Parlamenti supermodern do të ndërtohet në Shqipëri

24 Mars 2011, 20:05Blog TEMA

Marrë nga Wiener Zeitung, 12 mars 2011

Nuk ka dyshim që ka probleme më të mëdha në politikën austriake se rinovimi i parlamentit me kosto 300 milion Euro për buxhetin.Të llogaritura me kursin e vjetër, ato janë 4 miliard shilinga, dhe sipas formulës që përdor Skylink, pritet që të shkojnë deri në 600 milion Euro në fundin e projektit. Por ky projekt meriton më shumë vëmendje, jo prej shifrave, por sepse e pasqyron në mënyrën më të mirë qëndrimin e politikanëve tanë. Të gjithë përgjegjësit e kishin të qartë që në fillim, që një rikonstruktim i parlamentit ishte i domosdoshëm, sepse kishte ditë që deputetëtëve u duhej të lëpinin pikat e shiut që kalonin përmes vrimave të çatisë. Por sapo projekti u bë publik, dhe filluan të qarkullonin zëra nëpër media, ajo që ishte e “nevojshme” u kthye befas në një “rrezik politik”. Në vend që t’i sqaronin zgjedhësve që parlamentarizmi ka nevojë për një ndërtesë të papërshkrueshme nga shiu, filluan në mënyrë hipokrite diskutime si: A na duhet me të vërtetë kjo gjë?- Mbase kjo na ndihmon të marrim edhe ndonjë votë nga budallenjtë. Si mund politikanët, që nuk kanë fuqi të kalojnë një projekt të nevojshëm rikonstruktimi pa e zvarritur atë pafund, të gjejnë fuqinë për të kaluar reforma buxhetore, reforma pensioni e reforma arsimi. Që parlamenti do të rinovohet, i detyrohemi më shumë zhurmës që është bërë sesa guximit të parlamentarëve. Por prapë kjo nuk është aq e mjaftueshme sa për të pranuar një sugjerim interesant të arkitektit të njohur austriak Wolfgang Prix. Ky sapo ka planifikuar për një shumë prej 500 milionë eurosh ndërtesën e re supermoderne te Bankës Qëndrore Europiane dhe sugjeron që në vend të rikonstruktojnë atë vjetërsirë, të ndërtojnë një parlament të ri, në Heldenplatz. Një ide me të vërtetë e bukur: “Projekti nuk do të jetë shumë më i shtrenjtë, por do të jetë shansi i vetëm për të patur një tempull demokracie të hapur, transparent dhe si simbol i modernizimit”- thonë ekspertët. Dhe asnjë vend nuk mund të ishte më i mirë se Heldenplatz (vendi në të cilën populli priste Hitlerin), njollosja e të cilës mund të mbulohej mjaft mirë më një simbol të tillë demokracie. Por vetëm mendimi që ky projekt do të hapte një debat tjetër publik e që do të kishte shumë mendime kontraversiale, e lë këtë projekt në letër. Përfytyrimi që sebepi për të anulluar projektin do të jenë disa pemë, i trondit krejtësisht projektuesit. Edhe kjo i korrespondon totalisht stilit aktual politik. Kalimi nga ky sistem i kalbur në një sistem krejtësisht të ri i tejkalon kompetencat e pushtetarëve të tanishëm në çdo aspekt. Në vend të kësaj ato rroken të shkruajnë të zezë mbi të bardhë, për aq kohë sa mund ta zvarrisin. Parlamenti supermodern do të ndërtohet gjithsesi, por vendi do të jetë Shqipëria. Aty politika është me sa duket më e guximshme se te ne. Arkitekti quhet Wolfgang Prix.

Përktheu: Aldion Baze

Lini një Përgjigje