, nuk ka punë tjetër pos që të “prodhojë” dhe të zërë komplotistë në Prishtinë. Sipas teorive konspirative, nëpër zyrat e nëndheshme fabrikohen armiq, sa më shumë armiq, që kundërgoditja të jetë madhështore, madje edhe legjitime në sytë e një votuesi naiv ose qytetari pasiv, të cilit i është vjedhur vota dhe shpirti…

Qeveria e tillë është paranoike, frikësohet vetë, së këndejmi shfaqet e egër dhe frikësuese ndaj qytetarëve dhe me biçim të OZNA-s, “i zbulon” dhe “i kap” ata, në emër të popullit dhe kinse në mbrojtje të tij…

Njëjtë, sikur që këtu e tridhjetë vjet më parë, pas “Pranverës ‘81” në Kosovë, kryetari i RSFJ-së, Lazar Mojsov, ua tundte para hundëve kolegëve të tij të Presidencës jugosllave, një copë letër koti, duke i alarmuar se e kishte në dorë “Dokumentin e Shtabit të Irridentes” (stapski dokument), i cili kurrë nuk u “bë i gjallë” dhe nuk u publikua edhe pas varrimit të “Burgut të popujve.”

Tridhjetë vjet më pas, përmes titujve “bomba” në një portal fantazmagorik dhe në disa gazeta të Prishtinës, mëtohet që t’i thuhet popullit se ka kush e mbron nga komplotistët, që po përpiqen ta rrëzojnë jo vetëm pushtetin, por edhe ta shkatërrojnë shtetin.

Mos pastë më në Kosovë njeri që u beson broçkullave të tilla!

Dhe kjo nuk është Tirana pas 21 shkurtit, as Stambolli i fillimmarsit, kjo është Prishtina e 13 marsit. Republika e Kosovës, shtet nominalisht demokratik dhe i “mirëmbajtur” nga Perëndimi.

“Na kapën”, se kushedi, çfarë ëndrre kemi parë në natën mes 12 dhe 13 marsit, ose na i kanë zënë mendimet n’hava (në mënyrë ajrore, thotë një reklamë bizare) përmes transportimit “onllajn të fajllave”, sikur zihen fluturat!?

Dhe, po atë natë u mblodh Pallati me urgjencë, përkatësisht “Tabir Saraj” dhe u thirr kryeinterpretuesi i ëndrrave, më i zoti në shtatë nahije, sepse ta zëmë, unë, kisha parë ëndërr Hitlerin, Stalinin dhe Titon duke hëngër shtalba!?

Dhe, kryeinterpretuesi i ëndrrave ishte djersitur goxha fort nga tuta, që t’i jepte kuptim kësaj ëndrre, sepse do t’i shkonte kryet, natyrisht nëse nuk di t’u bëjë derman ‘vozhdave’ (shefave) se çfarë domethënë ëndrra ime ose e kujtdo qoftë.

Pra unë, paskësha parë ëndrrën “komplotiste” me tre diktatorë, që, me demek, si gjaja e gjallë po e hanë bereqetin e stinës, kollomoqin!?

Interpretuesi i stërmunduar e kishte gjetur zgjidhjen e enigmës: Tre ‘vozhdat’ (cilësor sllav për shefin Stalin) paraqesin simbolikisht prototipat e tre liderëve dhe miqve aktualë në Ballkan, kurse kollomoqi shtalb është buxheti i shtetit.

Pjesën tjetër të ëndrrës lë ta zbërthejë vetë lexuesi…

Dhe pushteti në Prishtinë, së pari në levat e veta propagandistike, portalet dhe gazetat proqeveritare nisi ta përgatisë operacionin “Grushti i hekurt”: Mbylluani gojët gazetarëve!

Pas 21 shkurtit pushteti shqiptar në Tiranë u përpoq t’i spiunonte e pastaj t’i penalizonte Andi Bushatin, gazetar, Filip Cakullin, gazetar, Sokol Ballën, gazetar, Mero Bazen, gazetar… Emrat e këtyre kolegëve tanë u patën vënë në “shtyllën e turpit”, sepse pushteti paranoik i Tiranës “ua ngriti” akuzën më të pakuptimtë dhe më agresive: Ata paskëshin inspiruar, ideuar dhe kryer aktin e shëmtuar të grushtit të shtetit! Sepse, ata thjesht kanë menduar me zë.

Katër gazetarë kundër shtetit. E pabesueshme.

Kur pas 21 shkurtit një komision njëpartiak parlamentar në Tiranë u shpalli “fatvanë” katër gazetarëve shqiptarë dhe i thirri të dëshmojnë për “puçin”, pakkush në Prishtinë e mendoi se kjo është “fryma e kohës” në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse regjime të egra dhe paranojake pasi e kanë “kapur” shtetin, e heshtin qytetarin dhe tërë shoqërinë, duke ia vjedhur votën e lirë dhe shpirtin.

Sërish, u kapën gazetarët, por këtë herë në Stamboll, nga dosti më i mirë i Sali Berishës dhe Hashim Thaçit, Recep Tayyip Erdogan.

Por duket se “otomanit të fundit” nuk po i del pazari, sepse shteti i tij me këtë model sundimi mund të shohë vetëm ëndërr BE-në, e statusin e vendit kandidat e mban rrum qe 40 vjet, por me këtë qeverisje brutale, nuk do t’ia dalë edhe 40 të tjera!

Dhjetë gazetarë janë kapur nga shërbimet sekrete të Erdoganit, vetëm në valën e fundit, kinse për organizimin e një grushti shteti”, sepse ata si gazetarë profesionistë e kanë përdorur të vetmin mjet legal dhe legjitim që e kanë: lirinë e fjalës (shtypin e lirë) dhe të shprehjes, gjë që nuk i shkon përshtat diktaturës moderne.

Në burgjet e Turqisë janë mbi 50 gazetarë, ndërkohë që 100 tjerë janë të rrezikuar nga arrestimet,” citon CNN, Dogan Tilicum, zëdhënësin e Platformës së Turqisë për Lirinë e Gazetarëve.

Arrestimi i gazetarëve ka provokuar edhe një debat midis Qeverisë turke dhe Ambasadës së SHBA-së në Ankara, e cila ka kërkuar hetim të çështjes. Shqetësim për gjendjen ka shprehur edhe Komisioni Europian, nëpërmjet komisionerit Stefan Fule.

Për ata që nuk e dinë se qysh “pushteti e zë lepurin me kerr” duhet t’ua përkujtoj se OZNA – Sektori për mbrojtjen e popullit (Odelenje za zaštitu naroda) ka qenë ‘pararoja’ e lidershipit komunist në Jugosllavinë e partizanëve të Titos e të Rankoviqit, sepse sipas tyre, armiku duhet të “kapet” ende pa e kryer veprën, kur atë e ka sall në mendje ose besohet se mendon armiqësisht, ose thjesht sheh një ëndërr.

Krimet e kryera ndaj qytetarëve të ish- Jugosllavisë nga këto organizata sekrete janë të egra, e posaçërisht llahtaria ishte orientuar kundër atyre që guxonin të mendonin ndryshe ose që në ndonjë mënyrë mendonin për demokracinë.

Hisenë e dhunës pakrahasimisht më të lartën e bartën shqiptarët në ish- Jugosllavi.

Në rrethana normale, gazetarët dhe vetë qytetarët do të duhej të mbanin shpresë se gardiani i Kushtetutës dhe i unitetit të popullit, presidenti i shtetit do të deklarohej në mbrojtje të lirisë së shtypit dhe gazetarëve.

Pra ta thoshte fjalën e tij: Janë gazetarët armiq dhe komplotistë apo nuk janë. Po ose jo?

Por çka mund të presin gazetarët ose qytetarët nga një president, i cili vetë është mbi ligjin (përkatësisht Kushtetutën e vendit), sepse e ka shkelur atë.

I pritëm, kryeministrin dhe presidentin, prototipe nietzscheane të “njeriut me fytyrë të mërdhezur” t’i dëgjojmë se a u intereson instalimi i lirive qytetare (lirisë së shtypit dhe shprehjes së lirë) në vendin që e udhëheqin, apo u intereson instalimi i “diktaturës moderne”!?

Por Godoja i Becketit nuk do të vijë, sepse është i rremë.

Dhe kështu vajti puna deri këtu: Mirë se vini në realitetin e ri kosovar.

Në ‘minisverin’ orwellian.

Këtu torturohen faktet, gazetarët dhe qytetarët.

Terror verbal.

1 komente në “OZNA “na kapi…””

  1. beso says:

    Vertet,pushtetareve u ka ikur truri.Imagjinoj Mero Bazen dhe Filip Cakulin ne llogore,qe po organizonin puçin,me autoritetin e Petrit Dumes,lere Sokol Ballen qe i hipen tankut nga gryka ; Andi Bushati me bazooka…Keta persona me duar ne xhepa dhe stilolapsa i fanepsen Saliut si bandite;si Kabila afrikane qe pas nje artikulli mengjezor e shtyjne gjithe diten me sulme ditore me arme te çudtshme kunder kolubes ku ben vezet Berisha.Por duket qe jane çmendur dhe turqit,qenka bere me arnaute se ne!Edhe qeverisjen çalamane te Kosoves,ku te zgjedhesh nje minister te pakorruptuar eshte xhetoni me fatsjelles i kazinose;ç’a do Thaçi,te mos kritikojne qeverine e ngordhur?Keta jane ikur nga truri!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje