Diplomacia e double-standardit dhe Shqipëria

23 Mars 2011, 10:01Blog TEMA

Nga Mustafa Nano

Robert Cooper është një diplomat britanik, beniamin i ish-kryeministrit Tony Blair; ka ca kohë që është këshilltari kryesor (për Ballkanin Perëndimor e për Lindjen e Mesme) i shefes për politikën e jashtme të BE-së, Catherine Ashton. Andej nga viti 2002, Cooper ka shkruar një artikull, i cili shkaktoi bujë dhe në të cilin thuhej mes të tjerash, se “sfida jonë në botën moderne ëhstë të mësohemi me idenë e double-standardit. Mes nesh, ne operojmë mbi bazën e ligjit…. Por kur na duhet të merremi me shtete e vende të stilit démodé, puna e do që të përdorim metoda të ashpra të kohëve të qëmotshme, dmth forcë, goditje preventivuese, mashtrime.” Duket sikur ka qënë këshilltar i Bush-it junior atëmot; por në fakt ka qënë në ministrinë e jashtme britanike. Pak më pas do të zhvendosej në Bruksel, ku është dhe sot e kësaj dite.

Pse po e përmend? Në site-in euobserver.com flitej për një qëndrim të tijin lidhur me ngjarjet e ditës së premte në Bahrein, ku autoritet kanë hapur zjarr mbi demonstruesit, e ku kanë mbetur disa qindra të plagosur, e gjysmë duzine të vrarë, mes të cilëve edhe dy policë; flitet dhe për qindra të tjerë, të cilët rezultojnë të humbur pa nam e nishan. Kamerat kanë kapur policë duke i qëlluar një civili të vetmuar e të paarmatosur, ashtu siç kanë kapur gjithashtu policë që gjuanin me armë zjarri nga jeep-et e tanket e tyre mbi turmën e njerëzve. Sikur të mos ish mjaft kjo gjë, forcat policore bllokuan spitalin kryesor dhe nuk lejonin doktorët të përkujdeseshin për demonstrues të plagosur. Kombet e Bashkuara e përkufizuan gjithë këtë ngjarje si “shocking”.

Por nuk është kështu për Robert Cooper-in. Ky i fundit ka qënë këto ditë në Bahrein si i dërguari i Ashton-it, dhe pas vizitës është thirrur për të informuar në komitetin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian. Dhe aty ka lënë gojëhapur të pranishmit: “Bahreini është një ishull i vogël, dhe protestat atje u bënë të patolerueshme. Mendoj se autoritetet bënë atë që duhej të bënin, vetëm se pas asaj ngjarjeje duhej të rivendosej dialogu. Sa për aksidentet e ndodhura, tani … ato mund të ndodhin”, u shpreh në komitet.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i një eurodeputeteje gjermane. Është fjala për ekologjisten Franziska Brantner, e cila u shfaq e skandalizuar nga shkujdesja, me të cilën Cooper-i fliste për një ngjarje kaq të dhunshme e për përdorimin e armëve të zjarrit në një protestë të qytetarëve. “Janë aksidente që ndodhin? Çfarë po thoni kështu? E gjithë kjo mua më kall datën”, shpërtheu ajo. Po kështu reaguan dhe të tjerë.

Ç’dua të them me këtë? Sa më sipër ilustron fare qartë motivimin e qëndrimeve të shumë diplomatëve ndërkombëtarë, të cilët double-standardin e kanë në kokë. Ata vijnë nga vende normale, dhe me t’u ballafaquar me vende si Jemeni, Bahreini, Libia, apo edhe Shqipëria, mendja u shkon se në vlerësimin e gjërave apo manage-imin e situatave nuk mund të shtihen në punë logjika e qasja që shtihen në punë në vendet e tyre. Nëse qeveria britanike do të urdhëronte vrasjen e ndonjë protestuesi (hej, praktikisht kjo është e pamundur), ajo do të binte aty për aty e do të arkivohej si një qeveri e çmendur. I pari që do kërkonte rrëzimin e saj do të ishte Robert Cooper-i. Ndërsa kur një qeveri si kjo e jona vret katër njerëz krejt të pafajshëm, që kanë dalë për të protestuar, kriteret e vlerësimit të ngjarjes janë të ndryshme. Shkurt, “aksidente mund të ndodhin”. Madje, shumë mirë që ndodhin, pasi ndryshe nuk mund të garantohet rendi, qetësia, stabiliteti.

Të kuptohemi, sjellja e diplomatëve mbi bazën e double standard-it është rasti më i mirë dhe krejt i pafajshëm. Por nuk është gjithnjë ky rast. Ka diplomatë që marrin në mbrojtje regjime kriminale, jo sepse janë të idesë, që “hajt mo, Jemeni, Libia, Bahreini, Shqipëria kështu janë”, por sepse vetëm kështu vihen në mbrojtje të interesave të vendeve të tyre (e në ndonjë rrethanë të interesave të tyre individuale).

Si i bëhet? Duhet kuptuar se nuk kemi pse t’i japim shumë peshë opinionit të ndërkombëtarëve, se duhet të merremi sa më pak me ta, se duhet t’i përqeshim e t’i denoncojmë sa herë që ata na tregojnë se cilët janë burrat e mirë dhe se për cilët duhet të votojmë. Duhet të kuptojmë pra se ndërkombëtarët, në pjesën më të madhe të tyre e në pjesën më të madhe të kohës, flasin për punët tona duke e pasur mendjen në punët e tyre.

Duhet të kuptojmë më në fund, që ky vend është i yni, dhe vetëm ne duhet t’i dalim zot.

*respublica.al

2 komente në “Diplomacia e double-standardit dhe Shqipëria”

  1. LORA says:

    Gjithe c’thote zoti M.Nano(ne cdo germe)kam vite qe i kam bindje. Per mua,kerkimi i votes qytetareve shqiptare nga njera ane,dhenia hesap jo-shqiptareve nga ana tjeter,eshte turperimi e leqendisja me e rende qe ka 20 vjet qe ushtrohet kriminalisht mbi shqiptaret,e qe shpirti im se fal.

  2. beso says:

    Demokracia ne vetvete eshte sfida me e madhe e Perendimit,duke filluar qe nga …Perendimi!Nano e di mire qe diplomacia nuk eshte elegante;ka shtete ku do ia “hedhesh” me nje drink te renduar,dhe vende ku te mjafton bertitja e nje zevendesndihmesi te nenssekretarit te leshit;kodra pas bregut,dhe behet çamur nje copez shkembinjsh si puna e Shqiperise,per nje llaf ambasadori,qe ka probleme serioze me rakine e Skraparit,me duket;s’ja jep kush me zor ta gelltise!! Se çfare tha ambasadori,apo nuk tha;pasi mbaron hesapet e vendit te tij me kete tonin(qe eshte arsyeja perse ka ambasada)fillon dhe na keshillon sesi shqiptaret e majte te bejne llogje televizive me shqiptaret e djathte.Ky s’eshte as double standard,eshte rrumba-rrumba…Ha fiq te pjekur,se i zoti po grindet me sorrat!Nano ka lexuar gjate mbi rregjimet koloniale,dhe nuk besoj te çuditet qe shtete te medha si Shba,e me rradhe,kur u duhet konsultohen me historine.Tani ne luften libike po grinden se ç’do ndajne,akoma pa rrezuar Gadafin.Lexoja qe nje Tomahouk kushton 500 mije $ copa,dhe kur Amerika shkarkon nja 40 brenda nates,dikush eshte duke mbajtur defterin,se ata qe do lirohen do kene rezerva te paguajne neser.Po e le fare,se eshte e gjate historia;shendet Nanos!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje